109- vjetori i lindjes së Migjenit, Meta: Vargjet e tij vijnë sot më aktuale se kurrë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përkujtuar sot 109-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar Migjenit.

“Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë”, është shprehur Meta.

“Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik”, ka theksuar Meta.

“Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë. Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare”, theksoi Meta.

Por, ka shtuar Meta, “veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka  konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt”.

Meta ka cituar vargjet e Migjenit, duke thënës se, “aq bukur ajo shprehet në vargjet”:

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”./ atsh/ KultPlus.com

Shënohet 100 vjetori i luftës së Koplikut, nderohet heroizmi dhe sakrifica e 77-të dëshmorëve

Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 100-vjetorit të Luftës historike të Koplikut, duke nderuar heroizmin dhe sakrificat sublime të 77 dëshmorëve të kësaj beteje heroike për liri dhe mbrojtje të trojeve shqiptare nga copëtimi.

Kreu i shtetit vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Deli Meta Çunmulajn (pas vdekjes)“Për veprimtarinë e tij atdhetare si komandant i shquar në Luftën e Koplikut (1920). Me urtësi, trimëri, pushkë dhe penë udhëhoqi luftëtarët e Hotit dhe Malësisë së Madhe në betejat për pavarësi dhe mbrojtjen e trojeve kombëtare”.

Ndërsa, Zef Prelë Martinin (pas vdekjes) Meta e nderoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” si “Birit të shquar të Hotit e Malësisë së Madhe, i cili nuk kurseu jetën e vet për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare. Legjendë e heroizmit, qëndresës e trimërisë në Luftën e Koplikut (1920). Shembull i lartë vetëmohimi e atdhedashurie për gjithë shqiptarët, veçanërisht brezat e rinj”.

Gjithashtu me Dekoratën e Artë të Shqiponjës u vlerësua edhe Sulejman Bajram Ramçaj, me të njëjtin motivacion edhe Luc Nishi Dedvukaj si: “Atdhetarin e ushtarakun e shquar që luftoi heroikisht dhe u flijua në Luftën e Koplikut (1920). Prijësit të luftëtarëve të Malësisë së Madhe në betejat e shumta për moscopëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin kombëtar dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar”.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta çmoi zotin Rrok Gjelaj “Për mjeshtërinë e lartë artistike në interpretimin e shumë këngëve dhe melodive popullore, në ruajtjen dhe përsosjen e vlerave të traditës e trashëgimisë kulturore të Malësisë së Madhe. Për shërbimin e çmuar dhe aftësitë drejtuese në dobi të interesit të bashkëqytetarëve”.

“Ne, përkulemi me nderim të thellë para heroizmit të 77 dëshmorëve të Luftës së Koplikut, të cilët derdhën gjakun për mbrojtjen e lirisë së trojeve shqiptare dhe për moscopëtimin e shtetit tonë”, deklaroi Meta gjatë ceremonisë.

Pas takimit, Meta iu përgjigj edhe interest të medies mbi debatet e fundit politike.

“Presidenti nuk ka qenë asnjëherë me politikën e opozitës. Këtu edhe njëherë provohen qartë përpjekjet për ndarjen e Kosovës. Harruan këta se ishin socialistët ata që patën një rol të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës dhe përballimin e krizës humanitare. Pra Presidenti ka qenë dhe do të jetë i popullit dhe i interesit kombëtar për transparencë maksimale dhe kushtetuese”, tha Meta.

Meta hodhi poshtë edhe akuzat se po prish imazhin e Shqipërisë.

“Unë nuk kam çuar asnjë çështje në Venecia, dy herë shkelësit dhe shkatërruesit e Shqipërisë e çuan Presidentin atje, pasi menduan se mund të blinin Venecian”, tha Meta.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Kryeministrit se shqiptarët nuk i kanë borxh Ilir Metës, presidenti u shpreh se, “ju kisha borxh shqiptarëve t’iu ktheja sundimin e popullit përmes referendumit, këtë borxh i kam shqiptarëve. Ia kanë hequr çdo mundësi popullit këta, duan vetëm ta shtypin popullin me PPP, banda më drejtorë që dhunohen”, tha Meta. /atsh/ KultPlus.com

Organizata Panshqiptare ‘Vatra’, në mbështetje të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Elmi Berishën, kryetar i Organizatës Panshqiptare “Vatra”.

