‘Të rejat e të rinjtë as atë ditë të 1 Tetorit 1997 nuk u frikuan, siç nuk frikohen as sot’

Sot, janë bërë 26 vite nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997, të cilat bënë revolucion ndryshimi të ngjarjeve që u zhvilluan në atë kohë, kur Kosova ishte e pushtuar nga Serbia, shkruan KultPlus.

Më 1 Tetor 1997, përmes protestave, studentët kundërshtonin pushtimin e dhunshëm serb në Kosovë, si dhe kërkonin kthimin e studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Prishtinës, të cilët ishin dëbuar nga UP.

KultPlus, sot në 26 vjetorin e protestave studentore, ju sjell një shkrim të Kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykollit:

Në kujtim të ecjes së 1Tetorit 1997

1997 thërret kujtesën tonë, thërret kujtesën e të rejave e të rinjve që atë 1 Tetor ishin në ecjen e guximshme krah popullit drejt lirisë – e që erdhi e që duhet mbrojtur.

Dhe secili fillimtetor thërret ndryshe kujtesën tonë, po duke na mbajtur fuqishëm në rrugën e drejtë.

Fillimtetori, 1 Tetori i 1997-s është shënjuesi dhe përkujtuesi ynë se dita e nisjes e rinisë studentore prirë nga i pari i universitetit në ecjen historike nga Shtëpia Universitet në kodrën e kujtesës Prishtinase, është dita që nuk duhet harruar.

Të rejat e të rinjtë as atë ditë të 1 Tetorit 1997 nuk u frikuan siç nuk frikohen as sot. Atë ditë tetori u shtrua edhe një rrugë lirie.

E largpamësia e rinisë studentore që atë 1 Tetor të 1997-s ndezi zemrat e lirdashësve duke tejfuqizuar bindjet drejt ecje e lirisë që po e gëzojmë fuqishëm sot mban fuqishëm kujtesën dhe përgjegjësinë tonë.

Ato të reja e ata të rinj sot janë shembull rinie duke u prirë të rejave e të rinjve në rrugën e ruajtjes së lirisë.

Dhe nga Shtëpia Universitet në rrugën kujtesë nuk eci vetëm rinia studentore po eci i gjithë populli përfaqësuar po nga ajo rini.

Dhe nuk mund dhe nuk duhet harruar  kurrë ecja e 1 Tetorit 1997 se ishte ajo ecja që nisi e e cila nuk duhet të ndalet, e e cila nuk do të ndalet.

Nuk shënova emra se ecja e lirisë është vetë populli.