‘Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë’

Martin Luther King, Jr. i kaloi vitet e tij si aktivist dhe udhëheqës i lëvizjes për të drejtat civile. Ai ishte i njohur për fjalimet, predikimet dhe shkrimet e tij që synonin të motivonin shoqërinë për të nxitur ndryshimin, përcjell KultPlus.

Fjalimi i tij më i shquar ishte “I Have a Dream”, e në anën tjetër Dr. King u nderua edhe me Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tij në vitin 1964. Këto citate të Martin Luther King, Jr. rreth guximit, unitetit, dashurisë dhe barazisë racore janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që ai la pas.

Disa prej thënieve të tij më të njohura KultPlus ua sjellë më poshtë:

  1. “Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. Unë kam një ëndërr sot.”
  2. “Le të kuptojmë se harku i universit moral është i gjatë, por ai përkulet drejt drejtësisë.”
  3. “Masa përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”
  4. “Koha është gjithmonë e duhur për të bërë atë që është e drejtë.”
  5. “Kam vendosur të qëndroj pas dashurisë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për ta mbajtur.”
  6. “Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”
  7. “Në një të nesërme jo shumë të largët, yjet rrezatues të dashurisë dhe vëllazërisë do të shkëlqejnë mbi kombin tonë të madh me gjithë bukurinë e tyre shkëlqyese.”
  8. “Ju mund të vrisni ëndërrimtarin, por nuk mund ta vrisni ëndrrën.”
  9. “Falja nuk është një akt i rastësishëm. Është një qëndrim i përhershëm.”
  10. “Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë mos e humbim shpresën e pafund.”

Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur Dr. Martin Luther King, Jr., u vra në Memphis, Tennessee, por fjalët e tij janë po aq kuptimplote sa ishin gjatë kulmit të Lëvizjes për të Drejtat Civile. /KultPlus.com

52 vjet nga vrasja e Martin Luther King-ut, aktivisti më i madh i të drejtave civile

Sot bëhen 52 vjet qëkur u vra Martin Luther King Jr në Memphis, Tennessee, shkruan KultPlus.

Data 4 prill 1968 shënoi fillimin e një periudhe pikëllimi e zemërimi në Amerikë. Bota e kujton si një nga figurat më të zëshme në histori, Marthin Luther King Jr, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA.


“I have a dream” apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot.

Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie. / KultPlus.com