Ilir Ikonomi, autori që spikati shpirtin e Fan Nolit: Ai duhet të vazhdojë të prehet në varrin madhështor që ka në Boston, jo të kthehet në Shqipëri

Era Berisha

“Bota kënaqet me gënjeshtrën, që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë.” Është një nga thëniet më të famshme që na vjen nga poeti, diplomati, publicisti dhe shqipëruesi, Theofan Stilian Noli i njohur ndryshe me emrin Fan Noli, dhe një e tillë na lidhë pikërisht me penën e autorit Ilir Ikonomi, i cili të vërtetat e prapaskenave të jetës e veprimtarisë së Nolit, na i ka plasaritur përpara syve nëpërmjet librit biografik të tij më të fundit, “Fan Noli – Apostulli”, shkruan KultPlus.

Noli, figura më e debatuar politike dhe historike është rijetësuar me botimin e vëllimit të parë të librit “Apostulli” në një formë të atillë që nuk e kemi lexuar deri më tani. Ky fundvit e ka gjetur autorin Ikonomi në një atmosferë plot magji, aty ku faqet e libri të tij, të bëjnë të digjesh nëpërmjet rreshtave, të frymosh me to, e të kuptosh rëndësinë e figurës së Nolit si kurrë më parë.

Biografia e jetës së Fan Nolit tashmë është e përshkruar në dhjetëra shkrime të botuara kudo në botë, por është pikërisht kjo figurë gjigande që e ka ngacmuar autorin Ikonomi për t’i përvjelë mëngët e për t’iu përveshur punës për ta sjellë në dritë ‘Apostulli’, suksesin e të cilit as ai vetë nuk mund ta shijonte aq shumë, për shkak të frikës nga përgjegjësia përpara lexuesit si dhe kohës së pamjaftueshme për të vazhduar me shkrimin e vëllimit të dytë të librit që konsiderohet si sfida e tij e radhës, ngaqë nuk dëshiron t’i zhgënjejë lexuesit besnik të tij.

Për të shkruar për figurën shumëdimensionale të Nolit, nuk do të ishin të mjaftueshme as të gjitha letrat në botë, por veprimtaria e tij në fushën politike, diplomatike, klerike, poetike, publicistike dhe shqipëruese, së fundmi është përmbledhur në 430 faqe në librin “Apostulli”. Autori Ikonomi studioi mbi 40 mijë faqe në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe.

Vendimin për të shkruar jetën e Nolit e mori me shumë ngurrim, pasi që Noli është një figurë mjaft e respektuar mes shqiptarëve, prandaj droja e tij ka qenë se mos portreti që mund të jepte, të ishte i paplotë. Noli si një figurë e komplikuar ka lëvruar shumë fusha dhe detyra e Ikonomit ishte të lexonte gjithçka që ishte shkruar, përpara se ta shkruante vetë. Kjo qe një sfidë e madhe që po e merrte përsipër prandaj edhe ngurroi për një kohë të gjatë. I thoshte vetes: “Le të mos jetë libri im më i miri në këtë fushë, por të paktën të shtoj edhe unë diçka të re në studimet për Nolin.” Dhe kështu nisi gjithçka.

‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar e vizionar. Materialet që autori Ikonomi ka siguruar për Fan Nolin, janë më shumë se një libër, andaj edhe është paraparë të ndahet në dy vëllime. Sipas tij, për Nolin mund të flitet shumë. Vëllimi i parë, edhe pse ka 430 faqe, mund të kishte shumë më tepër, aq shumë gjurmë ka lënë Noli mes shqiptarëve të Amerikës në vitet 1906-1920, periudhë kjo që autori ka trajtuar deri më tani.

Konsiderohet se çështja qëndron tek sintetizimi i një numri të pranueshëm faqesh me gjithë këtë material. Ndonjëherë autorit i është dashur të heq edhe faqe të tëra për hir të konçizitetit. Ai thotë se çdo njeri që i hyn një pune të tillë duhet të ketë parasysh se do të ketë edhe humbje, por që rëndësi ka që gjithsecili të tregohet modest me punën e vetë.

“Nëse e kuptojmë që jemi zgjatur shumë diku, nuk duhet të ngurrojmë të përdorim gërshërën.”

Pa dhënë ndonjë gjykim apo vlerësim mbi figurën e Nolit, autori Ikonomi tashmë ka bërë të qartë se ka sjellë fakte mbi jetën dhe veprimtarinë e Nolit, pa dhënë ndonjë qasje udhëzuese për lexuesin. Ka larguar shumë enigma mbi figurën e Nolit, por aty gjejmë edhe fakte që jepen për herë të parë.

“Është e vërtetë se nuk përpiqem t’i bëj moral lexuesit, t’i tregoj se çfarë duhet të mendojë për Nolin. Mënyra apo teknika ime e të shkruarit në fakt e ndihmon lexuesin të gjykojë vetë, pa ndihmën e autorit. Ka shumë fakte në librin tim që jepen për herë të parë. Por më shumë se kjo, unë i vë rëndësi lidhjes së fakteve në një kontekst të vetëm dhe jo paraqitjes së tyre si kuriozitete, të shkëputura nga tabloja e përgjithshme”, thotë ai.

