Kreu i Shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar Vjosa Osmanin, e cila u zgjodh Presidente e Kosovës. Në një mesazh urimi, Meta shprehet i bindur se Osmani me përkushtim të lartë do t’i shërbëje unitetit të gjithë qytetarëve.
Po ashtu, Meta shprehet i gatshëm për bashkëpunim të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Urimet më të sinqerta Vjosa Osmanit me rastin e zgjedhjes në detyrën tepër të rëndësishme të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona.
Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë dhe të Kosovës”, shkruan Meta në Facebook. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi filologun dhe intelektualin e njohur kuksian, Shefqet Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Qëmtues i thellë i traditave etnokulturore në krahinat e Kukësit. Studiues i mprehtë i tyre të botuar në dymbëdhjetë vëllime, që e pasurojnë visarin kombëtar me vlera të shquara për brezat e ardhshëm”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, presidenti Meta tha se kishte kënaqësinë e veçantë, që me rastin e 87-vjetorit të lindjes, të vlerësojë profesor Shefqet Hoxhën, të cilit i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të re.
Profesor Shefqeti është doktor i shkencave filologjike, profesor i asociuar, gjuhëtar, dialektolog, muzeolog, gjurmues arkivash, udhëheqës shoqatash shkencore, studimore e kulturore, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, drejtues i lëvizjes demokratike në Kukës e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘Mësues i Popullit’, ‘Qytetar Nderi’ dhe personalitet i shquar i qarkut të Kukësit dhe jo vetëm.
Profesor Shefqet Hoxha, ka të botuar mbi 65 libra e disa të tjera i ka në proces, ndërsa ka botuar edhe rreth 700 artikuj shkencorë, publicistikë dhe kulturorë.
Profesor Shefqet Hoxha ka mbi 60 vite punë kërkimore e shkencore në dobi të kulturës kombëtare e albanologjisë, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë.
Profesor Shefqeti, ka arritur të botojë 10 volumet kapitale të etnologjisë për qarkun e Kukësit, një pasuri e rrallë shpirtërore që u shpëtua nga humbja e sigurt dhe harresa, për shkak se shumica e mbartësve të tyre, patriotët dhe pasionantët e kulturës nuk janë gjallë, si profesor Shefqet Hoxha, që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave shpirtërore kombëtare.
“Në një Shqipëri europiane, këto vlera shpirtërore që na sjell Profesor Shefqeti, janë prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë dhe dëshmojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenar”, tha Meta.
“Të shpëtosh gjuhën dhe të folurën e para një shekulli të një krahine si Luma, Hasi, Malziu, Fani apo Malësia e Gjakovës, ta regjistrosh e botosh këtë pasuri të rrallë shpirtërore, të folurën, këngët, legjendat, doket, zakonet e traditat është një shërbim i madh për ruajtjen e shpirtit dhe identitetit të kombit tonë”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi dirigjenten e spikatur Suzana Turku me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim me motivacionin: “Në vlerësim të veprës artistike shumëvjeçare për krijimin dhe pasurimin e vlerave artistike në gjininë e muzikës operistike shqiptare; për realizimin me sukses, njohjen dhe vlerësimin e muzikës korale shqiptare, si krijimtari dhe interpretime, duke vënë në skenë brenda dhe jashtë vendit, vepra nga më të njohurat nga fondi i zgjedhur i krijimtarisë sonë dhe asaj botërore. Me mirënjohje institucionale për kontributet e saj të vyera si artiste e spikatur, si dirigjente e talentuar e korit të Universitetit të Arteve dhe njëkohësisht pedagoge frymëzuese e edukimit, krijimit dhe aktivizimit të talenteve të reja ndër breza.”
Fjala e Presidentit:
“Është privilegj për mua, që sot në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, të vlerësoj një nga personalitetet më të shquara të kulturës, të artit dhe muzikës sonë, zonjës Suzana Turku.
Një zonjë, që me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse e plot pasion është bërë një shembull për të gjitha gratë shqiptare, duke thyer tabu e stereotipe dhe duke merituar një vend shumë të vlerësuar në shoqërinë tonë.
Lidhjet e dirigjentes Turku me profesionin, dashuria e saj për punën dhe artin kanë qenë lidhje të forta shpirtërore.
Të jesh një grua dirigjente është e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende më të zhvilluara. Por zonja Turku e zgjodhi këtë profesion, duke iu përkushtuar atij me dashuri, duke besuar fort, se me punë dhe pasion arrihet gjithçka.
Në rrugëtimin e saj të gjatë në fushën e artit ka punuar pa bërë kompromise me profesionin dhe duke u frymëzuar nga shembulli i zonjave të shquara, paraardhëse të saj, drejtuese të korit si Jorgjia Truja apo Rozmari Jorganxhi.
Gjatë gjithë karrierës së saj të gjatë dirigjentja Turku ka realizuar koncerte të suksesshme me muzikë të kompozitorëve më të shquar shqiptar si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi e shumë të tjerë.
Po ashtu ka bashkëpunuar me mjeshtrat e dirigjimit si Rifat Teqja, Mustafa Krantja, Ermir Krantja, etj. për të vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit vepra madhështore botërore si ‘Traviata’, ‘Rigoleto’, ‘Trovatore’, ‘Carmen’, etj.
Edhe pas viteve ’90-të zonja Turku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin, duke themeluar grupin e parë koral në Shqipëri.
Për të vazhduar më tej me drejtimin e korit të vajzave dhe korin e të vegjëlve, e më pas dirigjimin koral në Akademinë e Arteve, ku vazhdon të japi kontributin e saj.
Ndër të tjera, personaliteti i zonjës Turku, do të mbahet mend edhe për drejtimin dhe konsolidimin për një kohë të gjatë të politikave kulturore, ngritjen e nivelit profesional dhe përfaqësimin e denjë, që shpalosën institucionet e artit dhe kulturës, gjatë viteve kur ajo drejtoi e bashkëpunoi me komunitetin artistik në Shqipëri, në Europë edhe kudo.
Ndërkohë, angazhimi i fortë për komunitetin i dirigjentes Turku është shpalosur edhe në këtë periudhë të vështirë pandemie, me organizmin e disa eventeve të ndryshme muzikore, në solidarizim me të gjithë qytetarët në këto momente të vështira.
Në vlerësim të gjithë kontributit të jashtëzakonshëm shumëvjeçar, si dirigjente e drejtuese kori, si një nga personalitetet e muzikës, por edhe si një pedagoge me cilësi të larta akademike, që ka edukuar e frymëzuar breza të tërë të rinjsh, në rrugën e artit e muzikës, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zonjën Suzana Turku me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ e t’i uroj suksese në të ardhmen. / KultPlus.com
Shtatë muaj pasi u shua skulptori Arben Bajo është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i madh”, me motivacionin:“Në vlerësim të cilësive të mëdha artistike, talentit të spikatur e të vyer në fushën e skulpturës bashkëkohore shqiptare. Skulptori që trajtoi me dashuri të veçantë figurën e njeriut dhe shënjoi ndjeshëm realitetin artistik vendas, me kontributin e tij qytetar, pedagogjik dhe intelektual”.
