UP-ja do t’i kompensojë me rreth 14 mijë euro Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin dhe Kujtim Shalën

Është arritur pajtim gjyqësor në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera.

Marrëveshja është arritur në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që palët kanë shprehur vullnetin e tyre për një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kësaj marrëveshje e paditura UP, detyrohet që paditësit Avdullah Hoti t’ia kompensojë shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë, paditëses Hykmete Bajrami shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë dhe paditësit Kujtim Shala shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë.

Të gjitha këto shuma të lartcekura, në emër të kompensimit të diferencës së pagës sekondare për periudhën kontestuese dhe atë për tërë vitin 2015, ndërsa për vitin 2016 vetëm për muajin janar, shkurt, mars, prill dhe maj.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të procedurës, palët ndërgjyqëse janë dakorduar që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta.

Fillimisht, përfaqësuesi i paditësve, avokati Durim Osmani dhe përfaqësuesi i të paditurës UP, Safet Thaqi, e kanë njoftuar gjykatën se janë pajtuar që këtë lëndë ta zgjidhin me pajtim gjyqësor.

Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve ndërgjyqëse e ka lejuar gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca, e cila tha se ky pajtim e ka fuqinë e aktit përmbarues.

Sot vazhdon gjykimi në rastin ku Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Kujtim Shala kanë paditur UP-në

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara.

Lidhur me këtë rast, në seancën e mbajtur më 16 nëntor 2021, ishte dëgjuar eksperti financiar i cili kishte elaboruar ekspertizën e punuar më 5 tetor 2021.

Ndryshe, me precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si dhe të detyrohet UP-ja që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aty kërkohet që UP t’ia paguajë paditësit Avdullah Hoti shumën prej 5 mijjë e 901 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 590 euro e 16 centë, në emër të tatimit në burim, shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë në emër të diferencës së pagës sekondare), si dhe kamatën ligjore në shumën prej 2 mijë e 302 euro e 69 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Tutje, në precizim thuhet se paditësja Hykmete Bajrami ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 907 euro e 45 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 490 euro e 75 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 881 euro e 45 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Kurse, paditësi Kujtim Shala ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 376 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 437 euro e 66 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 720 euro e 96 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Sipas padisë të ushtruar më 9 shkurt 2018, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala po kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave dhe të ardhurave tjera.

Në padi thuhet se, paditësit me të paditurën në periudha të ndryshme kanë lidhur kontratë pune, si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Filologjisë. Gjegjësisht, thuhet se Hykmete Bajrami ka lidhur kontratën e punës si mësimdhënëse me UP më 13 shtator 2004, Kujtim Shala me 12 janar 2009, kurse Avdullah Hoti më 6 mars 2002, të cilat kontrata kanë vazhduar përmes aneks kontratave ose në mënyrë të vetëkuptueshme, kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdojnë ende.

Sipas padisë, në bazë të kontratave lëndore, palët paditëse kanë pasur obligim si punëmarrës, ndërsa UP ka pasur obligim si punëdhënës, në kuptim të çështjes kontestuese, pagimin e pagave për punën e kryer sipas kontratave lëndore dhe pagimin e të ardhurave tjera të punëmarrësit.

Mirëpo, në padi thuhet se përfaqësuesi i UP-së, Ramadan Zejnullahu, më 10 dhjetor 2014, nxjerr vendimin në bazë të cilit vendoset që palëve paditëse nuk i kompensohen pagat dhe të ardhurat personale sipas kontratës, përveç orëve të realizuara si mësimdhënës.

Tutje thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë shfuqizon vendimin e UP-së, ku si pasojë vet pala e paditur, më 11 maj 2016, nxjerr vendimin në bazë të cilit e revokon vendimin lëndor dhe vendoset t’i paguhet paga në mënyrë retroaktive, po që nga kjo datë thuhet se pala e paditur nuk ka paguar pagat sipas vendimit të fundit të datës 11 shkurt 2016.

Paditësit këtë padi e kanë bazuar në nenin 55-58 lidhur me nenin 11, paragrafi 9 të Ligjit të Punës, ku thuhet se është përcaktuar e drejta e punëmarrësit për kompensimin me pagë dhe të ardhurat tjera, në kundërvlerë të punës së kryer në cilësinë e punëmarrësit ndaj punëdhënësit.