Meta e falenderoi Berishën “për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, zhvillimin e demokracisë në vendin tonë dhe për lirinë e Kosovës që kjo organizatë ka ofruar që nga gjeneza e saj”.

“”Vatra” çdoherë dhe në çdo kohë, që nga themelimi i saj, nga Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe të tjerët, ka ditur të mbajë qëndrim të drejtë në lidhje me fatet e kombit dhe me forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane”, tha Meta.

“Kemi nevojë për një riangazhim edhe më të fortë të “Vatra”-s, në mbrojtjen e interesave kombëtare, por edhe fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, u shpreh Meta.

“E garantova z.Berisha për mbështetjen time me këtë drejtim, duke i uruar suksese në drejtimin e “Vatra”-s”, përfundoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Piktorët e shquar Vangjush Mio dhe Abdurrahim Buza vlerësohen me çmimin ‘Nderi i Kombit’

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot piktorin e shquar, Vangjush Mio (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri.

Me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet “Poet i natyrës” dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.

Po kështu me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit çmoi edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (pas vdekjes), me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri. Për krijimtarinë e tij të gjerë që përshkohet dallueshëm nga fryma kombëtare, e ndërthurur me vlera artistike. Si një zë unik e individualitet i dallueshëm në artin pamor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimeve të dy mjeshtrave të papërsëritshëm të artit pamor shqiptar, Presidenti Meta u shpreh se, “ky aktivitet zhvillohet sot në ditën e parë të muajit Tetor, i cilësuar tradicionalisht si muaji i letërsisë dhe artit, por edhe si muaji kur kanë lindur shkrimtarë të shquar të letrave shqipe dhe kulturës sonë, si Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, Migjeni por edhe të tjerë.

Aktiviteti i sotëm shënon njëkohësisht, fillimin e një sërë aktivitetesh të tjera kulturore e artistike, që do të zhvillohen në këtë Institucion, gjatë muajit tetor.

Artistët shqiptarë i kanë patur dhe do i kenë dyert e Presidencës gjithmonë të hapura, për të performuar e për të shpalosur krijimtarinë e tyre.

Vërtet jam shumë i nderuar për këtë ceremoni vlerësimi të organizuar sot për këto dy personalitete shumë të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sepse në këtë periudhë globalizimi, vetëm forcimi i identitetit kombëtar dhe krenarisë për kulturën tonë kombëtare, mund të na mbajë të bashkuar dhe të fortë, në mënyrë që të mos zhbëhemi si komb, as si shtet dhe as si shqiptarë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com

Poeti Skënder Sherifi vlerësohet me titullin “Mjeshtër i Madh i Kombit”

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vlerësuar sot poetin shqiptare Skënder Sherifi me titullin “Mjeshtër i Madh i Kombit”. Gjatë ceremonisë së mbajtur në Presidencë ditën e sotme presidenti ka vlerësua kontributin e Sherifit në botën e letrave duke transmetuar në veprat e tij kulturën dhe vlerat shqiptare.

Skënder Sherifi, shkrimtar e poet i njohur, konsiderohet si përfaqësues i denjë i shkrimtarëve shqiptarë që zhvillojnë karrierën e tyre jashtë atdheut. Në një klimë të gjallë intelektuale mes kulturës franceze dhe belge, ai hyri me një autoritet të pabesueshëm. Me një arsimim të plotë, ai paraqet një sërë krijimesh rreth natyrës njerëzore me një force të tillë, saqë vargu i tij, së fundi, mbizotëron përkrah shkrimtarëve të tjerë më mbresëlënës të kohës.

Skënder Sherifi, lindi në Kosovë, më 16 tetor 1954. Autori ishte në moshën një vjeçare, kur familja e tij emigroi në Bruksel, si refugjatë politikë, me 1 gusht 1956.