“Ne miqtë e tij që ishim përditë me të, na duket akoma sikur nga momenti në moment do të rikthehet sërisht. Është e pabesueshme ende. Të paktën ky çmim, që i dha Presidenti i Republikës është një vlerësim i krijimtarisë së tij dhe pwr dimensionin e tij human edhe pedagogjik. Patjetër që kjo nuk mjafton për kalibrin e Benit, që shënoi kohën e vet si pak skulptorë”, thotë studiuesi i arteve pamore, Ermir Hoxha.
Veprat e artit që ruhen nga familja në studion e tij, sipas studiuesit duhet që të kenë vlerësimin e duhur dhe nga institucionet, të cilat duhet të kenë vullnet për hapjen e një muzeu privat apo shtetëror
“Familja është treguar shumë e aftë për të ruajtur krijimtarinë e tij, ashtu siç ka qenë. Prandaj unë mendoj se Arben Bajo e meriton një muze privat apo shtetëror, kjo mund të jetë një nisëm e familjarëve apo miqve, por që duhet të gjejë mbështetjen e institucioneve. Qoftë për një lloj investimi apo edhe për zgjidhjen e kuadrit ligjor”, thotë Ermir Hoxha.
Portrete të personaliteteve shqiptarë, figura njerëzore, eleganca e nudove, hulumtim i botës së brendshme njerëzore përmes mitologjisë, instinktet kafshërore të mbështjella plot mjeshtëri me trupat njerëzor janë vetëm disa nga elementët për të cilët Ermir Hoxha vlerëson artistin bashkëkohor.
“Beni është një nga ata artistë që përkufizon më mirë skulpturën, nga ajo skulpturë e ngjizur në kohën e komunizmit me të gjithë parametrat tejet profesionale që ka pas, në përjetimin e kësaj skulpture në një fazë tranzitore për tre dekada”, përfundon Ermir Hoxha.
Vdekja kobzezë edhe e parakohshme, që erdhi nga Covid 19 në moshën 53-vjeçare i la Bajos dhe projekte pezull, të cilat miqtë artistë do t’i finalizojnë në të ardhmen përmes realizimit të një ekspozite personale./shqiptarja/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar ushtruesen e detyrës së presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani, në 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e urimit të kreut të shtetit thuhet se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, si liberalizimi i vizave apo avancimi i procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.
“Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë. Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Metaj në Facebook.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë dhënë shembull demokracie në zgjedhjet e të dielës.
“Zgjedhjet e mbajtura para pak ditësh në Kosovë treguan maturi dhe pjekuri politike të qytetarëve të Kosovës, si dhe dhanë një shembull demokracie se si duhet të mbahen zgjedhjet dhe të respektohet rezultati i tyre. Uroj që krijimi i institucioneve të reja të dala nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, të jetë sa më i shpejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe përparimit në proceset integruese të vendit. Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente në Detyrë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar Meta./ KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Tirona Intelectum”, “Bashkësia Dibrane” si dhe përfaqësues të familjeve autoktone tiranase 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.
Në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u mbajt edhe një veprimtari kulturore-historike “101-vjetori i Tiranës kryeqytet” ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtreve tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se, “11 Shkurti i vitit 1920 është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, të Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë!
Ndaj në këtë atmosferë feste, pavarësisht nga situata e pazakontë për shkak të pandemisë, dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Ta ruajmë dhe ta mbrojmë Tiranën, që të mbetet jo vetëm kryeqyteti ynë, por edhe krenaria jonë dhe për këtë dua të falënderoj shoqatat tuaj dhe gjithë komunitetin, për përpjekjet që ka bërë deri tani, por sidomos për ato që do të bëjmë të gjithë së bashku në të ardhmen”, tha Meta.
Meta vlerëson arkeologun dhe politikanin e shquar, Neritan Ceka me Dekoratën “Nderi i Kombit”
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.
Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se, “është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka”.
“Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike”, tha Meta.
“Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematikë të atij brezi, që u quajt i Pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste”, u shpreh Meta.
“Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare”, theksoi Meta. /ata/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, gazetarin Engjëll Ndocaj.
Duke shprehur vlerësimin e tij, Meta shprehet se Engjëll Ndocaj është një nga gazetarët më të shquar të Televizionit publik shqiptar.
“Falë kontributit të pareshtur të dhënë në katër dekada, për informimin dhe modernizimin cilësor të gazetarisë televizive, ai vlerësohet nga të gjithë, veçanërisht për krijimin e qindra dokumentarëve, të dalluara për tematikën e gjerë dhe nivelin e lartë artistik. I pranishëm në Lëvizjen Studentore, me kronika dhe reportazhe, pjesëmarrës në Takimin Historik të Studentëve në Pallatin e Brigadave, e më pas, dëshmitar dhe pasqyrues i proceseve demokratike, Engjëll Ndocaj u bë më i afërt dhe i dashur për publikun”, shprehet ai.
Po ashtu, Meta thekson se në vlerësim të punës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm, si gazetar e skenarist i mirënjohur televiziv, pata sot kënaqësinë t’i akordoja Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
“Vlerësimi për të është njëkohësisht shprehje e vlerësimit për TVSH-në, medien e parë elektronike në vendin tonë, një institucion që për 60 vjet, ka formuar një armatë gazetarësh, krijuesish, realizuesish, por dhe specialistësh të teknikës moderne televizive, për të cilët krenohemi dhe gëzojmë respektin më të madh”, shprehet ai. /ata/ KultPlus.com
Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe mbylli sytë më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, ku ka theksuar se Dritëroi ynë i madh, dritëron për jetë në çdo varg e libër që na la trashëgim të gjithëve.
‘Me rrënjët e thella në popull, shprehës i fuqishëm i shpirtit të shqiptarit të thjeshtë, të ndershëm, punëtor e patriot, Dritëroi do të jetë gjithmonë pranë nesh me idetë e tij të vyera në letërsi, art dhe politikë. Shumë mall për ty mik i shtrenjtë, që na mungon kaq shumë’, është shprehur tutje Meta.
Katër vite pas humbjes së tij, shtëpia e të madhit Dritëro do të kthehet në muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se gjithçka është në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme.
“Sot bëhen 4 vite pa Dritëroin e madh! Jemi në rrugë të mbarë për të hapur shtëpinë e tij në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme – aty, në ndonjë raft, do ta kërkojmë e rilexojmë”, u shpreh Veliaj.
Edhe vajza e tij, Elona, përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur lajmin.
