Çfarë tha kancelarja Merkel ditën e vdekjes së presidentit Rugova?

Në ditën e ndërrimit të jetës së presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, 21 janar 2006, detyrën e kancelarit gjerman e ushtronte prej atëherë Angela Merkel. Kjo e fundit bëri një deklaratë për shtyp, ku krahas ngushëllimit shprehej se ishte e “shokuar” dhe e “hutuar” nga marrja e lajmit.

Nën udhëheqjen e tij “Kosova ka bërë hapa përpara drejt konsolidimit si vend demokratik, shtet të së drejtës, duke zhvilluar edhe ekonominë e tregut”, thoshte mes tjerash Merkel në Berlin gjatë 21 janarit. Principet e tij për demokraci dhe paqe “duhet të jenë pasqyrë për secilin që merr përgjegjësite e politikës në Kosovë.”

Gjatë kurimit të sëmundjes vdekjeprurëse, Ibrahim Rugova qëndroi disa kohë në spitalet gjermane.

Ndryshe, Kancelarja Merkel, është kundër të ashtuquajturit “Korrigjim i kufijve” me Serbinë përkatësisht kundër ndarjes së Kosovës, ashtu siç ishte kundër kësaj ideje edhe Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova. “Korrigjimi i kufijve” është hedhur si ide nga presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa është kundërshtuar nga Gjermania dhe vendet e tjera mike të Kosovës./BS

Thënie të pavdekshme të ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot u bënë 13 vjet nga vdekja e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ishte artist, intelektual dhe politikan.

Ibrahim Rugova udhëhoqi popullin e Kosovës në momentet e rënda para dhe pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

Gjatë studimeve postdiplomike në Francë, ka qenë student i një prej filozofëve më të mëdhenj të shekullit XX, Roland Barthes.

Shquhej jo vetëm për rezistencën paqësore kundër Serbisë po edhe për diskurs paqësor politik.

Pas vetes Rugova la shumë thënie, ku shumica prej tyre qëndrojnë edhe sot.

Më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tij:

– Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e tij për vete.

– Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Perëndia.

– Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.

– Nuk mund të merrem me letërsi, kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

– Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të.

– Unë dua të theksoj faktin se pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet.

– Kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.

– Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”

– Si president i Kosovës, unë jam shumë i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale të punësimit, në rreth 70 për qind të popullsisë, e cila është e re, me potencial të madh, flet shumë gjuhë të huaja dhe që janë ekspertë në shumë fusha.

– Ministritë e ndryshme duhet të punojnë më shumë në promovimin e vendit, për të ndërtuar imazhin publik të Kosovës. Projekte konkrete duhet të shpalosen, në mënyrë që të aktivizoni biznesmenët tanë të kenë më shumë kontakte. Ne na duhet të krijojmë një imazh pozitiv për veten.

– Vizioni im është që vendi të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Është gjithashtu detyra jonë për ta bërë këtë, nëse dëshirojmë të krijojmë një tregti dhe një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni për të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj në të ardhmen.

– Kishim ndihmë ndërkombëtare sidomos nga BE dhe SHBA-t[, të cilat na ndihmuan të dilnim nga kjo fazë e emergjencës, për t’i dhënë dinamizëm Kosovës.

– Problemet politike lidhen ngushtë me problemet ekonomike. Me ndihmën e politikës, ne do të hapim rrugën për ekonominë. /Lajmi.net/ KultPlus.com

Rugova: Zotin e kemi në qiell e Amerikën në tokë!

Ish-këshilltari i presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, i cili kujdesej edhe për sigurinë e tij, shpesh ka rrëfyer momente me presidentin historik Ibrahim Rugovën, por si duket ai tashmë ka shkruar edhe një libër ku ndanë momente me presidentin e rrëfen shumë për të, shkruan KultPlus.

Këtë të paktën e ka bërë me dije përmes një statusi në Facebook sot në 13 vjetorin e vdekjes së presidentit, përmes këtij statusi ai rrëfen një bashkëbisedim të shkurtë me presidentin dhe krejt në fund ai tregon që kjo është një pjesë e shkëputur nga libri që do të botohet së shpejti.

Statusi i plotë i Merovcit:

“Veç fakte!
Në vend përkujtimi për dijetarin tonë!
“Shkova në dhomë te Kryetari. Ai po ndiqte TV, kur më pa, tha: ‘Zotin e kemi në qiell e Amerikën në tokë!’ Këtë fjali nuk e kisha të panjohur, sepse Kryetari e përdorte shpesh. Në këtë rast donte të thoshte se pa Amerikën ne do të ishim të humbur pothuaj si çdoherë në histori. Edhe ai dukej i kënaqur me atë që ishte arritur, edhe pse gëzimin është vështirë t’ia zbulosh, nuk e manifeston hapur. Ndenja pak dhe shkova në dhomën time. Ora 01:15. Rashë për të fjetur!”

