Ilaz Bylykbashi publikon një fotografi të rrallë të Fehmi Lladrovci para gjyqit serb (FOTO)

Është publikuar sot një fotografi e rrallë e pa parë më herët e Fehmi Lladrovcit, njërit prej figurave kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra në luftime kundër forcave serbe 24 vjet më parë.

Fotografi Ilaz Bylykbashi, ka publikuar një fotografi të Lladrovcit para gjygjit në vitin 1984.

“Për mos me u harrue: Fehmi Lladrovci i akuzuar për veprimtarinë e tij atdhetare!”, ka shkruar Bylykbashi.

Për shkak të veprimtarisë politike, Fehmi Lladrovci ishte burgosur nga forcat policore serbe në fillim të shtatorit të vitit 1985 dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim. Dënimin e kishte vuajtur fillimisht në burgun hetues të Prishtinës dhe më pas në atë të Gjilanit.

Fehmiu, bashkë me gruan e tij, Xhevën ranë bashkë dëshmorë më 22 shtator 1998 pas luftimeve disa orëshe me forcat serbe në Gradinë. / KultPlus.com

Buxhovi për fotoreporterin Iliaz Bylykbashi: Kronist i kthesave historike

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi ka ndarë me ndjekësit e tij një fotografi me fotografin e njohur, Iliaz Bylybashi të cilin e ka cilësuar si kronist i kthesave historike, përcjellë KultPlus.

Bylykbashi ka bërë një punë të madhe sa i përket dokumentimit sidomos të masakrës së forcave policore dhe ushtarake jugosllave në dimrin dhe verën e vitit 1998, veçmas ato ndaj masakrës së ushtruar ndaj familjes së Jasharajve në Prekaz dhe të tjerat në pranverën e vitit 1999.

“Takimi me mikun dhe kolegun e “Rilindjes”, fotoreporterin Iliaz Bylykbashi , pashmangshëm kthen te vitet 1981-1999. Vite këto të kthesave të mëdha historike, përvijimet e të cilave, me një besnikëri të jashtëzakonshme, i fiksoi kamera e aparatit të tij fotografik. Sot, kur koha, shumë ngjarjeve, ua ka vu pluhurin e harresës ose janë heshtur qëllimisht nga ata që kanë dashtë asaj t’ia ngatërrojnë pamjen në përputhje me interesat e caktuara, fotografitë e Iliaz Bylykbashit, ngjarjeve të atyre kohëve, ia rikthejnë gamën e objektivitetit historik në përmasat komplekse që kishin nga demonstratat e vitit 1981, dhuna që përdori regjimi i Beogradit kundër demonstruesve dhe kërkesës gjithëpopullore për Republikën e Kosovës e deri te përgjigjja që iu dha rrënimit të autonomisë së Kosovës me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989, ku edhe fillon lëvizja e rezistencës kombëtare, që me shtetin paralel, ku përfshihet edhe rezistenca e armatosur që do të kulmojë në vitin 1997 me daljen në skenë të UÇK-së, do të vejë në binarët e pandalshëm historik shtetin e Kosovës”. Shkruan Buxhovi.

Tutje, shkrimtari ka potencuar që në këtë zhvillim historik, kamera e Bylykbashit, ishte e pranishme kudo. Por, fotot e bëra gjatë masakrës së forcave policore dhe ushtarake jugosllave në dimrin dhe verën e vitit 1998, veçmas ato ndaj masakrës së ushtruar ndaj familjes së Jasharajve në Prekaz dhe të tjerat në pranverën e vitit 1999, paraqesin dëshmitë më autentike të një krimi shtetëror me ndihmën e aparatit policor dhe ushtarak, që nuk kurseu as fëmijët dhe të moshuarit!

“Si të tilla, këto foto, si dëshmi autentike, që flasin më shumë se mijëra fjalë, duhet të gjejnë vend në një botim të veçantë, që do t’i referohen kujtesës historike, po të shërbejnë edhe si dëshmi e faktimit të krimeve kundër njerëzimit, që përdori regjimi i Beogradit me soldateskën e tij në Kosovë, që u ndërpre me ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999”, shkruan Buxhovi. / KultPlus.com