“Më 28 Janar 1974 përmes këtij Autorizimi , babit iu dha e drejta e strehimit në Pallatin 85 të Rrugës së Dibrës ( quajtur atëherë Rruga Bajram Curri) . Derisa mbylli sytë jetoi në këtë apartament . Tanimë, do të kthehet në shtëpi muze”, shprehet Elona Agolli. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim përfaqësi të shoqatës “Antipatrea”, me një kontribut të madh për përfshirjen e Beratit në UNESCO.
Meta shprehet së në takim, përfaqësuesit e shoqatës “Antipatrea”, më njohën me shqetësimet e drejta se, ky qytet me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, po dëmtohet nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe projektet e nxituara urbane, të pakonsultuara me komunitetin dhe që e kanë detyruar këtë shoqatë të nderuar, t’i drejtohet UNESCO-s.
“Nga drejtuesi i “Antipatrea”-s, arkitekti i njohur beratas, Pavllo Shkarpa m’u ngrit shqetësimi mbi masakrën urbane, që po ndodh në Berat, me dëmtimin e shumë lagjeve karakteristike të qytetit. Tepër i vlefshëm edhe propozimi i tij për ndërtimin e një Pallati Sporti, për të rinjtë e rejat e këtij qyteti, që nuk kanë ende sot një qendër ku të ushtrojnë pasionet e tyre. Ndërsa inxhinieri i mirënjohur Xhevahir Ngjeqari, më bëri prezent faktin e mosmarrjes në konsideratë nga Qeveria dhe pushteti vendor të sistemimit të lumit Osum, mbështetur mbi vlerësimet e akademikëve më të shquar të vendit, si dhe të mungesës së investimeve për shumë projekte rrugore, me rëndësi strategjike. I mbajta shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet e të pranishmëve, si dhe i garantova se jo vetëm ata, por i gjithë komuniteti i dashur i Beratit, do të më ketë në krah, për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të këtij qyteti”, shprehet Meta.
Po ashtu, Meta tha se do të bëj çdo përpjekje, që në bashkëpunim me komunitetin dhe UNESCO-n, t’i japim me shumë dashuri Beratit shkëlqimin e merituar, për të moslejuar shpopullimin e tij dhe për t’i dhënë impulse të reja zhvillimi, si një qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe turizmin.
“Nga Mangalemi e Gorica dhe deri lart në kala, Berati i një mbi një dritareve, simbolizon një qendër të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe civilizimit tonë, me një trashëgimi të pasur historike e kulturore, që duhet mbrojtur dhe promovuar më së miri”, shprehet ai./atsh/ KultPlus.com
Në motivacion e dekoratës thuhet: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit.
Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.
Në fjalën e mbajtur regjisori Anagnosti tha: “Sot është një ditë e veçantë për mua. Falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falenderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë“.
Ndërkaq, presidenti Ilir Meta iu drejtua regjisorit, familjarëve dhe kolegëve të tij, si dhe personaliteteve të artit të pranishëm, duke thënë:
“Sot kam nderin e veçantë t’ju kem mysafirë në një ditë të shënuar, në 85-vjetorin e lindjes së ‘Artistit të Popullit’, Dhimitër Anagnosti!
Emri dhe vepra juaj i nderuar zoti Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin e qënies tuaj popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne frymëzim.
Vepra juaj do të jetë edhe për gjeneratat e ardhshme, metaforë emblematike e historisë së artit kinematografik shqiptar, referenca dhe modeli i një brezi krijuesish idealistë e patriotë, që i bëni nder artit dhe kulturës tonë kombëtare.
Kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit.
Me kontributin, përkushtimin dhe talentin e madh, z.Anagnosti na ka dhuruar vepra, që kanë shënjuar kulme të cilësisë artistike dhe që kanë përjetësuar mjeshtërisht njeriun shqiptar, jetën, shpirtin dhe historinë e tij.
Filmat tuaj, edhe pse të krijuar në një kohë e në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm që nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit tuaj, janë përherë në kohë, duke i paraprirë asaj.
Përmes gjuhës së pasur filmike, ata përcjellin mesazhe universale nga një kohë në tjetrën, duke mbetur përherë aktualë.
Ne jemi sot këtu për të nderuar në 85-vjetorin e lindjes Dhimitër Anagnostin, por në fakt, duke nderuar Anagnostin, nderimi shkon edhe për të gjithë ata artistë e mjeshtra të mëdhej, që themeluan dhe ngritën filmin shqiptar.
Shkon për të gjithë ata punëtorë të palodhur të kulturës tonë kombëtare, që tek emri i Dhimitër Anagnostit, kanë njërin prej përfaqësuesve më dinjitozë, aq sa ashtu si italianët mburren me Felinin e tyre të madh, edhe ne shqiptarët të mburremi me Dhimitër Anagnosti.
Në vlerësim dhe me mirënjohje për veprën tuaj të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe për gjithë kontributin e shquar, për artin dhe kulturën tonë kombëtar, në ditën tuaj të lindjes, kam kënaqësinë t’ju vlerësoj me dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, të shqiptarit më të gjallë ndër shqiptarët e gjallë, të atij personaliteti që përcaktoi shekuj më parë identitetin dhe rrugën europiane të kombit tonë.
Ta gëzosh i dashur Dhimitër!
Gëzuar dhe ju paçim jetëgjatë!” /panorama/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” dirigjentin e njohur elbasanas, Blerim Narazani.
Dirigjenti Narazani u dekorua me motivacionin “Me mirënjohjeje për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare. Në vlerësim të kontributeve artistike në identifikimin, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përhapur dhe lartësuar traditën muzikore dhe kulturore të qytetit të Elbasanit në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi”.
Duke iu drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta tha se “arti, në kuptimin e gjerë, është një formë komunikimi, ku artisti shpreh ndjenjat, mendimet apo vëzhgimet e tij, duke u dhënë kënaqësi ndjekësve.Këtë gjë ka bërë dirigjenti Narazani për gati gjysëm shekulli, me pasionin e përkushtim: Ka komunikuar përmes muzikës dhe iu ka dhënë kënaqësi të gjithë atyre, që e kanë ndjekur”.
“I lindur në një familje qytetare elbasanase, me tradita të njohura arsimore e kulturore, z. Narazani studioi muzikë, që në fëmijëri, për të mos iu ndarë gjithë jetën artit. Debutimi i tij në skenë filloi qysh në vitet e studimit në Universitetin e Arteve, për të vazhduar më tej si dirigjent i Orkestrës Filarmonike të qytetit dhe si pedagog i Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’. Qytetar i Elbasanit të traditave më të shquara arsimore e kulturore, dirigjent e profesionist, që iu përkushtua tërësisht mbajtjes në këmbë dhe promovimit të formacionit orkestror të qytetit, Narazani gjallëroi jo vetëm mjediset e qytetit të tij, por edhe atë mbarë shqiptar”, – nënvizoi Meta.