Pjesë e shkëputur nga Libri që botohet së shpejti!

Foto: Nga Hapja e Konferencës së Rambujesë, 06.02.1999, Presidenti RUGOVA, Ambasadori francez në Maqedoni Zhak UNCINGER. /KukltPlus.com

.

Kur qytetarët duronin në -20 gradë për të bërë homazhe për Rugovën (VIDEO)

Janari i vitit 2006 do të mbahet mend për dy gjëra. E para ishte vdekja e Presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe së dyti për ftohtin e madh në atë dimër.

Në këtë video të Associated Press, shihet se edhe pse ishte ftoft i madh, nuk mund t’i ndal popullin për të bërë homazhe te arkivoli i presidentit gjendej në hollin e Parlamentit të Kosovës, ku populli nga i gjithë vendi dhe jashtë tij bënin homazhe

Rendi i njerëzve shtrihej me qindra metra duke pritur për tu futur në hollin e Parlamentit të Kosovës.

Nesër bëhen 13 vite pa Rugovën

Nesër shënohet 13 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Ekspozitë në Cyrih kushtuar presidentit historik Ibrahim Rugova

Me datën 21 janar (e hënë) në ora 19:00, Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, hap ekspozitën historike me titull: “Kontributi i Presidentit Historik Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës, me bashkautor Sadik Krasniqi dhe Ma. Besnik Rreci.

Ky eveniment mbahet me rastin e 13 vjetorit të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Ekspozita hapet në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih në adresën: Eugen Huber-Strasse 19a 8048 Zürich.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 27 janar 2019. /KultPlus.com

Urimi i fundit që presidenti Rugova e bëri në vitin 2005

Blerta Kllokoqi – Rugova ka postuar në Facebook urimin e fundit të Presidentit Rugova që e bëri me 31 janar të vitit 2005, sa ishte gjallë Presidenti.

Këtë urim, e reja e presidentit e ka shpërndarë në murin e saj në Facebok së bashku më një fotografi të përbashkët të Familjes Rugova’. Ja urimi i presidentit Rugova më vitin 2005:

Zonja dhe zotërinj,

Viti në të cilin po shkelim do të jetë një vit i progresit më të madh të Kosovës, një vit më efikas, më veprues i institucioneve tona për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe për një mirëqenie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. Njëherësh do të punojmë së bashku… do të bëjmë përpjekje të kultivojmë marrëdhënie të mira me fqinjët tanë me interes të ndërsjellë.

Në planin e brendshëm do të punojmë më fuqishëm në mbrojtjen dhe integrimin e grupeve etnike apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës….një Kosovë e pavarur demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, çfarë do të hapte perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe do të bënte Kosovën anëtare të kombeve të lira të botës së lirë.

Qytetarë të nderuar,

Në këtë orë gëzimi i kujtojmë me krenari të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Do të bëjmë një angazhim më të madh për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë natë gëzimi, urime të përzemërta u shprehim Kosovarëve në SHBA dhe në vendet e Europës, që po ndihmojnë progresin e vendit tonë.

Qytetarë të dashur,

Në këtë natë gëzimi t’i bëjmë bashkë dëshirat, vullnetin e mirë dhe veprimet për një Kosovë me prosperuese, më të fortë e më të lumtur.

Me fat Viti i Ri 2006.Gëzuar.Zoti Ju bekoftë.

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.

Zoti e bekoftë Kosovën tonë të çmuar.

Ju falemnderit.

Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova (30 dhjetor 2005)

Fjalimi i Rugovës që ngriti në këmbë deputetët e Parlamentit Evropian (VIDEO)

Në Strasburg, më 16 dhjetor 1998, në selinë e Parlamentin Evropian në Strasburg, Ibrahim Rugovës, në një ceremoni madhështore iu dorëzua Çmimi Saharov nga kryetari i Parlamentit Evropian, Hoze Maria Robles Delgado.

Kryetari i Republikës Kosovës Ibrahim Rugova, duke u falënderuar për këtë mirënjohje të lartë të Parlamentit Evropian, tha:

Gjendja ne Kosovë mbetet serioze dhe e rrezikshme. Ne shpresojmë qe misioni i SHBA-së dhe ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara do të sjellë rivendosjen e paqes në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit. Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Për të ardhmen unë do të doja instalimin e protektoratit ndërkombëtarë për një periudhë kalimtare. Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit ne këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.

Pavarësia e Kosovës do të përbëjë një faktor stabilizues në rajon. Për momentin ne jemi duke punuar në një marrëveshje të përkohshme për Kosovën e cila do të hapë rrugë për rivendosjen e paqes në rajon.