Andaj, mbi këtë bazë po kërkohet që të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësve, Avdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami, si dhe të obligohet UP që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara me kamatë ligjore duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Hykmete Bajrami ia dorëzon detyrën Ramë Likajt

Ministrja e deritanishme e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, i ka dorëzuar sot detyrën ministrit të ri, Ramë Likaj.

Siç njofton MASHT’i, Bajrami e ka informuar ministrin Likaj me punën që është bërë gjatë periudhës sa ka qenë në krye të MAShTI, “me theks të veçantë organizimin e mësimit në distancë, por edhe për proceset që janë duke u zhvilluar, si përgatitja për Testin e Arritshmërisë dhe atë të Maturës, procesi i teksteve të reja shkollore dhe procese tjera të rëndësishme.”

“Ministri Likaj falënderoi ministren Bajrami për punën që ka bërë në këtë Ministri dhe theksoi se do të vazhdojë me përkushtim punën në insititucionin më të lartë të arsimit në vend”, thuhet në komunikatën e MASHT’it. / KultPlus.com

Bajrami: Bursat veç sipas ligjit

Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka reaguar rreth shpërndarjes së bursave nga MASHT si dhe rreth paralajmërimeve për protesta nga disa organizata studentore për të njejtën çështje, shkruan KultPlus.

Bajrami ka thënë se nuk do të përkrah asnjëherë thirrjet që të ulen kriterin e notës mesatare, që është cekur si kauzë e disa organizatave studentore.

Këtu keni statusin e plotë të saj:

“BURSAT VEÇ SIPAS LIGJIT

Është hapur konkursi për bursa për studentët e universiteteve publike. Janë përcaktuar kriteret ligjore dhe të njëjtat janë publikuar në njoftimet e MASHTI-it.
Jam duke i lexuar reagimet dhe paralajmërimet e disa organizatave studentore se do të protestojnë pse s’e kemi ulur kriterin e notës mesatare. NUK KA MUNDËSI të ndryshohet ky kriter pasi është i përcaktuar me bazë ligjore.
Thirrjet e juaj për protestë me kauzën që MASHTI duhet të ulë kriterin e notës mesatare për disa fakultete janë thirrje për të mos e respektuar ligjin. Nuk do ta bëj një gjë të tillë asnjëherë.
Buxheti i bursave është buxhet i shtetit, si i tillë nuk shpërndahet/shpenzohet as për qejfe të dikujt as pse dikush organizon protesta. Nuk shpërndaj taksat e qytetarëve me nënshkrim timin edhe pse në MASHTI kjo ka ndodhur me dhjetëra herë. Unë punën timen gjithherë e mbështes në ligje dhe akte të tjera nënligjore.
Si ministre e MASHTI-t që në ditët e para kam bërë përpjekje që të merrem me të gjitha problemet.
Nëse kthehemi pak në histori, unë kurrfarë obligimi ligjor nuk kam pasur që ta shpall konkursin e anuluar nga ish-ministri aq me pak kur mjetet e bursave nuk ishin më në buxhetin e MASHTI-t por kam vendosur të dëgjoj kërkesat e juaja.
Në fillim të këtij viti në dëgjimet buxhetore me ministrin e financave kam arritur që të kthejë pjesën me të madhe të mjeteve financiare për bursat e vitit akademik 2019/2020 të cilat veç kishin kaluar në buxhetin e shtetit si suficit nga MASHTI.
MASHTI ka një Udhëzim Administrativ për ndarjen e bursave UA 14/2017 për të cilin edhe kam vërejtjet e mia dhe si të tillë e kemi pasë në plan që ta zëvendësojmë me një të ri por meqë nuk patëm kohë ky udhëzim është ende në fuqi dhe RESPEKTIMI I TIJ NUK KA ALTERNATIVË.
Sipas këtij Udhëzimi 14/2017 ministri/ministrja cakton fushat me prioritet por për shkak të pandemisë unë vendosa që këtë vit të gjitha fushat të jenë me prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se pandemia ka prekur edhe ekonomikisht secilin nga ju. Ne nuk e patëm aspak të lehtë që të alokojmë 1,150,000.00 Euro për bursa duke qenë të sigurt se MASHTI prapë do të ketë mundësi të shpallë konkurs në fund të këtij viti, për vitin akademik 2020/2021.
UA 14/2017 në Nën-paragrafin 1.2 të Nenit 3 të tij thotë se përfitues të bursave mund të jenë studentët të cilët kanë notën se paku 9.0 dhe në asnjë nen tjetër të tij nuk thuhet se ministri mund të vendosë ndryshe.