U diplomua në vitin 1980 me titullin Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë frënge. Për një kohë të konsiderueshme ka punuar si gazetar profesionist i artit dhe kulturës në radion dhe shtypin belg, duke realizuar rreth 700 intervista me krijuesit më të famshëm frankofonë, por edhe anglofonë, italianë e spanjollë në Bruksel dhe Paris. Krijues si Sergio Leone, Vittorio Gassman, Alberto Sordi, Gérard Depardieu, Jeanne Moreau, Annie Girardot, Jean Réno, Juliette Binoche, Denis Lavant, Charles Aznavour, Alain Bashung, Serge Reggiani, etj … Nga viti 1992 e në vazhdim, ka punuar në arsim, fillimisht si Profesor i Marrëdhënieve Publike, në shkencat e komunikimit, në U.F.I. ( Universiteti Frankofon International ) në Bruksel, por dhe në disa shkolla të mesme të Belgjikës frankofone – i emëruar Profesor i gjuhës frënge dhe i edukatës civike apo qytetare nga Ministria e Arsimit në Bruksel./ diasporashqiptare/diasporashqiptare/ KultPlus.com

Meta dekoron personalitete të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare në Zall Dardhë

Dibra, simbol i qëndresës së shqiptarëve, ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor-

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një vizitë pune në Dibër, ku vlerësoi disa të personalitete të shquara të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare.

Fillimisht, Kreu i Shtetit u ndal në Muzeun Historik të Kastriotëve në Sinë, e më pas u takua me fermerë të zonës me të cilët bisedoi për domosdoshmërinë e zhvillimit të agro-turizmit dhe rëndësinë e promovimit të mëtejshëm të këtyre viseve me bukuri të rralla natyrore, si dhe u interesua për problemet e çështje e tyre të ndryshme jetike.

Më pas, Presidenti Meta, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Dionis Imeraj, Prefekti i Qarkut, Nexhbedin Shehu, autoritete vendore, përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe qindra qytetarë, vizitoi fshatin e Zall Dardhës, ku vendosi një tufë me lule tek Obelisku “Kuvendi i Dardhës 1921”, si dhe mori pjesë në koncertin festiv të organizuar nga shoqata atdhetare “Kuvendi i Zall Dardhës”, ku edhe vlerësoi disa nga personalitetet më të shquara të kësaj treve.

Në ceremoninë solemne të organizuar, Presidenti i Republikës vuri në dukje se ndihet i lumtur që gjendet në Zall Dardhë, në fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, por dhe në krahinën e artistëve, rapsodëve dhe valltarëve të famshëm për mbarë kombin!

“Ju sikurse gjithë dibranët kanë qenë dhe janë përgjatë gjithë historisë krenarë para Atdheut dhe flamurit kombëtar. Duket se Zoti bashkë me bukuritë e natyrës ka blatuar tek banorët e këtyre viseve virtyte njerëzore nga më të arrirat!”,- tha Meta

Të rritur me Korabin përballë, bijtë e shquar të kësaj krahine kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e  qëndresës dhe kryelartësinë e tij në karakterin dhe shpirtin e tyre. Treva  juaj ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri, por edhe dhe identitet kulturor. Prandaj rapsodi do këndonte: Luftën kurë se kemi nda, Reç e Dardhë jemi një vëlla… Besa – besë, nihet zani,  Zot t`i dalim këtij vatani…””,- u shpreh Meta.

“Të lidhur fort me doket, zakonet dhe pasurinë shpirtërore të parëve ju i keni qëndruar besnik trashëgimisë, kodit krahinor dhe idealit kombëtar. Jo pa kuptim ata kuvendin e tyre të burrave e quajtën “ Dheu ”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti.Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është një ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore. Ajo konsiderohet si trashëgimia më e mirë e vlerave atdhetare të zonës”,- tha Meta.

“Në këto kuvende u rritën e u formuan disa nga figurat më të rëndësishme të Dibrës, por edhe të mbarë kombit shqiptar si: Elez Isuf Ndreu, Isuf Xhelili e Dali Ndreu, si dhe plot figura të tjera të njohura e të respektuara si:Baftjar Doda, Cen Elezi, Hasan Marku, Hysen Vladi, Sul Marku, Sheh Halimi, Mahmut Laçi, Ramadan Cani, Merë Troci, Mehdi Kaca, Rrahman Mziu, Sheh Ymeri, Rrahman Rasha, Hysni Kaca, Selim Lila, Selman Ahmeti, e shumë të tjerë.