Zotëri President, kam kënaqësi të madhe në marrjen e çmimi Saharov në 10 vjetorin e krijimit të saj.

Këtë vit në jemi duke e festuar 50 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e cila ka ngritur botën nga vetëdija çështjeve të të drejtave të njeriut.

Faleminderit edhe njëherë deputetëve evropianë. Shpresoj dhe uroj që Kosova një ditë do të ketë një vend në këtë institucion të nderuar të parlamentit evropian, siç thoshte mësuesi im i dashur Roland Barthes “Politika fillon me një dëshirë dhe pastaj atë dëshirë duhet ta ktheni në veprim”.

Zotëri President më lejoni të përfundojë fjalën time me një proverb nga Shqipëria, si një nga qytetërimet më të vjetra të Evropës, “Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm”. /BS/

Pse Ibrahim Rugova nuk e festonte ditëlindjen?

Sa herë që vjen 2 dhjetori, Islam Visokës i kujtohen momentet nga e kaluara e tij me Presidentin Historik, Ibrahim Rugova.

Kjo pasi më 2 dhjetor të 1944 u lind udhëheqësi i shqiptarëve gjatë viteve 90-ta, që u vu në krye të i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Visoka që dikur punonte në sigurimin e Ibrahim Rugovës, thotë të mbajë mend kur ia uruan ditëlindjen Rugovës fill pas lufte.

Se Rugova nuk e kishte në qejf festimin e ditëlindjes e thotë edhe njëri ndër njerëzit më të afërt të tij gjatë viteve 90-ta. Milazim Krasniqi thotë se ditëlindja për Presidentin Rugova ka qenë një moment reflektimi.

Por, Adnan Merovci e kujton rastin kur Rugova e kishte gostitur atë me tortë të ditëlindjes në shtëpinë e tij në Velani.

E kujtime të mira për vitet në punë me të, i ka të freskëta ende Milazim Krasniqi.

Edhe Adnan Merovci thotë se do ta kujtojë gjithmonë Ibrahim Rugovën si njëri të mire dhe se puna me të ka qenë nder i madh.

Në 74 vjetorin e lindjes së Rugovës, Kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës.

Ibrahim Rugova u lind në Cërcë të Istogut 74 vite më parë.

Fati e deshi që ai kurrë mos ta njoh babanë e tij, Ukën, pasi së bashku me gjyshin e Ibrahimit u vranë nga pushteti jugosllavë në vitin 1945.

Por, Ibrahimin që u rrit jetim, nuk e ndali tragjedia e familjes. Ai e kreu shkollën fillore në Istog, të mesmen në Pejë e Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Prishtinë, ku e përfundoi edhe doktoraturën.

Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, ku mbahet mend për debatet me shkrimtarët serb mbi të ardhmen e Jugosllavisë.

Një vit më pas, Ibrahim Rugova themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e udhëhoqi deri në vdekje.

Nën udhëheqjen e tij u organizua sistemi paralel i viteve 90-ta si rezistencë paqësore ndaj pushtetit serbe dhe u ndërkombëtarizua çështja e Kosovës.

E për punën e tij, Parlamenti Evropian e nderoi me çmimin Saharov, të cilin më parë e kishte fituar edhe Adem Demaçi, njëri ndër kundërshtarët më të ashpër të Rugovës.

Pas luftës, i fitoi të gjitha zgjedhjet e mbajtura deri në vitin 2006, kur edhe ndërroi jetë.

Presidenti historik ishte i martuar me Fanën me të cilën kishte 3 fëmijë, Mendimin, Ukën e Teutën.

Rugova që sot do të mbushe 74 vite, ishte presidenti i parë i Kosovës dhe nga shumë njerëz cilësohet si arkitekti i pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Letër Brahim Rugovës

Çast poetik

Letër Brahim Rugovës

(per datlindje)

Shkruan: Halil Matoshi

N’ ven topuzi e mburoje n’dyluftim
Me shpatë goje prit hovet e anmikut
Ma nuk ndanë gjyq për letrat shqipe
Po për tokat dhe kokat
Pena jote e mprehun nuk qëndis letra po brigje qëp
Indet dhe eshtnat e gjymtyrëve të ni trupi…
Shëjtja M’ri mbuloftë muret e kshtjelles tande me urata
Mos e paftë syni i lig
Zari asht hedhun – paç fat!
Ec nëpër teh t’akullt t’dyluftimit
Fatit kurrë s’i dihet!???