Falënderoj taksapaguesit e vendit, ku bëni pjesë edhe ju e familjet e juaja që mundësuat që MASHTI të ofroj këtë mbështetje.
P.S. Buxheti për bursa ështe 1,150,000.00 Euro, bursë do të përfitojë secili student i cili i plotëson kushtet sipas UA 14/2017 Për Ndarjen e Bursave dhe Konkursit të shpallur nga MASHTI me 29.05.2020. Lartësia e bursës varet nga numri i atyre që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet.

https://masht.rks-gov.net/…/ua-masht-14-2017-per-ndarjen-e-…“.

Ministrja Bajrami: Çerdhet dhe shkollat nuk do të hapen

Të vegjlit dhe nxënësit edhe për një kohë të pacaktuar do të qëndrojnë në shtëpi. Ata do të vazhdojnë të ndjekin mësimin online nga shtëpia ndërsa për të vegjlit do të kujdesën akoma prindërit e tyre.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) nuk kanë vlerësuar pozitivisht hapjen e çerdheve dhe shkollave.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka treguar se mbrëmë ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarin e IKShPK-së, Naser Ramadanin ku është propozuar që mos të hapen ende çerdhet dhe shkollat.

“Kemi presion edhe nga prindërit se kur do të hapen çerdhet dhe shkollat andaj edhe mbrëmë kemi mbajt një takim me ministrin e shëndetësisë dhe me Institutin e Shëndetësisë, mirëpo nuk kemi marr ndonjë përgjigje pozitive ata janë kundër hapjes së shkollave dhe çerdheve për shkak se afërsia është shumë me njëri-tjetrin, kujdestaret e çerdheve duhet të kenë kujdes ndaj tyre t’i ushqejnë ata kështu që në këtë aspekt jemi shumë skeptik, për shkak të mbajtjes së distancës dhe mbajtjes së masakve, kështu që nuk kam ndonjë përgjigje se kur do të hapen”, ka thënë Bajrami për Insajderin.

Bajrami ka bërë të ditur se ministri Vitia ka propozuar që të bëhet një vlerësim për gjendjen me COVID-19 në vend dhe se a mund të kalohet në fazën e tretë.

“Mirëpo gjatë takimit me propozim të ministrit Vitia dhe Naser Ramadanit kemi vendos për të pritur deri me 29 maj sepse prej 25 deri 29 duhet bërë një vlerësim për gjendjen nëse mund të kalojmë në fazën e tretë apo të bëjmë hapa prapa”, ka treguar Bajrami.

Gazeta Insajderi ka provuar të marr një përgjigje edhe nga instituti i shëndetit mirëpo kanë qenë të pacasshëm.

Hapjen e çerdheve e ka kërkuar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Sugjeroj që çerdhet të jenë të parat që hapen, jo që ka dallim të madh të shkollave por meqenëse njerëzit punojnë ka filluar hapja e kompanive. Po ashtu,  siç kanë vendos edhe shtetet skandinave të Evropës, njëherë janë hapur  klasat 1-5 ku edhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël, ku na jep kohë që ngadalë të rihapim krejt Kosovën”, ka thënë Ahmeti.

Përpos cerdheve në Kosovë janë mbyllur edhe shkollat.

Nxënësit kosovarë që nga 23 marsi i këtij viti, mësimet nuk po i ndjekin në bankat shkollore mirëpo përmes televizionit. Kjo masë është ndërmarrë nga MASHTI për shkak të gjendjes me coronavirus në Kosovë, në mënyrë që nxënësit të mos humbin nga procesi mësimor.

E vazhdimi i mësimit në distancë është paraparë të zgjasë deri në përfundim të këtij viti shkollor.

