Fotografi e rrallë e tri figurave më të rëndësishme të Kosovës.
KultPlus ju sjellë këtë fotografi në të cilën shihen së bashku tri figura të mëdha të popullit shqiptar: Anton Çeta, Ibrahim Rugova dhe Zekirja Cana, 30 dhjetor 1992./ KultPlus.com
Fotografi e rrallë e tri figurave më të rëndësishme të Kosovës.
KultPlus ju sjellë këtë fotografi në të cilën shihen së bashku tri figura të mëdha të popullit shqiptar: Anton Çeta, Ibrahim Rugova dhe Zekirja Cana, 30 dhjetor 1992./ KultPlus.com
Refuzimi estetik
Ibrahim Rugova
“Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke.”
1. Përkufizimi
Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke. Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi-refuzimi. Njeriu, fundamentalisht është i lidhur, apo i mbërthyer në këtë apori, sepse vetë jeta dhe aktet e veprimit të tij përbehen nga këta anëtarë të raportit. Ne gjithnjë duhet të aprovojmë apo të refuzojmë diçka, e në suboardinacion këto dalin nga imponimi. Me fjalë të tjera, çështja e refuzimit mund të shtrohet e të kuptohet si gjest i përditshëm. Dhe jeta gjithnjë zhvillohet brenda kësaj aporie, apo kështu zhvillohet refuzimi në jetë. Duke e kuptuar si gjest individual, refuzimin e gjejmë edhe në sferat më intime të jetës së njeriut: në gëzim, në hidhërim, në dashuri. Nga ky fundus subjektiv filozofik bartet edhe në jetën kolektive, ku individi gjithnjë gjendet midis pranimit dhe refuzimitpersonal e kolektiv. Në procesin kolektiv vendos bindja e individit, formimi i tij familjar, shoqëror e intelektual. Si në planin individual, e më shumë në atë kolektiv, imponimi është një akt represiv, apo opresiv, sepse del nga një rend, sistem gjërash, siç konstaton. R. Jakobsoni. Dhe ne, përmes refuzimit, çlirohemi nga opresioni apo biem viktima të tij, bëhemi robër të tij. Njeriu në këtë plan ka vetë dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo, por rrugët e realizimit dalin të ndryshme. Refuzimi ngrihet kundër imponimit kur ai është represiv, kur insiston domosdo, pa bindje në pranimin e një diçkaje. Rëndom njeriut i ofrohen gjëra të ndryshme në planin individual dhe kolektiv: i imponohen nga grupet e ndryshme individuale, profesionale pastaj nga pushteti dhe nga sistemet e ndryshme të botës moderne. Këto janë imponime më të rënda, sepse bëhen në emër të një diçkaje të përgjithshme, sepse pushteti i grupeve, i individëve zakonisht përfaqëson të përgjithshmen, apo popullin, po të thuhej me zhargon politicist.
Duke pasur këto parasysh, do konstatuar se njeriu në jetën e tij, në jetën kolektive gjithmonë gjendet midis përfaqësueses dhe ekzistueses. Dhe imponimi bëhet më i ndërlikuar kur gjendet në kuadër të përfaqësueses, sepse njeriut ekzistuesja i largohet për disa shkallë. Apo thënë me terma më konkretë dhe më të afërmë: raporti midis të vërtetës dhe të vërtetës së përfaqësuar. Mbi këto baza fundamentale ngrihet pushteti individual e kolektiv dhe kur realizohet më mirë apo në të mirë të njeriut ky raport, atëherë kemi një liri më të madhe apo thënë me terminologji filozofike e sociale, kemi një demokraci. E demokracia më e mirë është ajo kur nuk e imponon përfaqësuesen, po e ofron përfaqësuesen dhe ekzistuesen. Këtu lind edhe një faktor tjetër në zgjidhjen e aporisë imponim-pranim-refuzim, lind problemi mjaft human i zgjidhjes së lirë (fr. choix libre, ingl. Liberaly choice). Zgjedhja e lirë kupton përcaktimin e individit në formë të lirë, mundësinë që ai të zgjedhë midis të imponuares dhe refuzimit. E këtë njeriu e arrin përmes formës së plebishititindividual, referendumit individual dhe kolektiv. Në planin individual ky plebishit zhvillohet në vetë individin kurse në atë kolektiv del më i ndërlikuar dhe plebishiti mbi çështje të përgjithshme shoqërore, historike, politike e kulturore zhvillohet në formë më të ndërlikuar: mbi individin bëhen opresione të ndryshme nga grupet dhe nga pushteti të pranojë formën e imponuar, çfarë lidhen me interesa kombëtare, ideologjike, sociale, shtetërore e të tjera. Zakonisht, këtu mundësia e zgjedhjes së lirë, thuajse gjithmonë del e manipuluar, sepse interesat e ndryshme e mbysin zgjedhjen e lirë, pra individin, e pa individin nuk ka kolektivitet stabil e të drejtë. Pastaj për të arritur një pranim më të aprovueshëm, individi apo kolektiviteti deklarohet përmes consensusit, bashkëmendimit të palëve të kundërta e të ndryshme. Për të realizuar më mirë plebishitin, më parë duhet dhënë argumente të arsyeshme për të bindur apo për të refuzuar kundërshtarin siç thoshte Ciceroni, simbas ligjeve apo artit retorik. Pos plebishitit apo referendumit ku merret parasysh mendimi i shumicës, përmes consensusit arrihet një baraspeshë midis mendimit të të gjithë faktorëve të vendosjes së lirë, sepse ndonjëherë edhe mendimi i shumicës, nën faktorët manipulues mund të jetë i gabueshëm. Mundësinë më të madhe të manipulimit e largon consensusi, ku vërtetohet barazia e përbërësve të një strukture, sistemi, apo kolektiviteti.
2. Karakteri, natyra i/e letërsisë
Mbas këtyre mendimeve mbi aporinë e refuzimit në planin e ekzistencës njerëzore, të qenies së njeriut, të qeniesimit të tij dhe të formave të vendosjes, të përcaktimit në raportet kolektive e individuale, po e shikojmë këtë apori edhe në planin e artit, të letërsisë: si e zgjidh ajo këtë. Po së pari të themi diçka për karakterin e letërsisë. Me qenë se edhe letërsia si fryt i realitetit, siç thoshte R. Barti në ligjëratën e tij inaugurale në College de France në janar të vitit 1977, në prani të shumë intelektualëve frëngë si M. Fuko, Klod-Levi Stros e të tjerë gjendet në aporinë e imponimit-refuzimit. Karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe me njeriun. Nëestetikë, në filozofi dhe në shkencën e letërsisë, është shfaqur teoria mbi autonominë, mvetësinë e letërsisë, artit, që ishte më shumë aktuale në vitet 50 dhe 60, në kohën e të ashtuquajturës “luftë e ftohtë” midis fuqive të mëdha dhe popujve të vegjël. Më vonë shfaqen problemet e heteronimisë, me vështrim se letërsia varet edhe nga raportet shoqërore e të tjera.
Teoria e autonomisë së letërsisë, historikisht, bazën e ka në teorinë mbi “kullën e fildishtë” të simbolizmit, si shenjë e veçimit të poetit nga jeta, nga shoqëria, që më vonë bëhet teori e pavarur estetike. Karakteri i letërsisë kupton realizimin e njeriut në gjendje burimore, po këtë e bën me mjete të veta. Çdo gjë e realizon me matjen e artit të vet siç janë paraqitja, formësimi i jetës me gjuhë të njeriut në nivel artistik, pa farë imponimi, vetvetiu, letërsia me qenien e saj i kundërvihet imponimit të çfarëdo lloji. Çështjen e refuzimittë letërsisë do shikuar në raportin letërsia-shoqëria apo politika.
Kështu refuzimi del si njëri nga aktet e mundshme të letërsisë. Ajo jo vetëm që i kundërvihet imponimit, po edhe e refuzon atë, nuk e pranon atë. Kështu kemi refuzimin me heshtje dhe refuzimin aktiv në planin jetësor. Letërsia i ka këto dy forma, po refuzimi më i madh i saj është refuzimi me qenien, me karakterin e saj, që ne e quajtëm refuzim estetik. Për dallim nga refuzimipolitik, ideologjik e anatemist apo relegjioz, që ka pasoja konkrete në praktikën jetësore, e që realizohet me mjetet e pushtetit të çfarëdo forme, individual e kolektiv apo të atij individual që emblemohet si kolektiv thuajse gjithmonë ngjet kështu, refuzimi estetik realizohet me mjetet e letërsisë.Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimi në kohën moderne, e në formë tjetër fundamentale realizohet, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin. Në njëfarë dore ky mund të merret si refuzim filozofik apo ontologjik, sepse me vetë qenien e saj krijon kontemplime dhe konotime të shumta, që përgatisin vetëdijen, shpirtin dhe mendjen njerëzore në jetë për çështje të ndryshme. Përmes refuzimit estetik, pa deklamim të theksuar dhe pa mjete të shoqërisë, politikës, letërsia refuzon duke ignoruar dhe forcuar dignitetin, si kategori të përgjithshme.
Refuzimi hyn në kategorinë e estetikës negative, siç cilësohet estetika filozofike e Schellingut në kontekst tjetër që përmes dhënies, formësimit të kategorive të ndryshme, bën mohimin, negacionin e atyre kategorive që nuk mund të ngriten në dignitetin e njeriut dhe të jetës. Me një fjalë, bën shkëputjen e kategorive përmes qensimit, ekzistimit të vet. Edhe në planin sociologjik çështja e refuzimit letrar merret në formë më prakticiste, ku kërkohet të dëgjohet zëri i idesë shoqërore, de facto, të përfaqësuesit të shoqërisë, pushtetit, në veprën letrare. Ky zë, gjithnjë del i dështuar, sepse realizohet më shumë me mjete shoqërore qenësisht, kurse me ato letrare vetëm si formë e jashtme, vetëm për të kënaqur atë. Pra këtu do bërë dallimin e nevojshëm midis pushtetit, politikës si temë e letërsisë dhe pushtetit e politikës në letërsi, që ndryshe quhet politizim i saj. Si temë letrare pushteti e politika janë mjaft frytdhënëse për letërsinë, le të na kujtohen tragjeditë antike dhe ato të Shekspirit, e si politikë letrare, apo letërsi e politizuar shumë vepra të socializimit tradicional dogmatik dhe të shtresave primitive borgjeze të kohëve të mëparshme, apo të komercializmit modern. Me afirmimin erefuzimit estetik ne nuk kërkojmë absolutizimin e letërsisë, artit po vetëm për të forcuar një argument të arsyeshëm mbi vlerën e letërsisë dhe funksionin e saj si qenësi e jo si letërsi në funksion.
