Fotografi Ilaz Bylykbashoshi ka publikuar disa fotografi nga një takim i Presidentit Ibrahim Rugova me aktorin e njohur Bekim Fehmiu.
Ai ka shkruar pa censurë një pjesë të bisedës mes Rugovës e Fehmiut.
Të dy e kishin lavduar njëri-tjetrin, por aktori e kishte bërë në një mënyrë më të pazakontë.
“Ibrahim Rugova: “Bekim Fehmiu ju adhurojë për prezantimin e denjë që i keni bërë kombit nëpër botë”! Bekim Fehmiu: “President mendojë që ju i keni koqet deri tek gujt”!”, ka shkruar Ilaz Bylykbashi në përshkrimin e fotografive. / KultPlus.com
Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.
“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.
“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar tutje Olluri. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë një foto ku shihet ajo së bashku me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, duke shikuar një foto të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Osmani po qëndron në Bruksel ku, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ajo do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
“Një moment i veçantë sot në Parlamentin Evropian.”, ka shkruar ajo në foton ku shihet së bashku me Metsolan duke e shikuar së bashku fotografinë. / KultPlus.com
Promovohet libri “Rugovën, si e kam njohur” nga Gani Mehmetaj Me parathënie të Henri Çilit, botim i UETPRRESS-it Tiranë “Ibrahim Rugova nuk ishte figurë rastësore.
Nuk ishte as meteor, që ndriçon me farfuri e shuhet në heshtje. Personaliteti i tij u krijua në një kohë të gjatë. Student i Prishtinës, specializant i Parisit, shkolla franceze e shquante me risitë e qasjes letrare, me frymën perëndimore, e kundërta e shkollës jugosllave që ishte një përzierje mes zhdanovizmit sovjetik dhe diktaturës së socializmit “vetëqeverisës”- socializëm tinëzar që të shtypte në heshtje.
Ishte i pazakontë interesimi i Rugovës për Pjetër Bogdanin, kolosin e letërsisë shqipe dhe prijës i kryengritjes më të madhe shqiptare kundër Perandorisë Osmane, pas Gjergj Kastriotit”, shkruan Gani Mehmetaj në fillim të librit- portret për këtë burrë shteti me parathënie të Henri Çilit, drejtor i shtëpisë botuese UETPRESS . Promovimi i librit do ta bëhet në orën 17.00 në Panairin e Librit, kurse do të flasin Henri Çili dhe kryeredaktorja e botimeve, Suela Mino./ KultPlus.com
E ka titulluar “Pengu” librin më të ri që është i llojit ditar, ditar që është mbajte gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, nga autori Adnan Merovci, që ishte edhe personi që ia ka qëndruar shumë afër presidentit Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.
Ky libër-ditar që do të sjell zhvillimet prej 24 mars deri më 12 qershor të vitit 1999, do të promovohet sot, dhe vjen me rastin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Promovimi do të mbahet në Kino Armata prej orës 12:00, kurse libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Amerkos”.
Do të shfaqet edhe një film dokumentar po me të njëjtin titull “Pengu”./ KultPlus.com
Sjellim dhjetë thënie nga presidenti historik Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.
Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.
Kosova është një vend i vogël, por ka aq shumë pasuri që ia ka falur Zoti.
Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.
Kosova sot është më pranë Evropës se vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore.
Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70% të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.
Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.
Ne kemi euron monedhë, çka do të thotë shumë. Ajo nuk e ka stabilizuar vetëm situatën në Kosovë politikisht dhe ekonomikisht, por i ka lehtësuar edhe kontaktet e drejtpërdrejta që kemi me Europën.
Sa i përket shqetësimit që shpreh Serbia, ajo nuk ka të drejtë për të ndikuar në privatizimin apo të kërkojë ndonjë pronë, sepse Kosova është një ish-anëtare e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.
Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE dhe NATO; si dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, bashkë me ekipin e saj ka bërë homazhe te shtatorja e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.
“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike. Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, ka theksuar Presidentja në kujtim të kësaj dite.
Në Ditën e Presidentit, Presidentja Osmani pasdite do ta zhvillojë një vizitë në familjen e presidentit Ibrahim Rugova./KultPlus.com
24 Maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe të rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.
Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia. Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Ibrahim Rugova.
Ibrahim Rugova u zgjodh katër herë President i Kosovës: dy herë me votë të drejtpërdrejtë popullore (1992, 1998), dy herë në Kuvend (2002, 2004). Më 24 maj 2004, kur 24 maji u shpall Dita e Presidentit, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, kur për herë të parë Presidenti i Kosovës u zgjodh me votë të drejtpërdrejtë, Presidenti Rugova ka thënë: Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me përkrahje të gjerë e masive.
Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. / KultPlus.com
Me varg në shpirt m`çeli pranvera. Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë. Më bëhet se do të vajtoj përhera, Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë? Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur, Mos jemi të mjer në krijatyrë?
Po ëndrrove me këngë të rritesh, Dhe ajo jetës përpara ti flasë. E di. Me dëngë plot do t`goditësh. E ngado të endesh veç do të vrasë.
Athua Zoti i madh diti të gjykojë Që njomaket të kalben shi në vrug. Apo secili barrën e vdekjes të peshojë N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?
I ngopur me të vërtetën në gji, Vëllau im dole n`mesin me erë. Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi – T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.
O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë, Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë? Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë – Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.
Dua të iki fushës e malit- Jetën e shof si grusht t`rendë. Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli Të ngjitem së bashku në vend.
Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit, Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë. Po heret i vranë sytë e shtrembërimit, Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.
Por nji ditë të dihet se zemra e poetit, N`dimër a n`verë s`di të ngurrë Dhe kur e ndjen valën rreth vetit – Qan e qesh nuk qetësohet kurr.
Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova, kujtohet gjithmonë nga të gjithë qytetarët e Kosovës e poashtu edhe nga familja e tij.
“Rrallë kam pa kso bukurie”, është kënga që ish-presidenti Ibrahim Rugova, thuhet ta ketë dashur më së shumti dhe ta ketë dëgjuar me ëndje.
“Për një natë të qetë dhe të këndshme, larg viber-it dhe përgjimeve, ju ftoj të dëgjoni një nga këngët më të dashura të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova “Rrallë kam pa kso bukurie”, pati shkruar Blerta Kllokoqi Rugova, në rrjetin e saj social Facebook./ KultPlus.com
Intervista ekskluzive e Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin Rugova.
Mbititulli: Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i dha intervistë ekskluive gazetës ‘Rilindja’ në jubileun e 60-vjetorit
Titulli në faqen 1 e 2: Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin
Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt
Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës
——————–
Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova. “Unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja. Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova. Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.” “Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka deklerësuar z. Rugova.
——————–
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime?
PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë.
RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje.
RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt.
RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës.
RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda?
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi?
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!
RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President. / KultPlus.com
Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare.
Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.
Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë, shkruan KultPlus.
Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. / KultPlus.com
Zyra e Parlamentit Evropian në Slloveni ka ekspozuar në ambient të hapur në Lubjanë fotografitë e disa prej laureatëve të Çmimit Saharov për Lirinë e Mendimit të titulluar “Të Drejtat e Njeriut në Zemër të Evropës”, përcjell KultPlus.
Nga më shumë se 40 personalitete dhe organizata ndërkombëtare laureatë të këtij çmimi prestigjioz, janë ekspozuar fotografitë dhe nga një përshkrim i shkurtër për veprimtaritë e disa prej tyre, duke përfshirë Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në përshkrimin për Presidentin Rugova thuhet se “Presidenti i parë i Kosovës së pavarur ka punuar parreshtur për zgjidhje paqësore dhe dialog dhe ia ka kushtuar jetën rezistencës jo të dhunshme të shqiptarëve të Kosovës kundër represionit serb. Ai njihej si “Gandi i Ballkanit” duke avokuar për konfirmim global të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për emancipim politik duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i ofrojë mbrojtje Kosovës”.
Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit është nderimi më i lartë i bërë nga BE-ja për punën për të drejtat e njeriut.
Në vitin 1991, laureat i parë i Çmimit Saharov nga Kosova ka qenë veprimtari i shquar dhe emblema e rezistencës, Adem Demaçi./ KultPlus.com
Krijimi i punimeve duke u përqëndruar në elegancë, është pikërisht ajo që artisti, Visar Kryeziu, tenton të shfaq çdo herë kur krijon diçka të re.
Butësia e lëvizjes, bukuria dhe thjeshtësia janë pikërisht “finesat” kryesore në punimet e artistit, i cili filloi qysh në moshë të hershme të merrej me art.
Në një intervistë për KultPlus, Kryeziu ndau rrëfime nga jeta e tij personale dhe gjithashtu pjesë të ndryshme nga puna e tij artistike.
“Arti figurativ gjithmonë më ka pëlqyer, qysh kur isha nxënës i shkollës fillore. Ngase vizatoja bukur si nxënës, më kujtohet kur mësuesja e vizatimit si për shaka i thonte shokëve e shoqeve të klasës se, po ua marrë unë Visarin tek klasa ime ku jam kujdestare e klases dhe po ua jap juve një tjetër. Ndoshta kjo fjalë ka qenë një shkëndijë dhe vullnet më tepër që t’i përkushtohem artit edhe më shumë”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për KultPlus.
Ai gjithashtu tregon se është një person që nuk flet shumë në jetën reale, por këtë gjë e bën përmes artit.