Në vëllimin e dytë ai po ashtu do të ndjek të njëjtën qasje dhe do të ketë fakte të tjera të panjohura, por gjithmonë me synimin për të dhënë një portret sa më të plotë e të saktë të Nolit, sepse qëllimi është që lexuesi të kuptojë sa më mirë se cila ishte kjo figurë dhe çfarë vendi kishte në sfondin më të gjerë të kohës ku veproi.

Ilir Ikonomi tashmë është patentuar për figura të mëdha, dhe para librit për Nolin, ka publikuar libra për Esat Pashë Toptanin, Faik Konicën, Ismail Qemalin, figura këto që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit shqiptar. Vërehet se autori Ikonomi aspak nuk frikësohet nga figurat e mëdha, përkundrazi, ai na e sjell një magji fjalësh që përkon mes rreshtave nëpër librat e tij.

“Të zbulosh jetën e emrave të mëdhenj të historisë për mua është diçka sublime. Frika qëndron te vëllimi i madh i punës që duhet për t’i studiuar këto figura. Më pëlqen të flas për njerëzit në emër të kombit, ata njerëz që vepruan në periudhat më kritike të formimit të shtetit shqiptar. Mund të kisha zgjedhur personazhe lokale, por ndiej se kemi shumë figura kryesore, për të cilat nuk është folur sa duhet, prandaj mendoj se ia vlen të zbulojmë ato më parë. Figurat e rëndësishme janë të ngarkuara me histori të rëndësishme. Duke shpjeguar ato, ne në fakt shpjegojmë historinë e vendit tonë”, ka thënë Ikonomi.

Nga ana tjetër, ai mendon se sa më shumë biografi të tilla të kemi, aq më mirë është dhe aq më shumë horizont i hapim lexuesit. Ai merr shembullin se qysh në Amerikë ka qindra, ndoshta mijëra libra për Xhorxh Uashingtonin, presidenti i parë i vendit që luftoi për pavarësinë nga Anglia, apo për Abraham Linkolnin, presidenti që e udhëhoqi Amerikën përgjatë një lufte të tmerrshme civile, prandaj konsideron që secili autor paraqet pikëpamjen e tij të veçantë, jep vështrimin e tij dhe kjo për të, është diçka e mirë.

“Mendoj se ne ende nuk kemi sa duhet biografi të njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare.”

Në ndërkohë në këto publikime, nuk gjejmë asnjë figurë grua të rëndësishme të historisë apo kulturës shqiptare, mirëpo për këtë, autori Ikonomi është shprehur se për të nuk ka rëndësi gjinia, teksa na ka lënë të shpresojmë që ndoshta në të ardhmen do të trajtoj një grua, natyrisht nëse gjen material interesant për një personazh të tillë. Ai nuk la pa përmendur gratë që kanë qenë me rëndësi në historinë tonë, si: Motrat Qiriazi apo Dora D’Istria.

Ne u kthyem prapë tek biseda rreth librit për Fan Nolin që u promovua fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në Prishtinë. Autori Ikonomi na tregoi se disa miq do të organizojnë përpara Krishtlindjeve një promovim të ‘Apostullit’ në Nju Jork dhe aty do ta ketë rastin të flas për librin dhe për procesin e shkrimit të tij. Por, promovimet për autorin mbeten në një farë mënyre, thjeshtë të kota.

“Nuk jam shumë i dhënë pas promovimeve. Thellë në vetvete mendoj se nëse një libër është i shkruar mirë, nuk ka nevojë për promovim. Të tjerë nuk mendojnë kështu. Me kalimin e kohës, vetvetiu një libër reziston dhe pëlqehet, ose shuhet në pafundësinë e botimeve. Kam patur propozime për ta promovuar Apostullin edhe në dy shtete të tjera amerikane. Promovimet shpesh kthehen në qoka dhe lavdërime të tepruara për autorin, çka për mua është gati e padurueshme, prandaj edhe u rri larg atyre. Do të doja të dëgjoja sa më shumë kritika. Disa që e kanë lexuar Apostullin më kanë bërë vërejtje, të cilat unë i marr shumë seriozisht. Gjithsesi, dëshira ime është që gjatë promovimeve lexuesit të thonë hapur atë që mendojnë, sepse kështu më ndihmojnë. Kur ndaj një libri shprehen kritika, kjo absolutisht nuk ia ul librit vlerat. Mendoj se kur lexuesit kritikojnë, kjo tregon se ata e kanë lexuar librin me vëmendje dhe kjo më gëzon”, shprehet Ikonomi.

Fan Noli konsiderohet aset i popullit shqiptar, por si një vulë të madhe mbi figurën e tij, e mban mërgata shqiptare në Amerikë. Së fundmi është iniciuar që eshtrat e Fan Nolit të sillen nga Amerika në Shqipëri (Tiranë) dhe autori Ikonomi këtë iniciativë nuk e ka pritur aspak mirë.