Sipas tij, në vitet e gjata të karrierës si artist profesionist, Narazani iu përkushtua identifikimit, promovimit dhe ruajtjes së vlerave të artit dhe kulturës, në përgjithësi dhe atyre të qytetit e të qarkut të Elbasanit, në veçanti.
“Dimensioni i tij artistik shfaqet në hartimin dhe realizimin e disa projekteve të rëndësishme artistike lokale dhe kombëtare, për të nderuar personalitete të muzikës popullore qytetare elbasanase. Ashtu siç ka edhe meritën e veçantë në promovimin e vlerave kulturore, jo vetëm të qytetit, por edhe të vendit tonë, në festivale dhe aktivitete të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, të Folklorit, Bandave Muzikore dhe të Muzikës së Dhomës”, – tha Meta.
Njëkohësisht, shtoi Meta, dirigjenti Narazani ka qenë gjatë gjithë kohës përkrahës i talenteve të reja, duke i edukuar dhe ndihmuar ata në rrugën e artit muzikor dhe të skenave të mëdha dhe duke i nxitur që të sjellin standarde të reja cilësore në skenë.
“Në të gjithë punën dhe aktivitetin e tij si dirigjent, drejtues dhe pedagog ka shpalosur kulturë, profesionalizëm, realizëm në vlerësime, dinjitet dhe integritet të lartë. Për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për artin, për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare, si dhe për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj në praninë tuaj Blerim Narazani me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ dhe t’i uroj suksese të mëtejshme”, – tha Meta. /atsh/ KultPlus.com
Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Mjeshtër i Madh” rapsodin e njohur Viktor Paloka, të cilin e cilësoi “një emër të njohur në fushën e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”.
Titulli i lartë iu dha rapsodit Paloka me motivacionin; “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara si njëri prej rapsodëve të njohur të këngës popullore, udhëheqës dhe organizator i veprimtarive të shumta dhe autor tekstesh këngësh. Me mirënjohje ndaj veprës së tij artistike, që e bëri të spikasë në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore jo materiale, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke lartësuar vlerat e rralla të artit popullor shqiptar”.
Duke iu drejtuar të familjarëve dhe artistëve të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti tha se “është thelbësore ruajtja e këtyre elementëve, që na bëjnë të themi me krenari që jemi shqiptarë dhe për të cilat, shumë patriotë shqiptarë kanë dhënë jetën. Sot, nderimi për rapsodin e shquar Viktor Paloka, është nderim dhe mirënjohje për të gjithë kontribuesit e shquar të folklorit tonë, qofshin krijues apo interpretues të tij”.
“Paloka ka një kontribut rreth 50-vjeçar në skenë, në krijimtari dhe në drejtim artistik. Jeta e tij ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht, që në lindje, me këngën dhe rapsoditë. Familja Paloka ka një traditë të vjetër dhe njihet si familje e shquar, që ka nxjerrë nga gjiri i saj, për pesë breza, mjaft artistë popullorë. Gjatë gjithë karrierës së tij Paloka është kontribues i shquar i folklorit, jo vetëm si rapsod interpretues, por edhe si krijues i qindra teksteve. Paloka ka qenë, gjithashtu, drejtues artistik i Ansamblit Folklorik të Vaut të Dejës dhe organizator i veprimtarive të shumta brenda dhe jashtë vendit, për të cilat është vlerësuar shpesh me çmime, trofe e diploma nderi”, – nënvizoi Meta.
Dashuria e tij për folklorin, vijoi Meta dhe përhapjen e tij është e jashtëzakonshme, duke e bërë pjesëmarrës në shumë simpoziume, konferenca e panele shkencore rreth trashëgimisë kulturore.
“Ndërkohë, që në fushën e publikimeve, për vlerat e trashëgimisë kulturore, zoti Paloka ka dhënë kontributin e tij me botimin e tre librave me tematikë traditat kulturore të zonës, botimin e disa albumeve muzikore, disa dokumentarëve dhe emisioneve televizive. Ajo që e bën Viktor Palokën të veçantë, si rapsod interpretues dhe organizator artistik është njohja e thellë dhe puna me pasion e përkushtim në drejtim të ruajtjes dhe përhapjes së trashëgimisë kulturore të zonës dhe asaj shqiptare”.
“Ekspozimi dhe përhapja e kësaj trashëgimie është shprehur përmes këngëve, valleve, instrumentave dhe kostumeve origjinale, për të cilat zoti Paloka dhe grupi nga Vau i Dejës kanë gjetur vlerësimin maksimal nga publiku dhe nga specialistët”, – tha Meta.
Edhe pse sot është në pension, shtoi Meta, ai vazhdon me dashuri e përkushtim punën e tij për përhapjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, si shprehje e pasurisë sonë shpirtërore kombëtare.
“Në nderim të kontributit të gjatë e të çmuar për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kombëtare jo materiale, si dhe të veprës së tij artistike, kam kënaqësinë të vlerësoj Viktor Palokën me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në fund të ceremonisë, “Mjeshtri i Madh” i rapsodisë shqiptare Viktor Paloka, së bashku me të vëllain, Toninin dhe mbesat e tij Elisën dhe Glorian, interpretuan tri këngë: për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për folklorin si dhe “Vallen mirditore” /atsh/ KultPlus.com
Me rastin e 553-vjetorit të ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka shkruar se ai është ‘shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë’
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të mbetet përgjithmonë ylli polar i kombit tonë, simboli më përbashkues, që diti të na unifikojë në një Besëlidhje të Madhe, kur qenia jonë ishte më e rrezikuar se kurrë, “shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë”, përcaktuesi kryesor dhe pasaporta më dinjitoze e përkatësisë sonë evropiane, Heroi ynë Kombëtar dhe i Europës së Bashkuar. Krenaria, frymëzimi, fuqia dhe lavdia jonë”, shkruan Meta. / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e muzikës së lehtë dhe klasike, baritonin lirik dhe pedagogun e spikatur të kantos, Agim Duro.
Ky titull iu dha në vlerësim të interpretimeve të spikatura e me nivel të lartë si dhe të kontributeve të tij të çmuara në fushën e artit skenik shqiptar, veçanërisht për zhvillimin e artit operistik dhe atij vokal në vendin tonë.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh, se Agim Duro, ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe kontribut të madh, jo vetëm në fushën e artit, në gjininë operistike, por edhe në atë pedagogjike e shkencore.
“Jam i lumtur që jemi sot së bashku, për të nderuar një nga solistët më të njohur dhe më të shquar të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit dhe pedagogun e mirënjohur të kantos, zotin Agim Duro. Baritoni lirik Agim Duro ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe kontribut të madh, jo vetëm në fushën e artit, në gjininë operistike, por edhe në atë pedagogjike e shkencore”, thekson Meta.