Viti shkollor 2019/2020 për nxënësit e klasave 9,10 dhe 11 përfundon më 11 qershor 2020, kurse për nxënësit nga klasa e 1-8 përfundon dy javë më vonë më 26 qershor 2020.

Për maturantët ky vit shkollor përfundon më 20 maj 2020, ndërkaq MASHTI dje ka njoftuar se provimi shtetëror i Maturës do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. /Insajderi.org / KultPlus.com

Bajrami: Mësimi online nuk e zëvendëson atë në shkollë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami, ka thënë se mësimi në distancë nuk mundet ta zëvendësojë qind për qind atë në shkollë.

Që nga data 23 mars ka filluar të mbahet mësimi online me qëllim të parandalimit të koronavirusit, Bajrami thotë se statistikat që kanë ardhur nga tereni janë inkurajuese.

Sipas saj, përveç disa prej familjeve nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin në distancë në mungesë të pajisjeve smart.

Ajo ka thënë se është një numër i madh i kyçjes së mësimit në distancë të nxënësve mësimdhënësve dhe prindërve.

“Procesi i mësimit në distancë ka filluar me datën 23 mars dhe normalisht nuk është një proces i cili qind për qind mundet me e zëvendësuar mësimin në shkolla mirëpo ka shkuar shumë mirë meqenëse kemi një numër shumë të madh të kyçjes së mësimit në distancë të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve”.

“Statistikat që na vinë nga tereni janë mjaft inkurajuese përveç se disa familje të cilët janë në numra shumë të vegjël ose në përqindje të vogla në pamundësi të pajisjeve smart nuk po kanë mundësi ta ndjekin mësimin ndërsa të tjerët janë gjithë duke e ndjekur”.

Ndërsa për vlerësimin e nxënësve në këtë kohë, Bajrami ka thënë se është përpiluar një udhëzues. Ajo ka thënë se vlerësimi do të bëhet koonform atij udhëzuesi.

Më tutje ajo e para e Arsimit në Kosovë theksuar se në vlerësim do të futet edhe aktiviteti i fëmijëve gjatë mësimit në distancë.

Të gjitha klasat kanë kontaktet e tyre përmes grupit të viberit dhe e-mailit ku edhe po përcillen detyrat e shtëpisë dhe në një far forme secili mësues arsimtar e dinë për angazhimin e nxënësit të tij në bazë të detyrave, raporton EkonomiaOnline përcjell Klan Kosova.

“Para dy jave e kemi përpiluar një udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë dhe tani më të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë e kanë këtë udhëzues në dorë dhe vlerësimi do të bëhet koonform atij udhëzuesi dhe këtë udhëzues e kanë hartuar ekspertët më të mirë të arsimit në Kosovë dhe regjion dhe do të thotë vlerësimi po bëhet koonform atij udhëzimi”.

“Po sepse përpos mësimit i cili po zhvillohet për klasën një deri në nëntën të gjitha klasat kanë kontaktet e tyre përmes grupeve të viberit, emailave të tjerë dhe po përcillen detyrat e shtëpisë dhe në një far forme secili mësues arsimtar e dinë për angazhimin e nxënësit të tij në bazë të detyrave dhe janë dhanë udhëzime qysh në fillim të procesit se si të procedohet me pranimin dorëzimin e këtyre detyrave dhe vlerësimin e tyre, po ashtu në udhëzues kemi përcaktuar edhe kritere të tjera të cilat po merren parasysh gjatë vlerësimit”.

Komuna e Gjilanit premton internet falas, Bajrami: Të ndiqet shembulli i Gjilanit

Së fundi Komuna e Gjilanit ka premtuar internet falas për qytetarët, duke bërë kështu që për këtë dukuri të reagoj edhe ministrja e arsimit, shkruan KultPlus.

Hykmete Bajrami ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka potencuar se të gjithë duhet të ndjekin shembullin e qytetit të Gjilanit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Bajramit.