3. Estetika dhe Politika
Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika. Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja(Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit. Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si diçka e përgjithshme, si gjë publike, si gjë e hapur. Pos tjerash, edhe çështjen e artit Platoni e merrte si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne. Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.
Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit. Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.
Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, e artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmesrefuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.
Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj relegjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake. Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi. Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik – reformën e Luterit. Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë. Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bolderit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera. Në shoqërinë socialiste që u konstitua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi. Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.
Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek. XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet. Është sunjifikativ edhe rasti i S. Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, “Shqipëria ç’ka qënë…”, u mbyll në burg shtëpiak. Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues. Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet. Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ‘30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amëtare.
4. Kontrollimi i veprave
Jo vetëm në autorët, të cilët si person publikë u përzien në lëvizjet ideore e kulturore të shoqërive të epokave të ndryshme, po pushteti në kohë të ndryshme, përpjekjen më të madhe e përqëndroi në kontrollimin e prodhimit shpirtëror e sidomos të letërsisë. Kështu për këtë qëllim ai shpiku censurën, metodën e kontrollimit dhe të ndalimit të veprave shkencore, filozofike e letrare. Shenjat e para të censurës në letërsinë evropiane i kemi që në antikë. Këshilli i qytetit të Atinës, vendosi ta përpunojë në shumë pjesë veprën e Homerit, madje t’ia ndryshojë edhe titullin. Vepra e Homerit “Zemërimi i Akilit” u titullua me titull të ri “Iliada” dhe u ndryshua koncepti themelor i saj, ku këndohej në të mirë të trojanëve e jo të grekëve. Këto pjesë u kthyen në të mirë të grekëve. Pastaj nuk u pranua që emri i Akilit të mbetej në titull, meqë ky ishte një trim jo i pastër grek, meqë ishte nga Epiri ilir, që po e paraqesim si tezë të mundshme interpretimi, e që e mbështesim në të dhënat historike për origjinën e Akilit siç njihen në historiografinë e antikës. Censura vazhdoi me të madhe në mesjetë, sa që u kurorëzua me inkuzicionin kishtar që u mor edhe me djegien dhe zhdukjen e veprave të mendimit shkencor e filozofik. Kështu sot, në kuadër të institucionit të censurës, inkuizicioni merret si forma më e lartë, që përfaqësohet nga tipet e sistemeve dhe nga pushtetet e ndryshme. Në epokën moderne, në përsosjen e veprimit të ideologjive dhe të sistemeve shoqërore e politike, nga veprimi i vazhdueshëm i censurës, pra i presionit të shtetit dhe të pushtetit u shfaq edhe autocensura, term i Sartrit, me të cilin kuptohet censurimi nga ana e vetë shkrimtarit. Pra ai vetë e bën kontrollimin e mendimeve dhe të veprës së vet. Kjo, mendojnë shumë studius të këtij fenomeni, është forma më e dëmshme në ngushtimin e lirisë së mendimit dhe të vetë letërsisë, meqë autocensura, siç konstatojnë historianët dhe sociologët e kulturës, madje edhe psikologët, është formë jolegale, e brendshme me një veprim të pakufizuar në personën e autorit, krijuesit.
5. Shkrimtarët e oborrit
Historia e kulturës vërteton se të gjitha pushtetet kanë pasur dëshirë dhe kanë bërë përpjekje që shkrimtarët dhe intelektualët t’i kenë për vete. Kështu Aleksandri i Madh që kishte një konsideratë ndaj intelektualëve, se kishte qenë nxënës i Aristotelit, kur takohet me Diogjenin filozof, e pyeti se ç’dëshironte prej tij, Diogjeni vetëm iu përgjegj në mënyrë figurative “Mos ma zë diellin”. Në mesjetë në kishë dhe më vonë në oborret mbretërore mbahen shkrimtarë për madhërimin e mbretërve dhe pushtetarëve të ndryshëm. Por do përmendur një të vërtetë historike, se shumë shkrimtarë e shfrytëzuan “oborrin”, pra pushtetin për të krijuar vepra jashtë porosive. Le të përkujtojmë me këtë rast Gëten, që jetoi e veproi kryesisht në Vajmar, pastaj piktorin Francisko Goja, i cili si piktor i parë i oborrit spanjoll në fillim të shekullit të kaluar, që porositë i bënte për të mbrojtur artin e vet, krijoi vepra me vlerë të pakalueshme. Kjo mund të shërbejë për një teori, se shkrimtarët që në oborr hyn për hir të oborrit apo thënë me terminologji më moderne, ata që shkruajnë për hir të pushtetit, mbeten shkrimtarë të oborrit, si faktografi e jo si letërsi, e shkrimtarët që janë shkrimtarë, ata edhe në oborr bëhen shkrimtarë. Problem që do thelluar më shumë.
Pos shembullit të Aleksandrit të Madh në Antikë, që ndaj filozofëve grekë u soll me tolerancë, nga historia moderne kemi shembullin e Napoleonit, i cili, ndërsa po pushtonte Gjermaninë në pushtimet e tij për në Lindje të Evropës kishte urdhëruar që shtëpia e kompozitorit Jozef Hajdni të mos bombardohej dhe kishte caktuar rojë. Ai madje ishte përkulur para tij. Rast i rrallë.
Në historinë e kulturës shqiptare, shkrimtarët tanë nuk patën mundësi të jenë brenda oborrit, meqë deri vonë nuk e patën oborrin e vet, megjithatë do përmendur rastin e Gjergj Fishtës, i cili gjendej me formim në oborrin kishtar, ai arriti të krijojë vepra me vlerë të rëndësishme që nuk përkojnë shumë me oborrin që i takonte, apo Naim Frashëri, i cili, edhe pse i përkiste sektës së bektashinjve, me veprën e vet u bë poet kombëtar në kohën e Rilindjas kombëtare, sepse vepra e tij kishte etikë edhe estetikë.
6. Prijës i popullit
Te popujt dhe kombet më të vogla që pavarësinë dhe lirinë kombëtare e fituan në kohë më të reja, sidomos brenda shekullit XIX dhe më vonë, që quhen periudha të rilindjes së tyre kombëtare, shumë poetë të stilit romantik u bën prijës të popullit në ato momente, e kjo ngjau me të madhe te popujt e Ballkanit, siç vërente Çabej, më 1938. Vërtet ata u bënë prijës të popullit, po mbetën shkrimtarë të mëdhenj edhe më pastaj vetëm ata që patën edhe mjaftestetikë në vepër. Mund të themi se me romantizmin në letërsinë evropiane u afirmua më shumë roli i shkrimtarit, e sidomos i poetit, siç ishin Hugoja në Francë, apo Bajroni e Shelli në Angli, Gëte e Shileri në Gjermani, e te popujt e vegjël, që luftonin për çlirimin kombëtar dhe për formimin e identitetit kombëtar, historik e kulturor, roli i poetëve u bë më i madh dhe më aktual. Kjo ngjau kështu, sepse te këta popuj shkrimtarët ishin intelektualët e parë që përgatitnin platformën për çlirim me veprat e tyre, meqë ishin të pakët apo mungonin fare intelektualët e profileve të tjera si dijetarët, shkencëtarët apo filozofët. Kështu do përmendur në këtë drejtim Mickijeviçin te polakët, Pëtefin te hungarezët, Emineskun te rumunët, Preshernin te sllovenët, Kranjçeviçin te kroatët, Zmajin te serbët e të tjerë. Ndërsa në letërsinë shqiptare këtë rol e barti në masë më të madhe thuajse kryesore Naim Frashëri, pastaj De Rada e të tjerë. Do theksuar se te popujt e vegjël edhe pas rilindjes kombëtare, mbeti ideali i shkrimtarit si prijës i popullit, ku letërsia dhe politika përziheshin, apo përkraheshin e ndihmoheshin në masë të madhe.
Duke pasur këtë parasysh në historinë e mendimit kritik shqiptar, çështjen e raportit letërsia-politika e shtruan edhe disa shkrimtarë e kritikë si Faik Konica, Asdreni e të tjerë. Konica nuk e pranonte vlerësimin alternativ të këtyre kategorive, kurse Asdreni ishte më fleksibil dhe më i arsyeshëm, i cili konstatonte se në momente të caktuara, për nevoja praktike letërsia dhe politika bashkëpunojnë kurse në situata normale ato zhvillohen pavarësisht, simbas qenësive të tyre.
