Ikona e qëndisur e Shën Gjergjit, shembull i trashëgimisë artizanale

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në kuadër të programit “Edukimi Përmes Kulturës”, solli në vëmendjen e publikut vepra me temë “Origjina dhe artizanati”, pjesë e fondit të tij, duke u përqendruar tek qëndistaria. Muzeu publikoi Ikonën e Shën Gjergjit. Ajo vjen në stilin oriental, e qëndisur me fije ari dhe mëndafsh, si edhe e zbukuruar me elemente të tjerë, për t’i dhënë shkëlqimin e duhur.

Figura e shenjtit zë pjesën më të madhe të kompozimit. Ai paraqitet i hipur në kalë të bardhë, i veshur me armaturë të zbukuruar me motive floreale duke vrarë dragoin.

Qëndistaria është një nga elementet kryesorë tradicionalë, i kaluar brez pas brezi, kryesisht nga vajzat dhe përdorej jo vetëm për të zbukuruar veshjet, por edhe për të dekoruar ambientet e banimit.

Më herët, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, është shprehur për ciklin e aktiviteteve “Origjina dhe artizanati”, duke thënë se “çdo element i trashëgimisë kulturore është një vepër arti më vete, e kuruar deri në detaj nga artizanët tanë”.

Në fokus të programit “Edukimi përmes Kulturës” do të jetë njohja me trashëgiminë kulturore, dhe përcjellja ndër breza e punëve të dorës, si dhe njohja me krijmtarinë artistike, artizanale në qarkun e Korçës.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në fondet e tij përmban shumë elementë popullorë, të cilat ekspozohen si një shembull i mirë i pasurisë sonë kombëtare./atsh/ KultPlus.com

Ikona “Shën Gjergji”, vepër e Sofia Zengos e pikturuar në 1941

Ikona “Shën Gjergji” sipas firmës që mban në krahun e djathtë është vepër e Sofia Zengos, njëra prej katër vajzave të ikonografit të njohur dardhar Vangjel Zengos, e cila vazhdoi rrugën e të atit.

Kjo artiste përfundoi studimet në vitin 1941 në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. Prej saj ruhen vepra të shumta në GKA Tiranë, në MKAM Korçë , në Galerinë “G.Madhi” Korçë dhe koleksione private.

Ikona është pikturuar në vitin 1941 me kontributin e Gaqo Naum Stathit. Kulti i Shën Gjergjit duke vrarë dragoin është mjaft i përhapur në Lindjen Ortodokse. Shën Gjergji respektohet si një nga martirët më të mëdhenj të krishtërimit, si rrjedhoje ikona e tij është nga më populloret.

Në këndvështrimin ikonografik ajo ilustron një skenë nga jeta e shenjtit, momentin kur ai vret dragoin e tmerrshëm. Si ushtar në shërbimin e Perandorit Dioklecian ai u ngrit në rangun e strategut dhe u martirizua po me urdhrin e tij.

Kjo temë është nga më të lëvruarat në pikturën pasbizantine dhe paraqet aktin heroik të vrasjes të dragoit. Ajo bazohet në një legjendë të shek.V në Libi. Dragoi adhurohej si hyjni nga paganët e atjeshëm. Ata e zbusnin duke i dhënë fëmijët e tyre. Kur ishte radha e vajzës të mbretit u shfaq Shën Gjergji mbi kalin e bardhë , e goditi atë me shtizë duke e mbërthyer në tokë. Çlirimi nga dragoi simbolizon çlirimin nga paganizmi.

Në këtë ikonë episodi paraqitet në mënyrë të reduktuar vetëm me elementët kryesorë. Shenjti këtu paraqitet në aktin final kur i ngul shtizën dragoit të tmerrshëm. Figura e tij veshur me pancir dhe pelerine të kuqe dominon kompozimin. Kali i bardhë është ngritur në dy këmbët triumfues mbi dragoin e shtrirë në këmbët e tij ndërsa Elisabeta në cepin e djathtë ndjek në ankth skenën.

Në modelimin e figurave dhe të peizazhit Sofia Zengo vazhdon në gjurmët e të atit në traditën e Malit të Shenjtë të fund-shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Vëllimet janë të plota, modelimi realist dhe skena pikturohet në mënyrë natyraliste. Në krahun e djathtë pranë kështjellës që rrethohet nga bimësia e dendur shihen disa qiparisa ndërsa në të majtë një pemë e madhe. Elementët florealë të pikturuar këtu duket se nuk kanë ndonjë ngarkesë simbolike. Ato janë thjesht pjesë e peizazhit në të cilin po ndodh ngjarja. / KultPlus.com