Sali Berisha publikon një foto me Ibrahim Rugovën: Me presidentin e pavdekshëm

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha për 28 nëntor ka publikuar një foto me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kjo foto ishte realizuar në 80 vjetorin e pavarësisë në Vlorë.

Berisha me këtë rast e ka quajtur të pavdekshëm Rugovën.

“Me presidentin e pavdekshem Ibrahim Rugova, ne 80 vjetorin e Pavaresise, ne Vlore”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Rikthehet fotografia e Ibrahim Rugovës në Podujevë

Pas përfundimit të fasadimit të objektit banesor është vendosur përsëri në mur fotografia e Presidentit Ibrahim Rugova.

Një fotografi e tillë kishte qenë e vendosur edhe më parë mirëpo për shkak të punimeve është larguar përkohësisht.

E njëjta u vendos një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. / KultPlus.com

Botohet “Ibrahim Rugova, Vigani i Brishtë i Ballkanit”, përkthim i Elvi Sidherit nga frëngjishtja

Sapo është botuar përkthimi i autorit Elvi Sidheri nga frëngjishtja i librit “IBRAHIM RUGOVA, Vigani i Brishtë i Ballkanit”, një bashkëpunim i tre autorëve francezë, Jean Yves Carlen, Joël Ehrhart dhe Stève Duchêne, përcjell KultPlus.

Në këtë libër të botuar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, shpërfaqet figura prej kolosi, ndonëse e brishtë, e Ibrahim Rugovës, duke nisur nga vitet e tij të hershme, gjer në lëvizjen paqësore të shqiptarëve të Kosovës, nën udhëheqjen e tij, përpara bombardimeve të NATO-s dhe luftës çlirimtare në Kosovë.

Ky libër, i botuar në fillim të vitit 1999, në prag të fillimit të fushatës shpëtimtare nga qielli, që i dha fund spastrimit etnik të Kosovës nga Millosheviçi, shërben sidomos për të kuptuar sa shumë pati ndikuar Rugova në ndryshimin e qëndrimit francez ndaj çështjes së Kosovës, duke arritur ta bënte për vete fuqimisht opinionin publik në Francë, falë maturisë, qëndrimeve dhe largpamësisë së tij të spikatur. / KultPlus.com

Intervista me Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova para 27 viteve

Nga Behlul Jashari

“Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, ishte titulli i intervistës së parë ekskluzive që kam zhvilluar para 27 viteve me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në trevjetorin e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur me votim pro 99,87%/, të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991. Tani, në vitin 2021 shënohet 30 vjetori i Referendumit.

Referendumin që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990,  Presidenti  Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Kjo ishte intervista e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja si korrespondent në Kosovë nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale, ndërsa intervista të tjera ekskluzive me Presidentin historik Rugova kam zhvilluar edhe kur isha kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – intervista e fundit është botuar në numrin e jubileut të 60 vjetorit të gazetës – në 12 Shkurt 2005.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistën e para më shumë se çerek shekulli, të 22 Shtatorit 1994, janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në  vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Intervista e Presidentit të parë të Kosovës marrë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në atë kohë u botua nga shumë media kombëtare e ndërkombëtare. Ashtu si u botua para 27 viteve, të hënen e 26 Shtatorit 1994,  në gazetën e përditshme të rezistencës në Kosovë “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha e që sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia  tëgazetës atëherë të vetme të përditshme shqiptare në Kosovë Rilindja, intervista me Rugovën e plotë është kjo:

Mbititulli: INTERVISTË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA DHËNË AGJENCISË TELEGRAFIKE SHQIPTARE

Titulli: POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE

NËNTITUJT: Bëjmë një rezistencë mjaft të organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes. – Në planin ndërkombëtar, ideja për mbrojtje ndërkombëtare të Kosovës shqyrtohet. – Shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptojnë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese. – Dialogu me serbët gjithsesi në prani të faktorit ndërkombëtar. – Ideja për lidhje konfederale të Kosovës me Shqipërinë u prit mirë në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. – Me hapjen e problemeve me Shqipërinë, Greqia dëshiron ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. – Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale është një akt që e afirmoi tutje çështjen dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës. – Shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion. – Zgjedhjet në LDK ishin shumë të suksesshme në planin e vazhdimësisë, unitetit e konsolidimit

Prishtinë, 25 shtator (ATSH)

Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë që i dha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, flet për shkallëzimin e represionit e të terrorit në Kosovë, për shmangien e konfliktit e mbrojtjen ndërkombëtare për Kosovën, tendencat greke për destabilizim të Ballkanit e në raport me Shqipërinë e shqiptarët, politikën globale shqiptare e për bashkëpunimin me Shqipërinë, idenë e lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha trojet etnike në ish-Jugosllavi, për zgjedhjet në LDK – partinë më të madhe shqiptare në Kosovë, dhe për çështje të tjera aktuale. Intervistoi: Behlul JASHARI. (Kjo është intervista e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në)

PËRDITSHMËRI REPRESIVE QË NGRITË TENSIONET NË KOSOVË E NË RAJON

Zoti President, institucione e asociacione ndërkombëtare (si Amnesty International në raportin e fundit etj.) kanë shprehur brengosje e shqetësim për shkallëzim të përshpejtuar të represionit e të terrorit në Kosovë. Çfarë është situate shikuar nga afër, si përditshmëri e popullit të Kosovës?

-Në Kosovë qe sa vite e kemi një përditshmëri represive, represion sistematik, që shkallëzon apo përshpejtohet edhe me ngjarje të ndryshme, siç i kishim vrasjet edhe këta dy muajt e fundit dhe momente të tjera të rënda. Është një represion masiv në Kosovë, dhe, natyrish, i ngritë tensionet politike këtu dhe në rajon. Represioni veçmas është shprehur pas largimit të misionit të KSBE-së nga Kosova. Prandaj, kërkojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë, e po ashtu kushtëzimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi edhe me Kosovën.

Institucione e asociacione ndërkombëtare e kanë të njohur çështjen e Kosovës, sidomos Amnesty International, e cila ndjek situatën, më duket, prej 81-shës, e këtej, sidomos këto vitet e fundit. Situata ndiqet po ashtu edhe nga Federata e Helsinkit nga Vjena, pasaj nga Helsinki Uaç i SHBA-ve dhe nga mjaft institucione të tjera ndërkombëtare. Ne përshëndesim çdo interesim dhe angazhim ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

REZISTENCË E ORGANIZUAR PËR TË MBIJETUAR

Ka kohë që Kosova jeton midis një gjendje lufte të pashpallur dhe të një paqeje të paqenë. Në këtë front dhune, siç e quani ju, si u arrit, që, megjithatë, Kosova dhe shqiptarët t’i shmangen konfliktit të hapur dhe të jenë faktorë të krijimit të stabilitetit në rajon?

