Vazhdojnë reagimet për këngën e Shkurte Fejzës e Gresa Behlulit, përfshihet edhe Ilir Berani

Edhe sot ka vazhduar debati lidhur me këngën e publikuar nga Shkurte Fejza dhe vajza e saj, Gresa Behluli, me titull “Nuse, mësuese”.

Liridona Sejarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në emisionin #gjesi në T7, ka thënë se këngët e tilla nuk do të duheshin të këndoheshin në një vend si Kosova ku dhuna ndaj grave është në përmasa shqetësuese.

Kjo, sipas saj, është cenim i të drejtave të grave.

“Këngët e tilla përfaqësojnë në një farë forme normën. Nuk do të duhej me u riprodhu e me këndu, kur e dimë se dhuna ndaj grave është ekuivalente dhe ndihmohet prej këtyre normave. Për neve me u portetizu sot kjo është cenim i të drejtave të grave, për ne këto kanë qenë nëse muj me thanë çështjet më problematike. Gjuha, kënga e folklori kanë rëndësi në shoqërinë tonë, sepse deri vonë e kemi ushqy gjuhën përmes folklorit dhe përmes këtyre këngëve që i kemi pa si shumë të rëndësishme”, thonë nga kjo qendër.

Ajo ka pasur një mesazh edhe për tekstshkruesin, Ilir Berani.

“Problemi qëndron në atë se kush i shkruan tekstet, tekstshkruesi është një burrë, është Ilir Berani, e ai duhet me kërku falje. Kjo mundet me qenë një alarm më shumë për ta sesa për interpretuesit. Ata vetëm i dëgjojmë. Fenomeni i seksizimit e gjuhës së urrejtjes e përfshin krejt estradën tonë. Na kemi me vazhdu edhe me këngët e tjera, për këtë që ne duhet me pas sukses, duhet me na u bashkëngjit edhe mediat”, ka thënë Sejarina.

#Gjesi ka kontaktuar edhe tekstshkruesin e këngës, Ilir Berani.

Në një përgjigje për T7, ai ka treguar porosinë që ka kënga.

“Teksti e ka porosinë “Zgjedhi fjalët me mjaltë”, për me i afru njerëzit, ky është qëllimi i këngës”, ka thënë ai. /KultPlus.com

Ky është autori i këngës “Nuse, mësuese”, që u vlerësua si tekst që shkelë gruan (FOTO)

Kënga “Nuse, mësuese”, që gjatë ditë së sotme morri një vëmendje të madhe dhe u kritikua për përmbajtjen e  tekstit të saj si promovim i nënshtrimit të grave është shkruar nga kompozitori i njohur kosovar Ilir Berani, shkruan KultPlus.

Kompozitori Berani deri më sot ka kompozuar një numër të madh të këngëve të cilat ndër vite kanë qenë disa prej hiteve më të mëdha e më të dëgjuara të kohës.

Mirëpo kënga e fundit e kënduar nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli ka marrë një vëmendje të madhe dhe një numër të madh të komenteve negative pasi që konsiderohet që nxitë nënshtrimin e grave.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore gjatë ditës së sotme ka reaguar nëpërmjet një statusi ku ka shkruar se këngë të tilla i kontribuojnë vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.

Kurse vetë këngëtarja, Gresa Behluli ka reaguar duke shkruar se nëpërmjet kësaj kënge kanë tentuar që nëpërmjet këtij teksti të bëjnë satirë dhe të ironizojnë me botëkuptimet e ndryshme mes gjeneratave.

Më poshtë gjeni tekstin e këngës “Nuse, mësuese”:

Ah moj nuse sikur msuse

N’shpi t’burrit mban ligjërata

S’po t’pëlqejnë ty punt e vjehrrës

S’po t’pëlqejnë çka thonë kunatat

Mori nuse vezulluse

Ma e reja je n’ket shpi

Dikush tjetër ma i vjetër

Pun’t ma mirë se ti i di

Ref…x2

Fjala prish e fjala ndreq

Zgjidhi nuse ma mirë fjalt

N’daq pun’t mos me i pas keq

Zgjidhi nuse fjalt me mjaltë

Ah moj nuse lumja nuse

Bijat për ty e shqyen defin

Me gëzim të madh ty të kanë pritur

Prandaj ti mos jau prish qejfin

Me fol but e me dëgju

Nana ty nuse t’ka mësu

Vjehrrën me e respektu

Ti nderon prindërit e tu

Ref…x2

Fjala prish e fjala ndreq

Zgjidhi nuse ma mirë fjalt

N’daç punt mos me i pas keq

Zgjidhi nuse fjalt me mjaltë

Ref…x2

Fjala prish e fjala ndreq

Zgjidhi nuse ma mir fjalt

N’daç punët mos me i pas keq

Zgjidhi nuse fjalt me mjaltë./ KultPlus.com