7. Shkrimtari i angazhuar – letërsia e angazhuar
Në botën moderne, e sidomos mbas lindjes së socializmit, u aktualizua çështja e funksionit të shkrimtarit në shoqëri dhe në politikë. Në fillim kjo u bënë forma mjaft prakticiste dhe e tjetërsoi letërsinë dhe shkrimtarin. Mbas Luftës së Dytë ky problem u aktualizua edhe në Perëndim e sidomos në Francë, që është e njohur për zhvillimin e ideve sociale dhe kulturore. Kështu Sartri me një koncept më të zgjedhur kërkonte që shkrimtari të angazhohej në jetën e përditshme edhe si intelektual dhe të bënte një letërsi të angazhuar në kuptim më shumë filozofik e shpirtëror se sa praktik social. Ky koncept si duket e pasuroi këtë çështje. Pra angazhimi modern i shkrimtarit dhe i letërsisë mendojmë se i heq fillimet që nga romantizmi evropian sa që sot është bërë një problem i përgjithshëm. Përkundër kësaj në kohë të fundit sikur është bërë legjitim mendimi se shkrimtarët duhet të angazhohen në zgjidhjen e problemeve të përgjithshme dhe të mos mbeten indiferentë ndaj kohës së vet. Më shumë kërkohet angazhimi intelektual i shkrimtarëve se prakticizmi i tyre. Kështu Sartri, duke folur për tipet e intelektualit bashkëkohor flet për dy kategori intelektualësh: intelektualët e rastit (intellectuels par accident) dhe intelektualët burimorë (intellectuels pas essence). Në grupin e parë i fut intelektualët që vijnë nga fusha e specializimeve si nga shkenca dhe nga teknika, të cilët në një moment të caktuar zënë të mendojnë për çështjen e përgjithsheme humane. Këtë e ilustron me faktin se një shkencëtar që prodhon bombën atomike, është shkencëtar, por kur fillon të mendojë për qëllimin dhe pasojat e përdorimit të saj atëherë kapërcen në fushën e intelektualit. Shkrimtarët i merr si intelektualë burimorë, meqë ata gjithnjë merren me qëllimin dhe kërkesën e me dhënien e jetës dhe të problemeve të njeriut. Prandaj në botën moderne të specializimit dhe të përsosjes së shoqërive e të sistemeve shoqërore, dominon mendimi i përgjithshëm se shkrimtarët dhe intelektualët në ndarjen e punës brenda kombit apo shoqërisë së caktuar kanë vendin dhe zërin e vet, që e realizojnë me mjete të veprës së tyre.
8. Qenësia estetike
Vështrimi i çështjes së refuzimit estetik na detyroi ta vështrojmë këtë çështje në plan më të gjerë, me të gjithë ata faktorë që ndërlidhen me artin, me letërsinë. Nga kjo del se letërsia gjatë kohëve vazhdimisht është përpjekur të ruajë karakterin e vet dhe këtë e ka bërë përmes dy formash: përmes subjektit krijues, vetë shkrimtarit, që hyn në historinë e jetës letrare e kulturore të një kohe dhe përmes veprës si formë konkrete e saj. Vendimtare në të gjitha këto raporte mendojmë se ka qenë vepra dhe esenca e saj, qenësia estetike e saj. Kështu veprat që nuk kanë pasur qenësi të mjaftueshme estetike, edhe kanë ndikuar më pak e edhe autorëve të tyre, pra shkrimtarëve u ka dhënë më pak mundësi të ndikojnë në rrjedha e çështje, prandaj kanë mbetur anësorë. Kurse ato vepra dhe ata autorë që janë bazuar në qenësinë estetike e filozofike të veprave të tyre, kanë ndikuar më shumë.
Duke pasur këtë parasysh, po shtojmë se në bazë të përvojës midis raportit arti-politika, apo pushteti, në vetë politikën e kohës kanë ndikuar më shumë veprat me mvetësinë e tyre estetike dhe autorët e tyre, e madje do thënë se duke ditur këtë, pushteti i kohëve të ndryshme edhe është konfrontuar me ato vepra dhe me ata autorë, sepse nuk ka mundur të manipulojë me ato dhe me ata. Qenësia estetike është fryt i karakterit të lirë e të gjerë të letërsisë dhe garanci për veprimin më të madh dhe jetën më të gjatë të një vepre. Për shembull ndikimi i veprimit praktik i De Radës do të ishte më i vogël në opinionin e Rilindjes kombëtare, sikur vepra e tij të mos kishte qenësi të thellëestetike, apo ndikimi i Naim Frashërit. Por ndikimi i tyre, me qenësinë e tyre, është i pranishëm edhe sot në kontekste dhe në momente të ndryshme. Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes, të cilët në veprat e tyre e patën qenësinëestetike më të dobët, ishin aktualë, po kishin ndikim më të vogël, e edhe për kohët e mëpastajme mbeten vetëm si dëshmi veprimi brenda aktualitetit të një kohe.
9. Përfundime
Qenësia estetika e veprës letrare apo e letërsisë është imanencë e vetë letërsisë, e që në rastet e imponimit të jashtëm, ajo e realizon këtë përmesrefuzimit. Njëherësh edhe refuzimin estetik e konsiderojmë si imanencë të letërsisë, sepse sipas ligjeve të natyrës, e madje edhe të atyre sociale, çdo gjë që krijohet duhet edhe të mbrohet dhe të mbahet në jetë. Në momentet e çrregullimeve të caktuara sociale e sistemore brenda një kombi a shoqërie, funksioni më i mirë i letërsisë, pos angazhimit të saj të drejtpërdrejtë, po më pak, realizohet përmes refuzimit estetik, si më efikas dhe më burimor. Përmesrefuzimit estetik letërsia ndikon në vetëdijen kulturore të kohës, e kjo në vetëdijen dhe në aksionin politik, apo të pushtetit, duke krijuar inferioritetin e tij ndaj saj.
Si do që ta marrësh edhe në bazë të argumentit historik të raportit arti-politika, e edhe në bazë të teorisë si rezultat i këtij argumenti dhe si rezultat i të menduarit mbi mundësitë e realizimit, letërsia apo arti dhe politika janë dy karaktere apo dy fusha të kundërta, të ndara, sepse ndryshojnë mjetet e formimit dhe të veprimit. Dhe sa herë që politika e kufizon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Dhe gjithmonë politikë apo pushtet më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar dhe nuk i është mbivënë letërsisë, sepse dihet se letërsia, për nga natyra e vet, ka vlerë mbijetuese e politika vlerë aktuale dhe merret si dëshmi e veprimit në momente të caktuara historike.
Edhe një çështje praktike: te kombet e mëdha, ku rreziku politik është më i vogël, apo nuk është i pranishëm fare, refuzimi estetik i letërsisë është më i madh, më autonom dhe më veprues. Zatën këto kombe janë çliruar më parë nga kompleksi i rrezikut nga letërsia dhe arti. Kurse te kombet e vogla, ku rreziku politik i jashtëm është më i madh dhe ku bëhet identifikimi i të gjitha potencialeve kulturore me pushtetin, mundësia e refuzimit estetik del më e vogël, por në epokën moderne, kjo mundësi është ngritur më shumë te ata popuj që e kanë siguruar ekzistencën e vet më stabile. Në shtetet shumënacionale shfaqet rreziku tjetër, që nga apetiti i dominimit nacional të dalin tendenca të eleminimit të kulturave dhe të letërsive të tjera, sepse mbështeten në teoritë e kapërcyera të shekullit të kaluar mbi kombin shtetëror: një komb një shtet. Në botën bashkëkohore ku dominon vetëdija e të drejtës së zhvillimit kulturor e ekonomik të kombeve e të kombësive, kulturat e kombësive mbajnë integritetin e vet kulturor e nacional brenda kombit.
Do thënë, se edhe në kulturat e mëdha, e edhe në ato më të vogla, sot është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm që i bëhet artit dhe letërsisë duhet kundërvënë me refuzimin estetik. Pra duhet krijuar letërsi të mirë, të qëndrueshme me qenësi të fortë estetike, në mënyrë që të mbahet zhvillimi i saj, se ky është rezultat më i rëndësishëm në aktualitetin e një kohe dhe në rendin historik kulturor. Ky do të ishte efekti praktik i refuzimit estetik kundër çdo veprimi dhe diskursi represiv. Vetëm kështu letërsia mbetet letërsi dhe ndikon në pushtet dhe në shoqëri. Çdo formë tjetër mbetet diçka tjetër, me veprim tjetër.
Prishtinë, shkurt 1987
Ibrahim Rugova, njihet si presidenti historik i Kosovës i cili krahas kësaj njihej edhe si Intelektual, akademik dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.
Në një intervistë për median gjermane, ai ishte pyetur për ndërlidhjen e politikës me letërsinë dhe se si bashkëjetojnë këto dy profesione . Ndërsa ai ishte përgjigjur se në politikë, ka hyrë duke e mbrojtur Shoqatën e Shkrimtarëve.
“Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u prish Jugosllavia u sulmua edhe Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj krijuam edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa më 1992 u zgjodha president i Kosovës por unë jam edhe kritik letrar ndaj nuk e kam pasur të vështirë të futem në politikë”, ishte përgjigjur presidenti Rugova, i cili më pas kishte shtuar se këtë nuk e ka bërë për qëllime karrieriste por për të mbrojtur ekzistencën e tij dhe të popullit të Kosovës, si dhe për të krijuar një bazë të re të bashkëjetesës së Kosovës me Evropën dhe me botën.
“Është një politikë e ekzistencës dhe mbijetesës, që na është dashur ta zgjidhnim. Kam mësuar shumë nga kritika letrare edhe për marrëdhëniet e pushtetit në një vend të caktuar”, ishte përgjigjur tutje presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
KultPlus ju sjellë videon e kësaj interviste./ KultPlus.com
Gili Hoxhaj
Sot dyert e Muzeut të Kosovës po mirëprisnin përplot figura të njohura të artit dhe politikës e vizitorë të ndryshëm që kishin ardhur për të parë nga afër hapjen e “Ekspozitës bazë” të këtij muzeu, shkruan KultPlus.
Në oborrin e Muzeut të Kosovës, të gjithë kishin drejtuar sytë drejt ansamblit “Shota”, që përmes muzikës e lojës së mahnitshme vetëm e hapën shtegun e një atmosfere festive.
Kjo ekspozitë, sot u kurorëzuar pas shumë përgatitjesh. Dy katet e Muzeut të Kosovës, në çdo kënd të tij përmbanin ekspononte të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike që nga Neoliti e deri të Pavarësia e Republikës së Kosovës më 2008.
