Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bëjnë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë. 

Krerët e shtetit po ashtu ngritën flamurin e Kosovës, si dhe bënë homazhe te Memoriali i të Zhdukurve.

Ata pritet të bëjnë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi./KultPlus.com

Dhjetë kërkesat urgjente që Ibrahim Rugova ia kishte bërë Perëndimit në vitin 1993 (Dokument)

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 ia kishte bërë dhjetë kërkesa urgjente shteteve perëndimore për ta zgjidhur problemin e Kosovës, që në atë kohë ishte futur në një krizë të thellë politike.

Një dokument i bërë viral tashmë, Rugova kishte përmendur se Kosova është në krizë për shkak të disa arsyeve, ku ka përmendur se tensione janë rritur për shkak të 30 mijë ushtarë serbë dhe 25 mijë policë patrullojnë në Kosovë.

Si arsye që e thellon krizën, Rugova ka listuar edhe faktin se serbët lokalë janë të armatosur. Pastaj, thotë se forcat paramilitare të Arkanit ia mësyjnë fshatrave shqiptarë për të bërë punë të pista.

Ndër të tjera thuhet se pasi Millosheviqi “kreu” punën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të drejtohet kah Kosova.

Rrjedhimisht, Rugova përmes 10 kërkesave urgjente u tregoi shteteve të perëndimit se çfarë duhet bërë.

Vendosjen e një numri të konsiderueshëm forcash të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.

Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së.

Vendosjen e misioneve të jashtme (ndërkombëtare) në Kosovë.

Rritjen e zonës “të mos fluturohet” përmbi Kosovë.

Të ndalet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë.

Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe, të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar.

Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare.

Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia.

Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje.

Të përjashtohet Kosova nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.

Pesë vjet më vonë në Kosovë krisi lufta. Faktori ndërkombëtar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës, bashkë me UÇK-në si organizatë ushtarake e lindur nga populli kryengritës.

Pas qershorit të vitit 1999, Kosova u shpall zonë e administruar nga OKB-ja deri më 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton ish-presidentin Rugova: Figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e njeriut të urtë, paqësor e besnik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij, duke kujtuar takimet e tyre në vitin 1997.

Kurti ka shkruar se prej asaj kohe, figura e tij i ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë e paqësor.

“Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti ka shkruar se Rugova, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, ka luajtur rol kyç në ndërkombëtarizmin e çështjes së Kosovës në vitet e ’90.

“Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, ka shkruar kryeministri.

Më tej, Kurti ka shkruar se Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë.

Ndër të tjera, ai ka treguar se korpusit të botimeve për Presidentin Rugova, u është shtuar edhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman.

“I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”, ka treguar ai./KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton familjen e Ibrahim Rugovës në 19-vjetorin e tij: Kujtimi për presidentin historik është busulla jonë nacionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar familjen e presidentit Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shkruar se kujtimi për presidentin historik, Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori por edhe busulla jonë nacionale.

“Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i fyrmëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Rugova: Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi

Ish-presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte artist, intelektual dhe politikan.

Ibrahim Rugova udhëhoqi popullin e Kosovës në momentet e rënda para dhe pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Gjatë studimeve postdiplomike në Francë, ka qenë student i një prej filozofëve më të mëdhenj të shekullit XX, Roland Barthes.

Shquhej jo vetëm për rezistencën paqësore kundër Serbisë po edhe për diskurs paqësor politik.

Pas vetes Rugova la shumë thënie, ku shumica prej tyre qëndrojnë edhe sot.

Më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tij:

-Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.

– Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

– Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.

– Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.

– Nuk mund të merrem me letërsi, kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

– Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të.

– Unë dua të theksoj faktin se pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet.

– Kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.

– Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”

– Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70 për qind të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

– Ministritë e ndryshme duhet të punojnë më shumë në promovimin e vendit, për të ndërtuar imazhin publik të Kosovës. Projekte konkrete duhet të shpalosen, në mënyrë që të aktivizoni biznesmenët tanë të kenë më shumë kontakte. Ne na duhet të krijojmë një imazh pozitiv për veten.

– Vizioni im është që vendi të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Është gjithashtu detyra jonë për ta bërë këtë, nëse dëshirojmë të krijojmë një tregti dhe një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni për të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj në të ardhmen.

– Kishim ndihmë ndërkombëtare sidomos nga BE dhe SHBA-t[, të cilat na ndihmuan të dilnim nga kjo fazë e emergjencës, për t’i dhënë dinamizëm Kosovës.

– Problemet politike lidhen ngushtë me problemet ekonomike. Me ndihmën e politikës, ne do të hapim rrugën për ekonominë. / KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar tutje Olluri. / KultPlus.com

19-vjetori i vdekjes së Rugovës, Osmani: Ati themeltar shquhej për vizionin e tij largpamës për një Kosovë të lirë e të pavarur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kryer homazhe tek varri i Ibrahim Rugovës, në nder të 19-vjetorit të vdekjes së tij.

Në rrjete sociale, Osmani është shprehur se me përfaqësues të korit diplomatik, kanë kryer homazhe tek varri i njerit që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë.

“Me krenari dhe respekt të thellë, bashkë me përfaqësues të korit diplomatik, bëmë homazhe në nderim të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, njeriut që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo u shpreh se ai shquhej për vizionin e tij largpamës për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.

“Ati themeltar shquhej për vizionin e tij largpamës për një Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike dhe të integruar në familjen euroatlantike. Ai mbetet simbol i paqes e lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme!”, ka shtuar në fund presidentja./KultPlus.com

Intelektuali në politikë – misteri Rugovë

Avni Spahiu

Imazhi i përhershëm i ngulitur në mbamendjen time është ai i Ibrahim Rugovës jo në shtatin apo staturën e tij prej politikani, të liderit në krye të një lëvizje paqësore për pavarësi, me përgjegjësi historike për kombin, sa në staturën e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm, që doli nga ky truall i vjetër me rrënjët e shkëputura të Kontinentit, duke sjellë ndër mend, si në kllapi, se rrënjët duhet përtëritur dhe se vendi i shqiptarëve, si një ndër popujt më to vjetër të Europës, duhet rikthyer aty ku përket. Mundësisht, me sa më pak trauma. Misteri ishte se kjo duhej të bëhej në një kohë nga më të rëndat që po përjetonim. Sa arriti ta bënte këtë vazhdon të jetë një çështje që do të diskutohet gjatë nga brezat, ndërkaq që emri i Ibrahim Rugovës do të qëndrojë gjatë në mbamendjen tonë kolektive.   