 “Nuk më duket ide e mirë që eshtrat të kthehen në Shqipëri. Nuk kam dëgjuar që Noli ta ketë patur një dëshirë të tillë. Ai jetoi rreth 44 vjet në Amerikë, ku realizoi veprën e tij më të madhe, Kishën Shqipe. Kjo kishë e ka lidhur atë përjetësisht me Amerikën. Të mos harrojmë se në Amerikë Fan Noli gjeti lirinë e besimit dhe të shprehjes, të cilat i përdori për të realizuar këtë ëndërr të tij. Në Amerikë ai punoi për të kulturuar bashkatdhetarët dhe për t’i edukuar me frymën e lirisë dhe të çlirimit. Në Amerikë ai realizoi disa nga punët e tij më të mëdha. Në Shqipëri Noli qëndroi pak vjet dhe pati shumë zhgënjime. Qysh në vitin 1920, kur u përpoq të hyjë atje, qeveria nuk e lejoi dhe ai u detyrua të kthehej në Itali. Për ta mbajtur larg, qeveria e emëroi si përfaqësues në Gjenevë. Një vit më vonë, kur do të kthehej nga Gjeneva në Tiranë, ministrat gjenin lloj-lloj arsyesh që ai të mos vinte”, ka thënë ai.

Sipas tij, Noli u përpoq të bëjë reforma në Shqipëri, por dështoi. Qeveria që formoi në vitin 1924 rezultoi e brishtë dhe u rrëzua për një sërë shkaqesh, andaj edhe mund të imagjinohet se çfarë zhgënjimi duhet të ketë pasur.

“Kur në Shqipëri u vendos komunizmi, Noli fillimisht bashkëpunoi me Hoxhën. Më vonë, komunizmi vrau dhe burgosi disa nga shokët më të afërt të Nolit, Bahri Omarin, Andon Frashërin dhe të tjerë. Megjithëse e ftuan të kthehej, ai nuk pranoi, sepse e kuptoi se me çfarë regjimi gjakatar kishte të bënte. Krerët e kishës ortodokse autoqefale në Shqipëri, Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, dy figura kombëtare që u përndoqën nga komunizmi, edhe sot e kësaj dite nuk kanë varre të denja si klerikë që u përpoqën aq shumë për Shqipërinë. Shumë njerëz në Shqipëri duan që ta kenë Nolin afër, që të mund ta nderojnë. Kjo është një dëshirë e sinqertë dhe plotësisht e kuptueshme. Por druaj se do të ketë të tjerë që do të sjellin pengesa dhe do të krijohen probleme të panevojshme. Mendoj se Noli duhet të vazhdojë të prehet në varrin madhështor që ka në Boston.”

Në anën tjetër, autori Ilir Ikonomi ka qenë shumë i guximshëm edhe në një qasje tjetër. Ka sjellë disa fakte se Fan Noli mund të ishte ateist, dhe se petkun e priftit e përdori për qëllim kombëtare, duke shprushë kështu në një gacë të nxehtë. Mirëpo, ai na tregon se nuk thotë domosdo se Noli ishte ateist, por ka njerëz që mendojnë ashtu.

“Në fund të fundit ne nuk mund të dimë se çfarë mendon njeriu thellë në shpirt për çështjet e fesë. Të testosh spiritualitetin e dikujt do të ishte një sprovë e kotë. Sigurisht, Noli e përdori kishën shqipe për të çuar përpara idetë e tij kombëtare. Kjo nuk duhet të na habisë. Në historinë tonë kemi patur dhe kemi shumë klerikë që kanë punuar për çështjen kombëtare dhe të qenit fetar nuk do të thotë se nuk mund të luftosh për ide liberale dhe kombëtare. Noli e shfrytëzoi kishën shqipe më së miri për këtë qëllim. Meqenëse kisha e tij ishte në gjuhën shqipe, ajo mbështolli rreth vetes jo vetëm ortodoksët kombëtarë, por edhe myslimanët. Kemi shumë shembuj që e tregojnë këtë”, tregon Ikonomi.

Ndërkohë, nëpërmjet të gjitha figurave që Ikonomi ka publikuar deri më tani, ka edhe një distancë të mirë kohore, nga e cila autori ka mundur ta ftohë kokën nga raporti në raport, nga materiali në material, duke i lënë vetes një mundësi për t’i kthjellur ndoshta edhe vetë mendimet e veta.

“Sigurisht, largësia në kohë e ndihmon shumë historianin dhe biografin. Kjo largësi ndihmon që të shikosh më qartë në histori. Ajo të ndihmon ta vlerësosh një figurë në mënyrë më të ftohtë, sepse nuk i ke emocionet e momentit, ato janë zhdukur. Koha bën të vetën. Ajo fshin shumë gjëra dhe lë të paprekura kontributet e mëdha. Ky është avantazhi i kohës. Gjithashtu, koha krijon arkivin e saj, ku studiuesi mund të zhytet dhe të kërkojë. Këtë kam bërë unë me figurat që kam trajtuar”, thotë ai.

