Osmani udhëton në Shqipëri, merr pjesë në inagurimin e presidentit të ri

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt.

Presidenca ka njoftuar se Osmani shkon në Tiranë me ftesë të Presidencës shqiptare.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, z. Bajram Begaj”, njoftoi Presidenca.

Para dy ditësh, Osmani e priti me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Meta. /KultPlus.com

Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” shkrimtarin Dritëro Agollin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi shkrimtarin, poetin e tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, me motivacionin: “Me vlerësimin më të lartë për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës si dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë”.

“I lumtur të vlerësoja sot me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, poetin e përjetshëm të tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli. Me mirënjohje për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë tonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë”, u shpreh Meta.

“Dritëroi ynë i madh dhe i paharruar dritëron përjetë në çdo varg, libër, mesazh e këshillë të mençur, që na la trashëgim të gjithëve!”, tha Presidenti i Republikës Meta./ata/KultPlus.com

Meta në takim me Kurtin thotë se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë.

Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president.

Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.

Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.

Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.

Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike. /KultPlus.com

Presidentja Osmani fton Metën në Kosovë për të përmbyllur mandatin

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar presidentin Ilir Meta për vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e përmbylljes së mandatit të këtij të fundit.

Zyra për media e Presidencës njofton se Osmani do ta presë homologun shqiptar nesër në ora 09:00 me ceremoni të lartë shtetërore.

“Me ftesë të Presidentes Osmani, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, nesër (22 korrik 2022), pret për vizitë zyrtare, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Në orën 09:00, Presidentja Osmani do ta presë presidentin Meta me ceremonitë më të larta shtetërore”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për sopranon Marjana Leka

Presidenti Ilir Meta i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” sopranos dhe pedagoges Marjana Leka.

Meta vlerësoi se Leka është një nga solistet lirike më të njohura dhe me një karrierë të gjatë prej dekadash në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, me rreth 30 role kryesore në skenën shqiptare dhe ndërkombëtare, të vlerësuara nga publiku dhe kritika.

Presidenti vlerësoi në fjalën e tij, se si nxënëse e artistes së madhe Edit Mihali, portreti muzikor i Marjana Lekës u formua ndër vite përmes dhjetëra interpretimeve të roleve më të spikatura të literaturës operistike botërore dhe shqiptare, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë, kulturë interpretuese dhe artistike.

“Në vlerësim të kontributit të çmuar si artiste dhe personalitet i njohur i skenës operistike, përfaqësuese e denjë e artit vokal shqiptar dhe figurë e vlerësuar maksimalisht brenda e jashtë vendit i akordova Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Mirënjohje për transmetimin e përvojës së vyer për brezat e rinj të këngëtarëve operistikë, si dhe për promovimin e kulturës dhe artit shqiptar. Shumë urime dhe suksese të tjera”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com

Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për piktorin Avni Delvina

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin dhe artistin e shquar, si dhe aktivistin e spikatur të shoqërisë civile, Avni Delvina: “Me mirënjohje ndaj veprimtarisë dhe kontributeve të çmuara artistike si piktor i spikatur me vlera dhe merita intelektuale dhe atdhetare, si dhe për forcimin e lidhjeve të gjithanshme, veçanërisht kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në vlerësim të punës së palodhur për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe për angazhimin e tij të vyer në radhët e shoqërisë civile, rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë”

Duke i drejtuar mjeshtrit Delvina, familjarëve, artistëve të shumtë, personaliteteve të artit e kulturës si dhe aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Meta u shpreh se, “Avni Delvina, është një nga pasardhësit e familjes së madhe të Sulejman Delvinës, Shefqet Delvinës dhe të Avni Bej Delvinës, familje me vlera të shquara patriotike, që ka kontribuar në mbrojtjen e trojeve tona kombëtare dhe të interesave kombëtare, duke u vendosur gjithmonë në shërbim të kauzave më të rëndësishme të vendit dhe kombit”.

“Avni Delvina kishte mbi supe këtë trashëgimi të rëndësishme dhe natyrisht nuk mund të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij. Edhe pse filloi të pikturojë në një moshë jo fare të re, talenti dhe kontributi i tij ishin të dukshëm, dhe bënë që në vitin 1989, të pranohej Kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, tha Meta.

“Avni Delvina mori pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare, ku krijoi lidhje e bashkëpunime me piktorë të ndryshëm të asaj kohe, si Adrian Devoli, Mustafa Arapie shumë të tjerë, bashkëpunime të cilat vazhdojnë edhe sot. I etur për liri e demokraci, në 2 korrik 1990, Avni Delvina ishte ndër ata që vendosi të largohej nga Shqipëria, për t’u vendosur në Itali së bashku me familjen e tij. Iu deshën vetëm pak muaj, pas vendosjes në Itali, që të hapte ekspozitën e tij të parë në Bolonja. Jehona e kësaj ekspozite ishte shumë e madhe dhe bëri që ajo të pasohej edhe nga shumë ekspozita të tjera, ku piktori Delvina u vlerësua edhe nga kritikë të njohur italianë”, tha Delvina.

“Një prej tyre ishte Paolo Zauli, i cili i impresionuar nga veprat dhe krijimtaria e piktorit, hapi një ekspozitë personale, me punime të ndryshme të Avni Delvinës, në galerinë e tij me famë në të gjithë Italinë. Pasioni për t’u shprehur me anë të pikturës  dhe të ngjyrave, si  dhe ndjenjat e forta që përcjellin veprat e tij, kanë bërë që Avni Delvina të vlerësohej me çmime të ndryshme ndërkombëtare”, theksoi Meta.