Me këtë imazh, pra, të intelektualit të angazhuar, e shoh Ibrahim Rugovën para se “të vishte shallin e liderit politik”: një mendimtari të preokupuar thellë për të gjetur rrënjët e shkëputura të lidhjeve me kontinentin, që nga vitet tetëdhjeta në diskurset e shpeshta në Pallatin e Shtypit për letrat tona dhe europiane, për çdo fije lidhjeje që mund të ekzistonte apo të krijohej mes qytetërimit shqiptar dhe atij të përgjithshëm europian. Nuk e kisha krejtësisht të qartë atëherë, në vitet që po bëheshin gjithnjë më sfiduese për fatin e shqiptarëve, se ç’e shtynte këtë intelektual dhe kritik letrash shqipe, të dalë nga një mes i përvuajtur me gjakimin për liri, me bagazhin e mbledhur nga edukimi në Francë, të këmbëngulte që të njihte sa më mirë krijuesit e artit dhe të letërsisë europiane, siç ishte Xhojsi irlandez me kryeveprën e tij  “Vigjilimi i Fineganit” dhe insistimi i tij që të bëja një përpjekje për të sjellë tek lexuesi shqiptar një “shije” të veprës së papërkthyeshme të Xhojsit nga anglishtja në gjuhën shqipe. Nuk e di se sa ia arrita ta bëja këtë në faqet e revistës “Fjala” në vitin 1985, por sido qoftë, edhe ai insert ishte pikërisht iniciativë e Dr. Rugovës.

(Një parantezë është e nevojshme për të “arsyetuar” këtë obsesion të tij me Xhojsin, për të cilin bisedonim shpesh në çaste kontemplimi gjatë vizitave  të tij nëpër qendra europiane: se si “u insertuan” vallë nga Xhojsi fjalët e shqipes te Finegani, siç i nxjerr me besnikëri studiuesi britanik, Nathaniel HALPER, fjalët nga thesari i shqipes:  Ftofty, od(a), karrig, darka, disheen (dyshi), voos (vozgë), Dalbania, got (gotë), raki, portogal, buk, sofer, safe, boll, sugar, motru, bir, bije, biribiyas, nip, mes (mbesë), mbase edhe të tjera dhe se ç’mister tjetër fshihet pas shprehjeve të përdorura gjithandej në libër. “Vigjilimi (Zgjimi, Dremitja, Kllapia) e Fineganit” i Xhejms Xhojsit njihet si një nga tekstet më të vështira në të gjithë letërsinë. Sidoqoftë, një raport i barabartë midis një lexuesi dekodues dhe autorit prezantues është diçka që për këtë vepër nuk ndodhë në asnjë kuptim tradicional. Për shkak të mënyrave në të cilat Xhojsi manipulon me gjuhën përmes asonancës dhe referencave shumëgjuhëshe, fjalët dalin pa përkufizimet e tyre leksikore në nivele të reja të panjohura kuptimore. Andaj, edhe fjalët e inkorporuara të shqipes jepen në një kontekst tërësisht misterioz të kuptimit dhe përdorimit të tyre. Duke përshkuar “Zgjimin e Fineganit”, del të paktën i befasishëm përdorimi i fjalëve të shqipes në një konotacion të njohur të frazës hamletiane: “Me ken ose no me ken Zot është Quiztunes…”, në vend të frazës së njohur anglisht, në një nivel të papritur për anglisht-folësit: “Me kene” është shqipe e vjetër, e përdorur në vend të “to be or not to be” kombinuar me anglishten “no” në vend të “jo” në shqip dhe Zot në vend të Sot dhe God, si dhe Quiztunes për “çështje” dhe “question” në anglisht, sipas studiuesit McHugh, një mister që duhet dekoduar përmes baritjesh më të gjera universale letrare.)  …

Më falni për digresionin , por diskursi i ripërsëritur me Rugovën për “çelësin dekodues”, për mundësinë që Xhojsi, Ficxherald e autorë të tjerë europianë të kenë qenë në kontakt me shqiptarët, vazhdonte me pandehma se këto “rastësi” puqjesh me gjuhën dhe qytetërimin shqiptar, do të mund të kenë ndodhur në Triestë, Venedik, apo edhe në Paris,  ku frekuentonin shqiptarë që tregtonin apo edhe që studionin në fillim të shekullit njëzet në kryeqendrat europiane të kulturës dhe artit…

Tek i pasionuari pas letrave shqipe dhe kulturës shqiptare, Rugova, ky ishte një mishërim kërkimor edhe në kontekstin e politikës aktuale. Ai nuk ndalej së kërkuari fije dëshmish të lidhjeve me Europën, duke kritikuar shpesh vetë shqiptarët për mangësi evidente. Letrat e para shqipe nisnin, mezi, nga shekulli XVI (1555), duke spostuar jetën kulturore shqiptare për disa shekuj më vonë për shkak të injorimit të autorëve shqiptarë të shekujve të mëparshëm që kishin krijuar në gjuhë të huaja, latine, italiane, etj., dhe duke e nisur kronologjinë e krijimtarisë kulturore së shqiptarëve vetëm nga koha e  veprave të shkruara dhe të botuara në gjuhën shqipe. E tërë plejada e autorëve, humanistëve, rilindësve europianë me origjinë shqiptare,  iluministëve shqiptarë, për disa shekuj, që u shkolluan dhe vepruan në qendra europiane të kohës, mbeti pjesë e qytetërimit europian, por jo edhe pjesë përbërëse e atij shqiptar. Këtë fakt e vinte në pah Rugova…

Gjatë Rilindjes Europiane, si një nga periudhat më të rëndësishme të artit, kulturës, shkencës dhe letërsisë botërore, u shquan shqiptarët Gjon Gazulli, Martin Segoni, i pasuar nga Beçikemi dhe Barleti, Nikollë Leonik Tomeo, i njohur në lëvizjen humaniste të Rilindjes si një nga filozofët dhe dijetarët më të shquar të shekullit XVI, Mikel Maruli, një ndër figurat më të njohura të Rilindjes Europiane, Marin Barleti, humanisti më i shquar shqiptar dhe ndër më të shquarit europianë e të tjerë. Përfshirja e tërë këtyre emrave në kuadër të letërsisë së hershme shqipe do të shtynte për disa shekuj shkrimin (ani se në latinisht dhe italisht), si pjesë të letrave shqipe. Kjo do të dëshmonte rrënjët tona të fuqishme me Kontinentin dhe qytetërimin europian dhe do të ishte dëshmi dhe bazë për ndërtim të raporteve me Europën. A është kjo akoma një detyrë e studiuesve tanë të letërsisë? Rugova thoshte se po…