-Flitet se në Kosovë është një paqe e këtij apo atij lloji. Do të kisha thënë se, megjithatë, është më mirë që ekziston një gjendje e tillë sesa të ndodhte ajo më e keqja. Mundësinë e një konflikti kemi arritur ta evitojmë në saje të politikës që kemi ndjekur deri tash, rezistencës paqësore dhe të një rezistence politike, njëhohësisht në saje të popullit të Kosovës, i cili nuk i ka pranuar provokimet. Populli ka dhënë mjaft sakrifica deri tash, qoftë me maltretimin, me situatën represive, pastaj me vrasje të ndryshme. Mund të them se nuk është një rezistencë pasive, siç komentohet shpesh. Pra, është një rezistencë mjaft e organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes.

Po ashtu, situatën në Kosovë duhet ta shikojmë në bazë të situatës në të gjitha rajohet e ish-Jugosllavisë, sepse është një rajon i mbërthyer në luftë, me fronte të hapura në Bosnjë, në Kroaci, pastaj në Kosovë me një front të dhunës dhe të represionit. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka kontribuar që të ruhet një lloj stabiliteti dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë.

GREQIA NUK KA TË DREJTË

Tendenca të reja të destabilizimit të rajonit u shfaqën kohëve të fundit edhe nga ana e Greqisë. Si i vlerësoni këto tendenca në raport me Shqipërinë, po edhe me Kosovën e shqiptarët, përgjithësisht?

-Për fat të keq, Greqia qe një kohë paraqitet si faktor destabilizues në Ballkan, mund të themi mbas Serbisë. Prandaj, ne kemi kërkuar disa herë nga Greqia edhe si anëtare e Bashkësisë Evropiane të kontribuojë për marrëdhënie më të mira fqinjësore me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar në përgjithësi. Nëse këtë mund ta interpretojmë si një lidhje me Serbinë, qoftë direkte apo indirekte, mund të them se kjo bëhet me qëllim që të minimizohet çështja e Kosovës në planin ndërkombëtar. Sot çështja e Kosovës po depërton në këtë plansiçështje që don zgjidhje në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Ndërsa, me hapjen e problemeve me Shqipërinë gjithsesi Greqia dëshiron, dhe një herë e them, ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe, mund të themi, t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. Mirëpo, Greqia nuk ka të drejtë. Kemi të bëjmë me një minoritet të vogël grek në Shqipëri, i cili, edhe më parë ka gëzuar një vistër të drejtash ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa sot, pas ndryshimeve demokratike, gjithsesi janë më të avancuara ato të drejta dhe do të avancohen vazhdimisht siç e ka realizuar dhe e premton qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha. Prandaj, i bëj edhe një apel Greqisë që më tutje të ndikojë në qetësimin e situatës në Ballkan.

PROTEKTORATI QË E KËRKOJMË NUK ËSHTË QËLLIM FINAL

Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë dhe rreziqeve të përhapjes së konfliktit edhe në Jug, Ju keni kërkuar shumë herë mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Në ç’formë do të ishte e mundshme ajo mbrotje dhe çfarë është qëndrimi ndërkombëtar lidhur me këtë kërkesë?

-Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptonë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese.

Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim. Po shtoj edhe me këtë rast se ka disa keqkuptime në opinionin kosovar. E, duhet ditur se protektorati apo administrata civile nuk është qëllim final, por është vetëm një mjet legal i së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të qetësuar një rajon apo një territor, siç është Kosova, që të gjendet një zgjidhje pa luftë dhe pa konflike. Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës.

BISEDIMET SHQIPTARO-SERBE GJITHËSESI NË PRANI TË PALËS SË TRETË

Krahas gatishmërisë së kahershme shqiptare, kohëve të fundit janë shtuar edhe insistimet ndërkombëtare për dialog midis Prishtinës e Beogradit. Çfarë janë mundësitë dhe gjasat e fillimit të këtij dialogu?

-Ne, qe sa kohë, jemi përcaktuar për bisedime, për dialog, për marrëveshje me Serbinë. Po, Serbia nuk ka treguar interesim. Ne u përpoqëm t’i shfrytëzojmë edhe institucionet ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, siç ishte Konferenca e Londrës, e Gjenevës, ku ekziston Grupi i veçantë punues për Kosovën. Biseduam për disa probleme konkrete, para dy vjetëve, siç janë arsimi, masmedia, shëndetësia, por nuk arritëm kurrëfarë rezultatesh.

Tash për tash flitet për mundësitë e një dialogu dhe për këtë falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, vendet e Bashkësisë Evropiane dhe vendet e treta, si ato skandinave, Austrinë, etj. Pastaj, SHBA-të janë të interesuara që të fillojë ndonjë bisedim, ndonjë dialog. Deri tash zyrtarisht nuk kemi pasur indikacione nga pala serbe, por shpresoj se edhe ajo do të bindet një ditë dhe do të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje, qoftë në kuadër të institucionit ndërkombëtar, siç është Konferenca e Gjenevës, apo ndonjë tjetër. Por, ne gjithësesi kërkojmë një palë të tretë të autorizuar për dialog. Kur them të autorizuar mendoj që ky grup apo bosht shtetesh që është aktualisht në Grupin Kontaktues për ish-Jugosllavinë, që është tash për tash i koncentrar në Bosnjë, SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, pra nga ky grup të gjendet një palë e autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do të udhëheqte dialogun. Dhe, ky nuk është ndonjë kusht nga pala shqiptare, siç e paraqet Serbia duke dashur ta eliminojë palën e tretë, por, kjo është më shumë teknikë e dialogut, e bisedimeve, dhe kurrgjë më shumë. Dhe, në këtë drejtim ne insistojmë.

PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN

Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?

-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET

Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?

 -Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.

Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më e madhe, edhe më e frytshme.

DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR

Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?

-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.

NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE DUHET TA FUSIM KOMPROMISIN

Si kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, çfarë qëndrimi mbani lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e paralajmëruara në Maqedoni?

-Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare aprovon dokumentet kryesore dhe një strategji globale. Si kryetar i këtij Këshilli, që kam një përgjegjësi edhe si president i Kosovës, mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion, përkundër atyre grindjeve të vogla që kanë ndodhur, që janë pak a shumë normale në proceset e zhvillimeve politike të një partie. Prandaj, gjithsesi duhet të zënë më shumë vende në Parlament, e pastaj le të përcaktohen ato mes partive apo grupeve të ndryshme politike. Ne duhet të fusim në jetën politike shqiptare kompromisin, ju lutem, jo vetëm marrëveshjen, jo vetëm marrëveshje të ngurta, fikse, insistime fikse. Patjetër duhet ta fusim kompromisin, sepse kompromisi është një prej elementëve të demokracisë.  Dhe, të lirohemi prej asaj që e kemi jetuar në një sistem, ku kompromisi është kualifikuar negativisht. Prandaj, sot na duhen kompromisi, marrëveshja, falja e gabimeve, etj. Të gjithë flasin, dhe shumë mirë që flasin, për një ide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është shumë praktike. Prandaj në situatat e pluralizmit, në situatat e marrëveshjeve, insistoj në një kompromis dhe shpresoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse ka pak kohë, do të gjejnë forcë dhe mundësi që të dalin së bashku si një bllok në zgjedhjet në Maqedoni. Është me rëndësi në këtë moment të zënë sa më shumë vende në Parlamentin e Maqedonisë. Masa shqiptare atje ekzison dhe nuk bën t’a humbim përfaqësimin, të drejtën e përfaqësimit në Parlamentin e Maqedonisë.