“Ndërkohë që në Romë, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të botës, piktori Delvina u vlerësua me çmimin Leonardo i Artë, për pikturën dhe peizazhet e tij, të sjella në një formë ndryshe të artit, jo në atë klasike. Vittorio Sgarbi, kritiku i njohur i artit, analist dhe drejtues i shumë emisioneve në Itali, është gjithashtu, një ndër personalitet, që ka vlerësuar punën e Avni Delvinës, dhe ka në koleksion grafikën e tij”, tha Meta.

“Subjektet e krijimtarisë së Delvinës, i kaluan kufijtë evropianë, me ekspozitën e tij ‘The Donald’, e cila iu dedikua Presidentit të Shteteve të Bashkuara në atë kohë, Donald Trump.  Kjo ekspozitë, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, ishte unike për nga natyra dhe konceptimi, dhe u bë një lajm në shumë media ndërkombëtare”, shtoi Meta.

“Masivizimi i rrjeteve sociale frymëzoi artistin Delvina, që të nisë një formë të re të shprehjes së artit, atë të grafikës digjitale. Kjo lloj grafike është komunikimi i përditshëm i piktorit Delvina, i cili nëpërmjet qindra punimeve shpreh zërin e tij kritik, kundër padrejtësive dhe abuzimeve me pushtetin”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com

‘Mjeshtër i Madh’ për inxhinierin dhe profesorin Fatmir Shehu

Presidenti i Republikës Ilir Meta çmoi Profesor Doktor Fatmir Shehun me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të meritave të jashtëzakonshme dhe kontributit të drejtpërdrejt në revolucionarizimin e teknologjisë së shpimit të puseve të naftës dhe gazit në vendin tonë, në vitet ‘80-të. Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur shkencore, për promovimin e palodhur në përhapjen dhe aplikimin e dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, si dhe për kontributin e madh të dhënë në formimin e brezave të inxhinierëve të rinj të vendit.”

Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe kolegëve të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për vlerësimin e një inxhinieri dhe profesori të nderuar, një personalitetit të shquar të shkencës shqiptare e të industrisë së naftës, Prof. Dr. Fatmir Shehu.

Profesor Shehu ka lindur në zonën e Fierit, ku shumë familje e kishin të lidhur punën dhe jetën me naftën dhe gazin. Kështu ndodhi edhe me të.

Vetëm 14-vjeç ai hyri në botën e naftës, përmes studimeve në shkollën e mesme ‘Teknikumi i Naftës’ Kuçovë, për të vazhduar dhe përfunduar më pas, Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjeologji-Miniera, si inxhinier i shpim-përpunimit të vendburimeve të naftës e gazit.

Si inxhinier i ri filloi punë në kantier, por brenda tij kishte pasionin e fortë për shkencën dhe studimet shkencore. Ky pasion solli emërimin e tij, në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Naftës e Gazit, të krijuar në qershor të vitit 1965 në Kuçovë.

Fillimi i punës në këtë Institut, solli edhe fillimin e studimeve të thelluara dhe intensive të inxhinier Shehut në fushën e shkencës e teknologjisë së shpimit të puseve në vendin tonë, që deri në atë moment kishte mbetur në koncepte dhe me praktikë të prapambetur.

Studimet e vazhdueshme dhe të pandërprera të literaturës së huaj, si dhe studimet e shumta laboratorike, arritën të sjellin identifikimin nga ana e inxhinier Shehut të disa nga arsyet dhe vështirësive të shpimit në vendin tonë.

Përtej kësaj, më e rëndësishmja ishte përcaktimi apo gjetja e ‘kurës’ së duhur për zgjidhjen dhe kapërcimin e problematikave të shpim-kërkimit, në të gjitha vendburimet e naftës e të gazit të zbuluar dhe po ashtu, ulja e kostove dhe pa avari teknologjike e shpim-kërkimit të puseve të reja.

“Inxhinier Shehu ka një meritë të jashtëzakonshme shkencore, me rreth 165 studime shkencore dhe laboratorike, në zbulimin e fenomeneve të reja e të panjohura të formacioneve me presione shumë të larta, si dhe zbulimit të metodave dhe mekanizmit teknologjik të kapërcimit të problematikës së tyre”, u shpreh Meta.

Ky zbulim bëri të mundur shpimin e puseve të shumta për gaz, në zona dikur të pakapërcyeshme dhe që kulmon me projektimin e teknologjisë së shpimit dhe të realizimit, në pusin me thellësi 6700 metra, në Ardenicë.

Kjo solli një sukses të jashtëzakonshëm për shkencën dhe teknologjinë tonë, duke e renditur ato ndër më bashkëkohoret, në krahasim edhe me vendet më të zhvilluara të naftës, në sektorin e shpimeve.

Aktiviteti dhe veprimtaria shkencore e botuese e Profesor Shehut ka qenë shumë e gjerë dhe e gjithanshme.

“Shqipëria është një nga vendet me burime natyrore më të mëdha në Europë, sidomos në rezervat e naftës dhe gazit, një pasuri që duhet të kthehej në mirëqenie vendin dhe për çdo qytetar. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me shumë rëndësi që industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton, nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin   por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare”, përfundoi Meta./ KultPlus.com

Meta takon nipin e Ismail Qemalit: Kënaqësi të dëgjoja për lidhjen e ngushtë me vendlindjen

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim, Nedim Aleksandër Vlorën, nipin e Atit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemali.

Meta u shpreh se ishte kënaqësi të dëgjonte prej tij për lidhjen e ngushtë që ndjente në zemër për vendlindjen e të parëve.

Meta theksoi se ishte “akoma më bukur sesi këtë dashuri të madhe për Shqipërinë ua transmetonte nipërve e mbesës së tij, me kërkesën, që edhe në brezat e ardhshëm të ruhet tradita e trashëgimit të mbiemrit Vlora”.