Obsesioni i Rugovës me rrënjët europiane përthyhej në takimet e tij në metropolet  europiane: mbi fatin e prapët të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit, në mungesë shumëshekullore të pranisë shqiptare, aty ku pritej fati historik i shqiptarëve. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli, Roma, … pa shqiptarët, të shkëputur nga pjesa së cilës i përkisnin. Pa njerëz, pa miq, pa mirëkuptim…   Kishte aq shumë për të bërë, duhej zënë shekujt e pushtuar hapësirat. Duhej krijuar miq dhe ripërtërirë miqësitë. Dhe, ne ishim vonë, shumë vonë dhe të pakët. Dhe, akoma në betejë për mbijetim. Megjithatë, Europa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat e tij dhe ta  pranonte në gjirin e vet… Për më tepër, të mos lejonte rrezikimin e tij me zhbërje dhe zhdukje…

Andaj, me këtë imazh, që forcohej gjithnjë e më shumë në çdo udhëtim me Rugovën nëpër Europë e Amerikë, në çdo bisedë e kontakt me europianët Rugova vinte në pah lidhjet e lashta të shqiptarëve me qytetërimin europian. Nën tymin e dendur të cigareve të Rugovës fshihej mjegullia e historisë  që duhej davaritur që Europa të shihte qartësinë. Ai sfidonte me kontributin e shqiptarëve në Rilindjen europiane, me Papët me origjinë shqiptare, me lidhjet mesjetare të shtresës së lartë shqiptare me aristokracinë europiane, me personalitete të shquara që shkëlqyen në oborret mbretërore në Paris, Romë, Venedik e qendra të tjera të kulturës dhe artit. Shpesh kalonte edhe në antikitet. Ky ishte lajtmotivi i përhershëm i Rugovës në takimet e tij , jo vetëm me intelektualë, por edhe me politikanë në metropolet e Europës Perëndimore. Ky ishte fokusimi i tij konstant dhe në çdo situatë. Madje, edhe kur u gjend në Romë gjatë luftës, kur Kosova po digjej e gjakosej, Rugova i fliste Lamberto Dinit, Ministrit të Jashtëm Italian, për habinë e këtij të fundit, për luftën e Skënderbeut dhe raportet e tij me Venedikun, Napolin dhe Vatikanin…

Ky është ai imazhi që më bënte të mos e shihja Rugovën si “Gandi i Kosovës”, siç filluan ta quanin në Perëndim, si një imitues të hindusit Mahatma Gandi dhe të filozofisë së tij të rezistencës paqësore. Rugova ishte një figurë europiane, i ngjashëm me iluministët, por edhe me europianë të mendimit modern të llojit të  Vaclav Havelit, i bindur në fuqinë e politikës dhe të mosdhunës. Ibrahim Rugova kishte imazhin e një intelektuali europian, më saktësisht të atij francez, prej të cilit ishte frymëzuar dhe formësuar. Madje ngjante edhe nga pamja: flokë të shprishur të gjatë, shall, syze të trasha, cigare dhe verë. Me pamje studiuesi dhe lexuesi të pasionuar. Por me një detyrë të rëndë, atë të çlirimit të vendit, që megjithatë në Ballkan, nuk do të vinte dot pa gjak. Të huajt, shpesh do ta shikonin si një studiues mendjemprehtë, të cilit i ishte dhënë një mandat popullor, tepër i rëndë për ta sendërtuar për një njeri paqësor, me shtat të brishtë, që nuk përkonte me liderin tradicional, sidomos në Ballkan, por që kishte vizion për lirinë dhe të ardhmen e popullit të tij dhe kishte trasuar rrugën duke vlerësuar  dhe duke u mbështetur në botën demokratike. Njeriu që përsëriste deri në bezdi nëpër kancelaritë europiane dhe amerikane: Liri dhe Pavarësi për popullin e Kosovës, si alternativë e vetme e të ardhmes së tij politike. …

Një bashkëbisedues i tij në Londër, theksonte: “Isha i lumtur ta takoja dhe të krijoja përshtypjen si për një njeri tepër të mençur. Por, ndonëse disa politikanë janë të aftë që ta bëjnë një takim të shkurtër të duket si një miqësi e përjetshme, te Rugova ishte e vështirë të dallohej një personalitet prapa shtresave të tymit të cigares, gotave të trasha dhe përkthyesit.” Andaj, mbetej enigma e shumëfishtë. Pacifizmi i Rugovës ishte mbase misteri i tij më i madh për të huajt. Strategjia e tij e ngjashme me Gandin sfidonte ciklin e zakonshëm ballkanik të hakmarrjes, siç e perceptonin të tjerët. Në vend që të ftonte për armë, Rugova po ndiqte diplomacinë dhe paqen. Studiuesi që ndoqi mësimet në Sorbonë te filozofi shkrimtar Roland Barthes, autori i shumë librave për kritikën letrare shqiptare dhe së fundmi me një doktoratë nderi nga Universiteti i Parisit, u fut pashmangshëm në politikë, me krijimin e një partie politike (LDK-së) që u bë fokus i lëvizjes së përgjithshme popullore për çlirim. Rugova u vu në krye të përpjekjeve për krijimin e një shteti paralel, në kushtet e okupimit, me një infrastrukturë të bazuar në organizimin e komunitetit,  me arsim, qeveri, shëndetësi dhe institucione paralele. Ndonëse dhuna serbe vazhdonte e  pandërprerë dhe Kosova po përjetonte trusninë me të madhe në historinë e saj për t’u futur në luftë, enigmatike ishte përcaktimi për zgjidhjen paqësore të Rugovës dhe deklaratat e tij konstante se e ardhmja u takon të gjithëve në një Kosovë të pavarur dhe neutrale, një pretencë që dukej jashtë reales, në konstelacionin e tërbimit hegjemonist sllav në hapësirat ballkanike.   

