Aktiviteti i pestë me radhë në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup iu kushtua njërës nga figurat më të mëdha të njerëzimit, Shën Nënë Terezës.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, theksoi iniciativat e ndërmarra kohën e fundit nga ana e Institutit, për ndriçimin dhe jetësimin e figurës së shkupjanes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.
“Të parët në rajon hapëm departamentin për hulumtimin e trashëgimisësë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, botuam vepra origjinale dokumentare për familjet katolike shqiptare të Shkupit, si dhe e kthyem gjuhën amtare të Gonxhes në Sheshin e Shkupit”, u shpreh Asani.

Një emër i njohur i letërsisë shqipe, autor i dhjetëra veprave letrare, studimeve e përkthimeve referenciale ku spikatë figura e Nënë Terezës, profesor i katedrave universitare në Kosovë, Gjermani e Kalabri, Anton Nikë Berisha, shpërfaqi disa dromca intersante nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës. Ai nënvizoi se dimensioni bamirës nuk është ai më kryesori që ngërthen personalitetin e Nënë Terezës, por flijimi dhe sakrifica e saj e pazakontë për të tjerët.

Publicisti Emin Azemi, u paraqit me temën “Reflektimi i figurës së Nënë Terezës në ndërtimin e kauzave civilizuese”, duke theksuar shumë dimensionalitetin e figurës së Nënë Terezës, jo vetëm se në rrafshim human, por edhe atë kulturor, arsimor, social, misionar
Referuesi tjetër ishte Demush Bajrami, i cili madje si aktivist i ri shoqëror dhe humanitar, ishte i burgosur për shkak të një aksioni bamirësie për të ndihmuar vëllezërit në Kosovë në vitin 1990, me SHHB “Nënë Tereza”. Aktualisht doktor i shkencave sociale dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, referoi në temën “Nënë Tereza, shembull unik i altruizmit njerëzor”.

Të gjitha punimet e prezantuara do të botohen në edicionin e radhës të “Ditëve të Alfabetit”.
Ndërsa, dita e nesërme i kushtohet një iluministeje të ditëve tona, studiueses së njohur të letërsisë shqiptare, akademike Floresha Dado. /ITSHKSHK/ KultPlus.com