“Me një ngjyrim zëri cilësor, Agim Duro u evidentua në jetën artistike shqiptare, që në vitet e shkollimit pranë Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve. Ai ishte një nga solistët e grupit muzikor, aq të njohur në atë kohë, ‘Na bashkoi kënga popullore’, grup që solli një frymë të re në muzikën e përpunuar shqiptare dhe që dha mbi 1500 koncerte të muzikës popullore shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë”,- u shpreh presidenti Meta.
“Pas diplomimit, Agim Duro u përfshi edhe në role të ndryshme në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku vazhdoi rrugëtimin e tij artistik, me një eksperiencë të gjatë pune si solist i parë në të. Agim Duro ka qenë i përkushtuar, në përgatitjen muzikore e skenike, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e më të dashur të Teatrit të Operas e Baletit”,- vijon Meta.
“Gjatë karrierës së tij të shquar artistike, Agim Duro ka realizuar një galeri të pasur rolesh dhe është përfaqësuar denjësisht si solist, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me orkestra prestigjioze vendase dhe ndërkombëtare. Prof. Agim Duro ka një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën pedagogjike, së pari në Liceu Artistik ‘Jordan Misja’ e më pas, pranë katedrës së kantos në Universitetin e Arteve, deri në përfundimin e këtij misioni pedagogjik, në Tetor të vitit 2020, me daljen e tij në pension”,- shtoi Presidenti.
Sipas Metës, “gjatë gjithë karrierës edhe si pedagog, zoti Duro ka kontribuar në formimin e brezave të rinj të këngëtarëve lirikë, por edhe në hartimin e politikave kulturore, duke qenë dhe një ndër hartuesit e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Kulturor Muzikor në vendin tonë. Edhe pse tashmë në pension, zoti Duro vazhdon të mbetet i interesuar dhe i angazhuar për të gjitha zhvillimet në fushën e artit në Shqipëri dhe vazhdon të kontribuojë në mbështetjen dhe afrimin e artistëve të rinj të përgatitur, në skenat tona”.
“Për të gjithë kontributin e rëndësishëm në fushën operistike me interpretimet e tij të spikatura, por edhe në atë pedagogjike e shkencore, për zhvillimin e artit operistik shqiptar, kam kënaqësinë t’i akordoj zotit Agim Duro Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”,- tha Presidenti Meta. /ata/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës së Reçakut.
Sipas tij kjo masakër që u krye në zemër të Evropës e ka shokuar botën
“Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave” shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
Më tutje ai tha se do bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Postimi i plotë:
Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit.
Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave.
Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane.
Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit! / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi sot artisten e shquar të kinematografisë shqiptare Elida Janushi dhe pionerin e kameras, Dhimitër Lala me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Meta e dekoroi aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit zonjën Elida Janushi, me motivacionin: “Në vlerësim të mjeshtërisë së rrallë aktruese si dhe të kontributeve ndaj artit e kinematografisë shqiptare, të dhëna përmes roleve të shumta të luajtura në skenë dhe ekran. Me mirënjohje për realizimin e arrirë të dhjetëra personazheve të grave dhe vajzave të interpretuara e të portretizuara me individualitet të veçantë përmes botës së saj të pasur emocionale dhe me ngjyrimet e gjetura plastike.”
Ndërsa mjeshtri i kamerës, Dhimitër Lala u vlerësua nga Presidenti Meta me motivacionin: “Për kontributin e vyer profesionist të dhënë si një nga operatorët e parë dhe pionierët e kamerës, duke zënë një vend të merituar në historinë të kinematografisë shqiptare si dhe duke hedhur kështu themelet e saj në vendin tonë. Me mirënjohje për realizimin me mjeshtëri të lartë artistike gjatë karrierës së tij të dhjetëra dokumentarëve dhe kronikave, duke shërbyer si një shembull frymëzimi për brezat e rinj”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar të familjarëve dhe personaliteteve të artit, kulturës dhe kinematografisë, të pranishëm në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit tha se “nderojmë dy figura, që në zhanret e tyre kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për dekada”.
“Jeta e kino-operatorit Dhimitër Lala është e mbushur me një kontribut të jashtëzakonshëm për filmin shqiptar, por duke prekur njëkohësisht momente vlerësimi shumë të larta, si dhe dënime shumë të padrejta në periudha të tjera. Lala është nga kineastët e parë shqiptar që hodhi themelet e Artit të Shtatë në Shqipëri dhe njëkohësisht ndër kineastët e parë që xhiruan në Televizionin Shqiptar prej vitit 1971, vit kur nisën transmetimet ditore të këtij televizioni”, tha ai, ndërsa ndalet edhe në arrestimin dhe dënimin me 6 vjet burg për agjitacion e propagandë, në burgun famëkeq të Spaçit.
“Karriera e tij e suksesshme, me realizimin me mjeshtëri të lartë artistike të qindra dokumentarë dhe kronikave, apo thënë ndryshe e afro 50 mijë metra film të xhiruar, ka hynë në historinë e kinematografisë shqiptare”, tha Meta.
Po kështu, ai vlerësoi një artiste shumë të dashur për publikun shqiptar, një bijë të denjë të Devollit, aktoren Elida Janushi.
“Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, që shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave, në dramën dhe kinematografinë shqiptare. Edhe pse Elida Janushi ka disa vjet që është shkëputur nga skena dhe jeton larg atdheut, ajo ka lënë gjurmët e saj të pashlyeshme në rolet e realizuara gjatë karrierës së saj, me zërin e saj plot humor e kumbues, me interpretimet e saj të mrekullueshme, duke u bërë krenaria jo vetëm e vendlindjes së saj, por e mbarë neve”, tha Meta. /ata/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vlerësoi artistin e shquar të muzikës shqiptare pas vdekjes, Milto Vako me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Dekorimi i muzikantit, dirigjentit dhe pedagogut të paharruar, u bë me motivacionin: “Në vlerësim të punës së përkushtuar si pedagog dhe kontributeve të çmuara në drejtimin me profesionalizëm për vite me radhe të Katedrës së Dirigjimit në Fakultetin e Muzikës.
Me mirënjohje ndaj personalitetit të shquar, i cili me pasion e këmbëngulje përmbushi me sukses realizimin e shumë veprimtarive muzikore nën drejtimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, duke u vlerësuar jo vetëm nga artdashësit, por edhe duke merituar çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit e kulturës në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se “Profesor Milto Vako është një nga emrat e nderuar në artin shqiptar. Aktiviteti artistik i tij zgjati gjatë gjithë jetës së tij, deri në momentin e ndarjes nga jeta, vetëm rreth 1 muaj më parë.