Autorit Ikonomi i kemi drejtuar edhe një pyetje hipotetike, se me cilën figurë të ditëve të sotme do të donte të kishte një distancë të tillë kohore. Sipas tij, ai do ta krijonte një distancë me të gjitha figurat, për shkak se asnjë nga ne realisht nuk e dimë se si koha do t’i trajtojë ato. “Mbase dikush që sot ne e vlerësojmë negativisht, mundet që pas shumë dekadash, të na rezultojë ndryshe.”

Ikonomi tutje thotë se do të ketë udhëheqës me të cilët historia nuk do të merret shumë, të tjerë do të harrohen plotësisht. “Zakonisht, koha favorizon udhëheqësit që luftojnë për vendin e tyre, që punojnë për mirëqenien e popullit, pavarësisht nga ulje-ngritjet politike. Noli punoi shumë për Shqipërinë, por ai shquhet edhe për diçka që jo të gjithë e kanë patur. Ai shkroi shumë vepra dhe shkroi vepra me cilësi të lartë.”

Libri “Apostulli” i cili paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në ‘Best Seller’ në Panairin e Librit i cili u mbajt në Tiranë. Autori i librit shkruan në një zhanër shumë unik të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, duke sjellë një kahje të ndryshme historiografike, me atë se çka jemi mësuar, pra ndryshe nga qasja komuniste. Ikonomi na ka mësuar se mendimi ndryshe, nuk është diçka prej së cilës duhet të kemi frikë, të ikim. Përkundrazi, të mendosh ndryshe, do të thotë që kemi arrit për të kuptuar diçka jashtë masës dhe se mendimi kritik të bën të dalësh nga rrethi i ngushtë, i cekët i shoqërisë.

Krejt për fund, autori Ikonomi na tregoi se nëse gjithçka shkon mirë, vëllimi i dytë i “Fan Noli – Apostulli” do ta gjejë dritën e botimit kah fundi i vitit 2024, por që për këtë ai duhet të punoj shumë, të kërkoj nëpër arkiva dhe të verifikoj mirë ato që shkruan.

Burrështetasin, intelektualin e shquar, poetin dhe përkthyesin e pashoq, poliglotin dhe dijetarin e përmasave botërore, zërin e zëshëm të interesave shqiptare, klerikun e pasionuar siç është Fan Noli, do të mund ta njohim edhe më mirë së shpejti, natyrisht nëpërmjet penës së veçantë të Ilir Ikonomit, që jo shumëkush mund ta posedojë. / KultPlus.com

Bestseller në Tiranë, Ilir Ikonomi sjell biografinë e Fan Nolit edhe në Prishtinë: Noli, oqean i madh që nuk mund të përmblidhet në një libër

Vjollca Duraku

Oqean i Madh është quajtur Fan Noli nga autori Ilir Ikonomi, i cili mbrëmë promovoi vëllimin e parë të  librit biografik “Apostulli”, njëkohësisht duke paralajmëruar edhe dy të tjerë në radhë. I menduar të përmblidhej me 500-600 faqe, libri mbi biografinë e shkrimtarit të madh shqiptar Fan Noli, nuk arriti  të përmblidhte gjithë veprimtarinë e kolosit,  i cili si një figurë shumëdimensionale erdhi mbrëmë edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në mbi 40 mijë faqe të studiuara në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe, ‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar, vizionar etj.

Në ambientet e librarisë Dukagjini, me një numër të madh pjesëmarrësish mbrëmë është bërë promovimi i librit “Apostulli” nga Ilir Ikonomi, i cili më pastaj  në kohë rekord edhe u shit gati në tërësi i gjithë tirazhi prezent.

Ky libër i cili e paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në Best Seller në Panairin e Librit i cili po mbahet aktualisht në Tiranë.

Bashmir Xhemaj, ishte ai i cili në këtë mbrëmje mori fjalën i pari, ku edhe çmoi lartë stilin e shkrimit të autorit Ikonomi në portretizimin e figurës së Nolit.

“Iliri tashmë është etabluar në një zhanër shumë të jashtëzakonshëm të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, për çka jam i bindur që ai ka sjellë një modalitet në mënyrën se si shkruhen dhe portretizohen këto figura, duke i dhënë edhe një kahje tjetër historiografisë, nëse mund ta quaj komuniste, ngaqë kemi lexuar, dhe mësuar”, tha Xhemaj.

Për stilin e jashtëzakonshëm të Ikonomit u shpreh më tej edhe studiuesi Bejtullah Destani.

“Për mendimin tim, Iliri e ka studiuar gjithë biografinë shqiptare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë dhe ka një stil të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka shkruar edhe librin e parë për Faik Konicën, Ismail Qemalin, Esat Toptanin, ai na sjell informacione jashtëzakonisht të reja”, tha Bejtullahu  duke vënë në pah kërkimet e Ikonomit në arkiva të ndryshme si Itali, Amerikë, Vjenë, Londër ku në të kaluarën jo çdo kush ka pasur qasje për të lexuar për historinë e Shqipërisë.