Të mos harrojmë se pa marrë parasysh vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe katërvjeçare në Maqedoni ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen, edhe në institucione ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare.

LDK-ja TREGOI UNITETIN QË I DUHET PATJETËR KOSOVËS NË KËTË SITUATË

Me zgjedhjen dhe konstituimin e Kryesisë së LDK-së, kësaj jave, praktikisht përfunduan zgjedhjet në partinë më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve në Kosovë. Si i vlerësoni ato, si dhe tendencat për diskreditim të LDK-së e të partive të tjera shqiptare?

-Këto zgjedhje, edhe para një viti në planin lokal – nëpër degë e nëndegë të LDK-së, ishin mjaft pozitive. Pastaj patëm një vonesë për shkak të rrethanave në të cilat veprojmë, sepse nuk është lehtë sot që të mbash një tubim të madh siç ishte Kuvendi i LDK-së në këtë situatë kur është i ndaluar çdo tubim publik për shqiptarët. U mbajt Kuvendi dhe ai tregoi një unitet, një konsolidim.  Pastaj këto ditë edhe Kryesia e LDK-së u zgjodh. Këtë e shoh si një sukses të madh të zhvillimit të kësaj partie, e cila e ka edhe barrën e një pushteti në Kosovë. Pra, është një kryesi e vazhdimësisë, kryesi e konsolidimit, siç ndodh në çdo parti, dhe, edhe një herë tregoi se LDK-ja është një forcë dhe një fuqi e madhe, e organizuar dhe relevante në Kosovë dhe në botën shqiptare.  Nuk është më partia në fillimet e saj, tash vërehet një lloj profilizimi i kësaj partie, dhe këtë duhet ta shikojmë si një proces normal. Është vështirë të flasim sot për profilizim partiak në Kosovë, sepse në këto kushte të okupimit është shumë vështirë, edhe çdo parti, ndoshta edhe më e vogla, e ndien barrën e interesave kombëtare, të interesave shqiptare në përgjithësi. Por, si një organizim i madh LDK-ja, megjithatë, tregoi se është një parti e fortë, di çka don, forcohet nga brenda, është parti që afron njerëzit e vullnetit të mirë për të bërë diçka. Dhe, kjo përgënjeshtroi edhe mjaft spekulime të ndryshme që mundohen sot t’i mëvishen lëvizjes shqiptare në Kosovë, në radhë të parë LDK-së, pastaj partive të tjera politike, me diskualifikime se nuk janë demokratike, jo e majtë, jo e djathtë etj. Siç dihet, me të majtën rreth Kosovës është manipuluar shumë, me mijëra njerëz kanë pësuar për këtë. Të gjitha këto bëhen me qëllim. Për shembull, janë munduar ta shpallin LDK-në edhe si parti terroriste, e çka jo tjetër.

Përkundër të gjithave, edhe kësaj radhe u tregua një unitet, një koncenzus, një bashkim partiak, një unitet që i duhet patjetër Kosovës në këtë situatë. Dhe, besoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën politike shqiptare në Kosovë dhe në jetën politike shqiptare në përgjithësi.

VIZIONI I ARDHMËRISË SË SHTETIT TË KOSOVËS

Ju lutem për një koment për Deklaratën Politike që e miratoi Kuvendi i Dytë i LDK-së, veçmas për vizionin për të ardhmen e Kosovës?

-Deklarata Politike e Kuvendit të Dytë të LDK-së është një dokument në vazhdën e dokumenteve të tjera, që i kemi pasur, që nga Programi i LDK-së, pastaj Deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Në këtë Kuvend dhe në deklaratën që e aprovoi u theksua më shumë organizimi i ardhshëm i shtetit të Kosovës, që e kemi edhe në Kushtetutën tonë – një shtet i popujve të barabartë, i qytetarëve, me një ekonomi të lirë të tregut, i hapur ndaj botës. Një shtet, ku nuk do të lejohet, pas kësaj situate që e kemi, revanshizmi ndaj të tjerëve. Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet. Është kjo një ide, një projekt, që vërtetë hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje. Sepse, në këtë situatë në Ballkan të flasë njeriu për një perspektivë kombëtare qytetare është shumë vështirë, kur, për fat të keq, qarkullon ajo fantazma e çmendive të ndryshme, të konfrontimeve në këtë kohë. Ky ishte edhe një rezultat i Kuvendit të Dytë të LDK-së, dhe, natyrisht, punojmë në këtë plan.

REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR

Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

-Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.

INTEGRIMET SHQIPTARE EDHE NË INFORMIM

Zoti President, Ju falënderojmë për këtë intervistë.

-Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri.

***

SI DHE KU E ZHVILLOVA INTERVISTËN E PARË EKSKLUZIVE ME PRESIDENTIN HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Shtëpia e shkrimtarëve, që ishte shndërruar edhe në seli Presidence e institucionesh tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të okupuar e të panjohur ndërkombëtarisht, mund të vëzhgohej edhe nga dritaret e ndërtesës kryesore të Policisë në Prishtinë, që atëherë ishte serbe pas suprimimit antikushtetues e të përgjakshëm me kushtetutën e tankeve të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje. Në zyrën e Presidentit Rugova, në atë shtëpi, intervistën e incizova me dy kasetofona, jo vetëm për siguri teknike, por edhe për siguri të tjera. Njërin nga incizimet ia lash këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, për çdo rast, meqë ishte droja se kur të dilja nga ajo shtëpi, që mund të ishte edhe e përgjuar,  rrugës do më ndalonte policia serbe dhe do konfiskonte kasetofonët me intervistën.

Ishte kohë e ndalesave dhe e okupimit të egër dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia  tëgazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.

Intervista me Rugovën, e realizuar në 22 Shtator, e botuar në gazetën “Bujku” të Prishtinës në 26 shtator 1994, edhe në Agjencinë Telegrafike Shqiptare u dërgua me ndonjë ditë vonesë, me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.

Raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i  Republikës, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë, u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë… / KultPlus.com

Napolitano: Nëse Arbën Xhaferi do të kishte qenë amerikan, do të kishte pushtuar botën me diplomaci

Sot mbushen nëntë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.

Arbën Xhaferi mbetet ndër figurat kryesore të historisë së shqiptarëve.

Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, e kishte thënë për Ibrahim Rugovën dhe Arbën Xhaferin.

“Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi,
do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë,
ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci,
por për fat të keq këto dy figura
i përkasin një popullit shumë të vogël…
”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com

Rugova për librin e Buxhovit: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ndër romanet tona më të mira

Shkruan: Dr. Ibrahim Rugova

  1. Gjendaja epidemiologjike

Romani i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është roman i situatës, roman i një gjendjeje. Themi kështu meqë motivi kryesor i romanit është një gjendje epidemiologjike e shkaktuar nga futja e murtajës. Kjo situatë bëhet më e veçantë nga e dhëna se epidemia është shkaktuar nga pushtuesi osmanë me pretendimin që të thyejë, pra të nënshtrojë, një ambient të caktuar, që në rastin tonë ka të bëjë me një qytet (Gjakovën). Fjala, pra është për një rast nga e kaluara (shekulli XVIII), kur popullatës së asaj ane i futet murtaja shkatërruese. Dhe, e gjithë atmosfera e kushtëzuar nga futja e sëmundjes zhvillohet në bazë të sistemit të qëndresës: pra që infektimit me murtajë t’i bëhet qëndresë e organizuar. Mbase kjo “mbulesë” e motivit nuk do të ishte gjithaq e rëndësishme po qe se nuk do të bëhej fjalë për idenë e pasojave të mëdha, që rrjedh nga kjo gjendje, që e pasqyruar me fjalorin e sociomaterializmit bëhet fjalë për një sëmundje kolektive, ku fati individual në tërësi varet nga fati kolektiv. Në këtë gjendje sëmundja kolektive e përmasave shkatërruese, ose shfarosëse, inicion një proces aktiv mbrojtës, i cili duhej të ishte i tillë, ngaqë turqit osmanlinj, në kuadër të metodave të tyre shkatërruese, përdornin edhe përhapjen e sëmundjeve, duke e sjellë mikrobin e saj fshehtas, në mënyrë që ia të bëjë punën e tyre. Dhe këtë marifet ata e bëjnë me sjellje dyfytyrëse: në njërën anë, në emër të “etikës” për ta luftuar sëmundjen vdekjeprurëse, haptas shpallën si mbrojtës të popullatës së rrezikuar, ndërkohë që fshehtas e përhapin atë. Po ashtu, në emër të etikës së përkujdesjes, përveç qeveritarëve, popullatës u ndalohet çfarëdo veprimi mbrojtës. Në këto rrethana, pra “të përkujdesjes”, qytetit i vihet shtetrrethimi, duke e shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, në mënyrë që sëmundja të mbahet e mbikëqyrur bashkë me shkatërrimin, që pastaj të bartet, po ashtu e mbikëqyrur, edhe në pjesët tjera. Por, edhe përkundër kësaj, kur qyteti duhej të mbetej në “duart e sëmundjes” dhe të fatit, qytetarët fillojnë t’i kundërvihen kësaj gjendjeje. Me këtë rast shfrytëzohet mençuria e vet dhe vetëdija kolektive. Kështu, në kushtet tepër të rëndë të sprovës të rrosh apo mos të rrosh, me shumë gjeturi, del në pah një atmosferë e veçantë ekzistenciale çfarë është ajo e rrethanave të murtajës. Një atmosferë të tillë, në letërsinë botërore, ndeshim te “Murtaja” e Alber Kamysë, ku shfaqet një gjendje thuajse e njëjtë, por me qëllime fare të ndryshme. Te romani i Kamysë, epidemia e murtajës shfaqet pa ndonjë shkaktar të jashtëm, pra si sëmundje që prek njerëzit, ndërsa në rastin tonë, pra te romani i Buxhovit, shfaqet në mënyrë tepër perfide me qëllim të shkatërrimit fizik dhe të shthurjes psikike të një popullate, gjë që epideminë e kthen në një absurd midis atij biologjik dhe historik.

2. Intelektuali dhe roli i tij

Në këtë gjendje të mbrojtjes kolektive rol të veçantë luan intelektuali, i cili në situatën e dhënë përfaqësohet nga një figurë reale historike – Gjon Nikollë Kazazi. Autori nuk ngurroi që ta inkarnojë figurën e intelektualit real që ta theksojë rolin dhe vendin e intelektualëve në shoqëri, pra në rrethin ku ai jeton dhe vepron. Atij, madje, në roman i takon roli kryesor, ai i rrëfyesit dhe i kronistit, ku nëpër mes tij njihemi me gjithë situatën. Por, me zhvillimin romanesk të ngjarjes ne harrojmë në tërësi intelektualin real dhe kalojmë në sferën teorisë së përgjithshme rreth rolit të intelektualit si personazh artistik. Pra, intelektuali i këtij romani në të vërtetë paraqet tipin e intelektualit që është i lidhur ngushtë me fatin e vendit dhe të mjedisit, dhe në këtë gjendje të rëndë, personaliteti i tij ngrihet në gjithë kompleksitetin.

Në planin praktik të organizimit të mbrojtjes kundër epidemisë, pra kundër murtajës, Kazazi, duke shfrytëzuar ogurin e së keqes së madhe, por mbi të gjitha, përkatësinë e njëjtë etnike, ia del që në atë organizim të përfshijë njerëzit e të gjitha besimeve dhe të profesioneve. Kështu, roli i tij prej intelektuali, del në pah çastin që ai përqendrohet për të gjetur metodën e kundërvënies sëmundjes vdekjeprurëse, duke iu kthyer historisë së shkruar, në mënyrë që prej andej të gjejë përvojën e sjelljes në situatat e ngjashme, me anën e të cilave ishte siguruar mbijetesa, gjë që e gjitha nxjerrë në pah dimensionin historik të ekzistencës. Dhe në saje të përvojës së shkruar, pra të shkrimeve, duke lexuar tekstet latine rreth gjendjeve të njëjta, ai i kthehet antikës, sheh se ajo nëpër të cilën po kalohej, ishte një formë e përsëritur për rrënime të caktuara fizike dhe metafizike shoqërore. Në këtë rropatje me tekstet e vjetra, Kazazi, sheh shumë ngjashmëri midis ideve asimiluese dhe shkatërruese (romakëve dhe osmanëve), që u kanë shërbyer për t’i arritur qëllimet e tyre historike. Aty, jo rrallë, shfaqen sëmundjet si metoda tinëzare, të cilat, në shumë raste, bëjnë më shumë se sa armët. Natyrisht, se duke u ballafaquar me luftërat të tilla të fshehta, popujt e rrezikuar, kanë zhvilluar metodat mbrojtëse, që u kanë mundësuar mbijetim. Natyrisht se Kazazi, do t’u kthehet metodave autoktone, të cilat rrjedhin nga tradita dhe përvoja shekullore. Në këtë punë, Kazazi, pasqyron fuqitë dhe karakterin e intelektualit të njëmendtë, duke vepruar në atë mënyrë që tinzaritetit të pushtuesit, i cili ka në dorë gurin dhe arrën, t’i kundërvihet me punë dhe veprime të hapura publike, të cilat janë në përputhje me të drejtën e mbrojtjes nga sëmundja shkatërruese, të drejtë këtë që as pushtuesi nuk mund ta mohojë publikisht. Natyrisht se Kazazi, punën, pra mbrojtje, do ta marrë në dorë, pasi që do t’ia dalë të zbulojë rrënjët e së keqes që vinte nga jashtë në forma të ndryshme, e ku frika dhe përçarjet shfaqeshin si gjendje psikologjike të veçanta, të cilat i duheshin secilës fushatë. Për t’i eliminuar këtë faktorë, Kazazi, duke i kthyer vlerave të përbashkëta shpirtërore dhe frymës së tyre, do t’ia dalë që t’i bashkojë që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh dallimet e brendshme. Kështu, në planin intelektual përkrah ka poetin Pader Coli dhe këngëtarin popullor Selami Taraku. Te i pari tragjika shfaqet në elementin shpirtëror si fuqi e përbashkët identifikuese, ndërsa te Selamiu ajo paraqitet në një formë ndryshe, e cila nuk largohet nga elementi i përbashkët ekzistencial. Sepse, që të dy i lidh e njëjta vegez e gjendjes ekzistenciale që ka të bëjë me revoltën krijuese, e cila nuk është hiç më e vogël nga gjendja e rezistencës së përgjithshme. Pra, përderisa Kazazi, personazhi kryesor i romanit, paraqet tipin e intelektualit që mendon (racionalistit) – krijuesit dhe studiuesit në funksion të ideologjisë dhe të idesë së qëndrueshmërisë së përbashkët, të dy poetët, në planin tjetër, paraqesin tipin e intelektualëve kreativë, të cilët me amplituda kreative zbulojnë të vërtetë rreth një veprimi tjetër nga ai intelektualit studiues. Në këtë mënyrë, del në pah natyra e intelektualit i cili ndjenë, mendon dhe vepron në përputhje me gjendjen, por edhe me rrethanat që imponon momenti i caktuar. Kështu, rreth personazhit kryesor (Kazazit), zhvillohet organizimi i rezistencës, por që merr jetë në saje të një rrethi të gjerë i bashkëvepruesve, që kthehen në bashkëmendimtarë të tij. Ndërkohë që poetët vetëm sa plotësojnë dhe forcojnë figurën e tij, duke ia krijuar asaj oreolin e punës së përbashkët, si një veprimtari ku bashkëveprojnë dhe bashkëdyzohen shpirtërorja me realen. Kjo vlen veçmas për Padës Colin.