Ekspozita që paraqet një vazhdimësi të jetës në këtë vend qysh herët, tashmë është në dispozicion të vizitorëve të cilët duan të vijnë ta shohin, dhe po ashtu atyre që duan të kontribuojnë më shumë në pasurimin e kësaj ekspozite. Përmes fotografive, rrobave, flamujve, relikteve, dokumenteve e shumë gjërave të tjera kjo ekspozitë portretizoi edhe gjurmët e njerëzve më të rëndësishëm politik të këtij vendi, si Ibrahim Rugova, Enver Maloku, Fehmi Agani, e deri tek figurat historike si Adem Jashari, e Isa Boletini. Po ashtu aty ishin të vendosura edhe rrobat, paisjet, armët dhe të gjitha mjetet që kishin përdorur dëshmorët e UÇK-së. Në këtë pjesë, një vend i veçantë u ishte rezervuar edhe miqve ndërkombëtar të Kosovës, ku përfshihet xhaketa e William Walker që e ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe gjësendet personale të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Këto artefakte pjesë të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës e pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.
Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Kujtim Gashi, i cili lidhur me ekspozitën tha se po organizohet në vazhdën e aktiviteteve të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
“Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, treguam qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, për quar para këtë projekt të rëndësisë së veçantë për të kaluarën e çmuar të vendit, sepse kemi detyrim ndaj gjeneratave dhe brezave që t’ua mësojmë të kaluarën, që ata duhet të edukohen e të kenë së çfarë të tregojnë për të kaluarën e lavdishme të vendit në të cilin jetojnë, vendit me të cilin duhet të ndihen krenar të gjithë qytetarët tanë!”, ka thënë ministri Gashi.
Eksponatet dhe artefaktet e ndryshme që janë prezantuar sot në ekspozitë janë mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë ndërmarrë nga institucionet e MKRS-së dhe nga specialistë vendorë e ndërkombëtarë.
“Ekspozita Bazë e cila ka zënë vend në ndërtesën e Muzeut, është punuar dhe kryen funksionet sipas kritereve bashkëkohore. Kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit të madh të grupit punues, përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij koncepti dinamik, si dhe bashkëpunëtorëve tjerë. Prandaj, më lejoni që t’i falënderoj veçanërisht për detyrën komplekse, përgjegjësinë që kanë bartur dhe që do të kenë edhe më tutje. Uroj që me përgjegjësi të njëjtë dhe me angazhime të shtuara të vazhdojmë edhe më tutje, në hulumtimin, pasurimin dhe prezantimin e fondit muzeal të vendit tonë. Në këtë drejtim, mbështetja e Ministrisë së Kulturës dhe e imja si ministër në asnjë moment nuk do të mungojë”, u shpreh ndër të tjera ministri duke treguar vlerësimin për punën e madhe që është bërë në përgatitjen e ekspozitës.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Muzeu i Kosovës me këtë ekspozitë, Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja.
“Muzeu i Kosovës nuk është si një gazetë që e keni lexuar një herë dhe herën tjetër nuk keni përse vini sepse i keni parë. Tani Muzeu do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja dhe me interes për publikun”, u shpreh drejtori Boshtrakaj.
Në katin sipër, apo siç u quajt “Kati i Historisë”, ishte e vendosur edhe një dhomë ku ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë dhe flamujt e shteteve mike, si simbolikë falënderuese ndaj miqve e partnerëve të Kosovës. Në anën tjetër të këtij kati, ishte e vendosur një fotogaleri që pret edhe autor të tjerë ta pasurojnë këtë galeri me fotografitë e tyre. Aty, binë në sy fotografitë e Fanny Sarri, fotografes nga Selaniku e cila kishte kapur disa momente të rëndësishme të Kosovës nga viti 89’ e tutje. Me këtë rast Boshtrakaj e ftoi atë pranë të pranishmeve të ekspozitës. Ajo pati pak fjalë dhe shtoi se e gjitha është thënë përmes fotografisë.
“Fotografitë e thonë të gjithën. Keni një kulturë të madhe dhe keni bërë shumë për këtë. Ju duhet të vazhdoni ta promovoni kulturën tuaj. Fillimisht Rugova foli për kulturën këtu tani është koha juaj që t’ua dhuroni kulturën Kosovës”, ka thënë fotografja Sarri.
Në një kat më poshtë ishin vendosur disa artefakte historia fillon me neolitin e deri në mesjetë. Përveç të dhënave arkeologjike, në këtë kat ishte i vendosur edhe një projektor i cili përfshinte pesëmbëdhjetë rrëfime të njerëzve që e kujtojnë të kaluarën dhe emocionet e ditës së Pavarësisë së Kosovës. Jo vetëm kjo pjesë, por Muzeu kishte shfrytëzuar edhe këndin e shkallëve ku ishte vendosur portreti i Nënë Terezës që ishte punuar nga Saimir Straiti. E po aty poshtë qëndronte edhe një kënd për fëmijët që të vijnë në Muzeun e Kosovës, e të mund të njihen me trashëgiminë kulturore./ KultPlus.com
Në kuadër të “Ekspozitës bazë” të Muzeut të Kosovës sot janë paraqitur për herë të parë eksponate, relikte dhe gjësende të rëndësishme të figurave të njohura, shkruan KultPlus.
“Ekspozita bazë” në Muzeun e Kosovës, do të ketë të ekspozuara edhe gjësende të Presidentit Historik Ibrahim Rugova. Aty mund të shihni shallin e Ibrahim Rugovës, syzet, çmimi ndërkombëtar “Saharov” dhuruar Presidentit Rugova nga Parlamenti Evropian 1998, dhe gjësende të tjera.
Në vijim mund të shihni fotografitë nga kjo ekspozitë./ KultPlus.com
Presidenti historik, Ibrahim Rugova gjithnjë është shquar për veçantinë e tij të dhuratave e nderimeve për miqtë nga mbarë bota, shkruan KultPlus.
Në një dorëshkrim të publikuar nga Blerta Kllokoqi- Rugova, ajo shpalos pamjen e një dorëshkrimi të Presidentit Rugova me rastin e vizitës së publicistit dhe politikanit Otto von Habsburg më 18 Shtator 2004 në Prishtinë.
Përveç mirënjohjes që Rugova shprehte për miqtë e Kosovës, ministrin austriak Alois Mock dhe Otto von Habsburg, këtë dorëshkrim e veçon një detaj lidhur me emrin e vendit të dorëshkrimit. Emrin e shënuar “Priština” në letrën e paraprintuar, Rugova e korrigjon me dorëshkrimin e tij dhe e shkruan “Prishtina”.
“Ai ishte entuziast dhe adhurues fanatik i ndërkombëtarizimit edhe te shkronjave, fjalëve e shprehjeve shqipe”, shkruan në postimin e saj, Blerta Kllokoqi- Rugova./KultPlus.com
Presidenti historik Ibrahim Rugova, në vitin 1999 kishte realizuar një takim me ministrin Joshka Fisher në Gjermani, i cili tregonte për situatën e rëndë në Kosovë, përcjellë KultPlus.
Ai, nëpërmjet një konference për shtyp, i shoqëruar edhe nga ministri Fischer, kërkon nga shtetet e mëdha praninë e forcave ndërkombëtare në Kosovë, pasi që, sipas tij, Kosova është e zbrazur, si pasojë e terrorit serb të ushtruar për popullin shqiptar./KultPlus.com
KultPlus, ju sjellë momentet nga përurimi i shtatores së Presidentit Historik, arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova më 27 shtator në vitin 2013.
Plotë shtatë vite pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, komuna e Prishtinës, pati organizuar një ceremoni solemne me këtë rast, ndërkohë që shtatorja u vendos para Kuvendit të Kosovës, ku qëndron edhe sot. Në ceremoni patën marrë pjesë shumë personalitete të jetës politike të vendit por dhe qytetarë të shumtë që kanë dashur të kujtojnë Presidentin Historik të tyre.
Pas një momenti solemn muzikor i përcjellë nga Ansambli i Forcës Mbrojtëse të Kosovës, është zbuluar dhe shtatorja 4. 20 metra e lartë mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve dhe mijëra qytetarëve.
Ideja e kësaj vepre madhështore ka dalë nga studio e skulptorit Julian Muçollari dhe është realizuar në fonderinë e veprave të artit. Shtatorja ishte përfunduar brenda 15 ditëve. Ajo kishte ardhur nën masa të sigurisë nga Tirana në Prishtinë përmes Rrugës së Kombit./ KultPlus.com
Dy njerëz të njohur për idealin e tyre, arritën që të bënin krenarë shqiptarët me një çmim që është jo pak i lakmuar në fushën e paqes dhe stabilitetit mes popujve.
Në vitin 1991, Adem Demaçi do të merrte çmimin Sakharov për Paqe.
Çmimi që jepet nga Parlamenti Evropian i ndahet vit për vit individëve apo grupeve që punojnë për të drejtat e njeriut.
Demaçi do ta merrte çmimin në vitin 1991, si një figurë e cila punoi një pjesë të madhe të jetës për të drejtat e njeriut, duke i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në kohë e regjime të ndryshme. Në vitin 1996 ai do të angazhohej në një prej partive politike në Kosovë, ndërsa në periudhën 1998-1999 ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së.
Kur e pranoi çmimin, Demaçi tha se “liria e fjalës është i pari hap drejt demokracisë. Pa liri të fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk mund të ketë një të vërtetë, dhe pa të vërtetën progresi është i pamundur”.
Të njëjtin çmim në vitin 1998 e morri Ibrahim Rugova.
Parlamenti Evropian e laureoi Rugovën me këtë çmim, si njeri që u përkushtua për principet e rezistencës paqësore ndaj dhunës. Ai mbeti gjithmonë paqësor krahas regjimit serb, e u quajt Gandi i Ballkanit pasi gjithmonë kërkoi dialog me Serbinë në kohën kur ajo dëshironte gjenocid në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në vitin 1992, ai u zgjodh president i një republike që njihej vetëm nga Shqipëria. Çmimin Sakharov për Rugovën përfaqësonte një njohje të sakrificës dhe betejave të shqiptarëve ndër vite.