”Të ndiqet shembulli i Gjilanit

Komuna e Gjilanit ka vendosur të ofrojë internet falas për gjithë qytetarët e saj. Ky projekt përveç tjerash siguron qasje në mësimin në distancë pothuaj për të gjithë, një hap i jashtëzakonshëm, për të rritur edhe më shumë pjesëmarrjen në mësimin online, sidomos për pjesën e shoqërisë në kushte të rënda financiare.
Presim që edhe komunat tjera të ndjekin shembullin e Gjilanit dhe të ofrojnë internet pa pagesë në këtë kohë pandemie.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovavcinit do të qëndrojë afër secilit nxënës, studentë, prind, mësues, arsimtar e profesor. Do të ndihmojë edhe komunat me aq sa ka mundësi buxhetore. S’do të kursejmë asgjë për të kaluar sa më lehtë COVID-19.” / KultPlus.com

Lansohet “Edukimi në distancë” edhe për moshat 0-6 vjeç

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Save the Children, ka lansuar sot platformën e parë online në Kosovë “Edukimi në distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç.”

Ministrja në detyrë Hykmete Bajrami, me këtë rast tha se MAShTI, pas fillimit të mësimit në distancë për klasat 1-9, menjëherë ka menduar për fëmijët e moshës 0-6 vjeç dhe bashkë me partnerët ka përgatitur këtë platformë që u lansua sot, njofton Klan Kosova

Bajrami theksoi se kjo është mosha më e ndjeshme, të cilën Ministria, do ta ketë në vëmendje të veçantë, sepse duke investuar në vitet e para të jetës së individit, ky investim, do t’i koontribuoj të gjitha niveleve formale të arsimit.

Ministrja theksoi se kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore/javore me fëmijët në kushte shtëpie, ndërsa tha se përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë Platformë, stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore në varësi të moshës së tyre. Prandaj, ministrja Bajrami iu bëri thirrje prindërve dhe edukatorëve që sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi MASHTI-n për punën që po bën në këtë periudhë, dhe tha se kontributi i përbashkët është i nevojshëm në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të mirëfillta të të mësuarit për të evituar pasojat negative të COVID-19.

Ndërsa, Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children në Kosovë, theksoi se si partner i përhershëm i MASHTI-t dhe të gjitha institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, Save the Children iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të lehtësuar edukimin në fëmijërinë e hershme për kategorinë më të ndjeshme, pra të vegjëlit tanë.

Linku i platformës është: edukimihershem-rks.net në të cilin link mund të qaseni.

Bajrami: Pas pandemisë, sistemi i arsimit në vendin tonë do të dalë edhe më i fuqishëm

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka thënë se MASHT-i është në funksion të luftës kundër COVID19.

“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi. Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur. Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia.
Andaj ju bëjmë thirrje mësoni nga shtëpia, rrini në shtëpi!

Të nderuar nxënës, mësimdhënës, prindër,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po kalojmë në një situatë të rënduar të emergjencës shëndetësore. Numri i rasteve të të prekurve me virusin corona është rritur. Sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, ne duhet ta rrisim kujdesin maksimalisht, të respektojmë masat parandaluese dhe së bashku të kontribuojmë në luftimin e pandemisë. Sa më shumë që të rrisim kujdesin për veten dhe familjet tona duke qëndruar në shtëpi, aq më shpejt do ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’i kthehemi normalitetit”.

Ministrja tutje thotë se që nga data 12 mars 2020, ne jemi detyruar t’i mbyllim shkollat për të gjitha institucionet edukative-arsimore në vendin tonë. Në këtë mënyrë ne kemi ndërprerë mësimin konvencional por assesi nuk e kemi ndërprerë procesin mësimor, sepse menjëherë kemi filluar me organizimin e mësimit në distancë.

“Organizimi i mësimit në distancë ishte një sfidë e madhe, sepse për një kohë të shkurtër duhej përgatitur program voluminoz me përmbajtje mësimore për nxënësit nga klasa 1 deri në 9, në përputhje më kurrikulat e Kosovës. Këtë kemi arritur ta bëjmë me sukses deri tani, dhe po vazhdojmë tutje përkundër sfidave që po na shkakton situata pandemisë. Kemi arritur t’ua dërgojmë në shtëpi përmbajtjet mësimore mbi 234 000 nxënësve të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Të gjithë këta fëmijë po kanë mundësi të mësojnë, të aktivizohen, të komunikojnë me mësuesit e tyre dhe kësisoj të kontribuojnë në luftimin e pandemisë.