* * *
“Shpërndams thesaresh
Shpërndams i shpatave…”
(Borges)

P.S.
Kjo poezi asht e shkrueme në dhetor 1993 dhe asht përfshi n’librin tem “Udhëtim nëpër andërr t’keqe” (Zëri, 1994).
Ni mik jemi, kritik letrar, m’pati sugjerue qe ket’ poezi me e heq nga libri me arsyetim të qëndrueshëm, (se personazhi ishte ni politikan i gjallë dhe sapo ish nisë në udhë dhe se fatit, vërtet s’i dihej, porse doli të ishte një profeci!???) po nuk e bana për shkak se brenda saj i dojsha fort dy vargjet e para: /në vend të topuzit dhe mburojës në dyluftim/me shpatë goje prit hovet e anmikut/ dhe vargjet e fundit që janë një gjëgjezë poetike e Horhe Luis Borges-it: /shpërndams thesari/ shpërndam i shpatave: Mbreti./

Ditëlindja e 74-të e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Për nder të ditëlindjes së 74-të të ish-Presidentit Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së do të bëjë homazhe te varri i tij në Velani.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, të Istogut.

Ibrahim Rugova, ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar. Ish – presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006./ KultPlus.com

“Kjo ditë është njëra ndër ditët më të bardha, ndër ditët më të kuqe të historisë sonë të vrullshme”

Pavarësia e Shqipnisë

“Gjithmonë e kemi ndier në veten tonë këtë Ditë të bardhë, kemi jetuar me të, me gjakun e saj të kuq, që qe i ndrydhur fort ndër zemrat tona, si në zemrën e Plakut mjekërbardhë që e zbardhëlloi më 1912. O, po si të mos e ndjejmë këtë Ditë që është njëra ndër ditët më të bardha, ndër ditët më të kuqe të historisë sonë të vrullshme plot e përplot shtrëngata e pak më pak me bardhësi të këndshme.

Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës.

Zinë e lëngatës së një populli e ndiejnë më së miri dhe më së shumti bijtë më të mirë të tij. Ata shkrumohen sa s’ka më. Mundohen që ta zhdukin atë dhe të sjellin fatbardhësinë e ëndërruar. Të ngrenë tempullin e lirisë në mesin e Atdheut – vendit të shenjtë, vendit që është simbol i njeriut në mbarë jetën dhe lavdinë. Ata bëjnë çdo gjë. Digjen si qiriri. E me atë dritë që del nga trungu i tyre i djegur shndrisin tokën e rituar me gjak ndër shekuj. Shumë ka pasur gjaku ynë kësi bijsh, të ndershëm, madhështorë dhe burrërorë. Vargu i tyre ndër faqet e së kaluarës sonë është i gjatë sa të gjithë ne. Më i gjatë është vargu i lavdive dhe trimërive të tyre të paskajshme.

Viti 1912. Zgjedha otomane zë të hiqet. Këtë e bëjnë ata që me shekuj ndjejnë peshën e saj, peshën e saj të ndyrë shkombëtarizuese, vëllavrasëse dhe copëtuese. Edhe toka e mëmëdheut është e zgjuar. S’duron më këmbën e ndyrë poshtëruese që fikte njomësinë pa lindur fare. Bota dëgjon për këtë. Ballkani ushton. Trimat ende në të gjitha anët.

Kudo dëgjohet kushtrimi: pavarësi dhe liri kombëtare. Zemrat e ndryra nxjerrin zërin më të fuqishëm. Kulçedra anadollake iku njëherë e përgjithmonë pas pesë shekujsh. Gjithkush e priti lirinë dhe qetësinë. Të jetojë me shpirt të vet në trungun e vet, meqë e dinin fare mirë se ç’është kjo, ç’sjell për ringjalljen e një gjaku të vjetër që me mija e mija vite rrodhi nëpër damarët e Ballkanit të lavdishëm. Ikën anadollakët.

Mirë e hetuan këtë ata që ishin mësuar me harbutëritë e kësaj dore. Nuk pritën. U ranë grusht hundëve. I plandosën për tokë dhe simbolin e gjakut tonë – Flamurin e ruajtur me shekuj në gji e çdo vend të tokës së dashur e ngritën lart. E ngritën atë ditë vjeshte. Atë ditë të bardhë e të artë. Në kalendarin e historisë kombëtare hyri ajo ditë. U shënua: 28 Nëntor1912. U shënua edhe emri i atij që e ngriti: – Ismail Qemali. U shënua edhe vendi: – Vlora legjendare. Vatra e kuqe e Arbërit që qe i zënë për atë truall si rrapat shekullorë buzë Adriatikut. U habit Ballkani. U habit Evropa. U habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin shqiptar u ngrit simboli i gjakut – Flamuri.

Mirë që u mashtruan të gjithë. Mirë që nuk kujtuan se nuk kemi asgjë, se kulçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. E shpurëm më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi tokën tonë të dashur.