3. Empiria popullore

Gjatë hulumtimeve për të gjetur mundësi që kanë të bëjë me qëndresën, ku mbrojtja kundër epidemisë së murtajës kthehet në një preokupim ekzistencial, personazhi kryesor i romanit, Kazazi, hedh shikimin në fushën e mençurisë popullore, që mbështetet në empirinë e tij, pikërisht te çështjet që kanë të bëjë me përvojën e ekzistencës aktuale dhe asaj historike. Në bazë të kallëzimeve popullore dhe të njohurive të ndryshme, por edhe duke u bazuar në burimet e shkruara, Kazazi vjen deri te përfundimi se në ato troje edhe më parë kishte murtajë ose mort, gjë që kjo do t’ia bëjë me dije se vazhdimi i ekzistencës lidhet me ndonjë fshehtësi e cila ruan çelësin e përballimit të asaj të keqe, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën. Duke hulumtuar, Kazazi, mëson se edhe në të kaluarën, në pjesët e Malësisë murtaja ishte përballuar më lehtë në saje të njëfarë gërrithje, e cila ishte përdorur nga malësorët, dhe se kjo mbrojtje, kishte qenë fare e thjeshtë: kur nga i sëmuri (hundët) ishin nxjerrë dregëza, të cilat pastaj ishin fërkuar në lëkurën e gërrithur të njeriut të shëndoshë, pasi që prej saj të ishte liruar pak gjak, gjë që e gjitha kishte paraqitur një përzierje të mikrobit në organizëm, ku ai ishte kthyer në mbrojtës të saj. Gërrithjen si mënyrë mbrojtëse, që në Malësi ishte ruajtur me fshehtësi, Kazazi, po ashtu, fshehtas e merr dhe e bart në qytet me anën e “plakave gërrithëse”, të cilat veprojnë fshehtas për kundër murtajës. Po qe se kjo “fshehtësi” shpjegohet me anën e mjekësisë së stome, atëherë kjo paraqet një lloj vaksinimi, që populli e ka përdorur për t’u mbrojtur nga sëmundjet shkatërruese.

E kemi përshkruar këtë mënyrë të rezistencës ndaj epidemisë për ta theksuar jo vetëm forcën e një “mrekullie” popullore, por për me tepër të të nxjerrë në pah çështjen e forcës intelektuale si dhe rolit të saj në jetën e një populli, si një faktor i brendshëm, i cili është vendimtar për t’u fituar jo vetëm imuniteti fizik, por edhe ai shpirtëror, mbi të cilin konsiston secila rezistencë dhe secili qëllim.

4. Dokumenti dhe fakti

Konturat e romanit, që i theksuam këtu, në të vërtetë janë fryt i narracionit romansier, e cila formohet dhe ruhet me anën e rrëfimit të personazhit kryesor, Kazazit. Këtu Jusuf Buxhovi tregoi aftësitë e tij, ngaqë me maturi dhe përpikëri shfrytëzoi dokumentin. Dhe ç’është edhe më e rëndësishme, ai ia doli që nga dokumenti të nxjerr dhe të realizojë faktin, që ia mundësoi të formësojë botën e dokumentit si botë artistike të romanit. Këtu bëhet fjalë për “shndërrimin” e dokumentit në dobi të fitimit të faktit, prej nga pastaj kyçja e dokumentit ndërlidhet me aktin e ngritjes artistike. Duke u parë si analogji me prosede real që krijon përshtypjen e “iluzionit të realitetit”, autori krijon “iluzionin e dokumentit” (dokumenti që krijon kronika e Kazazit) sipas prosedeut të romanit bashkëkohor.

Faktor i rëndësishëm i vlerës së rrëfimit artistik të Jusuf Buxhovit gjithsesi është edhe ndërlidhja dokumentare në raport me përmbajtjen: vetë romani është një dokument artistik, që bazohet dhe zhvillohet mbi bazat e dokumetaritetit, pikërisht të atij dokumentariteti që kërkon njohjen e dokumentit. Kjo shihet më së miri nga personazhi kryesor: Kazazi është personazh i dokumentit, i cili mbështet mbi realitetin që buron nga hulumtimi i ekzistencës së vazhdueshme që manifestohet me anën e dokumenteve të shkruara, të cilat njëherësh vinë si pjesë të kujtesës së kozervuar në dëshmi, por që duhet zbuluar në mënyrë që prej tyre të nxirret përvoja e caktuar.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me atë se Jusuf Buxhovi nuk e komplikon shumë narracionin në dëm të romanit, por se duke shfrytëzuar përshkrimin dhe efektet e dokumentit në planin e linjës lineare, krijon një shkrim analitik, i cili i ndihmon leximit të lirshëm të romanit, duke e bërë atë të afrueshëm dhe të kuptueshëm.