Por, mbase kishte të drejtë. Gjithandej në atë krijesë që quhej Jugosllavi, historia dukej se ishte kthyer në një përplasje të dhunshme mesjetare të konteksteve identitare, të konflikteve etnike, religjioze dhe civilizuese të nxitur nga Beogradi.  Në këtë gjendje, Rugova u fut natyrshëm por fuqishëm në kursin e vet politik si një vizionar që ndjek projeksione të politikës globale, duke pritur që të vinte çasti i Kosovës dhe duke u përpjekur të shpëtonte popullin e vet nga masakrimi. Rugova kërkonte nga bashkësia ndërkombëtare të ndërhynte dhe të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës. Madje, në kulmin e shtypjes së regjimit serb në Kosovë ai predikonte se NATO-ja (pra Perëndimi) do të na mbronte – siç edhe ndodhi në 1999, pas fushatës së NATO-s, që rezultoi me tërheqjen e Serbisë nga Kosova.

Rugova u pranua nga Uashingtoni si lider i pakontestueshëm, ndërkohë që Europa demokratike ia hapi dyert pa hezitim. Për dy vjet të vetme Rugova takoi më shumë liderë botërorë nga ç’takuan politikanët e tjerrë në këto dy dekada të fundit. Ai kërkonte zgjidhje me rrugë paqësore. Megjithatë në Ballkan, një paqe moderne e sofistikuar qëndronte tepër  larg dhe pritjet për të jorealiste. Kosovarët nuk ishin hindus, por edhe armiku i tyre nuk ishin anglezët që kolonizuan Gadishullin indian por që u larguan kokulur në një çast duke njohur realitetin. U ndanë si miq. Po, Serbia nuk ishte e tillë – e shohim se edhe pas njëzet vjetësh, kur Kosova është e pavarur, vazhdon të kërcënojë, në vend se të shoh të vërtetën në sy dhe për më tepër të përulet në kërkim falje…

Lufta kishte shpërthyer në pjesë të tjera të Jugosllavisë me krime gjenocidale të ushtrisë e policisë serbe në Bosnjë, Kroaci e gjetiu. Ndërkohë, gjendja në Kosovë ishte gjithnjë e më e rëndë dhe filozofia paqësore e Rugovës gjithnjë e më e kritikuar. Deklarata e Presidentit Klinton, që u përcoll nga Këshilltari i sigurisë Kombëtare Anthony Lake tek Rugova,  mu në Shtëpinë e Bardhë  që fliste për Rugovën si “drita e  vetme në tunelin ballkanik” nuk kishte më kuptim. Ishte e qartë se Rugova ishte një intelektual dhe mbi të gjitha humanist, që s’bënte dot luftë. Megjithatë, ai po kritikohej në Kosovë, ku lufta qe e pashmangshme dhe liria e Kosovës do të vinte nga  një lëvizje e armatosur çlirimtare e popullit të Kosovës që doli si alternativë e re e kundërvënies së regjimit më gjakatar në Europë…

Ndonëse, Rugova mbeti një humanist dhe ideator i një projekti madhor të nacionalizmit shqiptar për një shtet të pavarur të Kosovës të ndërtuar mbi parimet e demokracisë dhe të politikës së paqes me fqinjët e saj. S’do mend  se Republika e Kosovës i detyrohet vizionit themelor të Rugovës, i ngritur mbi shtyllat kryesore të pavarësimit, demokracisë liberale dhe sekularizmit, me një kurs orientues pro-perëndimor. Rugova qëndron i pamohueshëm për këto merita.

Rugova ishte njeriu i letrave shqipe dhe i humanizmit filozofik, që u vu në krye të popullit të tij në orët e liga të tij, por edhe të kthesave historike, që po ndodhnin në Europë, kur diktaturat po shembeshin dhe popujt e shtypur po shihnin shpresën për liri dhe demokraci në horizont. Ai do të mbahet në mend si njeri që zgjoi popullin e Kosovës dhe trasoi shtegun e lirisë në çastin e duhur. Si çdo personalitet q[ vihet në shërbim të politikës, edhe ai ishte i kritikuar dhe i sulmuar, aq sa dhe i lavdëruar. Patjetër! Madje, mbase edhe me të drejtë. Por miti i tij vazhdon të jetojë tek shqiptarët e Kosovës. Një intelektual në krye të shtetit – ishte një rastësi, apo produkt i pashmangshëm i kohës? Sido qoftë, kjo ndodhi për herë të parë tek shqiptarët. Vështirë se do të ndodhë edhe një herë në të ardhmen. Disa do ta konsiderojnë këtë fakt për keqardhje duke marrë përvojën nga një klasë politike të dy dekadave të fundit, ku mungon fryma e mirëfilltë intelektuale dhe vizionare e liderit politik intelektual dhe të edukuar…/KultPlus.com

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Nga Jusuf Buxhovi

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.

I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986, shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë, i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon, filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa ditë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike, por qe te një pjesë e liderëve zyrtarë në Shqipëri dhe nga disa nga oponentët e tij politikë në Kosovë ishte ngarkuar me anatemën e “tradhtarit” pa përjashtuar edhe atë të “kuislingut”, të mveshur nga një shkrimtar – bashkëpunëtorë i tij i afërm nga koha e themelimit të LDK-së. Ndaj, prisja që biseda jonë të niste nga shfrimi i asaj barre të rëndë. Por, para se të ndodhte ky shfrim i gjatë, i paraparë të traj trajtohet në mënyrë komplekse në një botim të veçantë, në një si uvertyre, zuri frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, tha me një shqetësim të thellë.

Ia ktheva se nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj.

Por, prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin…”

“Kush do ta donte…?”

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

(Shhkëputje nga libri “Kthesa historike” 1- Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së, 2008).

Ibrahim Rugova si lider vizionar, fener shprese për të ardhmen e Kosovës

Ibrahim Rugova, politikan i shquar kosovar dhe lider i pavarësisë, vdiq më 21 janar 2006, shkruan KultPlus.

Rugova ishte një figurë kyçe për kombin shqiptar në Kosovë gjatë fundit të shekullit të 20-të dhe rezistenca e tij paqësore ndaj sundimit jugosllav ndihmoi në hapjen e rrugës për pavarësinë eventuale të rajonit.

Ai u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 2002 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në vitin 2006.

Stili i udhëheqjes së Rugovës karakterizohej nga përkushtimi i tij ndaj jodhunës dhe theksi i tij në arsim dhe kulturë si mjete për arritjen e pavarësisë. Ai ishte një mbrojtës i fortë i gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe përpjekjet e tij ndihmuan në krijimin e një ndjenje të fortë të identitetit kombëtar te shqiptarët e Kosovës.