Edhe Rugova por edhe Demaçi e pranuan çmimin personalisht para të pranishmëve në sallën e Parlamentit Evropian.
Ndër vite çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit e kanë marrë personalitete e grupe të ndryshme. Në vitin 2012-të çmimin e morri regjisori iranian Jafar Panahi, ndërsa në vitin 2013-të këtë çmim e morri Malala Yousafzai. / KultPlus.com
Dje janë bërë 12 vite nga shkuarja në amshim e presidentit historik Ibrahim Rugova, një nga figurat me emblematike të Kosovës. Thënie, fotografi e tregime lidhur me figurën e tij u shpërndanë dje nga njerëz të afërm e simpatizant të Rugovës, shkruan KultPlus.
Ibrahim Rugova kujtohet si një politikan me vizion paqësor dhe si një intelektual e studiues i rrallë. Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi me interesim fushën shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.
Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.
Profesor Naser Ferri, koleg dhe mik i Rugovës ka ndarë disa momente gjatë ceremonisë se mbrojtjes së doktoraturës së Ibrahim Rugovës në vitin 1984, në Fakultetin Filozofik.
“In memoriam kolegut e mikut Dr.Ibrahim Rugova. Nga mbrojtja e doktoratës se kolegut dhe mikut të nderuar Dr. Ibrahim Rugova (punuam bashkë ne Institut Albanologjik te Prishtinës prej 1979 deri më 1990). Atëherë ishim kolegë e miq të mirë dhe mua më qëlluan nja 5-6 poza te filmit ne aparat. Meqë ai nuk kishte mundësi ta angazhonte ndonjë fotograf i bëra unë disa foto me atë rast, dhe këto foto e përjetësuan një moment historik”, ka shkruar profesori Naser Ferri./ KultPlus.com
Vdekja e presidentit historik të Kosovës ishte shndërruar një dhimbje gjithë popullore, dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.
Shumë qytetarë, në atë kohë kanë pritur me orë të tëra për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Ibrahim Rugovës, edhe pwrkundër temperaturave tejet të ulta, deri në -15 gradë C.
Dhe jo vetëm shqiptarët kishin treguar këtë dhimbje, pasi që, në varrimin e Ibrahim Rugovës kishin marë pjesë me dhjetëra burrështetas, nga shtetet më të fuqishme në botë, duke u konsideruar si lamtumira më e madhe në rajon.
Presidenti i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë më 21 janar 2006 në orën 11:38 në rezidencën e tij në lagjen Velania të Prishtinës. Presidenti për disa muaj vuante nga kanceri në mushkëri./KultPlus.com
Ismail Kadare dhe Ibrahim Rugova janë dy njerëz të mëdhenj për shqiptarët. Të dytë edhe kanë shkruar dhe i janë future me zell e me xhelozi studimit dhe letërsisë. Rugova më shumë si studiues ndërsa Kadare më shumë si shkrimtar, ata i bashkon, nëse jo asgjë, Franca, si një shtet ku të dytë kanë pëlqyer të jetojnë e punojnë për një kohë, shkruan KultPlus.
Sot, në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, po sjellim fjalët e Kadaresë mbi këtë figurë të njohur për shqiptarët: “Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ta që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu.
E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit… Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare.
Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.”, ka thënë mes tjerash Kadare. “Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik” ka thënë Kadare për Presidentin Historik të Kosovës – Ibrahim Rugovën.
Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006. / KultPlus.com
Sot janë mbushur 12 vite nga shkuarja në amshim e presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova. Sot gjithçka mbizotëronte në frymë Rugoviane, dhe shumë fytyra publike në Kosovë, e kujtuan presidentin historik në mënyra të ndryshe e fotografi nga më të rrallat, shkruan KultPlus.
Një fotografi e rrallë është publikuar edhe nga njeriu i afërt i presidentit Rugova, Adnan Merovci, i cili ka sjellë një fotografi ekskluzive të realizuar në vitin 1997.
“Në vend të përkujtimit për 12 vjetorin e ndërrimjetës!
Presidenti RUGOVA kishte mendjen, punën, orientimin dhe gishtin kah INDEPENDENCE (Pavarësia)!
Foto ekskluzive të cilën e kam bërë në vitin 1997, afër Capitol Hill në Washington D.C.”, ka shkruar Merovci në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com
Shkruan Anton Nikë Berisha.
Në fushën e studimit të letërsisë Ibrahim Rugova la një trashëgimi sa të pasur aq dhe të veçantë. Kjo dëshmohet me një varg veprash vlerash të mëdha, ku ndriçohen çështje teorike dhe estetike të letërsisë si art i fjalës dhe interpretohen një varg veprash letrare si tërësi tekstore shprehëse dhe kuptimore si, fjala vjen, Prekje lirike (1971), Kah teoria (1978), Strategjia e kuptimit (1980), Vepra e Bogdanit 1675 – 1685 (1982), Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986), Refuzimi estetik (1987).
Ato dallohen jo vetëm për shumësinë e dukurive që vështrohen, për interpretimet e veprave të letërsisë shqipe dhe të letërsive të tjera, po dhe për qasjen moderne të tyre, ku përdoret një sistem i pasur nocionesh që zbatohet në studimet e letërsive të mëdha. Kjo gjë e shkëputi studimin tonë letrar nga qasje pozitiviste që ishte ngulitur thellë në të.
Veprën letrare poetike Ibrahim Rugova e vështroi në kompleksitetin teorik dhe të realizimit praktik, në tërësinë e funksionimit e të pranimit të veprës e të ndikimit estetik të saj në marrësin. Duke e parë dhe studiuar veprën letrare si fenomen të hapur e kompleks, Rugova hulumtoi aspektin konotativ – kuptimor, si rezultat i strukturimit të veçantë gjuhësor – poetik, pra vrojtoi çka mund të thotë një vepër letrare, sidomos formën dhe mënyrën si thuhet ajo. Brenda këtij përimtimi të veprës letrare dhe procesit kompleks të formësimit, Rugova zbatoi sistemin e vet të mendimit, të aplikimit dhe të realizimit të tij. Për t’ia dalë kësaj atij i ndihmoi njohja e mirë e teorisë dhe e praktikës letrare. Mendimi i tij për disa dukuri letrare e sidomos për disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, si ato të Xoxes, Kadaresë, Podrimjes, etj. nuk del apriori imponues. Thellësia dhe ngjeshësia e mendimit të tij pasojnë nga konceptimi, organizimi, shkoqitja – analizimi i fenomeneve që i merr në shqyrtim. Autori nuk thotë dhe nuk e sforcon qëllimisht pohimin me shprehje retorike, por nëpërmjet mendimit të qëndrueshëm, si rrjedhojë e studimit dhe e analizës paraprake përkushtuese.
Në studimet e veta Ibrahim Rugova gjithmonë la mundësinë e vështrimit të dukurive edhe nga pikëvështrime të tjera, madje edhe të ndryshme nga ato që i bën ai. Kjo ndodh meqë vepra letrare vështrohet si fenomen që secili e lexon dhe vë komunikim në mënyrën e vet, varësisht nga niveli i përgatitjes teorike dhe i njohjes së praktikës letrare, estetikës receptive, por edhe më gjerë. Për këtë arsye nëse me të drejtë thuhet se kritika dhe interpretimi objektiv dhe thellësisht kreativ ia shton vlerën veprës letrare, zgjeron dhe thellon kuptimin e ekzistimit e të ndikimit, shpalos strukturimin e botës poetike të veprës letrare, pra ekzistencën dhe qenësinë e saj, atëherë një gjë e tillë realizohet në mënyrë të ndjeshme dhe të veçantë në veprat e Rugovës. Sistemi i ngritur i koncepteve, përkatësisht standardizimi i tyre, pa të cilin nuk mund të mendohet studimi modern dhe bashkëkohës, i japin veprës së tij një dimension të ndjeshëm koherencës së mendimit dhe të interpretimit. Me veprat e tij saktësohet dhe funksionalizohet matagjuha e shkencës së letërsisë në kulturën tonë.
Mund të thuhet se çdo libër i tij i botuar paraqiti një çast të shënuar brenda mendimit tonë letrar teorik e kritik. Kështu në veprën e parë teorike interpretuese Prekje lirike (1971) me një gjuhë të veçantë shprehëse ai depërtoi thellë në esencat lirike e kuptimore të poezisë së disa poetëve më të njohur botërorë e shqiptarë si, fjala vjen, Bodlerit, Jeseninit, Lorkës, Preverit, pastaj Nolit, Migjenit, Serembes etj. Nëpërmjet gjuhës poetike-interpretuese thellohet në tiparet dhe cilësitë artistike e estetike të poezive të shqyrtuara dhe arrin një identifikim të plotë me forcën lirike e komunikuese të krijimit – si shprehësi e përjetësisë poetike.
Kështu ngjet edhe me veprën Kah teoria (1978), ku letërsia vështrohet si diferentia specifica dhe problemet e saj qenësore i trajton në rrjedhën e përgjithshme të mendimit teorik e kritik, pra sjell një informacion të rëndësishëm, të drejtpërdrejtë, nga kulturat dhe letërsitë e tjera.