“Pres me padurim botimin e librit të Nedim Vlorës mbi historinë 1000-vjeçare të familjes Vlora, për t’u njohur edhe me disa dokumente të papublikuara më parë, për Ismail Qemalin”, u shpreh Meta në një postim. /atsh/ KultPlus.com

Frascineto, një nga katundet më të bukur arbëresh të Kalabrisë

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri ishte edhe në Frascineto, një nga katundet më të bukur arbëresh të Kalabrisë.

Meta u shpreh se në Frascineto spikat mikpritja tradicionale shqiptare dhe prej shekujsh trashëgohen gjuha, traditat, zakonet, veshjet, ritet fetare dhe kultura e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

“Mirënjohje Arbëreshëve tanë të dashur dhe autoritetet të larta vendore dhe rajonale për pritjen e veçantë, që më nderon”, tha Meta.

“Të marrim forcë nga rrënjët tona shumë të forta, për të fituar të gjitha sfidat e së ardhmes!”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Presidenti Meta: Të dyfishojmë përpjekjet që trashëgimia kulturore arbëreshe të jetë pjesë e UNESCO-s

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri u prit nga Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, Hirësia e Tij Donato Oliverio në Katedralen e Civita.

Meta u shpreh se, pati gjithashtu kënaqësinë e veçantë të merrte pjesë në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës.

“Mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar të Hirësi Oliverio në mbështetje të bashkësisë Arbëreshe në Itali, në veçanti për përpjekjet e Tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve fetare dhe të traditave kishtare në gjuhën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi Meta.

“Të dyfishojmë përpjekjet tona që trashëgimia kulturore Arbëreshe, “Moti i Madh”, të jetë pjesë e UNESCO-s, sepse është një pasuri unike jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për Europën dhe botën”, nënvizoi Meta./atsh/ KultPlus.com

“Nderi i Kombit” për studiuesin dhe publicistin e shquar, Ndriçim Kulla

Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin e shquar Ndriçim Kulla.

Në ceremoninë solemne të dekorimit, merrnin pjesë ish-kryeministri prof. dr. Sali Berisha, prof. i Shkencave të Filozofisë Gjergj Sinani, prof. dr. Josif Papagjoni, shkrimtarja Nadire Buzo, studiues, akademikë, politikanë dhe intelektualë.

Presidenti Meta u shpreh se, “nderimi për studiuesin, publicistin dhe botuesin Ndriçim Kulla është vlerësim ndaj kontributit të një intelektuali, i cili përbën shembull unik në krijimin e vlerave të mëdha kulturore e shkencore me rëndësi kombëtare. Me aktivitetin e tij, zoti Kulla ka kryer një kontribut për të cilin ndoshta do të duhej të punonin stafe të tëra të një Akademie, duke realizuar një mision të rëndësishëm në rivlerësimin e mendimit shqiptar. Nuk duhet harruar kontributi me vlerë i këtij intelektuali për mbledhjen dhe botimin e veprave të shkrimtarëve të persekutuar dhe të burgosur politikë nga regjimi komunist. Krahas veprimtarisë botuese, Kulla është autor i 36 librave në gjini të ndryshme të cilat janë një kontribut me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare. Janë të njohura veprat e tij si ‘Historia e mendimit shqiptar’, ‘Kush jemi ne shqiptarët’, ‘Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar’ në tre vëllime voluminoze, ‘Antologjia e Mendimit Shqiptar’, ‘Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane’, ‘Neoshqiptarizma një model i braktisur’, ‘Biografi e Ismail Kadaresë – nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme’, ‘Ylli i Shkrimtarit’ dhe vepra të tjera.

“Vlerësimi sot për zotin Ndriçim Kulla me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ është dëshmi e respektit, obligimit dhe nderimit, për gjithçka që ky personalitet ka bërë për shoqërinë shqiptare, si një intelektual atdhetar dhe i përkushtuar, me kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare. Ky vlerësim është një nderim edhe ndaj çdo intelektuali, studiuesi, krijuesi e botuesi shqiptar të përkushtuar ndaj kauzës së atdheut dhe kulturës sonë kombëtare”, theksoi Meta./ KultPlus.com

“Mjeshtër i Madh” për kompozitorin Vladimir Kotani

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e mirënjohur shqiptar, Vladimir Kotani.

Në ceremoninë e rastit, Presidenti tha se “çdo vlerësim për një figurë të shquar të artit e muzikës është shenjë e mirënjohjes sonë për punën e përkushtuar e të jashtëzakonshme në pasurimin e fondit të muzikës sonë”.

“Vladimir Kotani është një nga kompozitorët më të shquar të vendit. Mbi 1500 këngë shqiptare të muzikës së lehtë mbajnë firmën e tij. Në memorien tonë, emri i kompozitorit të mirënjohur Vladimir Kotani është i lidhur ngushtësisht me festivalet e këngës të fund vitit në Radio Televizion, që mezi i prisnim”, tha ai.

Presidenti vlerësoi se krijimtaria e kompozitorit Kotani ka prekur të gjitha temat e kohës, por dashuria ka qenë lajtmotivi i shumë prej këngëve të tij, gjë që e ka bërë të dashur për artdashësit e të gjithë brezave.

“Krahas kompozimit, Kotani, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përgatitjen, kualifikimin dhe afirmimin e talenteve të reja, këngëtarëve, muzikantëve e grupeve artistike, kudo në Shqipëri. Në rolin e tij si pedagog i Universitetit të Arteve ka formuar me dhjetëra artistë e këngëtarë të rinj, të cilët sot performojnë në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë, si drejtues e udhëheqës artistik i Pallatit të Madh të Kulturës, Tiranë, ka kontribuar në pasurimin e jetës kulturore e artistike të kryeqytetit dhe jo vetëm, si dhe në edukimin estetik, artistik dhe kulturor të rinisë”, tha Meta.