I pari që e shpuri në vend porosinë e stërgjyshërve, ai që e ngriti atë që e mbanin lart ndër duar dhe mbi koka e që marshonin përpara me të, qe njëri ndër bijtë më të mirënjohur të kombit tonë – Ismail Qemali, Plaku mjekërbardhë. E ngriti Ai, e mbajtëm ne dhe do ta mbajmë ngaherë dhe do të ecim përpara në histori.

E mbajtëm në zemra, në shpirt. E kemi edhe në dorë. Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë.”

Marrë nga gazeta e asaj kohe studentore („Bota e re“) , Prishtinë, 28.XI.1968

Pritja që iu bë Ibrahim Rugovës në kthimin e tij pas çlirimit të Kosovës

Adnan Merovci që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, ka kujtuar momentin kur pas luftës, ky i fundit ishte kthyer në Kosovë.

“Kthimi i Presidentit RUGOVA në Kosovë pas çlirimit! Foto: Ura e kryqëzimit të rrugës Ferizaj-Gjilan 1999”, ka shkruar Mervoci në Facebook.

Kujtojmë se Ibrahim Rugova, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave, ishte marrë nga rezidenca e tij për t’u dërguar në Beograd në një takim me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobolan Milosheviq.

Takimi kishte ngjallur jo pak reagime kundërshtuese në Kosovë.

Pas këtij takimi, Rugova ishte larguar për në Itali.

Me të përfunduar lufta, ai ishte kthyer në Kosovë. / KultPlus.com

Kur Hysni Zela i këndonte Ibrahim Rugovës: Rugova, burrë i mençur edhe trim

Bashkëpunimi ndërmjet Vjollca Buqaj dhe Hysni Zela të cilët i kanë kushtuar këngë presidentit historik Ibrahim Rugova.

Kënga ka ritme folklorike, ndërsa është kompletuar edhe nga ana vizuale. Muzikën dhe orkestrimin e ka bërë Sajmir Çili, kurse tekstin e ka shkruar Jorgo Papingji. Videoklipi i është besuar produksionit D Production. / KultPlus.com

U përurua Kompleksi Memorial Ibrahim Rugova në fshatin Malaj në Rugovë

Tashmë një memorial në Kosovë do ta mbajë emrin e Presidentit të ndjerë Dr.Ibrahim Rugova.

Sot në fshatin Malaj në Rugovë u përurua Kompleksi Memorial ”Ibrahim Rugova”, i cili u ndërtua me kontributin e shoqatës ”Sali Çekaj” e veprimtarë e qytetarë të tjerë.

Në këtë përurim ishin prezentë strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës ku mbajtën fjalim për ish-liderin e ndjerë presidentin historik Ibrahim Rugova.

Afër kompleksit gjithashtu është edhe kulla dy katërshe brenda së cilës ka fotografi me histori rreth ish-presidentit Rugova.

Përurimi i kompleksit memorial “Dr. Ibrahim Rugova” u mbajt nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri. / KultPlus.com

Intervista e vitit 1994: Si e mendonte Rugova këmbimin e territoreve me Serbinë

Intervista e vitit 1994: Si e mendonte Rugova këmbimin e territoreve me Serbinë
Pas reagimeve rreth një postimi në Facebook të presidentit Hashim Thaçi, i cili i referohej një interviste të presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994, rreth këmbimit të territorit me Serbinë, ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, e ka publikuar të plotë përgjigjen e Rugovës.

Ka qenë një citim i presidentit Thaçi për deklaratën e Rugovës në vitin 1994 që ka bërë të ketë reagime të shumta, bile edhe nga bashkëpunëtorët e Rugovës, të cilët thanë të mos e kenë dëgjuar ndonjëherë Rugovën të fliste për këmbim territori me Serbinë.

E ai që e postoi fillimisht vetëm titullin e intervistës së Rugovës për Zërin në vitin 1994 “Ndarje jo, Këmbim po”, tash e ka postuar të plotë përgjigjen e ish presidentit të Kosovës. Bëhet fjalë për Petrit Selimin, ish bashkëpunëtorin e afërt të Thaçit.

“Edhe ne mund të bëjmë kësi lloj ‘pazari’. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e Federatës jugosllave. Megjithatë, po e përsëris, për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që Leposaviqi dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare”, kishte deklaruar Rugova./KultPlus.com

Foto e rrallë: Ibrahim Rugova në ditët e fundit

Ish Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në ditët e tij të fundit përderisa luftonte me sëmdunjen është takuar me priftërinjtë.