Pavarësisht qasjes së tij paqësore, Rugova u përball me rezistencë të konsiderueshme nga qeveria jugosllave, e cila e shtypi lëvizjen e tij dhe e arrestoi disa herë.

Megjithatë, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ndihmuan përfundimisht në pavarësinë përfundimtare të Kosovës në vitin 2008.

Trashëgimia e Rugovës jeton në Kosovë, ku ai kujtohet si hero dhe simbol i luftës së vendit për liri. Rezistenca e tij paqësore dhe theksi mbi arsimin dhe kulturën vazhdojnë të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme të kosovarëve.

Vdekja e Ibrahim Rugovës shënoi një humbje të madhe për politikën kosovare, lufta dhe përkushtimi i tij paqësor drejt pavarësisë së Kosovës do të mbahet mend gjithmonë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e vendit.

Puna dhe trashëgimia e tij do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për popullin e Kosovës. /KultPlus.com

Më 16 dhjetor 1998, Rugova u nderua me çmimin ‘Saharov’

Më 16 dhjetor 1998, për pesëdhjetë vjetorin e Deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në sallën e Parlamentit Evropian në Strasburg, Presidenti Ibrahim Rugova u nderua me çmimin “Saharov”, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar. Rugova mbante titullin Doktor.

Presidenti Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte levizja e parë demokratike gjithë popullore ne Kosove qe udhehoqi popullin e Kosovës drejt rrugës për Liri, Pavaresi e Demokraci dhe qe më vonë do te transformohej ne Parti Politike dhe Rugova ishte kryetar i saj qe nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur nderroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës[4][5]. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Foto nga ceremonia më 23 shkurt 1999. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së Ibrahim Rugovës

Në nderim të intelektualit të madh, studiuesit dhe shkrimtarit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përkujtoi sot 80-vjetorin e lindjes së “arkitektit politik” të Kosovës, nëpërmjet një ekspozite.

Kjo ekspozitë përcjell një panoramë mbi punën studimore të Ibrahim Rugovës, pasuri e cila vijon të jetë kontribut i çmuar në letërsinë dhe bibliografinë shqiptare. Çështja e Kosovës ka qenë një nga objektet kryesore të veprimtarisë së tij politike e shprehur në titujt: “Çështja e Kosovës: biseda me Marie-Françoise Allan dhe Xavier Galmiche”, “Pavarësia dhe demokracia: intervista dhe artikuj”.

Gjithashtu, nuk mungojnë artikuj të shkëputur nga organe, si:“Rilindja”, “Nëntori” etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së përgjatë gjithë kësaj jave./atsh/KultPlus.com

Biseda pa censurë e Rugovës me Bekim Fehmiun

Fotografi Ilaz Bylykbashoshi ka publikuar vitin e kaluar disa fotografi nga një takim i Presidentit Ibrahim Rugova me aktorin e njohur Bekim Fehmiu.

Ai ka shkruar pa censurë një pjesë të bisedës mes Rugovës e Fehmiut.

Të dy e kishin lavduar njëri-tjetrin, por aktori e kishte bërë në një mënyrë më të pazakontë.

Ibrahim Rugova: “Bekim Fehmiu ju adhurojë për prezantimin e denjë që i keni bërë kombit nëpër botë”! Bekim Fehmiu: “President mendojë që ju i keni koqet deri tek gujt”!”, ka shkruar Ilaz Bylykbashi në përshkrimin e fotografive. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilaz.bylykbashi.5/posts/3245961445662382?ref=embed_post

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ua sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Vjosa Osmani kujton presidentin Rugova: Në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, në 80 vjetorin e lindjes së tij.

“Në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur – Dr. Ibrahim Rugova, ati ynë themeltar dhe presidenti historik, i cili sot shënon 80 vjetorin e lindjes”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshnërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi.

“Me urtësinë, me vizionin e një burrshtetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë”, ka shtuar presidentja Osmani.

Presidentës, i është bërë dhuratë një skulpturë me figurën e presidentit Rugova, për të cilën ajo është shprehur falënderuese.

“Falënderoj skulptorin Gëzim Muriqi që sot dhuroi skulpturën e Presidentit historik për Presidencën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com

Jusuf Buxhovi kujton çmimin vjetor për veprën “Prapë vdekja” që e mori nga “Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës” me kryetar Ibrahim Rugovën

Shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi, në 80 vjetorin e lindjës së Ibrahim Rugovës, ka kujtuar ditën e 25 dhjetorit të vitit 1991, kur ka marrë çmimin vjetor për veprën “Prapë vdekja”, nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, kur kryetar ishte vetë Rugova.

Përmes rrjeteve sociale, Buxhovi është shprehur se kjo vepër ishte e para vepër e tillë në prozën e Kosovës.

“Ky çmim ka rëndësi të veçantë meqë u parafua nga kryetari i atëhershëm i Shoqatës së Shkrimtarëve, Ibrahim Rugova, që asokohe bashkë me shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, kishte marrë përsipër timonin e lëvizjes kombëtare, që do ta vëjë në binarët e pandalshëm historik shtetndërtimin e Kosovës”, ka shkruar Buxhovi./KultPlus.com

80 vjet nga lindja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot shënohet 80-vjetori i lindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë më 2 dhjetor 1944 dhe ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar; u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, u nis një fushatë paqësore kundër Serbisë. U zgjodh që në fillim kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Presidenti Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake./ KultPlus.com

Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti zbulojnë shtatoren e Ibrahim Rugovës në Podujevë

Në qytetin e Podujevës në një ceremoni të organizuar nga Komuna sot është zbuluar shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Shtatorja është zbuluar nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti, Teuta Rugova e bija e presidentit, kryetari Shpejtim Bulliqi dhe Fatmir Sejdiu. 

Edicioni i 35-të i “Takimet e Dom Mikelit 2024” i dedikohet Ibrahim Rugovës

Manifestimi Tradicional Kulturor e Shkencor “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll, Komuna e Vitisë, do të mbahen më 21 shtator 2024, të cilat fillojnë në orën 10:00, në ambientet e Shkollës së Parë Legale Shqipe – Muzeu i Shkollës.