Aktiviteti artistik i dirigjentit të njohur nisi dekada më parë, kur i sapo kthyer nga Moska emërohet pranë Ansamblit Kombëtar, si udhëheqës artistik dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit”.
“Në vitin 62’, profesor Vako bashkë me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë dhe themeluan Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Si drejtues i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, profesor Vako arriti suksese, të cilat kanë mbetur në memorien e publikut edhe sot, ku do të veçoja fitimin e ‘Gjerdanit të Artë’ në Francë. Ndërkohë, si mjeshtër kori i Teatrit të Operas e Baletit përgatiti me profesionalizëm korin e TOB-it në vepra si ‘Mrika’, ‘Heroina’, ‘Skënderbeu’, etj”, – tha Meta.
Njëkohësisht, vijoi Meta, profesor Vako është autor i shumë përpunimeve e krijimeve origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese të shquara në fondin e literaturës klasike korale shqiptare.
“Por, jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për profesor Vakon. Në 1973 ai dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë sepse për regjimin e kohës, kishte përgatitur një shfaqje me pikëpamje shumë moderne dhe liberale. Por regjimi nuk u mjaftua vetëm me internimin e tij, por pas 2 vitesh internim në kushte jashtëzakonisht të vështira, arrestohet dhe dënohet me 7 vite burg për agjitacion e propagandë. Pas përfundimit të dënimit, profesori i Ferdinand Dedës, Gjon Simonit, Zana Shuteriqit e dhjetëra e dhjetëra studentëve të tjerë, punon si hidraulik në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Ai kurrë nuk shau njeri për padrejtësinë e madhe që ju bë, por vazhdoi punën e tij deri në vitin 1991, kur u rikthye si pedagog dhe shef i katedrës së kantos dhe dirigjimit në Akademinë e Arteve”, nënvizoi Meta.
Krue i shtetit u shpreh se “Profesor Vako vazhdoi të punojë edhe pas daljes në pension me dashuri e përkushtim, duke themeluar dhe drejtuar Koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Studentët i jepnin forcë dhe dëshirë për të jetuar jetën dhe njëkohësisht e bënin krenar për aktivitetin e tyre kudo nëpër botë. Arti, të cilit i kushtoi gjithë jetën, ishte pasioni i tij madh”.
Për gjithë kontributin e shquar si pedagog dhe personalitet i shquar i fushës së muzikës, Meta e vlerësoi Profesor Milto Vako me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. /ata/ KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami i ka uruar 28 Nëntorin, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe të gjithë shqiptarëve.
Në letrën e Osmanit thuhet se 28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar.
“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar Presidentit Meta.
Komunikata e plotë:
Osmani: 28 Nëntori- ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar
U.d. Presidentja e Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami e ka uruar Presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta për festën e madhe të Flamurit, 28 Nëntorin!
“Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”, thuhet në telegramin e u.d. Presidentes dërguar presidentit Meta.
Në telegram, thuhet se Dita e Flamurit është e veçantë, ndaj duhet rikujtuar trashëgimia jonë historike e kulturore.
“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i u.d. Presidentes Osmani dërguar Presidentit Meta. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne të organizuar në qytetin antik të Bylisit, dy artistë të shquar të polifonisë shqiptare.
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin Mjeshtër i Madh” zotin Guri Rrokaj “Për talentin e spikatur artistik në fushën e folklorit. Krijues, mbartës, studiues e interpretues virtuoz i këngës polifonike shqiptare.
Për rolin e veçantë në kultivimin dhe përsosmërinë e këngës së trevës të Mallakastrës”, si dhe zotin Yzeir Llanaj me motivacionin: “Personalitet i shquar i kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur. Krijues, studiues dhe interpretues i polifonisë; drejtues e organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë atdheut”.
Fillimisht, Presidenti Meta, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, z.Qerim Ismaili, autoritetet vendore, Profesor Neritan Ceka, arkeologë të rinj, personalitete të artit e kulturës dhe dhjetëra banorë, vizitoi rrënojat antike të Bylisit, një prej kulmeve të qytetërimit ilir, duke u ndalur veçanërisht në Amfiteatrin e famshëm.
Në fjalën e rastit të mbajtur gjatë ceremonisë së dekorimit, Kreu i Shtetit u shpreh: “Jam i lumtur që jemi sot në Bylis, në këtë mrekulli që ndriçon qytetërimin tonë të lashtë në këto troje! “O i huaj mos ju shmang vështrimit nga bukuria e Bylisit”, do të gdhendej ky mbishkrim në një prej mureve të lashtë të këtij qyteti.
Ky elozh për këtë pasuri tonën të jashtëzakonshme na tundoi edhe ne sot, të organizonim këtu një aktivitet në nder të polifonisë.
Këtë muaj grupet polifonike të mbarë vendit festojnë 15-vjetorin e përfshirjes së polifonisë shqiptare në listën e pasurisë së kulturës botërore UNESCO.
Nuk mund të gjenim amfiteatër antik më të arrirë se Bylisi për të hapur siparin e veprimtarive që përkujton këtë arritje të etnokulturës dhe pasurisë tonë shpirtërore.
Shqiptarët gjithmonë do të krenohen me këtë trashëgimi të vyer të të parëve tanë.
Ne kemi trashëguar prej ilirëve jo vetëm gjuhën e folur, konstruksionin shpirtëror dhe identitetin kulturor por edhe veprat monumentale dhe artefaktet e një qytetërimi brilant.
Si shqiptarë dhe banorë etnik të këtyre trojeve, ne jemi krenarë që në çdo etapë të historisë kemi të stampuar në mënyrë të pandërprerë gjurmët e civilizimit tonë të radhë si popull.
Të parët tanë ja kanë dalë të ruajnë integritetin dhe etnosin e botës shqiptare me gjithë erërat e fuqishme që i është dashur të përballojnë përgjatë gjithë historisë sepse Shqipërisë asnjëherë nuk i kanë munguar burrat që i dalin zot vatanit.
Me këtë rast do të doja të përulesha me nderim të thellë dhe të përgëzoja arkeologët tanë të dashur dhe të shquar, të cilët janë treguar misionarë të vërtetë të ruajtjes së pasurisë sonë monumentale, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha që ata kanë ndeshur, të cilat i ndeshin dhe sot.
Ndjehem i nderuar, si të gjithë ju, që jemi sot këtu bashkë me profesor Neritan Cekën, zbuluesin dhe promovuesin e Bylisit, si dhe me ekipin e arkeologëve të rinj të cilët vazhdojnë traditën fisnike të shkollës sonë të arkeologjisë.
Ky qytet i lashtë është një shembull i shkëlqyer, jo vetëm punës së mrekullueshme që kanë bërë arkeologët dhe shkencëtarët tanë por njëkohësisht edhe i vizionit për ta kthyer këtë pasuri të jashtëzakonshme kulturore në një promovim për turizmin dhe imazhin e vendit tonë! Nder respekt dhe mirënjohje e pakufishme për kontributin e tyre dhe mbi të gjitha për atdhedashurinë e tyre!
