Abdyl Frashëri, ideologu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot, janë bërë 185 vite nga lindja e patriotit të madh shqiptar dhe njërit nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit.

Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi në fshatin Frashër të Përmetit.

Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.

Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.

Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjetshëm. Pasi kreu tri vite dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma. Në vitin 1886 u lirua me kushtin që të mos merrej me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit.

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

132 vjet nga vdekja e ideologut të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasës

Sot, përkujtojmë 132 vjetorin e vdekjes së veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit, Pashko Vasa (Shkodër, 17 shtator 1825 – Bejrut, 29 qershor 1892).

Pashko Vasa lindi në Shkodër aty ku edhe kreu mësimet e para dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane.

Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”.

Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).

Pashko Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër. / KultPlus.com

184 vite nga lindja e ideologut të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashërit

29 gushti, shënon 184 vjetorin e lindjes së atdhetarit shqiptar,Abdyl Frashërit, shkruan KultPlus.

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Ishte i biri i Halit beut dhe Emine hanëmit. Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahori

Ai u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare.

Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit).

Sipas tij zgjidhja më e përshtatshme (ne përkohëshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. 

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com