Ky është edicioni i 35-t me radhë dhe ka për temë Ibrahim Rugova dhe Shteti i Kosovës, në 80-vjetorin e lindjes së presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i shtetësisë së Kosovës, studiues i madh i letërsisë dhe kulturës shqiptare./ KultPlus.com

PPROGRAMI:

TEMA: IBRAHIM RUGOVA DHE SHTETI I KOSOVËS

80-vjetori i lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës

10:00: TRIBUNA SHKENCORE

Fjalët përshëndetëse të autoriteteve

Ligjëruesit:

Fatmir SejdiuRugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës

Ali AhmetiShteti i Kosovës dhe sfidat e shqiptarëve sot në integrimin evropian

Besnik MustafajRugova dhe rëndësia e krijimit të miqësisë ndërkombëtare për Kosovën

Luca De PoliRugova, modeli i politikanit burimor evropian

 11:15:  ORA E MADHE LETRARE

ORA 13:15  Ndarja e Çmimeve

Çmimi Agim Ramadani, jepet për tri poezitë më të mira

Çmimi Don Gjergj Gjergji, jepet për kontribut në histori dhe filologji

Çmimi Qeshk Ukaj, jepet për veteranët në arsim

13:30: DREKA

19:00:  –“FestFolk Stublla” – Koncert

Fjalët përshëndetëse

19:10 – Ansambli “Zër i Karadakut” (feston 50-vjetorin e themelimit)

19:40 – Qendra Kulturore Artistike “Anamorava”

20:00 – “Dasma e Skenderbeut” – pjesë teatrale nga Vaj i Dejës

20:20 – Muzikë  live – Asim Gashi

22:30 – Darka e përbashkët

24:00 – Fishekzjarre

“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ndër romanet tona më të mira

Shkruan: Dr. Ibrahim Rugova

1.Gjendaja epidemiologjike

Romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është roman i situatës, roman i një gjendjeje. Themi kështu meqë motivi kryesor i romanit është një gjendje epidemiologjike e shkaktuar nga futja e murtajës.

Kjo situatë bëhet më e veçantë nga e dhëna se epidemia është shkaktuar nga pushtuesi osmanë me pretendimin që të thyejë, pra të nënshtrojë, një ambient të caktuar, që në rastin tonë ka të bëjë me një qytet (Gjakovën). Fjala, pra është për një rast nga e kaluara (shekulli XVIII), kur popullatës së asaj ane i futet murtaja shkatërruese. Dhe, e gjithë atmosfera e kushtëzuar nga futja e sëmundjes zhvillohet në bazë të sistemit të qëndresës: pra që infektimit me murtajë t’i bëhet qëndresë e organizuar. Mbase kjo “mbulesë” e motivit nuk do të ishte gjithaq e rëndësishme po qe se nuk do të bëhej fjalë për idenë e pasojave të mëdha, që rrjedh nga kjo gjendje, që e pasqyruar me fjalorin e sociomaterializmit bëhet fjalë për një sëmundje kolektive, ku fati individual në tërësi varet nga fati kolektiv. Në këtë gjendje sëmundja kolektive e përmasave shkatërruese, ose shfarosëse, inicion një proces aktiv mbrojtës, i cili duhej të ishte i tillë, ngaqë turqit osmanlinj, në kuadër të metodave të tyre shkatërruese, përdornin edhe përhapjen e sëmundjeve, duke e sjellë mikrobin e saj fshehtas, në mënyrë që ia të bëjë punën e tyre. Dhe këtë marifet ata e bëjnë me sjellje dyfytyrëse: në njërën anë, në emër të “etikës” për ta luftuar sëmundjen vdekjeprurëse, haptas shpallën si mbrojtës të popullatës së rrezikuar, ndërkohë që fshehtas e përhapin atë. Po ashtu, në emër të etikës së përkujdesjes, përveç qeveritarëve, popullatës u ndalohet çfarëdo veprimi mbrojtës. Në këto rrethana, pra “të përkujdesjes”, qytetit i vihet shtetrrethimi, duke e shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, në mënyrë që sëmundja të mbahet e mbikëqyrur bashkë me shkatërrimin, që pastaj të bartet, po ashtu e mbikëqyrur, edhe në pjesët tjera. Por, edhe përkundër kësaj, kur qyteti duhej të mbetej në “duart e sëmundjes” dhe të fatit, qytetarët fillojnë t’i kundërvihen kësaj gjendjeje. Me këtë rast shfrytëzohet mençuria e vet dhe vetëdija kolektive. Kështu, në kushtet tepër të rëndë të sprovës të rrosh apo mos të rrosh, me shumë gjeturi, del në pah një atmosferë e veçantë ekzistenciale çfarë është ajo e rrethanave të murtajës. Një atmosferë të tillë, në letërsinë botërore, ndeshim te “Murtaja” e Alber Kamysë, ku shfaqet një gjendje thuajse e njëjtë, por me qëllime fare të ndryshme. Te romani i Kamysë, epidemia e murtajës shfaqet pa ndonjë shkaktar të jashtëm, pra si sëmundje që prek njerëzit, ndërsa në rastin tonë, pra te romani i Buxhovit, shfaqet në mënyrë tepër perfide me qëllim të shkatërrimit fizik dhe të shthurjes psikike të një popullate, gjë që epideminë e kthen në një absurd midis atij biologjik dhe historik.

2. Intelektuali dhe roli i tij

Në këtë gjendje të mbrojtjes kolektive rol të veçantë luan intelektuali, i cili në situatën e dhënë përfaqësohet nga një figurë reale historike – Gjon Nikollë Kazazi. Autori nuk ngurroi që ta inkarnojë figurën e intelektualit real që ta theksojë rolin dhe vendin e intelektualëve në shoqëri, pra në rrethin ku ai jeton dhe vepron. Atij, madje, në roman i takon roli kryesor, ai i rrëfyesit dhe i kronistit, ku nëpër mes tij njihemi me gjithë situatën. Por, me zhvillimin romanesk të ngjarjes ne harrojmë në tërësi intelektualin real dhe kalojmë në sferën teorisë së përgjithshme rreth rolit të intelektualit si personazh artistik. Pra, intelektuali i këtij romani në të vërtetë paraqet tipin e intelektualit që është i lidhur ngushtë me fatin e vendit dhe të mjedisit, dhe në këtë gjendje të rëndë, personaliteti i tij ngrihet në gjithë kompleksitetin.