Të dashur miq,
Grupet e polifonisë së Labërisë, Mallakastrës, Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës, Sarandës, Bregut dhe gjithë trevave shqiptare këtë muaj përkujtojnë një arritje të madhe të tyre sikurse është pranimi polifonisë në UNESCO.
Ne i detyrohemi shumë përkushtimit dhe kontributit te tyre në ruajtjen e pasurisë folklorike, këngëve, kostumeve popullore dhe sakrificave të tyre për të nxjerr në pah vlerat unikale të polifonisë shqiptare në kulturën botërore.
Në këngët e tyre i është kënduar jo vetëm dashurisë, lirizmit të jetës njerëzore, halleve dhe derteve, por në veçanti historisë dhe kronikave të betejave të lavdishme për liri. Interpretuesit e këngës polifonike përbëjnë një gjerdan të artë të kulturës sonë popullore! Ata sot janë të shumtë dhe shprehin në mënyrën më të talentuar shpirtin dhe artin e kombit dhe të popullit tonë.
Sot në këtë ceremoni të veçantë përzgjodhëm të vlerësojmë dy prej interpretuesve, krijuesve dhe lëvruesve të këngës popullore, artistët e mirënjohur Yzeir Llanaj dhe Guri Rrokaj, përfaqësues dinjitozë të vlerave dhe traditave sidomos mallakastriote të polifonisë.
Të dy lindën dhe u rritën me këngë në gojë, për të vijuar më vonë si botues e studiues të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare të polifonisë. Ata janë mbartës të vlerave më të shquara të polifonisë mallkastriotë duke u shquar në vite për virtuozitetin e rrallë të interpretimit, spektrin e pazakonshëm të zërave dhe harmoninë e grupit, si dhe për përkushtimin në ruajtjen e përhapjen e kësaj tradite tek brezat e rinj.
Të nderuar miq,
Falënderoj për propozimet Shoqatën Labëria, Shoqatën e Polifonisë Shqiptare Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Mallakastrës, Këshillin e Qarkut të Fierit dhe shumë personalitete dhe organizata kulturore dhe muzikore të vendit.
Me këtë rast do të doja të shprehja mbështetjen time të plotë dhe inkurajimin për të gjithë artistët popullorë, këngëtarët dhe grupet e polifonisë në vendin tonë si dhe t’i siguroj se e ndjek me shumë simpati dhe krenari aktivitetin e tyre artistik dhe atdhetar! Paqe, mbarësi dhe shëndet për ju dhe familjet tuaja! Lavdi të përjetshme polifonisë shqiptare!”, – u shpreh Kreu i Shtetit. Në përfundim të ceremonisë solemne të vlerësimeve, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit ndoqën një koncert artistik nga grupet polifonike “Gjergj Arianiti” dhe “Bashkimi”. /syri/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vizituar shtëpinë e artistit Sali Shijaku, me të cilin zhvilloj biseda për betejën e Kodrës së Kuqe dhe u mahnit nga krijimtaria artistike e tij, shkruan KultPlus.
Përderisa piktori Sali Shijaku e ka filluar krijimtarinë e tij në fillim të viteve të 60-ta, Meta e vlerësoj si “ikonë e artit pamor shqiptar”. Ai nëpërmjet një postimi në facebook bëri të ditur që e ka vizituar artistin në shtëpinë e tij, duke e quajtur “Nderi i Kombit”.
“Si dëshmitar i gjallë i betejës së lavdishme të Kodrës së Kuqe, ku ranë heroikisht Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci, piktori ynë i madh krijoi një kryevepër që sjell përherë të freskët e të paharruar në memorien kombëtare këtë ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ka shkruar Ilir Meta.
Presidenti i Shqipërisë u mahnit nga veprat që pa te shtëpia e tij, e që veçoi pikturimin e Mic Sokolit.
“Mbi oxhakun e shtëpisë së tij qëndron madhështore edhe një tjetër kryevepër e punuar nga vetë Sali Shijaku, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli”.
Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare, ku edhe shteti ka ndarë disa çmime si titujt “Artist i Merituar’’, “Piktor i Popullit” dhe “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë./KultPlus.com
Presidenti Meta ka vizituar këtë të shtunë shtëpinë e braktisur të shkrimtarit Dritëro Agollit në Devoll.
Ai i bën thirrje kryetarit të bashkisë, Eduart Duro që të fillojnë punimet për restaurimin e saj dhe kthimin në një shtëpi-muze.
“Sa herë e vizitoj Devollin, e kam të pamundur të mos ndalem në Menkulas, vendlindjen e Dritëroit tonë të dashur e të paharruar, për t’u përshëndetur me banorët dhe për të ndarë me ta kujtimet tona të shtrenjta për patriarkun e letrave shqipe.
Vizitova godinën e caktuar për t’u kthyer në shtëpi-muze dhe e inkurajova Kryetarin e Bashkisë, Eduart Duro për të vijuar pa vonesa projektin e restaurimit të plotë të saj me qëllim që vitin e ardhshëm, 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit tonë të madh, ta gjejë plotësisht funksionale për të mirëpritur vizitorët e shumtë.
Devolli i dha Shqipërisë Dritëroin, por edhe shumë Dëshmorë, personalitete dhe arsimtarë si mësuesja Luiza Dule, shembuj të përhershëm frymëzimi dhe krenarie për devollinjtë e të gjithë kombin tonë” – shkruan Meta në Facebook. / shqiptarja/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, kompozitorin dhe muzikantin e shquar shqiptar Çesk Zadeja (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.
Titulli i lartë, iu akordua me motivacionin: “Për vlerat e çmuara si themelues i institucioneve muzikore artistike shqiptare; me vlerësim kompozitorit, që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën tonë kombëtare; dekanit të përhershëm të shkollës shqiptare të kompozimit si dhe artistit, i cili lartësoi me muzikën, veprën e tij artistike, pedagogjike dhe shkencore në mbarë botën, traditat dhe emrin e Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së mbajtur në prani të Rektorit të Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, artistëve, muzikantëve e familjarëve të Profesor Zadesë, Presidenti Meta u shpreh se “që prej viteve ’50, emri i profesor Zadesë lidhet ngushtësisht me historinë e muzikës sonë, një herë e përgjithmonë. Në këtë periudhë, ai filloi jetën artistike të krijuesit të kompletuar të muzikës shqiptare me kompozicionet e tij. Ndër veprat e parë të këtij procesi krijues janë muzika legjendare e filmit Skënderbeu dhe Simfonia e parë e madhe e muzikës shqiptare”.
Këto vepra, vijoi Meta, manifeste të vërteta të artit muzikor shqiptar, ishin prova më e mirë se muzika shqiptare po ridimensionohej dhe po reformohej përkrah një kuadri europian.
