Më 11 tetor të vitit 1913, në Shkodër u botua nga At Gjergj Fishta, revista “Hylli i Dritës”. E botuar dhe e qarkulluar nga “Nikaj Press”, revista u mbështet nga një figurë e shquar si Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, botimi dhe qarkullimi i saj u ndalua nga austriakët, sepse revista promovonte interesat shqiptare.
“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh të nderuar.
Revista u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.
Që në editorialet e para, ai u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.
Te historia e “Hyllit të Dritës” janë të shprehura të gjitha shpresat dhe zhgënjimet, ulje-ngritjet shqiptare dhe shumëçka tjetër që ka lënë gjurmë të kundërtash përgjatë një shekulli.
Sot mund ta themi që te kjo revistë e konfirmuar si institucion kulturor, shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë tjetër, si askund tjetër.
“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.
Në vitin 1944 fillon heshtja e gjatë. Një nga aktet e para të qeverisë së Tiranës ishte mbyllja e kësaj reviste si “përfaqësuese e reaksionit”, si dhe dënimi me vdekje e burg i drejtuesve të saj, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti e shumë të tjerë, si dhe vjedhja e trashëgimisë së saj arkivore nga shteti komunist.
Periudha e rilindjes së Hyllit fillon pak vite pas rënies së diktaturës, pikërisht në vitin 1993. Këto vite kanë shenjën e “fratit të kujtimeve” Atë Zef Pllumi “ideologut shqiptar të lirisë kundër tiranisë”.
Qasja ndaj lirisë, edukata demokratike, gjuha e komunikimit me Europën, rreziku i tribalizmit dhe autoritarizmit, por edhe plotësimi i sistemit të gjymtuar kulturor, “ringjallja së vdekurish”, qasjet moderne e pa ngarkesa ideologjike që e shihnin letërsinë dhe historinë “si të tillë”, ishin disa prej motiveve të grupit themelues që rilindën “Hyllin”.
Në metropolin postkomunist plot me kioska, që i ngjante një ngrehine pa shpirt në çoroditje e rendje pas fitimit të shpejtë, do të gjindej kjo çetë intelektualësh që do të grumbulloheshin rreth “Hyllit” në kërkim rrënjësh, në pasqyrim tradite, në rizbulim të identitetit europian të mbuluar nga ideologji e trashëgimi të tjera qytetërimore..
“Hylli”, në sintoni me traditën e vet të hershme, u shfaq gjatë tranzicionit si zëdhënëse e mendimit demokratik perëndimor në Shqipëri.
Numrin e parë të revistës mund ta lexoni në linkun më poshtë.
http://bibliotekashkoder.com/digital/hylli_i_drites/vjeti_I_1913_1/ / KultPlus.com