Presidenti theksoi se “shumë nga këngët e Kotanit janë tashmë pjesë e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare, me stilin e tyre të veçantë e karakteristik dhe me motivet dhe ngjyrat e tyre kombëtare”. / KultPlus.com

Nën moton “Gra që Frymëzojnë”, Edita Tahiri vlerësohet me Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot ka vlerësuar me mirënjohje për të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e dëshmuar për forcimin e familjes, shoqërisë, por edhe të kombin tonë, Edita Tahirin, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, përcjell KultPlus.

Edita Tahiri është një personalitet shumë i njohur, që prej dekadash kontribuon për çështjet madhore, siç ka qenë liria dhe e Pavarësisë së Kosovës.

Në kushtet e një represioni dhe një gjenocidi të jashtëzakonshëm dhe jo vetëm kaq, por edhe sot ajo vijon të jetë një zë i fuqishëm, aktiv dhe përfaqësues, me një angazhim të vazhdueshëm edhe si Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Europës Juglindore, duke spikatur në përkrahjen e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe integrimin e tyre në vendimmarrje.

“Në shembullin e saj të angazhohemi dhe të bashkojmë të gjitha forcat për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të vajzave dhe grave, për të ndërtuar një shoqëri sa më përfshirëse, më të drejtë, më humane dhe pa konflikte”, ka shkruar Meta.

Ai është shprehur të jetë i lumtur, që nën moton “Gra që Frymëzojnë” të festohet sot, në Institucionin e Presidentit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, së bashku me shumë zonja të nderuara nga të gjitha trevat shqiptare, që kanë spikatur dhe lënë gjurmët e tyre në fusha të ndryshme të jetës, duke u kthyer në shembuj frymëzimi për shumë gra dhe vajza. / KultPlus.com

Presidenti Meta: Kosova sa më parë në NATO, një përgjigje në të mirë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka takuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell KultPlus.

“Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore”, ka shkruar Meta.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Si gjithmonë, shumë i lumtur të takohesha në Maltë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të shkëmbenim opinione mbi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve dhe vullnetin për t’i pasuruar ato më tej.

Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore. Kosova sa më parë në NATO, një përgjigje në të mirë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit. / KultPlus.com

‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’ për kompozitorin dhe regjisorin Osman Mula

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi kompozitorin, regjisorin dhe moderatorin e shquar Osman Mula me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Titulli i lartë iu akordua Mulës me motivacionin “Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për artin shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëplanëshe, si regjisor, kompozitor, instrumentist dhe moderator përgjatë 45 viteve të karrierës së tij. Në vlerësim të përkushtimit të madh ndaj përhapjes së kulturës kombëtare, si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar.”

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Meta theksoi se në fjalën e tij se “titulli regjisor shpreh vetëm një pjesë e dimensionit të punës dhe veprimtarisë shumëplanëshe të tij, sepse Osman Mula, është vërtet një nga regjisorët më të njohur të Radio-Televizionit Shqiptar dhe të vendit, por ai është edhe kompozitor i vlerësuar me shumë çmime, është instrumentist, saksofonist i talentuar, por është edhe moderator dhe drejtues i suksesshëm shumë emisioneve të muzikës”.

“Në karrierën e tij 45-vjeçare, me një krijimtari të gjerë artistike,  Mula ka pasqyruar dhe ka qenë protagonist në shumë aktivitete kulturore dhe artistike të vendit. Firmën e Osman Mulës e mbajnë 20 festivale të këngës në Radio Televizion. Ashtu siç janë realizuar me mjeshtëri dhe mbajnë firmën e tij, edhe mjaft koncerte të vitit të ri, ndërtuar me aktorë brilantë të humorit shqiptar e këngëtarë të shquar të vendit, që na shoqëronin në familjet tona natën e ndërrimit të viteve. Por, Osman Mula ka qenë po aq i suksesshëm edhe me spektakle të mrekullueshme, ndërtuar me krijimtarinë më të mirë të kompozitorëve tanë, me të cilët krenohemi të gjithë, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Avni Mula, Agim Krajka, Agim Prodani, e shumë të tjerë”, nënvizoi Meta.

Regjisori Mula, vijoi Meta, ka realizuar mjaft bashkëpunime me ‘Teatrin e Operas dhe Baletit’, si dhe me ‘Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore’, dhe njëkohësisht, ka bashkëpunuar me të gjitha estradat e vendit, duke mbajtur të mbërthyer përpara ekranit të vogël, me mijëra teleshikues, në varietenë e së shtunës.

“Për shumë dekadash, Osman Mula ka qenë regjisor i jetës koncertale simfonike të orkestrës së RTSH-së, dhe njëkohësisht regjisor i festivaleve ‘Kur vjen pranvera’, ‘Festivali i interpretuesve’ apo ai i këngës popullore. Realizimi i disa prej portreteve më të mëdha artistike shqiptare si: Prenk Jakova, Vaçe Zela, Skënder Sallaku, Fadil Kraja, Tano Banushi, etj, i dedikohet punës dhe përkushtimit të Osman Mulës.  Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente të reja, e që ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe artin kombëtar e duke e harmonizuar atë me modernen apo dekadenten. Pa dyshim Osman Mula është një nga regjisorët më të njohur edhe në fushën e sportit. Ai ka ndërthurur me mjeshtëri spektaklin artistik me spektaklin në fushën e blertë”, nënvizoi Meta.

Meta bëri të ditur se Mula ka qenë po i suksesshëm, në promovimin e turizmit shqiptar, nëpërmjet koncerteve të regjistruara në natyrë dhe në vende të rëndësishme historike e kulturore./atsh/ KultPlus.com

Presidenti Meta letër Kuvendit: Të krijohet dekorata shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”

Presidenti Ilir Meta i kërkoi Kryetares së Kuvendit Lindida Nikolla, kryetarëve të grupeve parlamentarë dhe deputetëve të Kuvendit për të bërë të mundur krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.