Ai është i ulur në mes dhe vërehet gjendja e tij shëndetësore. Është i thinjur dhe qartazi vërhet rrënja e flokëve si pasojë e sëmundjes. Në anën e djathtë të tij është imzotë Don Lush Gjergji, trasnmeton Express.

Ky i fundit edhe kishte shkruar për filozofinë e Rugovës. Ai në shkrimet e tija kishte thënë se nga bashkëpunimi dhe njohja nga viti 1981 e deri në vdekje ka pasur përvoja shumë pozitive.

“. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën”, thoshte Don Lush Gjergji.

Kofi Annan dhe Ibrahim Rugova së bashku në një fotografi

Më 1 Qershor 1998 Kofi Annan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pati vizituar Kosovën, në këtë fotografi ai shihet së bashku me Presidentin Ibrahim Rugova duke shtrënguar dorën njëri-tjetrit.

Kofi Annan, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, i cili ndërroi jetë sot nga një sëmundje e rëndë, ka qenë padyshim një person kyç gjatë viteve 1999 ku në Kosovë kishte plasur genocidi serb.

Kofi Anan ka vizituar Kosovën por edhe kampet e refugjatëve gjatë luftë së fundit, në ato vite ai u takua me autoritetet lokale dhe pa nga afër lagjet e shkatërruara nga forcat serbe.

Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e OKB-së, ndoqi me kujdes dhe përkushtim situatën e krijuar mes dy vendeve, ku akuzonte Serbinë për shkatërrimin e Kosovës dhe dënonte krimet e saj ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Ai insistoi dhe realizoi me sukses dy qëllimet që e favorizuan Kosovën, kthimi i refugjatëve të Kosovës dhe që Kosova të vihet nën administrimin e OKB-së, përpara se të nënshkruhej më vonë dhe paqja mes dy vendeve./KultPlus.com

Çfarë thoshte Rugova më 1992 për “Der Spiegel” rreth ndarjes së Kosovës

Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-të. Për këtë është pyetur edhe Ibrahim Rugova në intervistën e dhënë për “Der Spiegel” gjatë 8 qershorit 1992.

“Serbët shikojnë me këtë ‘ndarje’, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”, thoshte Rugova, transmeton AlbInfo.ch.

Der Spiegel: A do të kthehet Kosova në betejë të ardhshme të Ballkanit?

Ibrahim Rugova: Ushtria Jugosllave është e dërmuar pas disfatës së rëndë në Slloveni, duke dashur që këtë ta mbulojë me ndonjë luftë tjetër. Udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq është i pasigurt, shtuar kjo edhe pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Nëse ai do të vendoste intervenim ushtarak kundër Kosovës, atëherë nuk do të ishte çudi nëse edhe OKB-ja do të ndërhynte ushtarakisht. Personalisht do kërkoja ndihmë ushtarake nga jashtë, nëse Serbia e kërcënon Kosovën.

Der Spiegel: Presidenti kroat, Tuxhman, ka kërkuar disa herë që shqiptarët të hapin frontin e jugut kundër Serbisë. A jeni tërhequr ju nga ky front?

Rugova: Indirekt Po. Neve shpesh na është kërkuar të mbështesim politikën pasive të rezistencës gandiane. Fatkeqësisht koalicioni mes sllovenëve, kroatëve dhe shqiptarëve është shembur. Gati një vit unë s’kam kontakte me Zagrebin.

Spiegel: Serbia pretendon se shqiptarët e Kosovës janë deri në dhëmbë të armatosur?

Rugova: Vlen e kundërta, ne s’kemi armë zjarri.

Spiegel: A ka shanse që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës?

Rugova: Njohja e Kosovës është më e mirë se e kundërta e saj – domethënë se një krizë permanente në kufijtë e Serbisë. Ne jemi të gatshëm të shpallim një shtet neutral dhe të evitojmë bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë, bashkimi me Shqipërinë është qëllimi ynë natyral.

Der Spiegel: Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë të paprekshëm?

Rugova: Udhëheqësia shqiptare është nën presion, pasi edhe situata ekonomike në Tiranë është e rënduar. Por, kjo nuk vlen nëse do të kishte luftë. Ata do të na ndihmonin në një gjendje të tillë.

Der Spiegel: Për çfarë ndihme bëhet fjalë?

Rugova: Në gjendje lufte me ne do solidarizoheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë. Atje janë rreth 40% dhe jo 20% siç pretendohet nga regjimi i Shkupit. Natyrisht unë shikoj rrezikun e ndërkombëtarizimit të konfliktit, pasi edhe Bullgaria mund të kyçej në luftë nëse “destabilizohej” Maqedonia, duke u shfaqur si shpëtuese.

Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore ti takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë.

Der Spiegel: Kosova në vitin 1974 de fakto kishte statusin e republikës, pse erdhi deri në protestat e dhunshme të 1981.

