Liridon Mulaj
dhe pas lamë fushat e grurit
kodra e brezore ujitur me gjak.
Muralet dhe të zymtat portrete të diktatorit
stërzmadhuar ballinave me
tulla të bardha
Dhe nënat syshqyera,
varur kangjellave të zeza
më të errëta se nata,
më të mprehta se klithmat.
“Siamo liberi” puthem
me dorë ekranët e botës,
ende mbi anijet e ankoruara|
ku ngarkuar dyndeshin ëndërrat
e një etiketimi fillestar
“popull nomad”
dhe s’dihej në qanim apo qeshnim
dhe s’dinim në ishim të lumtur apo të trembur
ndaj mbulonim fytyrat me duar
dhe portretet i maskonim me shkrehje ne lot.
Kthenim kokën pas,
dhe shihnim shputën e atdheut ,
dhe gishtin drejtuar kërcënueshem drejt
“halabakëve” mbi kuverta
ndërkohë njëzëri këndohej marsejeza,
apo “Liberta”
dhe na ngjante sikur zëri ynë
mbivendosej mbi kujën e atdheut
që vajtonte ikjen tonë.
Ndaj ne ikëm, ikëm, ikëm
të trembur
nga shëmbëlltyra e jonë,
nga vetja…. / KultPlus.com