Poashtu po ndihmojmë edhe realizimin e mësimit në distancë për mbi 77 900 nxënës të arsimit të mesëm të lartë, të cilët përmes platformave të ndryshme digjitale dhe me përkushtim maksimal të mësimdhënësve po arrijnë ta zhvillojnë suksesshëm mësimin në distancë”.

Gjithashtu ajo njofton se edhe universitet publike dhe ato private po zhvillojnë ligjëratat online me përfshirje shumë të madhe të mësimdhënëseve dhe studentëve

“Ky mobilizim i të gjithë neve është tregues i qartë se kur kemi vendosmëri, nuk ka asnjë sfidë që na ndalon. Prandaj ne ju themi me mburrje, se pas pandemisë, sistemi i arsimit në vendin tonë do të dalë edhe më i fuqishëm.
Rrini në shtëpi dhe mësoni nga shtëpia”, përfundon ministrja

Bajrami, Vitia dhe Ramadani vizitojnë shkollën ku po xhirohen video-ligjëratat

Ministrja e Arsimit Hykmete Bajrami së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe me Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadanin kanë vizituar shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Kjo shkollë po shërben si vend-xhirim i ligjëratave për mësimin në distancë për nxënësit e klasave 1-9.

Bajrami ua shpjegoi bashkëbiseduesve rrjedhën e realizimit të këtij projekti për nxënësit e Kosovës, derisa shtoi se përkundër situatës së krijuar për shkak të pandemisë falë punës vetëmohuese të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt deri në këtë fazë janë arritur rezultate mjaft inkurajuese.

Ajo tha po ashtu se përveç ofrimit të përmbajtjes mësimore, në përputhje me planprogramet e Kosovës, mësimi në distancë po kontribuon në angazhimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve dhe në këtë mënyrë po ndihmohet edhe përpjekja e gjithëmbarshme e institucioneve të Kosovës për mospërhapjen e koronavirusit.

Gjatë takimit është biseduar edhe për masat parandaluese që janë marrë, respektimin e tyre nga ana e qytetarëve, por edhe për mundësinë e marrjes së masave të reja në mënyrë që të parandalohet sa më shumë që të jetë e mundur përhapja e infeksionit.

Bajrami: Mësimi në distancë, themeli i një projekti të madh të digjitalizimit në fushën e arsimit

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se projekti i mësimit ne distancë tashmë ka treguar rezultatet e para.

Ajo përmes një teksti të gjatë në Facebook ka falënderuar nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë të angazhuarit në projektin e mbajtjes së mësimit në distancë, transmeton Klan Kosova.

“Uroj që së shpejti t’i kthehemi normalitetit por gjithashtu besoj që mësimi në distancë nuk do të jetë vetëm për ditë të vështira si kjo, por besoj që ky projekt do jetë themeli i një projekti të madh të digjitalizimit në fushën e arsimit”, ka thënë Bajrami ndër të tjera.

Bajrami bën thirrje që të përdoren platformat e MASHTI-it për mësim online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami, iu ka bërë thirrje nxënësve që t’i përdorin platformat e MASHTI-it për mësimin online.

“I ftoj posaçërisht edhe shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të shfrytëzojnë këto materiale të cilat mund t’ju hyjnë në punë edhe shqiptarëve që jetojnë në diasporë “.

Bajrami njofton që nga e hëna ofrojnë mësim online për lëndët gjuhë shqipe dhe matematikë, duke filluar nga klasat 1-9.

Postimi i plotë:

Bajrami: Po punohet intensivisht për ta bërë mësimin online pas situatës së krijuar shkaku i koronavirusit

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se janë duke u përgatitur që ta bëjnë mësimin online, pas situatës së krijuar shkaku i koronavirusit.

Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka thënë po bëjnë gjithçka që është e mundur ta tejkalojmë dhe menaxhojmë situatën pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19.

Postimi i plotë i Bajramit:

Qytetarë të nderuar,

Të dashur nxënës dhe mësimdhënës,

Së pari dhe mbi të gjitha është shëndeti. Duhet t’i respektojmë thirrjet për kujdes dhe të mos ketë panik.

Në këtë drejtim po bëjmë gjithçka që është e mundur ta tejkalojmë dhe menaxhojmë situatën pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19.

