Ekspozita e çelur në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar (MKAM) në Korçë ekspozon 13 ikona, të cilat i prezantohen publikut për herë të parë pas punës restauruese që është bërë mbi to.
Ekspozita “Piktura bizantine në Shqipëri” është një ekspozitë e përkohshme. Një prej veprave të ekspozuara është “Ngritja në qiell”, pikturuar nga atelieja e vëllezërve Zografi, nga Korça, për manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, Korçë. Sipas MKAM, kjo skenë është e pasur me simbolizma, të cilat janë përshkruar në Ungjijtë e Lukës dhe Markut. Tipar dallues i veprave ikonografike të K. & A. Zografi, janë skenat e tyre masive dhe dinamike. Mali i ullinjve në të cilin ndodh ngjarja, paraqitet me bimësi të pasur dhe të harlisur. Paraqitja e pemëve të ullirit përbënte një element ikonografik themelor, duke e vënë në dukje këtë simbol të paqes, e cila shënon shpresë për një jetë të re.
Një tjetër ikonë me rëndësi është ajo e Shën e Dielës, ikonë që origjinën e ka nga Kisha E Ristozit në Mborje të Korçës. Ikona e Shën e Dielës daton që nga shekulli i 14-të. Në të paraqitet Shën e Diela, një martire e madhe që nderohet nga Kisha Orthodhokse dhe ajo Katolike. U martirizua në kohën e perandorit Diokletian në Kalkedona.
E mori këtë emër nga prindërit e saj pasi lindi ditën e dielë. Portreti dhe pjesët e mishta jane pikturuar me konture të theksuara e me ngjyrë të errët, me okër dhe pa shumë tonalitete.
Kontrasti është i fortë, pothuaj grafik. Stili i pikturimit është i ngjashëm me atë të muraleve në kishat heremite të Prespës dhe muralet e kishës të Ristozit në Mborje.
Tjetër ikonë të cilën MKAM e veçon përmes postimeve në rrjetet sociale, është ajo e “Kryqëzimit të Krishtit” nga Kisha e Ungjëllizimit në Berat. Kjo ikonë është realizuar përmes teknikës tempera mbi panel.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë. Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit./ atsh / KultPlus.com