Në planin praktik të organizimit të mbrojtjes kundër epidemisë, pra kundër murtajës, Kazazi, duke shfrytëzuar ogurin e së keqes së madhe, por mbi të gjitha, përkatësinë e njëjtë etnike, ia del që në atë organizim të përfshijë njerëzit e të gjitha besimeve dhe të profesioneve. Kështu, roli i tij prej intelektuali, del në pah çastin që ai përqendrohet për të gjetur metodën e kundërvënies sëmundjes vdekjeprurëse, duke iu kthyer historisë së shkruar, në mënyrë që prej andej të gjejë përvojën e sjelljes në situatat e ngjashme, me anën e të cilave ishte siguruar mbijetesa, gjë që e gjitha nxjerrë në pah dimensionin historik të ekzistencës. Dhe në saje të përvojës së shkruar, pra të shkrimeve, duke lexuar tekstet latine rreth gjendjeve të njëjta, ai i kthehet antikës, sheh se ajo nëpër të cilën po kalohej, ishte një formë e përsëritur për rrënime të caktuara fizike dhe metafizike shoqërore. Në këtë rropatje me tekstet e vjetra, Kazazi, sheh shumë ngjashmëri midis ideve asimiluese dhe shkatërruese (romakëve dhe osmanëve), që u kanë shërbyer për t’i arritur qëllimet e tyre historike. Aty, jo rrallë, shfaqen sëmundjet si metoda tinëzare, të cilat, në shumë raste, bëjnë më shumë se sa armët. Natyrisht, se duke u ballafaquar me luftërat të tilla të fshehta, popujt e rrezikuar, kanë zhvilluar metodat mbrojtëse, që u kanë mundësuar mbijetim. Natyrisht se Kazazi, do t’u kthehet metodave autoktone, të cilat rrjedhin nga tradita dhe përvoja shekullore. Në këtë punë, Kazazi, pasqyron fuqitë dhe karakterin e intelektualit të njëmendtë, duke vepruar në atë mënyrë që tinzaritetit të pushtuesit, i cili ka në dorë gurin dhe arrën, t’i kundërvihet me punë dhe veprime të hapura publike, të cilat janë në përputhje me të drejtën e mbrojtjes nga sëmundja shkatërruese, të drejtë këtë që as pushtuesi nuk mund ta mohojë publikisht. Natyrisht se Kazazi, punën, pra mbrojtje, do ta marrë në dorë, pasi që do t’ia dalë të zbulojë rrënjët e së keqes që vinte nga jashtë në forma të ndryshme, e ku frika dhe përçarjet shfaqeshin si gjendje psikologjike të veçanta, të cilat i duheshin secilës fushatë. Për t’i eliminuar këtë faktorë, Kazazi, duke i kthyer vlerave të përbashkëta shpirtërore dhe frymës së tyre, do t’ia dalë që t’i bashkojë që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh dallimet e brendshme. Kështu, në planin intelektual përkrah ka poetin Pader Coli dhe këngëtarin popullor Selami Taraku. Te i pari tragjika shfaqet në elementin shpirtëror si fuqi e përbashkët identifikuese, ndërsa te Selamiu ajo paraqitet në një formë ndryshe, e cila nuk largohet nga elementi i përbashkët ekzistencial. Sepse, që të dy i lidh e njëjta vegez e gjendjes ekzistenciale që ka të bëjë me revoltën krijuese, e cila nuk është hiç më e vogël nga gjendja e rezistencës së përgjithshme. Pra, përderisa Kazazi, personazhi kryesor i romanit, paraqet tipin e intelektualit që mendon (racionalistit) – krijuesit dhe studiuesit në funksion të ideologjisë dhe të idesë së qëndrueshmërisë së përbashkët, të dy poetët, në planin tjetër, paraqesin tipin e intelektualëve kreativë, të cilët me amplituda kreative zbulojnë të vërtetë rreth një veprimi tjetër nga ai intelektualit studiues. Në këtë mënyrë, del në pah natyra e intelektualit i cili ndjenë, mendon dhe vepron në përputhje me gjendjen, por edhe me rrethanat që imponon momenti i caktuar. Kështu, rreth personazhit kryesor (Kazazit), zhvillohet organizimi i rezistencës, por që merr jetë në saje të një rrethi të gjerë i bashkëvepruesve, që kthehen në bashkëmendimtarë të tij. Ndërkohë që poetët vetëm sa plotësojnë dhe forcojnë figurën e tij, duke ia krijuar asaj oreolin e punës së përbashkët, si një veprimtari ku bashkëveprojnë dhe bashkëdyzohen shpirtërorja me realen. Kjo vlen veçmas për Padës Colin.

3.Empiria popullore

Gjatë hulumtimeve për të gjetur mundësi që kanë të bëjë me qëndresën, ku mbrojtja kundër epidemisë së murtajës kthehet në një preokupim ekzistencial, personazhi kryesor i romanit, Kazazi, hedh shikimin në fushën e mençurisë popullore, që mbështetet në empirinë e tij, pikërisht te çështjet që kanë të bëjë me përvojën e ekzistencës aktuale dhe asaj historike. Në bazë të kallëzimeve popullore dhe të njohurive të ndryshme, por edhe duke u bazuar në burimet e shkruara, Kazazi vjen deri te përfundimi se në ato troje edhe më parë kishte murtajë ose mort, gjë që kjo do t’ia bëjë me dije se vazhdimi i ekzistencës lidhet me ndonjë fshehtësi e cila ruan çelësin e përballimit të asaj të keqe, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën. Duke hulumtuar, Kazazi, mëson se edhe në të kaluarën, në pjesët e Malësisë murtaja ishte përballuar më lehtë në saje të njëfarë gërrithje, e cila ishte përdorur nga malësorët, dhe se kjo mbrojtje, kishte qenë fare e thjeshtë: kur nga i sëmuri (hundët) ishin nxjerrë dregëza, të cilat pastaj ishin fërkuar në lëkurën e gërrithur të njeriut të shëndoshë, pasi që prej saj të ishte liruar pak gjak, gjë që e gjitha kishte paraqitur një përzierje të mikrobit në organizëm, ku ai ishte kthyer në mbrojtës të saj. Gërrithjen si mënyrë mbrojtëse, që në Malësi ishte ruajtur me fshehtësi, Kazazi, po ashtu, fshehtas e merr dhe e bart në qytet me anën e “plakave gërrithëse”, të cilat veprojnë fshehtas për kundër murtajës. Po qe se kjo “fshehtësi” shpjegohet me anën e mjekësisë së stome, atëherë kjo paraqet një lloj vaksinimi, që populli e ka përdorur për t’u mbrojtur nga sëmundjet shkatërruese.