E gjithë kjo shkon në dobi të autorit dhe bën të ditur se ai përnjëmend gjendet në kontakt me të arriturat e romanit tonë bashkëkohor dhe romanit në përgjithësi, gjë që me këtë roman ai dëshmoi se është mjeshtër i trajtimit dhe të përpunimit të dokumentit, në mënyrë që në këtë drejtim edhe më tutje duhet të mbetet.

Duke përmbyllur këtë vështrim të shkurtër për këtë roman, duhet thënë se Jusuf Buxhovi ia ka dalë që faktin e dokumentit ta kthejë në një universalizëm artistik, që tregon se është një romansier tejet me përvojë dhe njëherësh një prozator që shquhet si rrëfimtar tejet i mirë. Nëse në romanet e tij të mëparshme (Matankrena dhe Loja) merret me simbolikën e tekstit, në këtë roman, e vazhdon atë, por me një dozë më të madhe të konkretizimit, çka e dallon nga romanet paraprake. Duke pasur parasysh disa nga elementet që u theksuan më lartë e që lidhen me përvojën krijuese dhe përvojën romaneske në gjithë spektrin artistik të refleksioneve të këtij autori, mund të thuhet pa hamendje se për nga cilësitë, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” mund të radhitet ndër romanët tona më të mira bashkëkohore.

(Parathënie për botimin në serbokroatisht të romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”- ‘Zapisi Đona Nikolle Kazazija’ nga shtëpia botuese “Jedinsvo”Prishtinë dhe “Nolit” e Begoradit, 1986, përkthyer nga dr. Engjëll Sedaj)./ KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

Kur Ibrahim Rugova u shpall ‘Doktor Nderi’ në Francë (FOTO)

Në dhjetor të vitit 1996, ish-Presidenti Ibrahim Rugova ishte shpallur ”Doktor Nderi” (Honoris Causa) në Universitetin e Parisit VIII në Sorbonë të Francës.

Sekretari i Zyrës së Presidentit Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar këto fotografi dhe ka treguar se prezent në këtë ngjarje ishin edhe Fadil Vokrri, Avni Spahiu, Daut Berisha dhe Alush Gashi, përcjell KultPlus.

Më 1996, Presidenti RUGOVA u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë. Në këtë ngjarje me rëndësi prezent ishin edhe 4 njerëz të veçantë: Fadil VOKRRI, Avni SPAHIU, Daut BERISHA dhe Dr. Alush Gashi!”, ka shkruar Mervoci në Facebook. / KultPlus.com

Hapet Biblioteka Presidenciale ‘Dr.Ibrahim Rugova’, Osmani: Shtëpia i dedikohet përpjekjeve epokale

Era Berisha

Disa nga dëshmitë e vendosura brenda Muzeut ku nisi puna e Bibliotekës Presidenciale ‘Dr. Ibrahim Rugova’ ishin ato si: Referendumi, Shoqatat humanitare, lëvizja LDK, kryesitë e LDK-së, Miqtë e Kosovës, zgjedhjet 2000/2001, shëndetësia, kafe galeria Koha, manifestimi kulturor ‘Flaka e Janarit’, libri i klasës për shkolla të mesme dhe pasqyra e ligjëratave të vitit 1992/93, gjykimet në Hagë, Çlirimi e Internacionalizmi dhe fakte mbi këtë shtëpi.

Por këto nuk janë dëshmitë e vetme të vendosura brenda këtij muzeu, ngase aty tashmë përfshihen edhe fotografi e fakte mjaft interesante si: Kushtetuta e vitit 1990, Shpallja e Pavarësisë, Biografia dhe Vdekja e Rugovës, Qarku i Prishtinës, Rezistenca civile në Kosovë, zgjedhjet e vitit 2000/2001, faqe të gazetës ‘Rilindja’, media të ndryshme e shumë informacione të tjera të cilat dëshmonin për një histori të hershme të përpjekjeve të rëndësishme për shpalljen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Sot me rastin e fillimit të punës së Bibliotekës Presidenciale ‘Dr.Ibrahim Rugova’, të pranishëm ishin edhe tre ish Presidentët e Republikës së Kosovës si: Atifete Jahjaga, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të cilët patën rastin të shohin dokumentimin e fakteve të veçanta që ishin të vendosura në muret e bardha të këtij muzeu e të cilat jehonin me prezencën e figurës së njohur, Ibrahim Rugovës.

E pikërisht për të shënuar këtë ditë, fillimisht nisi fjalimin vetë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu.

“Vendosëm që me 24 maj ta vizitojmë shtëpinë e Pavarësisë, shtëpinë që i dedikohet përpjekjeve epokale, përpjekjeve tejet të mëdha të cilat kulmuan edhe në shpalljen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, përpjekje këto të udhëhequra nga Presidenti historik Ibrahim Rugova të cilat ndodhën në këtë shtëpi të vogël por e cila impaktin e kishte jashtëzakonisht të madh”, thotë Osmani.

Sipas saj, së bashku me tre presidentët ata panë dëme të mëdha që forcat serbe ia kishin bërë kësaj shtëpie duke e djegur në vitin 1999, ku kishte mbetur vetëm një fotografi e Presidentit Rugova por falë miqve e bashkëpunëtorëve të tij brenda dhe jashtë Kosovës, janë ruajtur shumë fotografi e kujtime të cilat e dëshmojnë punën e jashtëzakonshme që është bërë në këtë shtëpi duke i ndërtuar themelet e para të shtetit tonë të pavarur.

“Edhe sot me 24 maj siç po e shihni këtu ku janë edhe kujtimet nga ajo ditë në vitin 1992, jemi bashkuar sërish për të përkujtuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe popullin tonë, për tu siguruar që këto mesazhe, për këto punë e sakrifica të mëdha, ti dërgohen edhe brezave të ardhshëm e gjeneratave të reja në mënyrë që të mos harrohen” përfundon Osmani.

Ndërsa, Fatmir Sejdiu tregoi për pjesëmarrjen e tij në themelet e para të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kjo ditë e rëndësishme po shënohet me momentin kur edhe është zgjedhur Presidenti i parë në Kosovë. Ky është objekti që vërtetë ka qenë baza e të gjitha aktiviteteve më të rëndësishme që janë bërë në Kosovë. Po nisem prej dizajnit së objektit që ka qenë selia ‘Shoqata e Shkrimtarëve’, ku është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës me 23 dhjetor në vitin 1989 ku edhe unë isha pjesëmarrës në atë Kuvend për ngjarjen e rëndësishme dhe në këtë hapësirë kaq të ngushtë kemi kryer veprimtarinë tonë”, thotë Sejdiu.

Sipas tij, një pjesë e gazetarëve kanë qenë prezent në atë kohë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që gazetarët për një ngjarje të tillë të publikojnë një lajm të rrejshëm. Ai kujton edhe kur rreth 2000 informatorë ditor, në kuptimin më të mirë të mundshëm që kanë sakrifikuar vetveten.

Ndërsa për fund edhe ish Presidenti, Behgjet Pacolli tregoi për një video që ende qarkullon ku janë dokumentuar edhe tre gjenocide.