Ndërsa, Suadela Baliu, redaktore e cila ishte pjesë e botimit të librit,  tha se librin pas shumë kërkesave arritën ta sillnin edhe në Prishtinë

“Këto ditë të panairit kemi pasur shumë kërkesa nga Kosova që vinin enkas për të blerë librin e Fan Nolit me autor Ilir Ikonomi. Zakonisht jemi mësuar që librat me natyrë historike, biografitë nuk janë nga ata Best Seller. Por, ndodhi që në fakt ishte Best Seller sepse mbaroi tirazhi i parë. U kërkua shumë”, tha Baliu e cila më tej tregoi që  Noli në libër paraqitet  hap pas hapi, që nga mbërritja e tij në Amerikë si një djalosh 20 e ca vjeçar, ambicioz e vizionar për çështjen kombëtare.

Ndërsa vetë autori Ilir Ikonomi, i lumtur që para vetes kishte numër të madh të pranishmëve, shpalosi para tyre një dhuratë- bluzë e cila kishte të shtypur kopertinën e librit të tij, e që i ishte lënë dhuratë nga një kosovar, në panairin e librit në Tiranë.

“Ky është mendoj vlerësimi më i mirë nga një lexues për mua. Nuk e kam takuar ndonjëherë këtë njeri, por do të dëshiroja ta takoja, ndoshta do të kem rast. Është një gjë e bukur që ai e ka vlerësuar këtë libër”, u shpreh me mirënjohje ai.

Duke e shpjeguar mënyrën e tij të shkrimit, autori Ikonomi këtë libër e ka quajtur kërkim të gjatë, pasi ka dashur që punën e vet ta ndërtoj mbi fakte nga fillimi, dhe jo nga ajo që është thënë më herët për këtë figurë.

“Të tjerët mund të jenë mburrur, mund të kenë thënë njeri i madh, gjigand, mirëpo kjo nuk më ka interesuar fare kur shqyrtoj një figurë të tillë. I tillë ka qenë edhe rasti i Nolit, pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë të tjerët për të, unë thash që do të bëj një libër që do të bazohet krejtësisht mbi dokumentet.”

Fillimisht Ikonomi kishte menduar që të sillte Nolin në të gjitha dimensionet në vitet 1906- 1920, me një volum prej 500-600 faqesh, por që kjo teori më vonë doli që nuk ishte e saktë.

“E kuptova që i kisha hyrë në këmbë një oqeani të madh dhe që është e pamundur që ta përfundoja me 500-600 faqe me Nolin. Ishte e pamundur sepse kishte aq shumë dokumentacion. Materialet të cilat unë mblodha nëpër arkiva dhe biblioteka duhet të jenë mbi 40 mijë faqe, që për fat të mirë përmes teknologjisë mund t’i fotografosh dhe s’ke nevojë t’i fotokopjosh dhe të shkosh çdo ditë në bibliotekë për një libër për të mbajtur shënime.”

Nga viti 1906 deri 1920 Noli sipas autorit Ikonomi kishte pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm, që sipas tij fillon me krijimin e kishës shqipe në Amerikë, si një gjë aspak të lehtë në kohën kur ndikimi i kishës greke atje ishte shumë i fortë.

“Noli shkonte dhe predikonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe pas ungjillit ai predikonte diçka tjetër, ai mbante fjalim dhe ky fjalim nuk ishte më fjalim fetar, por ishte politik. Ai fliste aty për politikë, dhe për atë se si duhej që Shqipëria të dilte nga zgjedhja e Turqisë, si të arrihej pavarësia dhe krijimi i shtetit tonë të ardhshëm. Prandaj ka rëndësi kjo që bëri Noli”, u shpreh autori duke e quajtur Nolin si vizionar e kulturës dhe iluminues të shqiptarëve, pasi populli ynë na atë kohë nuk kishte njohuri çka ishte gazeta, e as rëndësinë e asaj që mund të ketë për ngritjen e edukimit dhe kulturën, duke mësuar gjëra të reja.

“E gjendur nën sundimin e Turqisë, Noli ishte ai që e kuptoi që ka shpresë dhe ka shpresë shumë dhe prandaj lufta për autonomi filloi në SHBA, ideja e autonomisë mes shqiptarëve u hodh nga Fan Noli në fillim me autonominë e kishës, ku do flasim shqip në kishë. Ky ishte një njeri vizionar, kishte një vizon të qartë së çfarë do të duhej të bënin shqiptarët.”

Noli, për më tepër ishte njeri me një ego të madhe, i cili sipas autorit me të drejtë thoshte unë jam i pari, më i zoti, më i miri, e i cili pati dëshirë të madhe që të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, themelet e së cilës i hodhi vetë ai.

“Shkuarja e Nolit në Evropë nuk ishte thjesht për të shkuar në Evropë, por qëllimi ishte t’i bashkëngjitej grupit të Ismail Qemalit që po vinte prej Stambollit në Vlorë për të shpallur pavarësinë. Ismail Qemali ishte ndaluar në Vjenë në atë kohë, që të takohej me diplomacinë vjenezë për të shkuar pastaj në Vlorë. Noli niset për Liverpool, që pastaj të shkonte në Vlorë për të takuar Qeverinë e Ismail Qemalit. Ai donte të bëhej dikush në qeverinë e Ismail Qemalit. Por derisa Noli po udhëtonte drejt Liverpoolit, kupton që Pavarësia ishte shpallur, nga ku shkon në Londër dhe e vazhdon aktivitetin.”