Në letrën e drejtuar Kuvendit, Meta, argumentoi se viti 2022 shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorin e rikthimit në atdhe të familjes mbretërore shqiptare.

Kjo dekoratë do të jetë vlerësim dhe mirënjohje për Mbretëreshën Geraldinë, e cila e deshi Shqipërinë dhe iu përkushtua, gjatë gjithë jetës së saj, me dashuri e pasion. Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane. Jam i bindur që kjo dekoratë e lartë do të rrisë, njëkohësisht, ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, mbi rolin thelbësor e të pazëvendësueshëm të grave e vajzave shqiptare, për sakrificat, përkushtimin dhe dedikimin e tyre ndaj familjes dhe shtresave më në nevojë dhe për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë. Propozoj që Dekorata “Mbretëresha Geraldinë” t’u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, kryesisht grave dhe vajzave, kontributi dhe shërbimet e shquara të të cilave, lartësojnë rolin e kombit dhe të gruas shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nën moton e Mbretëreshës Geraldinë “Detyrë dhe Dashuri”, shprehet Meta./ KultPlus.com

Presidenti Meta dekoron personalitete të trevës së Durrësit

Me anë të një ceremonie të veçantë të zhvilluar në qytetin e Durrësit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara në fusha të ndryshme të kësaj treve.

Presidenti Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” Mihal Mukën me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e shëndetit publik, të humanizmit dhe punës së palodhur në shërbim të qytetarëve durrsakë. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale si mjek epidemiolog, botues shkencor e pedagog, si dhe për vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare”.

Po ashtu u vlerësua sipërmarrësi Nazif Tivari me motivacionin: “Në vlerësimin të kontributit të shquar në shërbim të konsumatorit shqiptar me prodhimet e qumështit, si dhe ato të përpunuara prej tij. Me mirënjohje sipërmarrësit model, të përpiktë në marrëdhënie më punonjësit, si dhe me aftësi të spikatura organizative e me vizion bashkëkohor në industrinë e agrobiznesit”; valltarin Ibrahim Roçi: “Në vlerësim të talentit të spikatur në interpretimin e valleve tradicionale, për kontributin në lartësimin e kulturës popullore e folklorit të trevës së Kavajës, si dhe në formimin dhe përgatitjen artistike të mjaft valltarëve të rinj”.

Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës vlerësoi Alfred Golgotën me motivacionin: “Me mirënjohje për shërbimin e çmuar dhe kontributin në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve të ruajtjes së rendit publik, si dhe vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare”.

Me titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta, vlerësoi edhe Enver Qerimin me motivacionin: “Në vlerësim të cilësive të spikatura si violinist i talentuar, për virtuozitetin  në interpretimin me teknik të lartë dhe emocion të shumë  koncerteve me repertor të pafund nga muzika popullore, deri në pjesët më të njohura të muzikës instrumentale shqiptare e botërore për violinë e piano”. / KultPlus.com

Presidenti Meta ndan dekorata për disa artistë të shquar shkodranë

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara të fushës së artit dhe të kulturës shkodrane, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në sallën e këshillit bashkiak të Shkodrës.

Kreu i shtetit çmoi me dekoratën e lartë “Nder i Kombit” (pas vdekjes) Shyqyri Alushin (Hagjanin): “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe interpretimin e rrallë të këngës popullore shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të talentuar, i cili me vokalin e tij të veçantë u bë i njohur, i dashur dhe i respektuar në Shkodër e kudo ku ai interpretoi këngën popullore shkodrane, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përhapjen e krijimtarisë sonë popullore.”

Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësua Agron Dizdari me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm, të shpalosur në artin skenik dhe kinematogafinë shqiptare, duke dëshmuar cilësi të spikatura me aktrimin dhe profesionalizmin e tij”.

Titulli për Ramazan Çekën mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe vlerat e mëdha krijuese si poet, publicist dhe tekst-shkrues i muzikës popullore dhe qytetare shkodrane, e cila këndohet nga shqiptarët, anembanë botës, si dhe për bukurinë e fjalëve dhe të melodisë së saj”, për Ilmi Kurtin “Në vlerësim të kontributit të madh si shkrimtar, poet dhe publicist në promovimin e shkëlqyer të traditave dhe fuqisë artistike të malësisë shqiptare. Me mirënjohje personalitetit me cilësi të jashtëzakonshme, i cili me mjeshtëri kulturore dhe ndjenjë të thellë kombëtare, ka përcjellë me vërtetësi historitë e kohës”; për Nimet Salabegun (Begu), “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar në muzikën popullore shqiptare, si mjeshtër i klarinetës dhe këngëtar me grupin e njohur ‘Na bashkoi kënga popullore’, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist dhe i vlerësuar nga artdashësit”; për Merita Smajajn, “Me vlerësim ndaj artistes së spikatur të teatrit ‘Migjeni’ të Shkodrës dhe kinematografisë shqiptare, si dhe për talentin e rrallë në realizimin e shumë personazheve me profesionalizëm dhe me cilësi të lartë artistike”.

Titulli për Adnan Balën mban motivacionin: “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar për muzikën popullore shqiptare, veçanërisht për muzikën popullore shkodrane, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist, i dashur dhe i vlerësuar nga artdashësit”; ndërsa për Mhill Çun Gjonajn (pas vdekjes): “Për meritat e veçanta në hulumtimin, autorësinë e shumë teksteve, si dhe interpretimin e shkëlqyer të folklorit dukagjinas e më gjerë për më shumë se pesë dekada. Në vlerësim të organizimit dhe drejtimit të grupeve artistike në Dukagjin e Gruemirë, si dhe bashkëpunimit të frytshëm me mediat vizive lokale për njohjen dhe përhapjen e folklorit dhe kulturës popullore dukagjinase dhe shqiptare”.

Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar autoriteteve vendore të këshillit bashkiak, artistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, vuri në dukje se, “artistët, që ne vlerësojmë sot, janë aktorë, këngëtarë, rapsodë e poetë, por të gjithë i bashkojnë dy gjëra të rëndësishme: dashuria për Shkodrën dhe pa dyshim dashuria për artin”.

“Arti popullor është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet ruajtur e trashëguar në brezat që do të vijnë pasi kërcënohet realisht për t’u zbehur, për t’u zvetënuar ndërkohë që ne kemi një nevojë të domosdoshme të forcojmë identitetin tonë kombëtar, akoma edhe më shumë në sfidat që kemi përpara. Ndaj edhe vlerësimi i artistëve që kanë dhënë e japin një kontribut të çmuar për ruajtjen dhe zhvillimin e artit tonë duhet të mbetet një detyrim dhe përparësi e institucioneve dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë”, tha Meta./ata.gov.al/ KultPlus.com

Presidenti Meta viziton kishën e Leusës në Përmet

Presidenti Ilir Meta vizitoi kishën e Leusës, e cila ndodhet në jug të Përmetit, nga ku lugina e Vjosës duket si në pëllëmbë të dorës.

Meta ndau pamje nga vizita në këtë kishë, ndërsa u uroi të gjithë shqiptarëve festa të gëzuara.

“Sipas traditës, ndeza një qiri, për t’ju bashkuar lutjeve tuaja në këtë sezon festash për më shumë shëndet, mbarësi e gëzime në çdo familje shqiptare! Të keni bekimet e Zotit!”, shprehet Meta.

E ndërtuar në shekullin XVII, me afreske dhe gdhendje unike druri të punuara mjeshtërisht, kisha mban emrin e së Tërëshenjtës Mari dhe i kushtohet Fjetjes së saj.

Kjo kishë është një atraksion i jashtëzakonshëm për turistët vendas dhe të huaj, një monument i rrallë i trashëgimisë tonë kulturore, që nuk duhet lënë pa u vizituar./atsh/KultPlus.com

Çmimi “Mjeshtër i Madh” për këngëtarin David Tukiçi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin dhe dirigjentin e shquar shqiptar David Tukiçi, me motivacionin: “Në vlerësim të meritave dhe kontributeve të vyera si këngëtar, muzikant dhe dirigjent orkestre, i cili ka krijuar me cilësi të lartë shumë vepra artistike, duke u vlerësuar si në vendin tonë, ashtu edhe në skenat ndërkombëtare. Me mirënjohje për veprimtarinë e tij artistike si një nga kompozitorët e rrallë të muzikës klasike dhe asaj të bazuar në motivet tradicionale shqiptare.”

Në fjalën e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë e dekorimit,  Meta u shpreh se, “Tukiçi e ka në ADN muzikën dhe artin. Djali i tenorit të famshëm Ibrahim Tukiçi, atij ju injektua dashuria për artin, nga babai i tij artist, që në fëmijëri”.

“Karriera artistike e Davidi nisi në moshën 4-vjeçare, kur u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e ‘Pinkertonit’ të vogël, përkrah babait të tij. Vetëm 14 vjeç, Davidi bëhet protagonist dhe i famshëm, si këngëtari i parë i vogël, që fitoi çmimin e parë në festivalin e 8-të të Këngës në Radio-Televizion, në një festival për të rritur”, tha Meta.

“Në fakt, brezi ynë e kujton me mall këngën hit, të kënduar nga Davidi ‘Dhuratë për ditëlindje’ ose, siç e njohim të gjithë, ‘Globi rrotullohet’.  Po në moshën 14-vjeçare, Davidi eksperimenton në një tjetër fushë të artit, në kinema, me rolin e Ilirit të vogël në filmin ‘Njësiti guerril’”, u shpreh Meta.

Por, shtoi Meta, “muzika mbeti dashuria e parë e Davidit dhe ai iu përkushtua studimit të pianos në Liceun Artistik, ndërkohë që ra në sy talenti i tij i madh në kompozim. Ky talent e çoi të konkurronte për kompozicion në ‘Institutin e Lartë të Arteve’.  Fati deshi, që studimet e tij 5-vjeçare në kompozicion, t’i kryente nën drejtimin e kompozitorit të jashtëzakonshëm shqiptar të shekullit XX, profesor Çesk Zadeja”.

“Fillimet e karrierës së tij, Davidi i ka në shtëpinë e kulturës në Krujë, ku i frymëzuar nga motivet e bukura popullore krutane, kompozon veprën ‘Rapsodi për violinë e orkestër’, e cila u vlerësua me çmim të parë, në Dekadat e Majit. Davidi kompozon dhe këndon, me pasion. Përkushtimi dhe talenti i tij sjellin edhe emërimin në Radio Televizionin Shqiptar.  Kompozimet e tij për orkestrën simfonike i sjellin shumë çmime në aktivitete kombëtare. Ashtu si edhe shumë këngë të muzikës së lehtë të kompozuara nga Tukiçi, bëhen fituese të çmimeve të para në festivale dhe hite të muzikës sonë të lehtë “, theksoi Meta.

“Ndryshimi i sistemit solli edhe largimin e David Tukiçit në Itali, ku ai ku vazhdoi të kultivojë me pasion profesionin e tij, si një ambasador i shkëlqyer i artit shqiptar. Dëshira për të studiuar është një nga karakteristikat që e ka dalluar David Tukiçin gjatë gjithë jetës.  Ai vazhdoi të studiojë edhe në Itali, ku iu njoh titulli ‘Kompozitor’, ashtu siç perfeksionoi studimet e tij, për kompozitor dhe dirigjim në Paris, ku u diplomua për ‘Dirigjent Orkestre Simfonike’. Kontributi dhe vlerat e David Tukiçit u njohën dhe vlerësuan edhe nga shteti Italian dhe Presidenti i Republikës italiane Scalfaro, i cili i akordoi Titullin ‘Qytetaria Italiane’, për kontributin e tij, në përhapjen e kulturës muzikore në Itali”, u shpreh Meta.

