Bill Clinton: Njerëzit nga mbarë bota donin të dëgjonin rrëfimin për gurin e Rugovës (VIDEO)

Bill Clinton e kishte vizituar Kosovën në nëntor të vitit 2009, me rastin e ngritjes së statujës së tij në Prishtinë, ku gjatë kësaj vizite ai në një fjalim në Parlamentin e Kosovës kishte përfshirë edhe rrëfimin e tij për vizitën e Rugovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Bill Clinton e fillon fjalimin e tij me falënderim për njerëzit të cilët nuk janë të pranishëm por që kanë kontribuar mjaft shumë në sigurinë e Kosovës, kishte thënë se atë moment dëshironte ta shfrytëzonte për ta përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugovën.
“Do të doja të kujtoj paraardhësin tuaj i cili ishte një njeri i shkëlqyer”, pat thënë Clinton gjatë këtij fjalimi.

Tutje ish- presidenti i SHBA-së pat treguar për rëndësinë e një dhurate që i kishte dhuruar Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA, dhe se si ky gur unik u bë i njohur gjatë trajtimit të problematikës së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

“Kur më dhuroi një gur unik i cili ishte gjysmë kristal, gjysmë diçka tjetër nuk më tha krejt çka është, i cili u bë i njohur në Shtëpinë e Bardhë, derisa merreshim me problemin e Kosovës. Ai u bë i njohur si “guri i Rugovës” dhe njerëzit vijnë nga mbarë bota dhe dëshirojnë të dëgjojnë rrëfimin, kështu që kam një gur tjetër sot që do ta vendos në Nju Jork në mënyrë që të ju kujtoj” kishte thënë Clinton.

Po ashu Clinton pat treguar edhe rrëfimin që kishte ndarë me Rugovën lidhur me rëndësinë e kësaj dhurate për të dhe lidhjen që kishte kjo me vendlindjen e tij. Më pas Clinton tregoi dhe përgjigjen që kishte marrë nga presidenti Rugova, pas rrëfimit të tij.

“Mirëpo nuk e thash pjesën tjetër të rrëfimit kur presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur, unë ia sqarova atij se unë jam rritur në një vend që nga aspekti gjeologjik ishte i ngjashëm me Kosovën, vendlindja ime ishte burimi më i madh i kristalit të papërpunuar çdo kund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kur shkova larg në Universitet, unë si i ri fillova një kurs në gjeologji dhe kisha një profesor i cili nuk dinte se nga isha dhe ditën e parë që ishim në mësim më tha, vendi më interesant në SHBA nga aspekti gjeologjik është shteti i vogël i Arkansasit, aty ku isha rritur unë, dhe pastaj e përmendi vendlindjen time. Kështu kur ia tregova rrëfimin presidentit Rugova më tha ‘Atëherë duhet të na ndihmosh sepse është fati i tillë’, dhe është nder për mua që të jem këtu”, ishte shprehur Clinton gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti historik Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA gjatë vitit 1998, kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe ishte takuar me presidentin Clinton ndërsa ishte takuar edhe me media pas takimit me presidentin. Atë ditë Rugova e kishte cilësuar si ditë historike për Kosovën, shkruan KultPlus.
“Zonja dhe zotërinj sot ishte një ditë historike për Kosovën. Pranimi i kryetarit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë është një ngjarje historike. Jam shumë i nderuar dhe kërkuam që të bëhet diçka urgjentisht në ndaljen e dhunës dhe sulmeve në Kosovë. Zgjidhja më e mirë për Kosovën është një Kosovë e pavarur dhe kërkuam një fazë transitore për Kosovën që të ndalet dhuna dhe të kërkojmë një zgjidhje politike. Gjithsesi kërkuam një prezencë më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe një mbrojtje më të madhe”, kishte thënë presidenti Rugova pas këtij takimi./KultPlus.com