Këtë mënyrë studimi të letërsisë, të dukurive e të veprave konkrete letrare Rugova e pasuroi dhe me librin Strategjia e kuptimit, që është një verifikim i ri i aftësisë së tij që të merret me çështje konkrete të studimit dhe të interpretimit të veprës letrare e të dukurive të saj, ku sintetizohet e realizohet praktika letrare – vështrimi dhe interpretimi i veprës letrare si unitet formësor, kuptimor e artistik. Strategjia e kuptimit dëshmon për cilësinë dhe vetëdijesimin e mendimit tonë teorik dhe estetik; shpreh përbashkimin e teorisë dhe të praktikës letrare – një artikulim dhe interpretim modern të problemeve të artit të fjalës në përgjithësi e sidomos të veprës letrare në veçanti. Për herë të parë brenda mendimit tonë kritik letrar dhe estetik përligjet njohja e thellë e teorisë në shqiptimin dhe analizimin e dukurive të veprës letrare në planin konotativ, ku veçanërisht shprehet saktësia dhe preciziteti i konceptimit të objektit të shtruar, i të shprehurit e i të menduarit nëpërmjet metagjuhës; një kohezion i logjikës vetëzotëruese, funksionale e nxitëse, një siguri për të komunikuar me probleme ontologjike të letërsisë dhe të veprës letrare, pa e imponuar çështjen e shtruar, por duke e shprehur nëpërmjet kuptimësisë sintetizuese individuale dhe gjithnjë duke e ndërlidhur atë në një kontekst më të gjerë. Rugova në mënyrë të vijueshme gjakon kuptimin në veprën letrare në një varshmëri e kushtëzim të ndërsjellë me përbërësit e tjerë qenësorë si, fjala vjen, shtresat e rrëfimit artistik, imazhet, figuracionin etj. Ai vë në dukje se vepra artistike është fakt artistik, ku vërtetohen një apo disa ide dhe pikëpamje, të mënyrës shtjelluese artistike, çka shpreh baraspeshën e një të vërtete që kërkohet të theksohet e të afirmohet.
Çështjen e shpalimit të kuptimit në veprën letrare autori e zhvillon në mënyrë aplikative dhe vë në dukje se është i domosdoshëm cilësimi i kuptimit dhe i cilësimit të kuptimit, domethënë i kuptimit të zbatuar në veprën letrare dhe i atij që i ia japim ne. Autori konstaton se kuptimi nuk mund të zëvendësohet me përmbajtjen e forma me strukturën, as anasjelltas, sepse vetë ky është finalitet i këtij organizimi organik që quhet vepër e realizuar përmes shkrimit.
Studimin e dukurive teorike, estetike dhe interpretuese Rugova e pasuroi edhe me librin Refuzimi estetik (1987), ku arti letrar, sidomos vepra letrare dhe mundësia e komunikimit dhe e ndikimit të saj në lexuesin vështrohet në një këndvështrim sa të ndërliqshëm, aq dhe modern, duke e parë atë si një tërësi shumësore përbërësish dhe mesazhesh poetike e jo si porosi dhe këshillë, siç e parapëlqente dhe e shprehte studimi pozitivist. Ai ngrihet kundër imponimit në letërsi, kundër përcaktimeve politike e ideologjike dhe i jep përparësi qasjes dhe interpretimit të lirë e kompleks të përbërësve poetikë të veprës letrare dhe rëndësisë së ndikimit të saj estetik në lexuesin.
Në rrafshin e interpretimit të veprave konkrete, studimi monografik Vepra e Bogdanit 1675 – 1685, dëshmon aftësinë dhe dijen e tij të lartë, të ballafaqohet dhe të vërë komunikim me tekste të ndërliqshme siç është Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve) e Pjetër Bogdanit, e shkruar në gjuhën shqipe qysh më 1675 dhe e botuar në shqip dhe e përkthyer në italisht më 1685 (në Padovë).
Cuneusi i Pjetër Bogdanit i doli Rugovës si një vepër monumentale e letërsisë sonë të vjetër, por edhe e letërsisë sonë në përgjithësi, në të cilën për herë të parë në gjuhën shqipe, në një nivel, me një gjerësi e me kompetencë të lartësuar shtrohen, theksohen e shkoqiten probleme të rëndësishme teologjike, filozofike, letrare, estetike, kosmogonike etj. Ato nuk janë shtruar dhe konceptuar rastësisht dhe dosido, sepse, si thekson autori, Çeta “[…] nuk është (vepër) thjesht speciale, që i kushtohet vetëm një problemi të veçantë. Për kah ideja themelore mund të konsiderohet si e tillë, po për nga problemet e shumta, marrë në planin metodologjik, është vepër universale, sepse përfshin dhe përmban në vete, në objektin e vrojtimit dhe të shqyrtimit të vet, disa klasematika problemesh e çështjesh rreth një apo disa ideve qendrore e esenciale, prandaj e gjithë vepra është një praktikë filozofike, një filozofim i pasur dhe i thelluar me argumente mbi krijimin, marrë në kuptimin më të gjerë dhe mbi jetën dhe përvojën njerëzore në planin e vendosjes dhe të shqyrtimit”. Të gjitha këto, vijon Rugova, përligjen në këtë vepër me “Një ligjërim intelektual e energjik në krijim dhe në formulim”.
Rugova i qaset dhe e zbërthen konceptin teologjik në veprën e Bogdanit, historinë e ekzistencës së njeriut – qenien e pavarur (ente independente) – Zotin, por edhe çështje të filozofisë së Mesjetës, me të cilat teologjia, (në kohën e Bogdanit) ishte në një lidhje të fortë; ato bashkëjetonin dhe bashkëvepronin ngushtësisht me njëra – tjetrën. Në veprën Cuneus Prophetarum Rugova sheh fillet e prozës shqiptare të shkruar – si dëshmi ekzistimi dhe formimi të gjuhës shqipe si gjuhë poetike dhe të aftësisë së saj komunikuese.
Duke e studiuar me përkushtim veprën Çeta e profetëve të Bogdanit, Rugova dëshmoi thellësinë e vrojtimit të problemeve, qoftë kur bëri fjalë për ato teologjike e filozofike, për raportin varësor dhe kushtëzues, pra për përkimet e teorisë dhe të praktikës së teologjisë dhe filozofisë (historia e ekzistencës, triniteti, filozofia e natyrës, trupi-shpirti, natyra naturans – mimesisi, teoria e dy të vërtetave, kategoritë estetike etj.), për kategorinë e kohës e të hapësirës (koha esenciale dhe koha ekzistenciale, mitologjia etj.), qoftë për praktikën teorike letrare e poetike, për stilin, tiparet e ligjëratës etj. Qasjen dhe interpretimin e shumë dukurive të veçanta ai nuk i bëri që të dëshmojë heterogjenitetin e veprës së Bogdanit, por të paraqitjes, të interpretimit dhe të përafrimit të saj sa më të përshtatshëm me preokupimet dhe botëkuptimin e lexuesit të sotëm. Ai jo vetëm shkoqiti dhe i përafroi shumë mendime të Bogdanit me ato që janë aktuale në shkencën e sotme të letërsisë, por i bën dhe një interpretim të thukët poezisë origjinale të Pjetër Bogdanit e të Lukë Bogdanit, sidomos Sibilave, të botuara në “Çetën e profetëve”.
Nëse kemi parasysh mendimin e Albert Stratikoit, të cituar si kryemoto në librin e Rugovës, se “Ceneusi” i Bogdanit – “lë të jetë objekt vërtet i denjë për studime të mëdha jo vetëm për shqiptarët, por edhe për dijetarët e kombeve të tjera”, atëherë themi me plot gojë se me veprën e vet Ibrahim Rugova vuri një gurthemel në paraqitjen dhe studimin modern të veprës së Bogdanit dhe hapi kështu rrugën për studime të tjera, të specializuara, që pasuan ose do të duhej të bëheshin në ndriçimin e shumë aspekteve të saj, sepse siç pohon Rugova, “sa më shumë do ta çmojmë e vlerësojmë këtë vepër, aq më shumë do të na çmojnë të tjerët…”
Edhe vepra studimore Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986) e përligj seriozitetin dhe aftësinë e Rugovës për t’u marrë dhe për t’i ndriçuar rrjedhat e mendimit tonë teorike kritik dhe interpretuese në një periudhë kohore mjaft të gjatë.
Në fund po përmend faktin se me veprat e veta teorike dhe interpretuese Ibrahim Rugova përftoi bazën më cilësore dhe më të ngritur në fushën e studimit të artit të fjalës në gjuhën tonë.
(Shkruar në fillim të viteve 1960)
Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjer në krijatyrë?
Po ëndrrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
E ngado të endesh veç do të vrasë.
Athua Zoti i madh diti të gjykojë
Që njomaket të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?
I ngopur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.
O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.
Dua të iki fushës e malit-
Jetën e shof si grusht t`rendë.
Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.
Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.
Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh nuk qetësohet kurr.
(Cerrcë 1960)
“Në jetë, duhet pasur vullnet dhe durim, te mirat vijnë pastaj!”-Ibrahim Rugova.
Në kujtim të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, sot në 12 vjetorin e vdekjes së tij, KultPlus po e kujtojnë me një fotografi të rrallë./ KultPlus.com
Si sot më 21 dhjetor 2006, nga një sëmundje e rëndë pati ndërruar jetë presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.
12 vite pas, presidenti historik vazhdon të kujtohet me shumë mall nga populli i tij dhe bashkëpunëtoret e tij. Kësisoj, me këtë rast sot në Gjilan, nën patronazhin e kryetarit të kësaj komune Lutfi Haziri, mbahet akademi përkujtimore në shënim të përvjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova.
Kjo akademi mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit-Salla e Teatrit sot dot e diel 21 janar, me fillim nga ora 16:00./ KultPlus.com
Sot shënohet 12 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në përvjetorin e 12-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 12”00 në Hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi./ KultPlus.com
Vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi ka marrë kritikat letrare të nevojshme, por edhe bekimin e plot njerëzve si libër që duhet lexuar për ta kuptuar jetën e priftit shqiptar në një kohë tjetër për shqiptarët.
Frati françeskan dhe një publicist e shkrimtar i palodhshëm, At Zef Pllumi na e la këtë libër si dëshmi që jetoi dhe dha kontribut në disa fusha.
Vëllimi i parë i librit është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.
Në mesin e njerëzve që e vlerësuan librin dhe thanë fjalët më të mira për të, ishte edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar.
