Naile Demiri
Poezitë që shprehin harmoni midis fizikes e shpirtërores
Një vepër letrare, një përmbledhje e poezive, “Zemra që të bije tamam”, e poetes tani të dëshmuar për talentin e saj poetik, prof. Dije Demiri- Frangu, e përbërë nga tetëdhjetë e tre poezi të ndryshme, duke prekur majat e imagjinatës së fëmijëve, është një vepër briliante poetike, e lexohet me vëmendje, shihet se i vë në funksion fuqitë imagjinative të fëmijëve, që priten shumë shpejt të shpien drejt njohjes së realitetit dhe krijimit të kushteve për një jetë sa më njerëzore.
“Zemra që të bije tamam” me fizikë të fëmijës shpreh një harmoni të plotë në mes të fizikës, shpirtërores dhe të menduarit deri edhe tek ato imagjinatave. Ndjenjat, dëshirat, përjetimet emocionale, motivet, nevojat, e deri te imagjinatat funksionojnë e harmonizohen në personalitetin e fëmijës vetëm atëherë kur zemra e tij i bije tamam fizikës së tij. Thënie e vjetër e një pedagogu “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.
Poezia është një ndër krijimtaritë më të spikatura të artit letrar. Si gjini e letërsisë, poeti shpreh botën e brendshme, ndjenjat më sublime të tij përmes vargut, pra është gjini letrare ku porosia e poetit shprehet me vargje, sikur në këtë përmbledhje poezish ku prof. Dije i plason porositë e saj. Vetë poezia shprehet me figura stilistike siҫ janë: metafora, krahasimi, hiperbola, litota etj..
Struktura e poezisë së prof. Dijes, është e ndërtuar mirë dhe është shumë e qëndrueshme. Vargu, rima, figurat stilistike e elementet tjera të strukturës së poezisë moderne të poetes nxjerrin si flakadan artistiken dhe kënaqin shpirtin e fëmijës dhe të lexuesit. Ato prekin majat e artit poetik.
Rima si kombinim i dy e më shumë vargjeve të një poezie, në poezinë e znj. Demiri shprehet bukur e qartë, duke i dhënë poezisë vlerë estetike, ku gërshetohet përmes fijeve estetike nga e bukura në të madhërishmen, nga imagjinata në konkreten.
Vargu poetik i poetes Dije Demiri- Frangu përshkohet nga vargu AABB, rima e puthur; nga vargu ABAB, rima e kryqëzuar; nga vargu ABBA, rima e alternuar; nga AAAB, rima e vargut të fundit përputhet, i jep kuptim vargut të fundit të strofës tjetër, etj, Ja se si e ndërton vargun poetja:
“Kam lindur në çastin
Kur shpërthente një gonxhe në Tibet
E në gjithë kopshtet e botës lëshonte aromë
Si unë frymën në këtë qytet” f. 10.
Ndonëse ka vende, poezi, që poetja nuk udhëhiqet nga vargu, por me një gjuhë të fuqishme artistike ajo shpreh ndjenjat e saj ku lexuesi mahnitet në dendësinë e artistikes.
Poetja me kujdes të veçantë në poezinë e saj udhëheq me figura stilistike nga alegoria, metafora e deri te figurat e sintaksës poetike, siҫ janë; asidenti, polisidenti, etj..
Poezia faqe 33, e kësaj përmbledhje “Asnjëri nuk mbet fëmijë” ngërthen në vete anën edukative, raportet shoqërore, fuqitë ndërtuese të personalitetit të fëmijës, marrëdhëniet familjare e deri te iniciativa e vetë angazhimit për një botë më magjepsëse. Jo fëmija të rritet pa diell e të mbyllet në Facebook.
“ O në këto rrjete sociale
Më shumë po hamë nervozë sesa po pimë bozë
I kamë fshirë të gjitha fushat
Edhe topin në livadhe
Gjyshja me të drejtë pisket:
I qitën edhe fëmijët fare
Si po rriteni kështu pa diell, o medet
Të gjithë u bënë të rritur e me Facebook
Asnjë fëmijë nuk mbet, o medet”.
Ose poezia “Gabojnë fëmijët” f. 96.
Gabojnë fëmijët
Kur me një fjalë vrasin lojën
Kur pas sheqerkave nuk e lajnë gojën
Kur pinë duhan gabojnë sa janë të mëdhenj
E bëhen të zinj si ndonjë tren.’
Vepra poetike “Zemra që të bije tamam” është një nga veprat e rralla në letërsinë shqipe për fëmijë, prandaj konsideroj se ka nevojë që kjo vepër të gjendet në bibliotekën tuaj familjare, ngase vërtetë ka fuqi frymëzimi, socializmi, edukimi e arsimimi. Me vargun poetik, poetja depërton në botën e fëmijëve duke ua trasuar rrugën e kërkuar./ KultPlus.com