Del numri i ri i revistës ‘Jeta e Re’

Posa ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një in memoriam për Ismail Kadarenë, shkrimtarin tonë me famë.

Kështu, në një hapësirë prej 70 faqesh botohen me këtë rast dy shkrime studimore për veprën e Kadaresë: “Arti i dhembjes universale” i Ibrahim Rugovës dhe “Kronika dhe fragmente” (Për romanet e Kadaresë ) i James Wood-it. Rubrika vazhdon me prozat “Tri këngë zie për Kosovën”, “Vdekja e gruas ruse” dhe  “Dosja e Orfeut”, për të përfuanduar me një cikël poezish të përzgjedhura.

Ndërkaq, në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Kukulla” i Ibrahim Kadriut, “Stacioni i autobusit” dhe  “Mashtrimi” të Ibrahim Berishës, “E pabëra” i Arif Kutleshit, “Topthqimesh” i Margaret Atwood, “Dera e gjelbër” i O.Henry-it dhe “Martiri” i Pero Chiara-s.

Me nga një cikël poezish vijnë Rexhep Ferri, Alket Çani, Qerim Raqi, Tomas Transtromer, Izet Sarajliq, Julia Hartwig dhe Ivano Ferrari, kurse në rubrikën Intervista këtë herë është botuesi dhe shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani.

Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Pas absolutizmit  të realitetit”  të Hans Blumenberg-ut, për të vazhduar me “Nga studiuese e letërsisë në krijuese e letërsisë” të Floresha Dados, “Udhëtimi lirik i Sali Bashotës në Matanë dashurisë është një lumë” të Serafina Lajçit, “Proza konceptuale” (Mbi prozën “Anonim Wor(l)d” të R. Murteza Shalës) të Halim Halimit, “ Transformimi i modaliteve kulturore dhe zhanrore në romanin bashkëkohor” (për romanin “Vdekja e Omerit” të Adil Ollurit) të Leonora Hajres, “Dritarja e Martin Shkrelit”: retrospektivë mbi fatin e individit dhe qenësinë e një kombi” i Rrezarta Morinës.

Në rubrikën Recensione paraqiten Abdullah Rexhepi me “Kontributi i Sami Frashërit për gjuhën turke”, Kastriot Kurti me “Momenti prusian” dhe Laura Ferizi Haradinaj me “Një vështrim mbi romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”. Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë: Qerim Raqi, E. Gjerqeku e A. Shkreli, Azem Qazimi, Ilir Breca, Ingrid Orgocka, Arben Idrizi dhe Alfred Beka.

Prezantohet drejtori i ri artistik i trupës së baletit të TKOB

Trupa e baletit e TKOB-së tashmë ka një drejtori të ri artistik, Carlos Montalvan. Në një video që ndau online, drejtoresha e institucionit, Abigeila Voshtina, drejtori i ri prezantohet përpara publikut.

Carlos Montalvan, vjen nga Kuba, me një karrierë të gjatë në skenat botërore.

Që në moshë të re, Carlos Montalvan fitoi çmimin “Artista Nobel” në festivalin “Panorama de las Artes Escenicasi”. Për meritat e tij artistike, ai iu bashkua stafit të shkollës “Vicentina de la Torrei” në Kamagueji.

Më pas u diplomua për art koreografik dhe krijoi disa koreografi që u vlerësuan në konkurset ndërkombëtare të Kamaguejit, të Santiago de Kubas dhe fituan medalje ari në Havanë.

Në vitin 2007, Montalvan iu bashkua kompanisë “Balletto del Sud”. Ai ka qenë protagonist në shfaqjet “Traviata”, “Carmina Burana”, “The Firebird”, “Karmen”, “Liqeni i Mjellmave” e të tjera. Si dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur si Alicia Aloniso, Kylian, Forsythe, David Dawson, Gonzalo Galguera, Fredy Frannutti, Ben van Cauwenbergh e ka interpretuar përkrah Letizia Giuliani, Enada Hoxhes, Linsay Kemp, Luciana Savignano, Carla Fracci./atsh/KultPlus.com

Romani i ri i Han Kang, shpërfaq pikëllimin brenda një qyteti të shkatërruar

Han Kang, fituesja e fundit e Çmimit Ndërkombëtar “ Man Booker” do të sjellë dimensione të dyfishta të pikëllimit dhe kujtesës në romanin e ri që do të titullohet “The White book”, përcjellë KultPlus.

Ky libër vjen i përkthyer nga Deborah SmithDo ndërsa do të publikohet në Amerikë nga Hogarth në vitin 2019, shkruan The Economist, përcjellë KultPlus.

Një grua endet nëpër rrugët me borë në një qytet evropian i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore pësoi një zhdukje të madhe të njerëzve. Gjatë kësaj periudhe kur qyteti braktiset, ajo kujton vëllanë dhe motrën që nuk i takoi kurrë: fëmija i parë i nënës së saj vdiq “më pak se dy orë në jetë”. Vajza e vogël kishte një fytyrë të bardhë.

Han Kang një shkrimtar nga Korea e Jugut në këtë libër sjellë dimensione të dyfishta të pikëllimit dhe kujtesës, duke ballafaquar përjetimin personal me atë historik. Në këtë libër më 128 faqe ajo ka arritur të modifikoj një libër dimri të përbërë nga fragmente të bukura dhe tërheqëse. Proza e saj shfaqet në një sekuencë jashtëzakonisht të lëvizshme të meditimeve mbi shkatërrimin, zhdukjen dhe rilindjen. Në mes të imazheve të akullit dhe hirit, orizit dhe kripës, reve dhe hënës, te të gjitha “gjërave të bardha” që nënkuptojnë vajtim në traditat koreane dhe në traditat e tjera aziatike, gruaja mëson se si “të ndez një qiri për të gjitha vdekjet dhe shpirtrat që ajo mund t’i kujtoj, duke përfshirë edhe shpirtin e saj”./ KultPlus.com