“Nuk jam një person që flas shumë dhe pikërisht arti më plotëson, në njëfar mënyre je në ishullin tënd ku rregullat i bën ashtu si dëshiron ti”.
Së fundmi, ai ka punuar një figurë të mbretit shqiptar, Gjergj Kastriotit.
“Këtë punim e bëra sepse ai ishte frymëzim për secilin shqiptar dhe për secilin hero pasardhës të tij. E ruajti kombin tonë”.
Vizatimet e tij të fundit janë punuar me vetëm një vijë, një formë e artit minimalist, fans i së cilës është edhe vetë artisti.
“Pse me një vijë? Sepse jetojmë në një kohë moderne dhe në këtë kohë njeriu modern nuk i do më luftrat, ngarkesat e panevojshme, urrejtjen por, dashurinë, elegancen, abstrakten, thjeshtësinë, fantazinë etj. Vizatimi i Skënderbeut me një vijë mendoj se i ka të gjitha këto. Në këtë lloj arti e veçanta është se niset nga ajo që „më pak është më shumë“ që do të thotë ne veprën e artistit lihet vetëm e domosdoshmja, duke e zhveshur nga te gjitha ngarkesat tjera të panevojshme”.
Tutje, Visari tregon se si ka dëshirë që figurat e portretet ndërkombëtare t’i paraqes edhe te fëmijët e tij në banesën ku ai jeton.
Së sa shumë e dashuron artin dhe në veçanti krijimin e veprave me vetëm një vijë e dëshmojnë edhe njohuritë e tij në këtë fushë.
“Zvogëlimi dhe thjeshtëzimi i koncepteve, saktësia në linjat dhe që hapsira është një plotësim i veprës. „Vija është një pikë që shkon për tu shëtitur“ ka thëne artisti i famshëm zviceran Paul Klee”.
Ai thotë se vizatimet me një vijë janë pëlqyer nga shumë miq të tij, të cilët e kanë pasur mundësinë t’i blejnë në uebfaqen e tij në rrjetet sociale.
Profesioni i tij është fotograf i pavarur, përmes së cilës edhe punon dhe vepron në shtetin e Zvicrës, konkretisht në Cyrih.
“Fotografinë e kam profesion. Ka qenë një premtim i pathënë ndaj prindërve të mi që të punoj në profesionin tim kudo që të jem. Mundi dhe sakrifica e tyre për të më shkolluar nuk ishte aspak e lehte e që nuk mundem dot ta harroj. Më vjen mirë që kemi një portal si Kultplus, e bëni një punë të shkëlqyer për artin dhe shumë të nevojshme për ne”, thotë ai në fund.
Disa prej portereteve që ai i ka punuar gjatë muajve të fundit, mund t’i shihni më poshtë. /KultPlus.com
Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.
“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.
“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar tutje Olluri. / KultPlus.com
Një fotografi e vjetër për të cilën kërkohen më shumë informacione, duket se i sjell disa emra të njohur për shqiptarët.
Afër Ibrahim Rugovës – Presidentit Historik të Kosovës, janë artistët Adelina Ismaili, BB Poqi, Violeta Rexhepagiqi, Dukagjin Lipa dhe artistë të tjerë.
Fotografia është marrë nga Benet Kaçi, moderator i njohur dikur në Radio Televizionin e Kosovës, i cili edhe vetë është pjesë e fotografisë.
Në fotografi është edhe nëna e Adelina Ismailit, Genc Salihu e Sabri Fejzullahu, ndërsa ka shanse që fotografia daton që nga viti 1997. / KultPlus.com
Sot bëhen 16 vite nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ishte larguar për pak kohë nga aktivitetet e përditshme si president i Kosovës. Nuk kishte paraqitje publike dhe nuk shfaqej në ekran.
Ibrahim Rugova po u mungonte shqiptarëve të Kosovës, por askush nuk e dinte arsyejen. Spekulimet nisin të qarkullojnë për sëmundjen e ish presidentit të Kosovës por asgjë nuk thuhej me saktësi të plotë.
Ishte vet presidenti ai që thirri një konferencë për shtyp dhe njoftoi se vuan nga kanceri në mushkri.
Në këtë video shihet momenti tejet prekës kur Rugova jep lajmin për sëmundjen që për shumë kë ishte goditje e madhe. / KultPlus.com
Në dhjetor të vitit 1996, ish-Presidenti Ibrahim Rugova ishte shpallur ”Doktor Nderi” (Honoris Causa) në Universitetin e Parisit VIII në Sorbonë të Francës.
Sekretari i Zyrës së Presidentit Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar këto fotografi dhe ka treguar se prezent në këtë ngjarje ishin edhe Fadil Vokrri, Avni Spahiu, Daut Berisha dhe Alush Gashi, përcjell KultPlus.