Ne në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po punojmë instensivisht për të përgatitur mësimin online duke pasur parasysh faktin se askush s’e di sa do të zgjasë kjo situatë e rëndë.

Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse asnjëherë me parë nuk është punuar në këtë drejtim POR kemi ndihmë nga shumë operatorë privatë dhe profesionistë të fushës, të cilët në këtë kohë kanë ofruar ekspertizën e tyre pa asnjë kompensim.

Ministrisë i duhet edhe kontributi i shumë mësuesve dhe arsimtarëve për të krijuar përmbajtjen.

Për çdo gjë do të informoheni me kohë. Klan Kosova / KultPlus.com

Hykmete Bajrami: Studentët të mos qëndrojnë në konvikte

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë, ka kërkuar nga studentët që të mos qëndrojnë në konvikte studentore në mungesë të ligjeratave.

Ajo u ka bërë thirrje atyre që të kthehen në shtëpitë e tyre në mënyrë që t’i evitojnë këto pika ku frekuentojnë më shumë student.

“Meqenëse sot me vendim të qeverisë është ndërprerë mësimi në të gjitha nivelet duke përfshirë këtu edhe universitetet unë besoj se studentët nuk kanë as një arsye që nuk kanë ligjërata të qëndrojnë në konvikte. Ne ju bëjmë thirrje atyre që të kthen në shtëpitë e tyre në mënyrë që t’i evitojnë këto pika ku frekuentojnë më shumë student”, ka thënë Bajrami.  /KultPlus.com

“Znj. Ministre, çliroji mësuesit, ata nuk ndihen mirë si trup elektoral”

Rrahman Paçarizi

E dashur ministre e arsimit znj. Bajrami

Ky tekst,në kohën kur u shkrua (në shtator 2017) e kishte titullin “I dashur minister i arsimit, cilido që je”, meqë asokohe ende nuk dihej se cili do të ishte ministri i arsimit. Fatmirësisht tani e dimë kush është ministri. Mua më vjen mirë që jeni Ju, për sëpaku tri arsye: 1. Jeni mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës; 2. Keni përvojë të menaxhimit të së paku një ministrie; 3. Mbaj mend kohën kur kam raportuar në emër të Bordit të RTK-së, te Ju kam gjetur kritikuesen e ashpër, por profesioniste dhe të paanshme.

Tani, me lejoni, t’jua përsëris letrën (me ca ndryshime referencash), të cilën ministri i shkuar mund të mos e ketë lexuar fare:

Besoj që në momentin që e ke pranuar postin e ministrit, e di se në ç’gjendje është arsimi në Republikën e Kosovës. E di që ke ekspertizë në këtë fushë, por kjo s’ka shumë rëndësi në një qeveri ku postet duket të jenë krejt politike. Tekefundit, edhe disa nga paraardhësit tu kanë qenë me ekspertizë të mjaftueshme dhe profesorë universiteti, por ja që gjendja është kjo. Në një situatë të tillë, shpresoj që të jesh e fuqishme dhe të mos lejosh që rreth vetes të kesh informatorë të kryetarit të partisë sate, të shefit tënd zyrtar ose jozyrtar – kjo i ka fundosur ministrat e deritashëm të arsimit.