Rugova: Prej çlirimit nga turqit ne dëshironim shtetin tonë të pavarur. Në Jugosllavinë e 1918 ne nuk përfaqësoheshim si pjesë e Serbisë, por të pavarur, pra si Kosovë. Për kombin tonë është tragjedi të jemi nën shtypjen serbe.

Der Spiegel: Si e sqaroni ju këtë shtypje?

Rugova: Ne asnjëherë s’kemi pasur të drejtat të njëjta me kombet tjera. Prej 1990 janë arrestuar dhe burgosur 100.000 shqiptarë, nga punëtori i thjeshtë deri te profesorë të njohur. Papunësia te shqiptarët sot arrin 90%. Situata ekonomike është katastrofale. Mbijetesa jonë është falë remitencave të diasporës.

Der Spiegel: Kryeministri serb ju ka ftuar për takim në Beograd. Do shkoni ta takoni?

Rugova: Nuk kam marrë dakordësi nga “gjithë partitë e Kosovës” për të zhvilluar bisedime. Edhepse serbët janë zhytur deri në fyt, ata duan ti tregojnë botës se janë të gatshëm për bisedime. Ne e dimë prej tani se policia në Kosovë kërkon të pezullojë parlamentin e Prishtinës qoftë edhe me dhunë. Për Kosovën duhet të ketë takime, por më së miri me ndërmjetësimin e shteteve të Evropës.

Der Spiegel: Sa kohë ka mbetur deri te zgjidhja paqësore?

Rugova: Numri i radikalëve rritet nga ditë në ditë. Fatmirësisht e mbaj situatën akoma në kontroll- por me shumë vështirësi. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë patriotë, duke u shqetësuar për të ardhmen. Por unë nuk mund të premtoj, që ata një ditë të kthehen në nacionalistë. Jugosllavia është shpërbërë. Të gjitha kanë krijuar shtetet e tyre, por çdo ndodhë me 2 milionë shqiptarët?

Ky është fjalimi më rrëqethës i presidentit Ibrahim Rugova (VIDEO)

Në vitin 2001, më 28 nëntor, është vendosur monumenti i Skënderbeut në qendër të Prishtinës. Fjalën e rastit e kishte mbajtur Presidenti Ibrahim Rugova, atëherë ende në cilësinë e kreut të LDK-së.

Në fjalimin e tij Rugova kishte thënë se shumë gjenerata e kishin ëndërruar një ditë të tillë.

“Shumë gjenerata të mëparshme, si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja fëmijët tani, do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me heroin e vet. Do të ndihen më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot Kosova është e lirë, e bën të lirë nipat e tij dhe miqtë e Skënderbeut”, është shprehur Rugova me këtë rast.

Ky është fjalimi më rrëqethës i presidentit Ibrahim Rugova i mbajtur më 28 nëntor ditën kur u vendos monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë.

Më poshtë po ju sjellim fjalimin e plotë të presidentit Rugova. /KultPlus.com

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Ibrahim Rugova, intelektuali, politikani, akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, qysh në rinin e tij spikati me talentin e tij edhe në të shkruar, shkruan KultPlus.

Fryma e tij u ndje qysh herët, për të vazhduar rrugën pa ndalje, ku edhe sot ai mbetet një ndër figurat më të dashura për popullin shqiptar.

Kur ai ishte në moshën 18 vjeçare, dy poezi ju botuan në gazetën ‘Rilindja’.

“Le të rritet…”, është poezi e parë e botuar në Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ju sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës. /KultPlus.com

‘Demaçi nuk ka as mundësi të klonohet në këtë depresion kosovar’

Arbër Selmani – bursist i Sakharov 2018

Si njëri prej Sakharov bursistëve për këtë vit, reflektova shumë këto ditë mbi karrierën e Demaçit. Sidomos kur prej udhëtimit në Bruksel muajin e kalum i pata së paku dhjetë biseda të ndryshme me njerëz të tjerë rreth Demaçit, i cili kishte qenë i ftuar në ceremoninë e 30-të vjetorit të ndarjes së çmimit, por shkaku i shëndetit të përkeqësuar nuk erdhi.

Demaçi e ka marrë çmimin Sakharov në vitin 1991, vitin kur linda unë.