“Me gjithë vlerësimet e mëdha të marra jashtë atdheut, zemra e Davidid rrihte për Shqipërinë, ku edhe u rikthye si kompozitor i afirmuar, për të dirigjuar, në vitin 2010, veprën e tij të parë operistike, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Puna e tij si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar solli një frymë të re europiane, si në programacion edhe në përzgjedhjen e repertorit dhe të solistëve, për të vazhduar më tej, me punën në Radio Tirana, ku kontributi i zoti David Tukiçi vazhdon të mbetet i qenësishëm”, tha Meta.

“Duke e falënderuar përzemërsisht për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme të bërë ndër vite, mbetemi në pritje gjithashtu, të shfaqjes së operës së dytë të David Tukiçit, ‘Rozafa’, me libret të dramaturgut të mirënjohur shkodran Fadil Kraja, një vepër që jam i bindur do të jetë përsëri një sukses. Në mirënjohje të veprimtarisë së vyer artistike si këngëtar, muzikant, dirigjent orkestre dhe si një nga kompozitorët më të shquar të muzikës klasike, vlerësoj sot, zotin David Tukiçi, në praninë tuaj, me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, përfundoi Meta. / KultPlus.com

‘Mjeshtër i Madh’ për këngëtarin David Tukiçi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin dhe dirigjentin e shquar shqiptar David Tukiçi, me motivacionin:“Në vlerësim të meritave dhe kontributeve të vyera si këngëtar, muzikant dhe dirigjent orkestre, i cili ka krijuar me cilësi të lartë shumë vepra artistike, duke u vlerësuar si në vendin tonë, ashtu edhe në skenat ndërkombëtare. Me mirënjohje për veprimtarinë e tij artistike si një nga kompozitorët e rrallë të muzikës klasike dhe asaj të bazuar në motivet tradicionale shqiptare.”

Në fjalën e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë e dekorimit,  Meta u shpreh se, “Tukiçi e ka në ADN muzikën dhe artin. Djali i tenorit të famshëm Ibrahim Tukiçi, atij ju injektua dashuria për artin, nga babai i tij artist, që në fëmijëri”.

“Karriera artistike e Davidi nisi në moshën 4-vjeçare, kur u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e ‘Pinkertonit’ të vogël, përkrah babait të tij. Vetëm 14 vjeç, Davidi bëhet protagonist dhe i famshëm, si këngëtari i parë i vogël, që fitoi çmimin e parë në festivalin e 8-të të Këngës në Radio-Televizion, në një festival për të rritur”, tha Meta.

“Në fakt, brezi ynë e kujton me mall këngën hit, të kënduar nga Davidi ‘Dhuratë për ditëlindje’ ose, siç e njohim të gjithë, ‘Globi rrotullohet’.  Po në moshën 14-vjeçare, Davidi eksperimenton në një tjetër fushë të artit, në kinema, me rolin e Ilirit të vogël në filmin ‘Njësiti guerril’”, u shpreh Meta.

Por, shtoi Meta, “muzika mbeti dashuria e parë e Davidit dhe ai iu përkushtua studimit të pianos në Liceun Artistik, ndërkohë që ra në sy talenti i tij i madh në kompozim. Ky talent e çoi të konkurronte për kompozicion në ‘Institutin e Lartë të Arteve’.  Fati deshi, që studimet e tij 5-vjeçare në kompozicion, t’i kryente nën drejtimin e kompozitorit të jashtëzakonshëm shqiptar të shekullit XX, profesor Çesk Zadeja”.

“Fillimet e karrierës së tij, Davidi i ka në shtëpinë e kulturës në Krujë, ku i frymëzuar nga motivet e bukura popullore krutane, kompozon veprën ‘Rapsodi për violinë e orkestër’, e cila u vlerësua me çmim të parë, në Dekadat e Majit. Davidi kompozon dhe këndon, me pasion. Përkushtimi dhe talenti i tij sjellin edhe emërimin në Radio Televizionin Shqiptar.  Kompozimet e tij për orkestrën simfonike i sjellin shumë çmime në aktivitete kombëtare. Ashtu si edhe shumë këngë të muzikës së lehtë të kompozuara nga Tukiçi, bëhen fituese të çmimeve të para në festivale dhe hite të muzikës sonë të lehtë “, theksoi Meta.

“Ndryshimi i sistemit solli edhe largimin e David Tukiçit në Itali, ku ai ku vazhdoi të kultivojë me pasion profesionin e tij, si një ambasador i shkëlqyer i artit shqiptar. Dëshira për të studiuar është një nga karakteristikat që e ka dalluar David Tukiçin gjatë gjithë jetës.  Ai vazhdoi të studiojë edhe në Itali, ku iu njoh titulli ‘Kompozitor’, ashtu siç perfeksionoi studimet e tij, për kompozitor dhe dirigjim në Paris, ku u diplomua për ‘Dirigjent Orkestre Simfonike’. Kontributi dhe vlerat e David Tukiçit u njohën dhe vlerësuan edhe nga shteti Italian dhe Presidenti i Republikës italiane Scalfaro, i cili i akordoi Titullin ‘Qytetaria Italiane’, për kontributin e tij, në përhapjen e kulturës muzikore në Itali”, u shpreh Meta.

“Me gjithë vlerësimet e mëdha të marra jashtë atdheut, zemra e Davidid rrihte për Shqipërinë, ku edhe u rikthye si kompozitor i afirmuar, për të dirigjuar, në vitin 2010, veprën e tij të parë operistike, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Puna e tij si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar solli një frymë të re europiane, si në programacion edhe në përzgjedhjen e repertorit dhe të solistëve, për të vazhduar më tej, me punën në Radio Tirana, ku kontributi i zoti David Tukiçi vazhdon të mbetet i qenësishëm”, tha Meta.