“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”
Kujtimet e Pllumit, dhe të disa emrave të tjerë që i kanë kaluar ato rrathë ferri, janë beteja më e ashpër kundër dinakërisë së një pjese të shoqërisë që është përpjekur për të harruar të shkuarën – një e harruar që i krijon hapësirë vetëm atyre që kanë mbështetur atë përbindësh e që nuk duan për asnjë çast që t’i zbathet e shkuara. Duke sjellë përmes një rrëfimi shumëçka që ka ndodhur me të dhe shumë persona rreth tij, e sidomos në burgjet shqiptare, At Zef Pllumi ka ngritur pikëpyetjen e drejtpërdrejtë mbi atë çfarë duhet bërë me të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve tanë. / KultPlus.com
Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova, kujtohet gjithmonë nga të gjithë qytetarët e Kosovës e poashtu edhe nga familja e tij.
Kësisoj, Blerta Kllokoqi Rugova, gruaja e djalit të presidentit Rugova, mbrëmë ka publikua një ndër këngët më të dashura të presidentit historik, shkruan KultPlus.
“Rrallë kam pa kso bukurie”, është kënga që ish-presidenti Ibrahim Rugova, thuhet ta ketë dashur më së shumti dhe ta ketë dëgjuar me ëndje.
“Për një natë të qetë dhe të këndshme, larg viber-it dhe përgjimeve, ju ftoj të dëgjoni një nga këngët më të dashura të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova “Rrallë kam pa kso bukurie”, ka shkruar Blerta Kllokoqi Rugova, në rrjetin e saj social Facebook./ KultPlus.com
Ndue Ukaj
A mund të ndahet Rugova i letërsisë nga ai i politikës, dhe anasjelltas, Rugova i politikës nga ai i letërsisë? Apo thënë ndryshe, si manifestohen këto dy pyetje në domenin e asaj që Rugova e shihte si Res Publica?
Kur e lexojmë veprën tij letrare dhe politike, e shohim se këto dy fusha, krijojnë një relacion të ndërvarshëm, dhe vihen në funksion të interesit të përgjithshëm, sepse, Rugova i ideve politike, rezulton të jetë Rugova i ideve letrare.
Ibrahim Rugova, në kohën kur u inkuadrua në jetën politike, ishte intelektual me zë dhe studiues i afirmuar i letërsisë.
Autori që në fillim shkroi poezi, shpejt iu përkushtua kritikës letrare, ku la gjurmë të pashlyeshme, ndërsa dy dekadat e fundit të jetës, gjendet në veprim politik, periudhë kjo kur udhëhoqi kauzën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë për popullin e vet të robëruar.
Rrugët e tij intelektuale e krijuese, u kryqëzuan me momentet politike të kohës, siç ishte rënia e ideologjisë komuniste në Europën Juglindore.
Ndërkohë që ideologjia komuniste jepte shpirt, intelektuali i formuar në Paris, nxënës i Roland Barthes-it, për shkak të rrethanave shtrënguese- dhe jo ngaqë ushqente ndonjë afinitet për të- më 1989 gjendet në ballë të lëvizjes politike të kohës, të cilën e drejtoi deri në fund të jetës së tij, më 2006.
Në fakt, periudha para inkuadrimit të tij në politikë, karakterizohet me një veprimtari të bujshme letrare, veçmas në fushën e kritikës dhe studimeve letrare, ku ai shfaqi shenjat e dallueshme të intelektualit të madh.
Rugova, që në librin “Kah teoria” (1978), shkruante për transformimin e nevojave shpirtërore në shoqëri, mirëpo ato atëbotë synonte t’i ndihmonte dhe realizonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë. Në Prishtinë, që atëbotë u bë qendër e kulturës dhe dijes, ai u bë prijetar i ideve letrare e kulturore bashkëkohore.
Ndërsa te libri tjetër me shumë ndikim, “Refuzimi estetik” (1987), veçmas te eseu me të njëjtin titull, Rugova, e shpalosi më qartësisht platformën kulturore dhe qëllimet e veta letrare, në funksion të transformimit të nevojave shpirtërore, të cilat dëshironte t’i sendërtonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë. Sepse, ai besonte te letërsia dhe fuqia e saj për të ndikuar dhe ndihmuar këto transformime.
Rugova, qe i vetëdijshëm se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikon në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij, qe një binom i pashkëputur: kulturë e politikë. Rugova, ishte i bindur se sa herë që politika e refuzon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Duke shtjelluar idetë e tij, ai shkroi: “pushteti më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar apo që nuk i është mbivënë letërsisë.” Duke e zhvilluar tezën e vet për refuzimin estetik, Rugova, iu rikthehet marrëdhënieve ndërmjet artit dhe politikës. Dy fushat, edhe pse në kundërshti, janë pjesë e interesit të përgjithshëm, si res publica, mendon autori.
Ndërsa me monografinë “Vepra e Bogdanit” (1982), autori e shënjoi botërisht identitetin e vet kulturor e shpirtëror, dhe lidhjen organike e të pashmangshme me traditën dhe civilizimin oskidental, ku aspironte ta rikthente popullin e vet pas shkëputjeve shekullore.
Studimi i tij për veprën e Bogdanit, patriarkun e letërsisë shqipe, është thesar për kulturën letrare shqiptare, dhe një vepër e madhe, që hapi shtigje për të njohur më mirë këtë autor, por edhe kontekstin kulturor të kohës. Me këtë vepër, Rugova, ndikoi që ky korpus letrar- si tërësi- të lexohet dhe interpretohet si letërsi e mirëfilltë artistike dhe jo si korpus me vlerë gjuhësore; tendenca këto që synonin ta reduktonte vlerën e kësaj trashëgimie vetëm në planin gjuhësor.
Në fakt, më vonë kur do të inkuadrohet në politikë, jeta e Bogdanit do të bëhet model dhe frymëzim për veprimtarinë e mëvonshme politike.
Ibrahim Rugova, formimin parësor e kishte kritik i letërsisë. Ai ishte njohës i shkëlqyer i dijeve bashkëkohëse dhe problemeve të mprehta që shtronin atëkohë dijet për artin dhe letërsinë.
Rugova: ndërtues i Kosovës
Dijetari Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruante me një vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.” Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet me të drejt ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova.
Koha, si gjykatësja më e drejtë dhe më e paanshme, i jep të drejtë pohimit të Koliqit. Sepse, kultura shqiptare, me tiparet shënjuese nacionale, më tepër se nga çdo kush, u mbrojt dhe u kultivua nga shkrimtarët. Ndaj, ka të drejtë dijetari i madh Eqrem Çabej, kur si tipar të letërsisë shqipe shënjon ngjyrën politike të shkrimtarisë. Më tutje Çabej shkruan: ”Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushk.”
Shkrimtarët shqiptarë, në gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, qenë njëkohësisht krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformave për çlirim, pavarësi dhe emancipim, vlerësojnë njohës të shumtë të letërsisë shqipe.
Atyre iu kërkua që shpeshherë të linin librin dhe të viheshin në aksion. Ibrahim Rugova, në vazhdën e një kulturë të trashëguar para tij, e bëri një gjë të tillë.
Aksiomë e politikës së tij qe intelektualizmi, mirëpo ai aktiv, jo i mbetur përbrenda kabineteve akademike. Në këtë mënyrë, me idetë kulturore e politike, i dha një dimension intelektual e moral politikës. Përkitazi me këtë, ai pohoi shprehimisht: “E dini, intelektualët kanë vetëm dy rrugë, të mbetën te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë.”
Kultura dhe shkrimi shqip, në kohën kur krijoi dhe veproi Rugova, bënte përçapjet kah idetë bashkëkohore, meqë deri atëherë ishte “në shërbim të idesë kombëtare.” Mu për këtë arsye, autori këtë mision- me veprime politike dhe intelektuale- dëshironte ta nguliste në vetëdijen dhe në identitetin e shqiptarëve. Duke e shndërruar në kulturë politike.
Përgjatë viteve të tij të angazhimit politik, ai vazhdonte t’i shprehte idetë e tij për interesin e përgjithshëm, duke i përzier ndjeshmëritë prej letrari e politikani, në funksion të mirës së përgjithshme.
Rugova ndërmjet letërsisë dhe politikës
Ibrahim Rugova, siç e përmendëm mësipërm, para se të ishte politikan, qe njeri i përkushtuar ndaj letërsisë e librit. I apasionuar veçmas ndaj traditës dhe vlerave letrare, ai lexonte dhe e vlerësonte leximin. Ai shkruante dhe e vlerësonte shkrimin. Ai përsiaste për tema e fenomene kulturore- letrare, dhe nëpërmjet tyre, e jetësonte vizionin e vet prej intelektuali.
Për sa kohë qëndroi pranë librit, nëpërmjet tij nxiti idetë progresive, duke synuar kulturimin e gjithmbarshëm, ndërsa këtë mision, i shtytur nga rrethanat, e vazhdoi në politikë, me metoda tjera, por asnjëherë duke u shkëputur nga burimi: libri si dije dhe kulturë. Sepse ai besonte se: “karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.” Ndaj, ishte e kuptueshme para kultit të fjalës, ai ishte shumë i kujdesshëm dhe tejet njerëzor.
Pa mëdyshje, intelektuali meditans, s’mund të rrinte pranë librit, kur e shihte si rrezikoj Kosova e tij, në kohën kur një sistem i pështirë ideologjik jepte shpirt. Për këtë arsye, vihet në aksion. Ai, siç do të thoshte, në këso situatash, intelektuali kishte dy zgjidhje: të rrinte pranë librit apo të dilte në aksion.
Me librin dhe shkrimin si udhërrëfim, ai u bë politikani më i kulturuar i botës moderne shqiptare. Ndërsa, me tagrin e dijetarit të prier nga përgjegjësia dhe ndërgjegjja e lartë, e injektoi politikën me etikë dhe kulturë. Me këtë vizion human e kulturor, ai shpërtheu në diplomacinë e jashtme, mu pse nuk ishte politikan i sterotipeve retorike primitive, çfarë kishte prodhuar Ballkani i tij nëpër vite. Me vizionin dhe qasjen e butë, e fitoi vëmendjen e botës së përparuar dhe u admirua dhe vlerësua kudo.