Autori më tutje tregoi për rolin që Noli pati më 1914, për krijimin e kishës shqipe në Shqipëri, me ndihmën e Austrisë dhe për përpjekjet e tij të mëdha me themelimin e federatës Vatra e cila pati rol për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë pasi të mbaronte Lufta e Parë Botërore.

“Lufta mbaroi më 1918 dhe në Konferencën e Paqes këta mendonin se do të ndahen trojet, Shqipëria do të ndahej apo jo sepse kishte një traktat të fshehtë për ta copëtuar Shqipërinë mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi dhe Noli gjatë gjithë kohës së luftës kishte punuar që shqiptarët të kishin një vizion që kur të vinte konferenca e paqes, të ishin të përgatitur dhe që Shqipëria të mos copëtohej. Pra të mbanin kufijtë e 1913-ës sepse Kosovën nuk kishin shpresë për ta marrë”, shtoi Ikonomi më tej duke përmendur edhe gjurmën ai që kishte lënë pas takimit me presidentin amerikan Wilson, i cili pas premtimit e do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi, përmes një marrëveshje të fshehtë, Vlora për pak sa nuk iu dha Italisë.

“Mirëpo nuk kaloi shumë dhe Wilson bëri një marrëveshje të fshehtë me Italianët, ku u tha që Vlorën do ta merrni ju. Noli dhe gjithë patriotët shqiptarë u zemëruan shumë dhe filluan t’i shkruajnë letra presidentit Wilson, ku Noli e kritikoi shumë ashpër për punën e Vlorës. Pastaj ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që Wilsoni hoqi dorë nga këto plane, dhe i dha mundësinë  Shqipërisë që të mbetet në kufijtë e 1913”, përfundoi autori Ikonomi duke e quajtur të rrallë figurën e Fan Nolit s një mishërim i dijeve të thella të kulturës, historisë, gjuhëve, elokuencës së tij në të folur dhe aftësisë së tij të madhe për të bindur, elemente që u bashkuan me një patriotizëm të rrallë. 

Pas ceremonisë së promovimit, u mbajt edhe një koktej rasti, ku mysafirët patën rastin që për së afërmi të takojnë autorin Ilir Ikonomi dhe të diskutojnë për librin që u promovua këtë mbrëmje. /KultPlus.com

Promovohet libri biografik për Fan Nolin ‘Apostulli’, nga autori Ilir Ikonomi

Në ambientet e Librarisë Dukagjini, promovohet libri “Apostulli” i autorit Ilir Ikonomi, shkruan KultPlus.

Libri ‘Apostulli’ është vëllimi i parë i një biografie për Fan Nolin.

Promovimi i librit bëhet të mërkuren, më 22 nëntor ora 18:00/ KultPlus.com

Ismail Qemali u pengua ta ngrinte flamurin në Durrës

Shkruan Ilir Ikonomi.

Sa herë afrohet 28 nëntori, më vijnë në mend peripecitë e udhëtimit të çuditshëm të Ismail Qemalit për të shpallur pavarësinë në Shqipëri. Ai u nis nga Stambolli në fillim të nëntorit 1912, shkoi në Konstancë me vapor, pastaj në Bukuresht, në Vjenë, në Budapest, përsëri në Vjenë dhe prej andej doli me tren në Trieste.

Pasditen e 19 nëntorit në Trieste grupi i tij prej 15 vetësh hipi në avulloren Brünn të Lloydit austriak. Ata ngarkuan në anije valixhe të mëdha si dhe thasë, brenda të cilëve kishte armë dhe fishekë, që disa prej burrave i kishin blerë në Trieste.

Asnjëri prej shqiptarëve që morën pjesë në udhëtimin historik, duke përfshirë edhe vetë Ismailin, nuk na ka lënë ndonjë përshkrim të hollësishëm të kësaj faze të fundit nëpër Adriatik. Fatmirësisht, arrijmë të mësojmë disa detaje interesante nga një udhëtar i paidentifikuar që ndodhej në anije. Rrëfimin e udhëtarit, të botuar në gazetën franceze Le Figaro, po e riprodhoj gati të plotë:

“U bëra dëshmitar i një fakti për të cilin Evropa pa dyshim që do të flasë nesër dhe që ndoshta do të ketë një ndikim të madh mbi atë që po ndodh tani në Ballkan. Pasi i hipëm në Trieste vaporit Brünn me destinacion Patrasin, ne duhet të ankoroheshim në fillim në Brindizi, ku do të arrinim në mbrëmje. Por, sapo ishim larguar nga Triestja, në bord u përhapën zërat se do të ndaleshim në Durrës, ku princi shqiptar, Qemal Bej, me suitën e tij që ndodhej mes udhëtarëve, do të zbriste për të shpallur menjëherë pavarësinë e Shqipërisë.

