Human Rights Watch letër Kurtit, Osmanit e Haxhiut: Siguroni të drejta për çiftet e seksit të njëjtë

Organizata për mbikëqyrjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” i ka shkruar një letër të përbashkët presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Kodin e ri Civil në leximin e parë, meqë në Kodin Civil të dërguar për miratim nga ministria e Drejtësisë përfshihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë.

Kjo ka qenë edhe arsyeja pse në Kuvend është shkaktuar debat i madh, pasi disa deputetë të koalicionit qeverisës s’kanë kursyer as komentet homofobike në sallën e Kuvendit.

“Ne po ju shkruajmë të shqetësuar pas hapave të fundit për të miratuar martesat e gjinisë së njëjtë në kuadër të Kodit të ri Civil”, thuhet në letër.

Nga HRW kërkojnë që t’i jepet fund diskriminimit dhe përjashtimit të martesës së gjinisë së njëjtë nga legjislacioni i Kosovës.

Në fund të letrës thuhet se HRW shpreson që Qeveria e Kosovës do të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtës gjini të kenë të drejta sikur çiftet tjera dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë për të çrrënjosur diskriminimin në baza të orientimit seksual dhe baza gjinore.

“Shpresojmë që qeveria e Kosovës do të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtit seks ta kenë të njëjtat të drejta si çiftet e tjera, dhe për të çrrënjosur diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identiteti gjinor në të drejtën familjare. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë informacion dhe këshilla – dhe presin me padurim legjislacionin që i jep fund diskriminimit në të drejtën familjare dhe ofron më të fortën mbrojtje e mundshme për çiftet e të njëjtit seks dhe familjet e tyre”, thuhet në letër. /Express/ KultPlus.com

Human Rights Watch: Në Serbi gazetarët përballen me ngacmime dhe dhunë

Gazetarët në Serbi të cilët kritikojnë autoritetet shtetërore vazhdojnë të përballen me ngacmime, kërcënime, dhunë dhe frikësim, thuhet në raportin vjetor për të drejtat e njeriut të organizatës ndërkombëtare Human Rights Watch.

Raporti nis edhe me pjesën e e krimeve të luftës ku thuhet se shumica e ndjekjeve penale përfshinin autorë të nivelit të ulët.

Human Right Watch, në pjesën e mediave raporton se institucionet shtetërore në Serbi kanë reagim të dobët.

“Nga janari deri në fund të gushtit, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS) regjistroi një sulm fizik dhe 20 kërcënime ndaj gazetarëve”, shkruhet në njoftim.

Ndërsa në pjesën e krimeve të luftës thuhet se “në periudhën janar-gusht, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka nisur nëntë hetime të reja kundër 11 personave dhe ka ngritur tre aktakuza kundër gjithsej katër personave”.

“Një gjykatë apeli në Beograd dënoi një zyrtar të rangut të ulët për krime lufte. Gjykata e shkallës së parë në Beograd ka dhënë shtatë dënime për krime lufte në të njëjtën periudhë kohore. Deri në gusht, 15 raste kundër 32 të pandehurve ishin në pritje në gjykatat serbe”.

Aty ndër tjera përmenden edhe dënimet e Dragomir Kezunoviq, Joja Plavanjaq, Zdravko Naranciq, Dalibor Krstoviq, Jovica Stanisiq dhe Franko Simatoviq të gjithë për krime lufte. Po ashtu, theksohet edhe pjesa ku është hapur procedurë gjyqësore ndaj Branko Basara, për të njëjtën vepër penale si më lartë.

Raporti shkruan edhe për të drejtat e komunitetit LGBTI, ku thotë se ata akoma vazhdojnë të përballen me dhunë dhe diskriminim.

Tutje, shkruhet edhe për raportin ndërkombëtarë, aty përmendet deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Bashkimit Evropian, i cili e quan këtë mekanizëm si “xhihad të sundimit të ligjit” për pjesën e institucioneve të forta dhe demokratike, njofton Klankosova.tv. / KultPlus.com

“Human Rights Watch” akuzon Izraelin për aparteid ndaj palestinezëve

Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, i ka akuzuar zyrtarët izraelitë për krime të aparteidit dhe përndjekjes, duke pretenduar se qeveria është duke zbatuar një politikë gjithëpërfshirëse për ta mbajtur mbizotërimin e izraelitëve çifutë mbi palestinezët.

Në raportin e publikuar të martën, grupi me seli në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara u bë organizata e parë e madhe ndërkombëtare që hodhi pretendime të këtij niveli. Organizata tha se pas dekadave të paralajmërimeve se një kontroll i ngulitur i jetës së palestinezëve mund të çojë në aparteid, ka gjetur se “pragu” tashmë është kaluar.

“Kjo është gjetja më e zymtë që Human Rights Watch ka bërë rreth sjelljes së Izraelit gjatë 30 vjetëve nëpër të cilët ne kemi qenë duke dokumentuar abuzime në terren atje”, tha Omar Shakir, drejtor i HRW-së për Izrael dhe Palestinë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Duke reaguar ndaj këtij raporti, Ministria e Jashtme e Izraelit e akuzoi organizatën “Human Rights Watch” për një “agjentë të gjatë anti-izraelite” dhe tha se raporti është një broshurë propagande që nuk ka lidhje me faktet apo realitetin në terren.

Megjithatë, ky raport u hartua në bazë të dokumentacionit për të drejtat e njeriut, analizimit të ligjeve izraelite, një rishikimi për dokumenteve planifikuese të qeverisë dhe në deklaratat e zyrtarëve, shkruan gazeta e njohur britanike.

I përdorur së pari për rastin e ndarjes raciste të popullsisë në Afrikën Jugore, termi aparteit rrjedh nga një gjuhë afrikane dhe cilësohet si krim kundër njerëzimit sipas ligjit ndërkombëtar.

HRW tha se brenda Izraelit, ku rreth një e pesta e popullsisë përbëhet nga palestinezët, dhe në territoret e okupuara, autoritetet janë munduar që ta maksimizojnë tokën e qasshme për komunitetet çifute dhe t’i grumbullojnë shumicën e palestinezëve në qendrat e dendura të banimit.

Rreth dy milionë palestinezë jetojnë nën bllokadë të rreptë në Gaza. Forcat izraelite u tërhoqën nga ky territor më 2005, por ende e kanë kontrollin e kufijve, detit dhe hapësirës ajrore të zonës.. / KultPlus.com