“Vepra e Profesor Zadesë, me një identitet të spikatur, inicioi për muzikën shqiptare një “erë të re” dhe njëkohësisht, kjo muzikë që përshkruhej si “e re” dhe “moderne” shndërrohej gradualisht në pjesë të historisë, duke zënë vend në fondin e artë të krijimtarisë sonë. Veprat dhe kontributi i Profesor Zadesë është një, me vetë rrugën që përshkroi historia e muzikës së vendit tonë. Brenda saj është tradita, risia dhe e ardhmja jonë”, – nënvizoi Meta.
Kreu i shtetit u shpreh se “nëse veprat muzikore janë njëra pjesë e punës së Prof. Zadesë, pjesa tjetër është e lidhur me kontributet e tij të jashtëzakonshme pedagogjike, artistike e shkencore, të cilat janë aq të mëdha sa me të drejtë është quajtur edhe nga të huajt si “babai i muzikës dhe i kompozitorëve shqiptarë””.
“Ne të gjithë i njohim ish-nxënësit e Prof. Zadesë edhe ata shumë emra të mëdhenj, Tonin Harapin, Kozma Laron, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Aleksandër Peçin, Thoma Gaqin, Kujtim Laron dhe shumë e shumë personalitete të tjera. Në rrugëtimin e tij, Prof.Zadeja synoi të bënte një reformim të vërtetë të muzikës sonë, duke e orientuar procesin e zhvillimit të muzikës shqiptare për nga rrёnjёt muzikore etnike tё muzikёs sonё tradicionale. Nё vitin e fundit tё jetёs, Prof. Zadeja la nё dorёshkrim edhe librin e tij tё çmuar “Vetёparja e procesit“, i cili u botua pas vdekjes nёn kujdesin e familjes së Tij dhe të akademikut Vasil Tole. Prof. Zadeja shprehet se: “Për të qënë në thellësi kombëtar, duhet të njohim rrënjët e mendimit të krijimtarisë popullore”. Ky libër është njëkohësisht dëshmi e rolit të tij përbashkues si lider shpirtëror i muzikës sonë dhe pjesë integrale e trashëgimisë kulturore europiane të shqiptarëve”, tha Meta.
Më tej Presidenti Meta theksoi se “emri i Prof. Çesk Zadesё ёshtё i lidhur ngushtё me njё nga simbolet tona kombёtare, me “Himnin Kombёtar”. Orkestrimi, që i madhi Zadeja, realizoi në vitin 1995, është kthyer sot nё njё standard artistik e ligjor pёr interpretimin e drejtё tё tij”.
“Sot, Prof. Zadeja është vërtet i larguar fizikisht, por vepra e tij është mes nesh, vepër që konsiderohet si pjesë e trashëgimisë më të mirë kulturore e artistike të Shqipërisë, në të gjitha kohët dhe që na bën krenar. Për kontributin e jashtëzakonshëm për muzikën tonë kombëtare si dhe për gjithë veprën e tij artistike, shkencore e pedagogjike, në interes të kombit tonë, kam nderin t’i akordoj Prof. Çesk Zadesë, Dekoratën e lartë “Nder i Kombit””, – tha Meta./atsh/ KultPlus.com
Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot poeten e shquar Zhuliana Jorganxhi me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Titulli iu dha poetes Jorganzhi me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.
Në fjalën e tij drejtuar artistëve, personaliteteve të artit dhe kulturës dhe familjarëve të poetes Jorganxhi, Meta theksoi se “të nderuar personalitete të artit e kulturës, të nderuar familjarë, të nderuar pjesëmarrës. Jam i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet të shquar të letërsisë dhe artit shqiptar, poeten e mirënjohur Zhuliana Jorganxhi”.
“Ky aktivitet në kuadër të nismës “Artistët Shqiptarë në Presidencë”, është një nismë që shërben për të vlerësuar dhe lartësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të artistëve tanë në fushën e artit dhe të kulturës. Thuhet që arti i kapërcen kohërat dhe kjo shprehje gjen kuptim të plotë në veprimtarinë e poetes Zhuliana Jorganxhi, që vazhdon të mbetet edhe pas më shumë se 50 vitesh, një nga emrat më të rëndësishëm të shkollës shqiptare të këngës dhe të poezisë”, – nënvizoi Meta.
Presidenti Meta u shpreh se “e lindur në qytetin e Korçës, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe muzikore, Zhuliana Jorganxhi u rrit mes muzikës dhe poetikës së këngëve korçare, duke ndjekur natyrshëm rrugën e artit. Aktiviteti i saj letrar fillon që në moshë të hershme dhe poezitë e saj shohin dritën e botimit kur ajo ishte vetëm 17-vjeç”.
Por, vijoi Meta, ajo çka e bëri Zhuliana Jorganxhi të quhet “Mbretëreshë e këngës shqiptare” është kontributi i jashtëzakonshëm në fushën e teksteve të këngës shqipe.
“Me thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe ndenjën e thellë, vargjet e krijuara nga Zhuliana kanë marrë madhështi dhe përjetësi. Të gjithë ne jemi rritur duke dëgjuar emrin e saj si autore e teksteve të këngëve të festivaleve tona kombëtare, e lidhur kjo ngushtësisht me emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve më të shquar shqiptar. Fjala e shkruar prej saj i ka dhënë vlerë muzikës dhe forcë tingullit, duke hyrë thellë në shpirtin e dëgjuesve. Zhuliana është një poete me ndjeshmëri të lartë jo vetëm shpirtërore, por edhe shoqërore”, – u shpreh Meta.
Më tej Presidenti tha se “në vargjet e Zhulianës kanë zënë vend ngjarje të rëndësishme historike, momente të vështira të kaluara nga populli ynë, por edhe dashuria dhe miqësia. Zhuliana Jorganxhi është jo vetëm poete e mirënjohur, mjeshtre e vargut poetik, por edhe një intelektuale e angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të kauzave të fëmijëve pa familje dhe pa kujdes prindëror”.
“Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, është kënaqësi të nderojmë sot zonjën Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh””, – tha Meta./ atsh/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar gjatë ditës së sotme shtëpinë botuese ‘Buzuku’, me titullin ‘Naim Frashëri’, e cila u krijua tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, e para e pavarur në gjithë hapësirën ku flitet shqip, shkruan KultPlus.
Meta e konsideruar nismën e krijimit të kësaj shtëpie botuese të guximshme dhe të dobishme për kohën.
“Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”. “Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”, tha Ilir Meta.
Ai ka shtuar se është fat që sot kemi bibliotekat tona me një kontribut të çmuar si ajo ‘Buzuku’. Sipas tij kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.
Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.
“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.
Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.
Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre.
Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z.Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.
I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri”. / KultPlus.com