Në fakt, e dalluam Ismail Qemalin në sallat e klasit të parë. Ai është një burrë në një farë moshe. I rrethuar nga një duzinë personash të tjerë, ai duket hijerëndë dhe simpatik. Atë natë, të mërkurën, na konfirmojnë se rreth orës 10 do të jemi përballë Durrësit. Pikërisht në orën e lajmëruar, me hënën që ndriçonte në qiell dhe në një det të qetë e mot të shkëlqyer, shikojmë në largësi dritat e një anijeje, që ishte avullorja Wurmbrand e Lloydit austriak. Brünn ndalet rreth 200 metra larg saj. Hidhen shkallët, pastaj varkat në të cilat zënë vend Qemal Beu dhe suita e tij për të shkuar drejt Wurmbrandit.

Ja hollësitë që munda të mbledh dhe që po jua transmetoj: Princi shqiptar do ta kalojë natën në bordin e kësaj anijeje dhe nesër do të zbarkojë ndoshta në Durrës për të shpallur atje pavarësinë e Shqipërisë… Munda të bisedoj për disa çaste me njërin prej njerëzve të suitës së princit, që e flet në mënyrë të admirueshme greqishten dhe italishten.

Më tha se qëllimi i misionit të tyre ishte që t’ua jepnin Shqipërinë shqiptarëve dhe se ata nuk prisnin që Serbia të merrte në zotërim ndonjërin prej porteve të lakmuara prej saj. Me sa arrita të kuptoj, pas krijimit të një qeverie të përkohshme, ata synojnë t’ia ofrojnë fronin e Shqipërisë një princi të huaj. Besoj se e gjithë kjo lëvizje nuk është e panjohur për Austrinë, sepse Qemal Beu kishte hipur në një anije të Lloydit, e cila bëri një ndalesë të paparashikuar në itinerarin e saj. Pastaj, ai kaloi nga anija Brünn në një vapor tjetër të Lloydit, Wurmbrand, i cili për këtë qëllim priste në det të hapur përballë bregdetit shqiptar.”

Këtë rrëfim të thjeshtë, por magjepsës, po të mos e kisha konfirmuar pjesërisht nga burime të tjera arkivore, do ta kisha marrë për një përrallë të bukur. Sepse ai i ka të gjithë elementet e një përralle: burra që udhëtojnë me një mision të rrezikshëm, zbritje me valixhe në duar në mes të detit për të hipur në një anije tjetër, hëna që ndriçon në qiell dhe udhëtarët e tjerë që vështrojnë të habitur skenën.

Bregdeti adriatik është plot të papritura të këndshme. Kur njeriu vjen përmes tokës në Kepin e Rodonit dhe qëndron në majën e kodrës që bie thikë mbi det, e kupton menjëherë sesa bujare është treguar këtu natyra me trillet e saj, duke krijuar herë gjire të butë dhe herë shkrepa të frikshme. Aty ku kepi hyn në formë gjuhëze në det, domethënë mu pranë majës së asaj gjuhëze, ndodhet një fortesë mrekullisht e bukur me gurë katërkëndësh prej shtufi që e tejkalon përfytyrimin e udhëtarit.

Kjo fortesë, e cila thuhet se ka qenë ndërtuar nga mjeshtra raguzianë, me urdhër të Skënderbeut, është ndër ato pak dëshmi që tregojnë se në kohët e moçme këtu ka pasur jetë. Rreth një kilometër më tej ndodhet Kisha e Shënandout që thuhet se ka qenë ndërtuar nga Mamica Kastrioti, e motra e Skënderbeut. Është vërtet një habi sesi ky relikt i shqiptarisë i ka shpëtuar dorës së prishësit.

Për mua ka qenë befasi kur gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 2011, në afreskun që zbukuron murin e absidës së kishës, nën nivelin e dyshemesë, pashë një shqiponjë të qartë me dy krerë, në formën e saj origjinale, ashtu siç e vizatonin në kohën e Skënderbeut. Ky është simboli i hershëm i Kastriotëve që do të vihej më vonë në flamurin kombëtar. Hulumtuesve u është dashur të gërmojnë për t’i nxjerrë në dritë këto vizatime të rralla dhe kjo nuk është ndonjë çudi, pasi dëshmitë më të rëndësishme të historisë së lashtë shqiptare nuk mund të gjenden veçse nën dhe. Ç’ka qenë mbi tokë i ka shkatërruar barbaria osmane.

E bëra këtë parantezë, sepse duke qëmtuar me kujdes gazetat austriake dhe hungareze të vitit 1912 dhe duke i krahasuar këto informacione me ato që na japin arkivat austro-hungareze, gjeta një hollësi interesante: natën me hënë të 20 nëntorit duke u gdhirë data 21, avulloret Brünn dhe Graf Wurmbrand janë takuar jo përballë Durrësit, por në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismailit dhe të njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra. Me sa duket, austriakët kishin zgjedhur Gjirin e Rodonit që puna të mos vihej në rrezik. Ata nuk donin t’ia linin asgjë rastësisë, sepse përballë Durrësit mund të patrullonin anije greke.

