‘Si m’shikon ashtu?!’ nga Hyrë Fazilja, poezi finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Hyrë Fazilja

Si m’shikon ashtu?!
Po, ja…
Kështu shikohet deti, n’perëndim dielli;
Vala kur grindet me valën për bregun;
Era kur të tund fijen e flokut…
Kur dita ia dorëzon çelësin natës,
shikimi varet n’kujtime;
si nuk ia vjedha çastin dritës?!
 Po kohën?!
Kohën akull do ta bëja,
për valsin me mijëra spektatorë t’ngrirë…
Si m’shikon ashtu?!
Po, ja…
Zëri dëgjohet me sy;
burimet e ujit, sytë i shterin,
tek përbijnë retinën n’shkëlqim zjarri…                                           
Si m’shikon ashtu?!
 Po ja…
 Kështu di të të shikoj.
Për të ta matur dridhjen e shpirtit;
 për të ta ndjerë frymëmarrjen mbi fytyrë;
 për të pirë aromën e ajrit në gotën e vjeshtës…/ KultPlus.com