‘Tërë jetën u mundova me ba Shqipni, por zor qenka, bre…’

Shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e Shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim të Shtetit shqiptar, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi.

Gjilani me rrethinë zë vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë e tij më të mirë.

Njëri ndër udhëheqësit kryesor, që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.

“Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës 100-vjeçare, bashkë me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pa Shqipërinë e pavarur zor se sot të kishim Kosovën shtet.

Historiani Aliriza Selmani pati thënë se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare.

Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij.

Seferi vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka. Historiani Rasim Rexhepi thotë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.

“S’PO MUJ ME IA KTHY SHPINËN MILETIT…”

Shkrimtari Sabit Rrustemi thotë se e ka pyetur njëherë bacën Lush pse Idriz Seferi nuk shkoi në Vlorë, si Isa Boletini. E ai i kish pas thënë: Kur kishin fol me Hasan Prishtinën, ai u kish pas thanë cili po shkoni me ruajt Ismajl Qemalin, edhe Qeverinë? “I pari kish kcy Isë Boletini. Qe, le t’ fol Idriz Seferi. Edhe ky i joni i kish dredh mustaqet njëherë, kish kesh pak ndër buzë se e kish pa qefin e Isës për me shkua… – Mirë pra, po foli mbasi po kërkon prej meje Isa Boletini… Unë po rri me këta trima se nuk muj m’i lanë vetëm. Le t’ shkojë Isa se asht edhe pak ma i ri. S’po muj me ia kthye shpinën këtij mileti…” / KultPlus.com

Në Gjilan promovohet libri “Idriz Seferi një jetë për Shqipëri”

Në Gjilan sot është bërë promovimi i librit “Idriz Seferi, një jetë për Shqipëri” i cili është monografi e përgatitur nga punimet shkencore të 20 studiuesve dhe punëtorëve shkencor të historisë, që është mbështetur nga kryetari i Komunës dhe është përgatitur nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” nga Gjilani.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se figura e Idriz Seferit është një mburojë gjigante e lirisë së shqiptarëve dhe emër që na obligon të punohet më shumë që ideali i shqiptarëve të jetë sipas projeksionit që heronjtë dhe të rënëve ndër breza.
“Gjilani ka tashmë shtatoren e kolosit të madh të Idriz Seferit në qendër të qytetit, i cili është një mburojë e fuqishme e lirisë së shqiptarëve. I vendosur me pamje kah lindja na lë të kuptojmë se është koha që vazhdimisht të punojmë për lirinë e shqiptarëve kudo që janë dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Kemi dy shtete të shqiptarëve në Ballkan, por poaq jashtë këtij territori. Amaneti i dëshmorëve dhe heronjëve ishte për bashkimin e trojeve dhe duhet të gjithë shqiptarët të bashkohen për realizimin e këtij amaneti”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka potencuar se edhe kjo festë e Flamurit Kombëtar po i gjen shqiptarët të ndarë padrejtësisht në shumë pjesë.

“Edhe ky nëntor shqiptarët i gjen të ndarë në shumë territore dhe në dy shtete. Sot me shumë vështirësi mund të shkohet në vendlindjen e Isa Boletinit, kurse për vendlindjen e të parëve të Idriz Seferit pothuajse është e pamundur të vizitohet. Është koha që Prishtina, Tirana dhe fqinjët tanë, ta kuptojnë se bashkimi i shqiptarëve askënd nuk e pengon dhe bashkimi është i natyrshëm”, ka thënë ai.

Kurse, Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ka thënë se libri është me një përmbajtje të veçantë të jetës, punës, luftës dhe angazhimit të madh që ka dhënë Idriz Seferi deri në vdekje.
Në anën tjetër, Naim Musliu, kryetar LHK “Ali Hadri” në Gjilan, ka thënë se ky libër ka ardhur deri në dokumentim të tij pas simpoziumit shkencor të mbajtur në marsin e vitit 2017, ku punimet shkencore të lexuara në këtë event, sot janë të botuara në këtë libër, i cili është mundësuar të shtypet me mbështetjen financiare të Komunës së Gjilanit.

Me referimet e tyre janë paraqitur edhe Nexhmedin Sejdiu dhe Blerim Haziri, të cilët kanë përmbledhur aspektin shkencor, profesional dhe përmbajtjesor të librit që sot është promovuar në kuadër të festës së flamurit kombëtar./ KultPlus.com