Shtyhet projekti i biçikletave komunale, s’pati asnjë ofertues

Shtigjet e biçikletave do të duhej të kishin edhe disa mjete transporti unike këtë pranverë. Nga marsi planifikohej që biçikletat të përdoreshin si transport publik.

Mirëpo Komuna e Prishtinës, përkundër që e hapi thirrjen nuk pati asnjë ofertues, andaj afati u shty, raporton Klan Kosova.

Ilirik Musliu, Drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, tha se beson që do të kenë oferta në thirrjen e re.

“Kemi qenë në kohë me projekt, por çka është e vërteta tash edhe vetëdijesimi, kjo shprehia e përdorimit të biçikletave, po ndërlidhet edhe me pjesën e operatorëve, të cilët nuk i kemi, as të zhvillum as në numër. Kjo ka bërë që ne me e shty për një afat tjetër, me ia dhanë prapë mundësinë me pa oferta, po mendojmë që kemi me pas”, u shpreh Musliu.

Ai pohoi se thirrja për operatorë ekonomikë është e hapur deri në fund të muajit.

Megjithatë, Berat Rakovica nga grupi “Marakli t’Biciklave”, pohon se vonesat në implementimin e projektit, duhet të shfrytëzohen për krijimin e kushteve infrastrukturore.

“Krijohet njëfarë rreziku i përgjithshëm për shfrytëzuesit e biçikletave, sepse ti ua jep mundësinë me marrë një biçikletë, por duhet me i kriju edhe kushtet që ata me lëviz, ideja është që me pas ku me çiklu, momentalisht nuk ka”, tha Rakovica.

Ky projekt parasheh 10 vendstacione me biçikleta, ku do të qëndrojnë nga 10 mjete ekologjike transporti në secilën, dhe do të jepen për përdorim falas në 6 muajt e parë.

Kjo në fakt është faza e parë e këtij projekti për të cilin janë ndarë rreth 500,000 euro, dhe në të ardhmen parashihet që ky numër të rritet. /Klankosova.tv/KultPlus.com