“Duke e falënderuar përzemërsisht për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme të bërë ndër vite, mbetemi në pritje gjithashtu, të shfaqjes së operës së dytë të David Tukiçit, ‘Rozafa’, me libret të dramaturgut të mirënjohur shkodran Fadil Kraja, një vepër që jam i bindur do të jetë përsëri një sukses. Në mirënjohje të veprimtarisë së vyer artistike si këngëtar, muzikant, dirigjent orkestre dhe si një nga kompozitorët më të shquar të muzikës klasike, vlerësoj sot, zotin David Tukiçi, në praninë tuaj, me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, përfundoi Meta./atsh/KultPlus.com

Ferial Vasili, ikona e mësimdhënies dhe letërsisë

Presidenti i Republikës, i ka dhënë sot lamtumirën e fundit Ferial Vasili.

Meta është shprehur se, Vasili ishte ikona e mësimdhënies dhe letërsisë për breza të tëra gjimnazistësh të “Sami Frashërit”.

Meta u ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe njerëzve më të afërt duke u lutur, që shpirti i saj të prehet në paqe.

Meta gjithashtu ka publikuar si një homazh në këtë ditë lamtumire për të, shkrimin e ndjerë të një ish-nxënëse të saj, Elida Buçpapaj.

“Sot i dhashë lamtumirën e fundit ikonës së mësimdhënies dhe letërsisë për breza të tëra gjimnazistësh të “Sami Frashërit”, zonjës Ferial Vasili. Më këtë rast u shpreha ngushëllimet familjarëve dhe njerëzve më të afërt duke u lutur, që shpirti i saj të prehet në paqe. Si një homazh në këtë ditë lamtumire për të, po postoj shkrimin e ndjerë të një ish-nxënëse të saj, Elida Buçpapaj”, shprehet Meta./KultPlus.com

Presidenti Meta dekoron me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar, Marenglen Verli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar dhe akademikun Marenglen Verli.

“Në vlerësim të veprimtarisë së shquar në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike të vendit tonë.”

Në fjalën përshëndetëse drejtuar akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të pranishëm, Presidenti Meta e cilësoi një figurë të njohur të fushës së studimeve historike, akademikun e shquar, Marenglen Verli.

Sipas presidentit Meta, vlerësimi i tij, nuk është rastësor, por bëhet në kuadër një  momenti të rëndësishme të këtyre ditëve që lidhet me nisjen e edicionit të dymbëdhjetë të ‘Ditëve të Albanologjisë’, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, institucion ku zoti Verli ka qenë drejtues.

“’Ditët e Albanologjisë’ janë një finalizim dhe promovim i punës së përbashkët të instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë e letërsisë, historisë, antropologjisë dhe kulturës popullore. Kontributi i tyre merr vlera të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke shërbyer si shtyllë referimi për studime të mëtejshme të albanologëve vendas dhe të huaj”, tha Meta.

Verli është një nga studiuesit dhe historianët tanë, më të njohur me një kontribut mbi 4 dekada, në studimin dhe promovimin e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Jeta e tij ka qenë e lidhur me studimet shkencore, botimet dhe mësimdhënien, që pas përfundimit të studimeve pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Krijimi i departamentit të ri ‘Sektori i Historisë së Kosovës’, pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave në vitin ’79, solli edhe përfshirjen e Marenglen Verlit në të dhe profilizimin e tij, si specialist i historisë së Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, kryesisht në periudhën e shekullit të 20-ë, e më tej edhe në historinë e rajonit.

Për katër dekada, akademiku Verli ju përkushtua formimit e kualifikimit të tij si studiues. Pjesëmarrja e tij në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ashtu si edhe prania e vazhdueshme në median e shkruar e vizive kanë qenë një pjesë e rëndësishme e punës së tij të madhe.

Meta u ndal edhe në kontributin e Verlit në shumë emisione televizive e radiofonike, veçanërisht për bashkatdhetarët në periudhën e luftës në Kosovë; drejtimin për shumë vite të departamentit të Historisë së Kosovës; drejtimin për 3 vite të Instituti të Historisë dhe, së fundmi, drejtimin për 5 vite të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Vlen të përmendet gjithashtu, kontributi i Verlit, si një nga nismëtarët e përfshirjes së historisë, gjeografisë, arsimit e kulturës të viseve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Ashtu si vlen të përmendet edhe impenjimi i tij i vazhdueshëm, si titullar lënde, në disa universitete të vendit dhe kontributi i tij, në formimin e brezave më të rinj të historianëve. / KultPlus.com

Presidenti Meta pret artisten Anna Stratigò: Ambasadore e kulturës arbëreshe në botë

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim artisten Anna Stratigò. Meta e cilësoi atë një ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë.

“I lumtur të takoja artisten e shquar Anna Stratigò, ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë, këngët e së cilës janë duartrokitur në shumë skena prestigjioze ndërkombëtare, duke prezantuar denjësisht jo vetëm muzikën, por edhe kostumet dhe traditat e mrekullueshme arbëreshe”, tha Meta.

Artisja do të jetë e ftuar në një program televiziv në vend për festat e fundvitit, dhe kreu i shtetit thekson se Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe.

“Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe. Gjyshi i saj, Vincenzo Stratigò ishte poet revolucionar arbëresh i lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe mik i Garibaldit. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie dëshmojnë, jo vetëm për një vetëdije të mprehtë sociale por edhe dashurinë e madhe dhe krenarinë e të qenit Arbëresh, siç e dëshmojnë disa nga vargjet e poemës së tij ”Sono Albanese” (“Jam shqiptar”) shkruar në vitin 1857″, u shpreh Meta./atsh/KultPlus.com