E dashur ministre,

Suksesi yt varet nga dashuria që ke për arsimin. Suksesi yt varet nga guximi yt. Suksesi yt varet nga vendosmëria jote. Suksesi yt varet nga ekipi që do ta kesh rreth vetes (përjashto zëvendësministrin që mund të jetë pjesë e pazarit për qeverinë). Duhet ta duash arsimin dhe t’i kesh fëmijët duke u shkolluar në Kosovë dhe gjithçka ta masësh me brengën tënde prindore (standardi i dashurisë ndaj atdheut tashmë është shndërruar në një idealizëm të rrallë për të cilin të përqeshin). Duhet të kesh guxim për të ndërmarrë veprime, të cilat mund t’i humbin vota partisë sate, por është çmim që do paguar. Mund të të mos zgjedhin kurrë më ministre, por më mirë një herë ministre e mirë, sesa ministre e recikluar dhjetëra herë. Shpërbërja e mbeturinave në sistemin e arsimit zgjat me shekuj, zonja ministre, ndaj kujdesuni që të mos na ndotet edhe më ky ambient. Vendosmëria jote është vendimtare për suksesin. Është vrapim në shtigje të gjata që kërkon mund, por gjithashtu është vrapim me pengesa e ato janë të shumta – militantët e partisë që duhet t’i punësosh e nuk duhet t’i punësosh; sindikatat që kujdesen për mirëqenien e mësimdhënësve e ti duhet të kujdesesh për cilësinë përpara mirëqenies së tyre dhe vota e partisë do të të sillen si gogolë kahdo që sillesh, pasi secili veprim yti idealist do t’i humbë vota partisë. Duhet të heqësh dorë nga mirënjohja ndaj partisë që të solli në këtë post, zonja ministre, pasi në dorën tënde janë rreth 300 mijë nxënës e studentë që ta kanë nevojën, pa çka se shumica dërrmuese e tyre janë fëmijë të prindërve që nuk të kanë votuar. Dhe, në fund, zonja ministre, suksesi yt varet nga ekipi yt, nga njerëzit që do të kesh rreth vetes. Qofsh a jo ekspert i arsimit (unë e që je) njerëzit rreth vetes merri njohës të fushës, njerëz që janë pjesë e arsimit, njerëz me dije e integritet që t’i trembin e largojnë militantët e partive, pasi vetëm ashtu mund të punosh. Sigurisht që këto ditë publikisht e jopublikisht do të të shkruajnë plot njerëz për të të dhanë “ekspertizën” e tyre. Harroji ata emra (edhe timin sigurisht) dhe merri idetë që t’i japin.

E dashur minister Bajrami,

Shkolla fillore në Kosovë e ka tashmë damkën e PISA-s. Pararendësi yt nuk i mori këshillat dhe gjendja e PISA-s vetëm sa u përkeqësua. Me llum partiak nuk fshihet ajo njollë. Më beso kur të them se as me floskula patriotike si abeterja e përbashkët, s’do të bësh gjë (nuk po them se Abetarja ka faj). E vërteta është se rezultatet e PISA-s nuk përmirësohen brenda një viti, por reforma e ka një afat fillimi dhe pastaj është e përhershme. Mësuesit janë konsideruar deri më tash trup elektoral. Të lutëm, mos i shih të tillë. Çliroji!

Shkolla e mesme është gati-gati hajgarellëk, ndërsa universiteti është vetëm gjithëpërfshirës. Universiteti si gjithëpërfshirje i konvenon politikës, por nuk është cilësor. Kosova që ka telashe ta ketë një UP-në cilësore, vështirë se mund të ketë kuadro të mjaftueshme (jo aso emergjente, se të tillë ka sa të duash) për t’i mbajtur shtatë universitete publike. Universitetet jopublike e kanë pasur shansin e tyre. U duhet dhënë shansi vetëm atyre që janë cilësorë. E di që është vështirë, se janë të fuqishëm financiarisht, por duhet të futen në sistemin e cilësisë, jo vetëm të kësaj formale, por edhe substanciale. Universitetet dhe shkollat jopublike janë rregullator i rëndësishëm i fushës së arsimit, por nuk duhet të jenë vetëm biznese. Ato që janë vetëm biznese e kanë kryer misionin e tyre – të tjerat kanë kontribuuar dhe duhet të vazhdojnë të kontribuojnë. Tekefundit shkolla jopublike ekziston vetëm për shkak të cilësisë – gjithëpërfshirja është veti e shkollës publike, zakonisht.

Fatmirësisht, mund të kesh në dispozicion disa organizata joqeveritare, të cilat për arsimin tashmë kanë bërë më shumë sesa vetë institucionet e shtetit. Mirëpo, sado të kenë vullnet, kapacitetet e tyre janë të kufizuara në regjistrimin e gjendjes, por kjo për ty është e mjaftueshme. Mos i largo dhe mbaji pranë vetes. Më beso, ashtu siç të kanë besuar qytetarët që të kanë votuar tash e sa mandate, zonja Bajrami.

E di që ke punë të vështirë. Zoti të ndihmoftë, nëse nuk e do ndihmën tonë!/KultPlus.com