Karakteristikat dhe shenjat dalluese të veprimtarisë së tij të bujshme letrare, janë qartësia në ide dhe mendime, si dhe të shkruarit me objektivizëm të admirueshëm. Tekstet e tij letrare, shquhen për thellësinë e mendimit, ndërkaq analizat e tij i karakterizon një qasje e disiplinuar letrare dhe një frymë moderne e komunikimit me tekstin letrar; format ky i kritikut që sot i mungon letërsisë shqipe. Si kritik letrar, ai shkruante për dukuri letrare, duke qenë shpeshherë nistor. Në këtë kontest, duhet pohuar veçmas roli dhe kontributi i pazëvendësueshëm në studimin e letërsisë së vjetër shqipe në tërësi, si dhe veprës së Pjetër Bogdanit, në veçanti.
Rugova, me dijen e akumuluar në Parisin e kulturës, iu dha shtytje të njëmend zhvillimeve letrare shqiptare. Letërsinë e lexoi në tërësi dhe jo të fragmentuar. Ndërsa përmasën estetike të saj e kundronte brenda konceptit estetik të së bukurës që gjallon nëpërmjet gjuhës së kultivuar. Ajo refuzonte mundësinë që letërsia të interpretohet sipas parakoncepteve ideologjike përjashtuese. Në këtë mënyrë, i dha hov pozitiv zhvillimit të kulturës shqipe dhe sidomos studimeve letrare.
Rugova, letërsinë e lexoi në thellësi dhe si dukuri estetike e semantike. Ai bëri përpjekje të dallueshme për të kategorizuar dhe për të ndërtuar një hierarki në letërsinë bashkëkohore shqipe. Në librin “Strategjie e kuptimit” (1980), me precizitet e pedanteri prej studiuesi, shkroi në përkim me mësimet se kritika është shenjë e mendjes së pjekur. Ai, kësisoj, mbetet nga të rrallët që pati guximin intelektual, t’ia thoshte njeriut të letërsisë dhe opinionit letrar, mendimin studiues për një libër apo për një autor. Rugova, s’ishte nga ata kritikët dogmatik të letërsisë, të cilët, mbushin tekstet me epitete dhe vlerësime për miq. Ai e kundronte letërsinë si art të së bukurës dhe vetëm ashtu e interpretonte.
Rugova, në fushën e letërsisë shquhet për prurjet të veçanta e origjinale. Tekstet e tij nuk janë dosido shkrime, por referenca domethënëse dhe cilësore që kanë ndihmuar dhe avancuar letërsinë shqipe.
Rugova misionar
Rugova, në politikë hyri me detyrën e një misionari. Gjatë jetës së tij politike, ai pati dy misione: ta lironte popullin e tij nga kthetrat e Serbisë dhe ta rikthente në gjirin e familjes europiane, prej ku ishte shkëputur padrejtësisht. Në funksion të këtij misioni, ai krijoi marrëdhënie me aleatët e Gjergj Kastriotit- filozofi kjo të cilën ai e ndoqi në çdo hap të jetës së tij, ndërkohë që Nënë Tereza dhe Papa Gjon Pali i II-të do të zënë vend të përhershëm në zyrat e tij.
Intelektual me vetëdije të mbrehtë historike, njohës si rrallëkush i kulturës autentike shqiptare dhe asaj perëndimore, ai e riktheu Dardaninë Antike në epiqendër të diskursit politikë, dhe të njëjtin e shndërroi në kauzë politike.
Politikën nuk e pati vokacion, por thirrje- mision në funksion të sendërtimit të Kosovës kulturore që me kohë u shndërrua në platformë politike. Ndaj, iu dashtë ta rindërtonte bashkimin shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës, në hollinë e një kaosi ideologjik e identitar që po perëndonte. E filloi me refuzimin estetik ndaj të keqes dhe paralelisht u përpoq ta krijonte modelin autentik të Kosovës, me shenja e figura që buronin nga kultura kombëtare, të cilën e njihte mjaft mirë.
Misteri i suksesit të tij, ajo nyja nevralgjike që e bëri atë të fitoi epitet të admirueshme ane e kënd botës së përparuar, qëndron te fakti se ai qe politikan i atipik. Premisa mbi të cilën e formësoi politikën e tij, qe pikërisht kultura, e cila, u bë pikënisja prej ku filloi jetësimi i platformës së afirmuar: liri, demokraci e pavarësi.
Letrari meditans, me këtë vizion, krijoi terren të mjaftueshëm për të ushtruar ndikim e tij politik e kulturor në Kosovë dhe më gjerë.
Rugova, si politikan ishte formuar nga idetë kulturore nga dhe jo duke ndjekur instruksionet e ndonjë ideologji të pastër politike, siç bëjnë zakonisht burrështetasit. Ndaj, ai besonte në unitetin kulturor, më shumë se në atë politik. Për këtë arsye, kërkoi me ngulm që të shpaloseshin rrënjët e identitetit të lashtë Dardan, ku kërkonte gurthemelin për të ndërtuar ngrehinën e tij politike e kulturore: Kosovën e pavarur, demokratike dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.
Ai e nisi rrugëtimin politik, duke e sfiduar një regjim hegjemonist, me armët e vetme: kulturën dhe paqen.
Rugova, në politikë hyri me besim të patundur te kultura, ndaj asaj i solli risi, të cilat, mbeten trashëgimi e pasur për të ndërtuar Kosovën e stome dhe të nesërme. Politikës i solli botëkuptimin e munguar të kulturës. Me qasjen ndaj politikës, hapi horizonte të reja për Kosovën, çështjen e së cilës ngriti aty ku aspironte populli: në Europën oskidentale, sepse ai pohonte me vendosmëri se provenienca kulturës së Kosovës dhe e shqiptarëve ishte oksidentale.
Në domenin e politikës, Rugova, vinte në skenë pa ndonjë trashëgimi politike të pasur, të cilën ia vlente ta ndiqte. Ai mori drejtimin e Kosovës, në kohën kur ajo përballej me politikën hegjemoniste serbe. Ai asnjëherë s’u përkul para “parimeve” të ulëta që ka përcaktuar politika shqiptare ndër vite. Si vizionar dhe projektues, ai shihte matanë perdeve të errëta politikës së ditës.
Dhjetë vite pas vdekjes
Tanimë kur bëhen dhjetë vite nga ikja e tij në amshim, koha, si gjykatorja ma e mirë e historisë, po e vë atë në krye të Olimpit të politikës dhe kulturës shqiptare. Po e nxjerrë nga llogore, ku tentuan ta fusin cenet dhe shpirtngushtësia njerëzore; ku tentuan ta fusin armiqtë politikë e smirëzinj, që s’mund të rriteshin nën hijen e tij. Sepse, ai ishte i madh dhe iu bënte hije të tjerëve. Ai, punën prej politikani, e bëri në heshtje dhe me filozofi të epërme. Në këtë mënyrë, triumfoi mbi gjithë. I mposhti gjithë. Pa zhurmë. Pa pezëm, por me mençuri e moral të lartë.
Dhjetë vite pas, koha po dëshmon se Rugova është tamam si vera: sa më shumë kalojnë vitet, aq ma i vlefshëm bëhet. Po e duan, admirojnë dhe imitojnë edhe armiqtë e tij të përbetuar politikë. Sepse, ai ishte patriot i kultivuar dhe patriotizmin e kishte virtyt dhe jo qëllim, siç ka ngjarë shpeshherë me politikanët në Ballkan.
Po, koha po e dëshmon se Ibrahim Rugova ishte politikan i ditur, tjetërfare nga ç’jemi mësuar t’i shohim këndej pari: të cektë e mendjeshkurtër. Ai ishte politikan dhe intelektual me sqimë krejt të veçantë dhe me një vizion të përhershëm e human politikën, sepse ai nuk ndiqte një kauzë personale.
Vepra e tij kulturore e politike, është pasuri për të gjithë ata që aspirojnë përparimin, dhe një udhërrëfyese sesi ecët dinjitetshëm krahpërkrah me popujt e qytetëruar.
Ibrahim Rugova, kolosi i Kosovës, siç shkroi At Zef Pllumi qe “nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit”, vendit të tij dhe kulturës shqipe i dha shumë në domenin e politikës dhe letërsisë, sipas parimit të njohur si Res Publica.
(Ky tekst është botuar te libri, Kujtesa e Rugovës, Fondacioni Ibrahim Rugova, 2016)
1.
Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.
2.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjer në krijatyrë?
3.
Po ëndrrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
E ngado të endesh veç do të vrasë.
4.
Athua Zoti i madh diti të gjykojë
Që njomaket të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?
5.
I ngopur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.
6.
O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.
7.
Dua të iki fushës e malit-
Jetën e shof si grusht t`rendë.
Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.
8.
Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.
9.
Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh nuk qetësohet kurrë.
( Cerrcë 1960)
Lutje e Presidentit të Republikës së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova më 12 qershor 1999.
Të Lutëm O Zot
Për Lirinë Që Na Fale
Të Lutëm O Zot
Për Kthimin Tonë
Në Kosovën Tonë
Në Tokën Tonë
Të Falemi Ty
Për Këtë Mrekulli
O Zot
Mëngjesin e së shtunës,Halil Matoshi,këshilltar i kryeministrit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka kthyer në memorien e qytetarëve edhe njëherë vitin 1990-të, në një fotografi të rrallë ku shihet Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.
Delegacioni që shihet në fotografi me në krye Ibrahim Rugovën, asokohe, kishte shkuar në Washington DC, për të kërkuar Republikë për Kosovën.
“1990: Washington DC
Atebote kur shkuem me lype Republike per Kosoves
Nga e majta: Shaqir Shaqiri, Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Anton Berishaj, Halil Matoshi (ne prapavije doken edhe Shkelzen Maliqi, Hivzi Islami, Tome Berisha dhe Idriz Ajeti)”, ka shkruar Matoshi./ KultPlus.com