“Jemi shumë kurioz të dimë gjithçka që ka ndodhur atëherë. Viteve të 90-ta është hapur një muze shumë interesant ku unë kam pasur mundësi të montoj një video me njerëz të kohës e vendit dhe sot materialet janë tre këndet kryesore për gjenocidin Bala, gjenocidin në Bosnjë dhe në Kosovë. Është një video që gjithmonë lëviz dhe do kisha pasur dëshirë që në Kosovë të mos harrohet dhe të krijohen donacione, për të formuar një muze për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, thotë Pacolli.

Sipas tij, është me rëndësi që në bazë të kaluarës të ndërtohet një e ardhme kualitative.

Ky aktivitet u përmbyll edhe me një shënim nga ana e Osmanit në librin e vendosur në qendër të këtij Muzeu./ KultPlus.com

Rugova i kishte kërkuar Albright-it që Kosova të bëhet shteti i 51-të amerikan

Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova, kohë më parë pati publikuar një fotografi derisa po lexonte librin “Zonja sekretare” të Madeleine Albright, shkruan KultPlus.

Ai ka veçuar një pjesë të librit nga viti 1998 kur Albright e përshkruan atmosferën gjatë takimit me Rugovën, ku ai i kishte kërkuar me shaka që Kosova të bëhej shteti i 51-të amerikan.

“Ri lexim: Kosova shteti i 51-të amerikan! “Gjatë takimit u zhgënjeva kur pashë mimikën e kolegëve të RUGOVËS, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa ai fliste. Gjithsesi, RUGOVA foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO-ja të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopter të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishte një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i pesëdhjetenjëtë amerikan”, shkruhet në librin e Albright./ KultPlus.com

Rugova e Agani, dy figurat e rëndësishme shqiptare

Ibrahim Rugova e Fehmi Agani shihen në këtë fotografi të vitit 1991, të cilët janë në proces të nënshkrimit të librezave për anëtarët e LDK-së, shkruan KultPlus.

Adnan Merovci ka sjell këtë fotografi, duke e shoqëruar edhe me këtë përshkrim.

Kujtesë historike!

Koha kur politika e Kosovës udhëhiqej nga Dijetari RUGOVA, ku në krahë të djathtë kishte profesor Fehmi AGANIN!

Foto: 9 shtator 1991, Prishtinë, Presidenti RUGOVA duke nënshkruar librezat e anëtarësisë së LDK-së./ KultPlus.com

Kurti e quan Rugovën president historik: Kujtojmë rolin dhe kontributin e tij gjatë viteve të ‘90-ta

Dita e parë e punës së Albin Kurtit si kryeministër i ri i vendit, i qëlloi të jetë në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s. Ai paraditen e sotme e ka shënuar me vizita te varret e dëshmorëve, në Prekaz, në Gllogjan, për të shkuar më pas te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Kurti, gjatë homazheve te Rugova, e ka quajtur atë ‘president historik’ dhe ka thënë se e kujton kontributin e tij gjatë viteve të ’90-ta dhe rolin e Rugovës në ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës.

“Pas homazheve të Prekaz dhe në Gllogjan, bëmë homazhe te presidenti historik Ibrahim Rugova,  Presidentit të parë të Kosovës. Kujtojmë rolin  dhe kontributin e tij përgjatë viteve të 910-ta, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, që ishte i vlefshëm për ndërhyrjen e aleancës më të madhe ushtarake” , ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri më pas ka vazhduar homazhet te veprimtari Demaçi, me të cilin kishte gjithmonë afërsi për së gjallë. Edhe aty e ka konsideruar Demaçin si veprimtarin më të shquar të shqiptarëve.

Gjatë një vizite të bërë sot tek varri i tij, Kurti ka thënë se Demaçi është simbol i rezistencës dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.

Më tutje Kurti deklaroi se as qëndrimi i gjatë i Demaçit në burg nuk e kanë ndalur atë që të kontribuojë për vendin.

“24 marsin sivjet si Qeveri e Kosovës dhe e re e filluam tek njëri Adem, Adem Jashari dhe po e përfundojmë tek një Adem tjetër. Tek Adem Demaçi simboli i rezistencës tonë dhe veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare dhe i paepur që e kishte një jetë të tërë vepër për interesin tonë  të përgjithshëm dhe se pavarësisht burgosjeve të gjatë që gjithsej bëjnë 28 vite nuk u ndal, nuk u lodh dhe nuk u thye asnjëherë. Kujtimi për të është i përjetshëm dhe padyshim që kontributi i baçit Adem do të mësohet e do të kultivohet ndër brezat e veprimtareve”, ka thënë Kurti./Express/ KultPlus.com

Fjalimi i Ibrahim Rugovës në Parlamentin Evropian që ngriti të gjithë në këmbë (VIDEO)

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, përkujtohet në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në data të rëndësishme për vendin.

Presidenti historik, pa reshtur luftoi për bërjen shtet të Kosovës, e këtë e bënte me vizionin e tij largpamës, duke kërkuar gjithnjë paqe para miqve ndërkombëtarë.

Ndër të tjera Rugova flet për Pavarësinë e Kosovës, ku thotë:

Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.

Në vazhdim mund ta ndiqni fjalimin e ish-presidentit, i cili i ngriti në këmbë deputetët e Parlamentit Evropian. / KultPlus.com

Kurti e Osmani bëjnë homazhe te varri i Rugovës: Nderojmë figurat historike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 13-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Të dy janë shprehur se në këtë ditë nderojnë figurat historike të shtetit të Kosovës.

“E nderuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi e sovranitet. Njeriun i cili hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet e kumbojë kudo”, ka thënë me këtë rast Osmani.

Në anën tjetër, Kurti, që në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi bindshëm, ka thënë se shpreson e beson që viti i ardhshëm të gjejë Kosovën me drejtësi, demokratizim e zhvillim.

“Sot kujtojmë personalitetet politike kombëtare, historike, që kontribuan në faza e mënyra të ndryshme. Vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës, Ibrahim Rugova që ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Në veçanti falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditë kaq të rëndësishme”, ka thënë ai. / Koha.net / KultPlus.com

Kur Rugova dëshironte të vizitonte Shqipërinë për hulumtime shkencore (FOTO)

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, përgjatë periudhës komuniste në Shqipëri kishte bërë kërkesën për vizitë në vendin shqiptar, shkruan KultPlus.

Si gjithë vizitorët e tjerë, edhe Rugova duhej të plotësonte dokumentin, përmes së cilit tregohej nëse personi më parë kishte qenë në Shqipëri, arsyeja aktuale e vizitës dhe të dhënat personale.

Në dokumentin e vitit 1980, Rugova kishte kërkuar që ta vizitonte Shqipërinë për hulumtime shkencore, teksa profesioni i tij shihet të jetë punëtor shkencor. / KultPlus.com

22 vite nga Konferenca e Rambujesë

Para 22 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë. Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses.

Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike-marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë. As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, që ta pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan  bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK si mision civil dhe KFOR si mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com

15 vjet pas: Radhët e gjata të njerëzve që prisnin në acar për t’i bërë homazhe Rugovës

Më 21 janar të vitit 2006 kishte ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi për disa muaj me radhë kishte vuajtur nga sëmundja e kancerit që i kishte prekur mushkëritë.

Me 23 janar të 2006-tës, funerali me trupin e Presidentit Rugova ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kishin mundësinë që t’i bënin nderime e t’i jepnin lamtumirën e fundit Rugovës.

Qindra mijëra qytetarë kanë qëndruar me orë të tëra në radhë për t’i bërë nderime Rugovës në hollin e Kuvendit, kjo edhe përkundër acarit të madh që kishte përfshirë Kosovën ato ditë.

Ceremonia e varrimit të Presidentit Rugova ishte bërë të enjten e 26 janarit.

Në ceremoninë e varrimit të Rugovës kanë marrë pjesë shumë delegacione botërore si, delegacioni i ShBA-së, delegacioni i Bashkimit Evropian, delegacioni nga zyra e UNOSEK-ut, delegacione nga Austria, Britani, Belgjika, Shqipëria, Gjermani, Spanja, France, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Greqia dhe disa vende afrikane./Express/ KultPlus.com

“Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor”

Sot shënohet 15-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova udhëhoqi popullin e Kosovës në momentet e rënda para dhe pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Gjatë studimeve postdiplomike në Francë, ka qenë student i një prej filozofëve më të mëdhenj të shekullit XX, Roland Barthes.

Shquhej jo vetëm për rezistencën paqësore kundër Serbisë po edhe për diskurs paqësor politik.

Pas vetes Rugova la shumë thënie, ku shumica prej tyre qëndrojnë edhe sot.

Më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tij:

– Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

– Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.

– Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.

– Nuk mund të merrem me letërsi, kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

– Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të.

– Unë dua të theksoj faktin se pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet.

– Kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.

– Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”

– Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70 për qind të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

– Ministritë e ndryshme duhet të punojnë më shumë në promovimin e vendit, për të ndërtuar imazhin publik të Kosovës. Projekte konkrete duhet të shpalosen, në mënyrë që të aktivizoni biznesmenët tanë të kenë më shumë kontakte. Ne na duhet të krijojmë një imazh pozitiv për veten.

– Vizioni im është që vendi të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Është gjithashtu detyra jonë për ta bërë këtë, nëse dëshirojmë të krijojmë një tregti dhe një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni për të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj në të ardhmen.

– Kishim ndihmë ndërkombëtare sidomos nga BE dhe SHBA, të cilat na ndihmuan të dilnim nga kjo fazë e emergjencës, për t’i dhënë dinamizëm Kosovës.

– Problemet politike lidhen ngushtë me problemet ekonomike. Me ndihmën e politikës, ne do të hapim rrugën për ekonominë. / KultPlus.com

15 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës

Sot shënohet 15-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë më 2 dhjetor 1944 dhe ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar; u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, u nis një fushatë paqësore kundër Serbisë. U zgjodh që në fillim kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Sot, në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore. / KultPlus.com

Publikohet një fotografi e rrallë e Presidentit Rugova (FOTO)

Një fotografi e rrallë është publikuar në prag të 15 vjetorit të vdekjes së Presidenti Ibrahim Rugova.

Fotografia është shkrepur për festën e Vitit të Ri në lokalet e gazetës së përditshme “Rilindja”, më 31 dhjetor 1969 dhe 1 e 2 janar 1970, gjatë një bisede për letërsinë të gazetarit e redaktorit Gani Bobi

Në fotografi, janë redaktori i Rilindjes Gani Bobi (tashmë i ndjerë) në bisedë me letrarët Ibrahim Rugova, Musa Ramadani dhe Nexhat Halimi.

Presidenti Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë pas kancerit në mushkëri. /Express/ KultPlus.com

Kërkesa e Rugovës për hyrje në Shqipëri gjatë kohës se Enver Hoxhës (FOTO)

Ish-presidenti, Ibrahim Rugova kishte bërë kërkesë në prill të vitit 1980 për të hyrë në Shqipëri, ku kishte treguar se qëllimi i udhëtimit ishte për hulumtime shkencore.

Në kërkesën e bërë ai kishte shkruajtur se kishte vizituar Shqipërinë edhe mëherët, konkretisht në vitin 1971 dhe në vitin 1974.

Ndërsa, ai kishte treguar se nuk kishte ndonjë lidhje familjare në Shqipëri.

Kërkesa për vizë që Rugova kishte bërë ishte e datës 14 mars e vitit 1980.

Raportet e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, me Shqipërinë vitet e paraluftës shpeshherë kanë qenë temë debati. /express/ KultPlus.com

Inaugurohet shtatorja e Ibrahim Rugovës, pa leje

Shtatorja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, është inaguaruar të premten. E vendosur në oborrin e Katedrales në Prishtinë, në inaugurimin e saj foli vetëm skulptori i veprës, Fatmir Hoxha.

Koha ka raportuar gjatë së enjtes se Ipeshkëvia ka hequr dorë nga vendosja e shtatores së Anton Çettës, derisa atë të Rugovës, e kanë vendosur pa leje nga Komuna e Prishtinës, transmeton KultPlus.

“Ipeshkëvia e Kosovës ka dashur që t’i nderojë dy figura të mëdha të kombit, dr. Ibrahim Rugovën dhe prof. Anton Çettën. Për këtë asnjëherë nuk është sjellë një vendim i prerë. Por për të respektuar mospëlqimin e vajzave të prof. Anton Çettës dhe pasi kemi hasur në padenjësinë sakramentale të tij, atëherë kemi sjellë vendim që të mos vendoset shtatorja e Anton Çettës”, ka deklaruar gjatë së enjtes sekretari i Ipeshkëvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi.

Në inaugurim, skulptori Hoxha ka thënë se ky realizim është vetëm “gjysma”, duke shtuar se shpreson që të vendoset edhe shtatorja tjetër. / KultPlus.com

Kur çështja kombëtare bashkonte Dritëro Agollin, Ibrahim Rugovën dhe Ali Aliun (FOTO)

Çështja kombëtare i kishte bërë që të uleshin në një tavolinë tre shkrimtarët nga dy vendet shqiptare, Dritëro Agolli nga Shqipëria, Ibrahim Rugova dhe Ali Aliu nga Kosova, shkruan KultPlus.

Vajza e shkrimtarit Agolli, Elena Agolli ka shpërndarë fotografinë e viteve të 90’ta, teksa ka thënë se bisedat gjallëroheshin me temën e bashkimit kombëtar.

“Shpesh rrinin bashkë në tryeza të përbashkëta ,të gjallëruara nga bisedat për çështjen kombëtare dhe bashkimin kombëtar. Herë – herë debatonin fort , disa të tjera herë miratonin mendimet e njëri – tjetrit”, ka shkruar Elena Agolli.

Në fotografi shihet edhe gruaja e shkrimtarit nga Menkulasi, Sadije Agolli. / KultPlus.com

.