“Më 1996, Presidenti RUGOVA u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë. Në këtë ngjarje me rëndësi prezent ishin edhe 4 njerëz të veçantë: Fadil VOKRRI, Avni SPAHIU, Daut BERISHA dhe Dr. Alush Gashi!”, ka shkruar Mervoci në Facebook. / KultPlus.com
Ibrahim Rugova, intelektuali, politikani, akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, qysh në rinin e tij spikati me talentin e tij edhe në të shkruar, shkruan KultPlus.
Fryma e tij u ndje qysh herët, për të vazhduar rrugën pa ndalje, ku edhe sot ai mbetet një ndër figurat më të dashura për popullin shqiptar.
Kur ai ishte në moshën 18 vjeçare, dy poezi ju botuan në gazetën ‘Rilindja’.
“Le të rritet…”, është poezi e parë e botuar në Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.
Më poshtë po ju sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com
Sot shënohet 16 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Para se të vdiste, Rugova kishte lënë amanet, që Kosova të mos i prishë miqësitë me vendet e fuqishme në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që të kishte kujdes nga disa vende të tjera.
“E para gjithmonë ka qenë porosia e tij që të jetë një mirëkuptim-respektim dhe një orientim për të mbajtur gjithmonë miqësinë me vendet e fuqishme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në radhë të parë dhe pastaj këto të tjerat dhe me porosinë se për disa vende të kesh kujdes se marrin në thu edhe në tepihë, s’dua të përmend emrin për shkak të korrektësisë. Ashtu ishte shprehja e tij figurative”, kishte rrëfyert ish presidenti Fatmir Sejdiu për amanetin e fundit që e kishte lënë Rugova.
Në përvjetorin e 16-të të vdekjes së Rugovës do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani.
Ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 ia kishte bërë dhjetë kërkesa urgjente shteteve perëndimore për ta zgjidhur problemin e Kosovës, që në atë kohë ishte futur në një krizë të thellë politike.
Një dokument i bërë viral tashmë, Rugova kishte përmendur se Kosova është në krizë për shkak të disa arsyeve, ku ka përmendur se tensione janë rritur për shkak të 30 mijë ushtarë serbë dhe 25 mijë policë patrullojnë në Kosovë.
Si arsye që e thellon krizën, Rugova ka listuar edhe faktin se serbët lokalë janë të armatosur. Pastaj, thotë se forcat paramilitare të Arkanit ia mësyjnë fshatrave shqiptarë për të bërë punë të pista.
Ndër të tjera thuhet se pasi Millosheviqi “kreu” punën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të drejtohet kah Kosova.
Rrjedhimisht, Rugova përmes 10 kërkesave urgjente u tregoi shteteve të perëndimit se çfarë duhet bërë.
Vendosjen e një numri të konsiderueshëm forcash të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.
Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së.
Vendosjen e misioneve të jashtme (ndërkombëtare) në Kosovë.
Rritjen e zonës “të mos fluturohet” përmbi Kosovë.
Të ndalet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë.
Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe, të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar.
Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare.
Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia.
Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje.
Të përjashtohet Kosova nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.
Pesë vjet më vonë në Kosovë krisi lufta. Faktori ndërkombëtar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës, bashkë me UÇK-në si organizatë ushtarake e lindur nga populli kryengritës.
Pas qershorit të vitit 1999, Kosova u shpall zonë e administruar nga OKB-ja deri më 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com
Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë më 2 dhjetor 1944 dhe ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar; u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.
Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, u nis një fushatë paqësore kundër Serbisë. U zgjodh që në fillim kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.
Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.
Sot, në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore. / KultPlus.com
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës janë ekspozuar fotografi që pasqyrojnë aktivitetet të më shumë se tri dekadave të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku dhe deputetë të tjerë kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj ekspozite me fotografi të Adnan Ruhunit.
Ai që nga viti 1991 ka përcjellë të gjitha aktivitetet e LDK-së dhe ish-presidentit Rugova.
Ai tha se synon që edhe në të ardhmen të realizojë ekspozita të tilla me fotografi të shumta.
Ky aktivitet është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës./ KultPlus.com
Më 16 dhjetor 1998, për pesëdhjetë vjetorin e Deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në sallën e Parlamentit Evropian në Strasburg, Presidenti Ibrahim Rugova u nderua me çmimin “Saharov”, shkruan KultPlus.
Ibrahim Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar. Rugova mbante titullin Doktor.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte levizja e parë demokratike gjithë popullore ne Kosove qe udhehoqi popullin e Kosovës drejt rrugës për Liri, Pavaresi e Demokraci dhe qe më vonë do te transformohej ne Parti Politike dhe Rugova ishte kryetar i saj qe nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur nderroi jetë.
Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës[4][5]. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
Foto nga ceremonia më 23 shkurt 1999. / KultPlus.com