E kemi përshkruar këtë mënyrë të rezistencës ndaj epidemisë për ta theksuar jo vetëm forcën e një “mrekullie” popullore, por për me tepër të të nxjerrë në pah çështjen e forcës intelektuale si dhe rolit të saj në jetën e një populli, si një faktor i brendshëm, i cili është vendimtar për t’u fituar jo vetëm imuniteti fizik, por edhe ai shpirtëror, mbi të cilin konsiston secila rezistencë dhe secili qëllim.

4. Dokumenti dhe fakti

Konturat e romanit, që i theksuam këtu, në të vërtetë janë fryt i narracionit romansier, e cila formohet dhe ruhet me anën e rrëfimit të personazhit kryesor, Kazazit. Këtu Jusuf Buxhovi tregoi aftësitë e tij, ngaqë me maturi dhe përpikëri shfrytëzoi dokumentin. Dhe ç’është edhe më e rëndësishme, ai ia doli që nga dokumenti të nxjerr dhe të realizojë faktin, që ia mundësoi të formësojë botën e dokumentit si botë artistike të romanit. Këtu bëhet fjalë për “shndërrimin” e dokumentit në dobi të fitimit të faktit, prej nga pastaj kyçja e dokumentit ndërlidhet me aktin e ngritjes artistike. Duke u parë si analogji me prosede real që krijon përshtypjen e “iluzionit të realitetit”, autori krijon “iluzionin e dokumentit” (dokumenti që krijon kronika e Kazazit) sipas prosedeut të romanit bashkëkohor.

Faktor i rëndësishëm i vlerës së rrëfimit artistik të Jusuf Buxhovit gjithsesi është edhe ndërlidhja dokumentare në raport me përmbajtjen: vetë romani është një dokument artistik, që bazohet dhe zhvillohet mbi bazat e dokumetaritetit, pikërisht të atij dokumentariteti që kërkon njohjen e dokumentit. Kjo shihet më së miri nga personazhi kryesor: Kazazi është personazh i dokumentit, i cili mbështet mbi realitetin që buron nga hulumtimi i ekzistencës së vazhdueshme që manifestohet me anën e dokumenteve të shkruara, të cilat njëherësh vinë si pjesë të kujtesës së kozervuar në dëshmi, por që duhet zbuluar në mënyrë që prej tyre të nxirret përvoja e caktuar.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me atë se Jusuf Buxhovi nuk e komplikon shumë narracionin në dëm të romanit, por se duke shfrytëzuar përshkrimin dhe efektet e dokumentit në planin e linjës lineare, krijon një shkrim analitik, i cili i ndihmon leximit të lirshëm të romanit, duke e bërë atë të afrueshëm dhe të kuptueshëm.

E gjithë kjo shkon në dobi të autorit dhe bën të ditur se ai përnjëmend gjendet në kontakt me të arriturat e romanit tonë bashkëkohor dhe romanit në përgjithësi, gjë që me këtë roman ai dëshmoi se është mjeshtër i trajtimit dhe të përpunimit të dokumentit, në mënyrë që në këtë drejtim edhe më tutje duhet të mbetet.

Duke përmbyllur këtë vështrim të shkurtër për këtë roman, duhet thënë se Jusuf Buxhovi ia ka dalë që faktin e dokumentit ta kthejë në një universalizëm artistik, që tregon se është një romansier tejet me përvojë dhe njëherësh një prozator që shquhet si rrëfimtar tejet i mirë. Nëse në romanet e tij të mëparshme (Matankrena dhe Loja) merret me simbolikën e tekstit, në këtë roman, e vazhdon atë, por me një dozë më të madhe të konkretizimit, çka e dallon nga romanet paraprake. Duke pasur parasysh disa nga elementet që u theksuan më lartë e që lidhen me përvojën krijuese dhe përvojën romaneske në gjithë spektrin artistik të refleksioneve të këtij autori, mund të thuhet pa hamendje se për nga cilësitë, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” mund të radhitet ndër romanët tona më të mira bashkëkohore.

(Parathënie për botimin në serbokroatisht të romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”- ‘Zapisi Đona Nikolle Kazazija’ nga shtëpia botuese “Jedinsvo”Prishtinë dhe “Nolit” e Begoradit, 1986, përkthyer nga dr. Engjëll Sedaj)./KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

Promovohet libri me fjalime të presidentit Rugova “Liria si imanencë njerëzore”

Ditën e sotme, në Ditën e Presidentit, është promovuar libri “Liria si imanencë njerëzore” e autorit Munish Hysenit, në të cilin janë përmbledhur fjalime të ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë viteve 1976-2005.

Në promovim ku të pranishëm ishin edhe familja Rugova, ka marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani

Gjatë fjalimit, presidentja Osmani tha se presidenti Rugova ishte dhe do të mbetet udhërrëfyesi dhe ndërtuesi i aleancave strategjike të Kosovës me perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ora 12 në Shtëpinë e Pavarësisë, apo në shtëpinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si njihej paralufte, është një kujtesë historike për të gjithë ne, sepse po në këtë orë, çdo të premte, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, apo si njihej, Dr. Ibrahim Rugova, me konferencat e tij të përjavshme për shtyp, sensibilizoi për vite me radhë opinionin ndërkombëtar, për ngjarjet ne Kosovë”, tha Osmani.

Osmani përkujtoi se 24 maji u lidhet me ditën kur Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës, më 24 maj të vitit 1992, në zgjedhjet e para demokratike të mbajtura nën okupim.

“Presidenti Rugova ishte dhe mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin kryesor dhe të pazëvendësueshëm SHBA-në”, tha tutje Osmani./KultPlus.com

32 vite nga zgjedhjet e para kur Ibrahim Rugova u votua për president

24 maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe të rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.

Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova u zgjodh katër herë President i Kosovës: dy herë me votë të drejtpërdrejtë popullore (1992, 1998), dy herë në Kuvend (2002, 2004). Më 24 maj 2004, kur 24 maji u shpall Dita e Presidentit, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, kur për herë të parë Presidenti i Kosovës u zgjodh me votë të drejtpërdrejtë, Presidenti Rugova ka thënë: Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me përkrahje të gjerë e masive.

Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. / KultPlus.com