Ma shumë e dojshin Demaçin në Bruksel, se në Kosovë. Ose së paku, ma shumë atje fola për Demaçin sesa këtu. Në Facebook, ku bën roje gjithëdijësia e shqiptarëve, me rastin e vdekjes së Demaçit pashë komente prej “pak i ngushtëm” deri te “edhe ky ia ka huqë shpesh”, përfshirë këtu ngushëllimet për familjen. Në Bruksel, treguan për shëndetin e tij të përkeqësuar, për punën e tij, burgosjen disa herë, plus ishte interesant prej tyre me e taku dikë prej Kosovës për faktin se në tri gjenerata të bursistëve unë jam i vetmi prej Kosovës. Aspak i krahasueshëm me Rugovën e Demaçin që kanë marrë çmimin e madh Sakharov në vite të ndryshme. Në Bruksel Demaçin e përshkruanin si njeri të qetë, të butë, një mendje që e pati mahnitur edhe Parlamentin Evropian kur e pranoi çmimin Sakharov. Demaçin në Bruksel e pashë të barazuar me njerëz që kanë luftuar për kauzat e njëjta si ai, pa analizën shqiptare e cila shpesh është e vakët.

***
Demaçi ka kalu vite në burg, duke pasë ëndrra.
Demaçi nuk është Nelson Mandela i askujt. Ai është Adem Demaçi – një jetë si disident dhe një harresë kolektive e shqiptarëve në vitet e fundit të jetës së tij. Mandela poashtu e ka marrë Sakharovin, në vitin e parë të ndarjes. Demaçi dhe Mandela e kanë secili karrigen e vet në atë botë ku drejtësia ekziston dhe ku pishtarët e luftës për drejtësi e barazi kanë kolltukun e tyre pa komentet e të gjithëdijshmëve shqiptarë e kosovarë.
Politikanë, Demaçin kujtojeni, duke ndjerë pështirosje për veten tuaj dhe kuazi-kulturën që e shitni për njerëzillak.
Demaçi ka shkruar “Gjarpijt e Gjakut”, politikanët tanë që po i bëjnë nderime nuk i kanë lexuar as fletat e bardha që ju servohen në Parlament.

– Në momentin që më kanë tregu për bursën Sakharov 2018, dy emra më janë kujtu: Demaçi e Rugova. Duke i zhveshur prej çdo mangësie terciare, Rugova e Demaçi nuk ka as mundësi të klonohen në këtë depresion kosovar, edhe për shumë vite. Personalisht për mu janë dy prej emrave që të drejtat e njeriut në Kosovë i patën mendimin e parë të mëngjesit dhe misionin e vetëm në jetë. / KultPlus.com

Blerina Kllokoqi-Rugova shpërndanë ‘vizën e fundit’ për 10 vjetorin e karrierës

Jeta Zymberi

Disenjatorja Blerina Kllokoqi-Rugova, ndonëse ka 10 vite që është në tregun shqiptarë, ajo vazhdon të mbajë fuqishëm vendin që e ka zënë qysh në fillim, shkruan KultPlus.

Jemi mësuar që Kllokoqi – Rugova të na sjellë gjithmonë koleksione të veçanta përmes sfilatave ende më të veçanta, por kësaj radhe do të shohim diçka krejt ndryshe sipas disenjatores.

Ajo për këtë jubile ka vendosur të sjellë një mbrëmje madhështore me një koleksion të mahnitshëm.

Për gjithë këto vite të suksesshme, ajo falënderon njerëzit që ka përreth.

“Çdo punë, çdo koleksion dhe çdo fustan që e bëjë është inspirim për koleksionin e ardhshëm. Gjithë këtë sukses që e kam arritur për këto 10 vite është falë stafit profesional që e kam dhe përkrahjes së familjes”, është shprehur disenjatorja Kllokoqi – Rugova për KultPlus.

Ajo përveç që është përkujdesu që veshjet të jenë sa më kreative, një gjë të tillë e ka bërë edhe me ftesat për të ftuarit special në këtë mbrëmje.

Ftesat janë në formë “vizash”, duke iu përshtatur kështu edhe gjendjes aktuale politike në vend, ndonëse sot kjo çështje shkoi një hap para.

“Ky vit do të jetë krejt ndryshe. Ftesa është konceptuar si viza e fundit që jo vetëm unë si brend, por çdo biznes dhe çdo qytetarë me lëviz i lirë pa viza. Ftesa është e konceptuar si pasaporta e Republikës së Kosovës, ftesa është në vizën e fundit. Normalisht që gjithçka lidhet me vizionin e presidentit Ibrahim Rugovën, më dëshirën e tij që Kosova të jetë vend i pavarur dhe qytetarët të udhëtojnë të lirë”, është shprehur tutje disenjatorja për KultPlus.

Andaj, kjo mbrëmje e cila po tërheq interesimin e njerëzve, do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Mbrëmja mbahet më datë 20 korrik, ndërsa eventi do të jetë privat. Kllokoqi – Rugova premton që asnjëherë më herët nuk është bërë një event i tillë. Gjithçka mbetët të shihet më datë 20 korrik. /KultPlus.com