Me urdhrin telegrafik të pashifruar që kishte marrë nga drejtoria e Lloydit në Tivar, Graf Wurmbrand kishte lundruar për në Gjirin e Rodonit qysh në mesditën e 20 nëntorit për të pritur anijen ku ndodheshin shqiptarët, e cila do të arrinte në mbrëmje vonë. Me sa duket, sinjali radiotelegrafik ishte kapur nga grekët. Pra, këta tashmë e dinin se një grup shqiptarësh do të arrinte në Durrës me një anije të Lloydit.

Ismaili dhe burrat e tjerë e kaluan natën në Graf Wurmbrand, e cila herët në mëngjesin e datës 21 nëntor arriti në Durrës. Udhëtimi i shkurtër nga Gjiri i Rodonit nuk duhet të ketë zgjatur më tepër se një orë.

Ismail Qemali nuk mundi ta shpallë dot pavarësinë në Durrës, për shkak se u pengua nga fanatikët dhe nga peshkopi grek Jakovos, që nuk e donin ndarjen përfundimtare nga Turqia. Pasi priti disa ditë, ai u nis drejt jugut në mes të shiut dhe baltës dhe e shpalli pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912./ KultPlus.com

Kjo është shtëpia ku lindi Faik Konica (VIDEO)

Shkrimtari dhe diplomati i shquar shqiptar Faik Konica lindi në Konicë të Greqisë në vitin 1875. Publicisti Ilir Ikonomi kujton se pikërisht sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe patriotit Faik Konica dhe sjell në faqen e tij në Facebook videon me pamje të shtëpisë ku ka lindur shkrimtari.

Postimi i plotë i Ilir Ikonomit:

15 marsi është ditëlindja e Faik Konicës

Ai lindi në vitin 1875 në këtë shtëpi të Konicës (sot Greqi), të cilën e vizitova për herë të dytë në nëntor 2012, kësaj here me gazetarin Sokol Balla. Shtëpia është ende aty, e rrënuar, e braktisur.

Në vitin 2010, kur e zbulova shtëpinë, shkrova këto rreshta, të cilat po i ribotoj me rastin e përvjetorit të lindjes së Faik Konicës:

“Ishte një pamje vërtet trishtuese, sepse çatia dhe dyshemetë e kateve brenda ishin shembur plotësisht, ca nga koha e ca nga një tërmet në vitin 1996. Disa trarë, që vareshin si pendulë, dukej sikur do të këputeshin mu në sytë e mi.

Deri në një farë lartësie, muret e jashtëm ishin prej guri ngjyrë gri të gdhendur dhe i kishin qëndruar kohës për bukuri. Kjo duhet të ketë qenë pjesa e hershme e shtëpisë, e ndërtuar që më 1771 sepse, siç mora vesh, ajo qe rindërtuar shtatëdhjetë e ca vite më vonë. Edhe qemeri i portës kishte mbetur i paprekur. Në të dyja anët e tij kishte nga një pllakë guri ku shkruhej Bismillah al-Rahman al-Rahim dhe fjalë të tjera arabisht që ftonin mysafirin brenda. Dikush qe përpjekur ta lyente shtëpinë nga jashtë me gëlqere, por kjo kishte rënë thuajse krejt.

Shtëpia ishte dykatëshe dhe kishte një bodrum përgjysmë nën dhe. Me sa kuptohej, kati i parë kishte patur shtatë dhoma. Ndërkaq, dy palë shkallë të harkuara prej guri, që shquheshin me vështirësi në gjithë atë shkatërrirë, të çonin në odat sipër. Vetëm një gjë nuk qe prekur thuajse fare dhe ky ishte oxhaku i lartë që kishte mbetur si direku i një vapori. Të bënte të mendoje se ndërtuesit e hershëm duhet t’i kishin kushtuar kujdes të veçantë oxhakut si shenjë e sërës së familjes.

Jashtë në avlli, rrasat e gurit mezi dukeshin nga bari. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia qe kthyer në shkollë të mesme dhe pastaj i pat kaluar bashkisë për ta riparuar. Si duket rindërtimi qe lënë në mes dhe askush nuk kishte vënë dorë më. Ishte pak a shumë si në ato pamjet e dokumentarit Life After People, që rrëfen se si do të jetë jeta në planetin tonë pasi të jenë zhdukur njerëzit.

Befas mu fanepsën imazhet e largët të një Faiku të vogël, të cilit hoxha i fshatit me çallmë në kokë i mësonte arabisht në shtëpi. Jashtë portës më pushtoi një ndjenjë e pashpjegueshme dhe nisa të shihja me kujdes ku e hidhja këmbën. Po shkelja mbi ato rrasa të avllisë, ku Faiku bashkë me vëllezërit dhe motrat kishin kaluar ditët e gjata duke luajtur nën diellin e ngrohtë dhe në ajrin e kthjellët të maleve.

Vështrova qiellin blu, pastaj majat me borën gati të përjetshme dhe u përpoqa të përfytyroj se si mund të kishte qenë ajo kohë e shkuar. Duhet të kishte qenë tamam ashtu siç e kishte shkruar Faiku: “Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël”. (Nga libri “Faik Konica – Jeta në Uashington” Ilir Ikonomi)./ KultPlus.com