“Janë këta burra, për të cilët  do të këndonte mjeshtri Qerim Sula: Me gjoks flakën ja shuajmë topit/ Jemi gjaku Kastriotit! Nder, respekt dhe lavdi përjetë emrit dhe kontributit të tyre për kombin tonë!”,- vijoi Presidenti

“Ansambli juaj “Kuvendi”, 70-vjetorin e të cilit festuam një vit më parë është një reflektim i fuqishëm i shpirtit tuaj atdhetar, artistik, i vlerave kulturore dhe mënyrës se si ju ruani të gdhendur në vargje, këngë, valle e kostumet popullore historinë krenare të trevës tuaj. E çmoj shumë të rëndësishëm jetëgjatësinë e ansamblit, suksesin dhe vitalitetin e grupit tuaj artistik! Duke i rezistuar kohës, ky  ansambël  përfaqëson një simbolikë të madhe për ruajtjen dhe përsosjen e folklorit shqiptar.”,- tha Meta.

Sipas tij, “artistët popullorë të këtij ansambli janë një shembull i madh i pasionit, përkushtimit dhe mbartës të vlerave folklorike të një treve me tradita ndër më të shquarat atdhetare. Megjithëse një ansambël krahinor këngëtarët e valltarët e tij kanë shkëlqyer dhe janë vlerësuar në festivale dhe skena shqiptare, por edhe ato botërore. Emrat e artistëve Haziz Ndreu, Muharrem Xhediku, Liri Rasha, Qerim Sula, Sajhe Poleshi, Ramadan Selmani,  Shaban Mziu,  Sherif Dervishi Xhelil Ymeri, Xhelal Cerpja dhe shumë të tjerëve janë të dashur për gjithë shqiptarët dhe janë bërë zëri i kombit në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Koncertet që ju po shfaqni me kaq art dhe talent janë një sinjal i madh i mbijetesës të pasionit tuaj të pashuar, por të dashurisë në radhë që ju keni për trojet e kulturën tuaj popullore.”,- u shpreh Meta.

“Ato flasin në mënyrën më të qartë për një të ardhme të begatë të aktivitetit dhe folklorit tuaj të pashtershëm ndaj edhe unë do të jem një mbështetje e fortë e juaja edhe në të ardhmen, sepse ju jeni një shembull edhe për të gjitha trevat e tjera.”,- shton ai.

“Do të doja sot t’ju përgëzoja për aktivitetin e Shoqatës tuaj  Kulturore Artistike, në mënyrë të veçantë kryetarin e saj të palodhur Neshat Ndreu, udhëheqësin artistik Xhelil Hyseni, mbështetësin fisnik Muharrem Gjoka si dhe gjithë këngëtarët, valltarët dhe instrumentistët e Ansamblit ‘Kuvendi Zall Dardhës’. Një vit më parë, ju akordova me rastin e  70-vjetorit titullin ‘Naim Frashëri’ për Ansamblin ‘Kuvendi’, si dhe ju premtova se do të takoheshim sërish! Mendova se ishte më mirë të mblidheshim pikërisht këtu në Zall-Dardhë, ku është  burimi të pashtershëm i talenteve, për të plotësuar vlerësimin e merituar të disa prej artistëve tuaj të famshëm!”,- tha Meta.

“Do të doja në këto momente të dekoroja një për një gjithë këngëtarët, valltarët, muzikantët e këtij ansambli në vite, por do t’ju lutesha, që t’i konsideroni vlerësimet për miqtë tuaj si pjesë edhe të vlerësimit të gjithë secilit prej jush.”,- shtoi Meta.

“Ne do të mblidhemi sërish në festa e përvjetorë, kështu në një takim të ardhshëm do të ketë të tjera dekorime. Porosia ime për ju dhe gjithë shqiptarët është të vazhdojmë të kujdesemi për truallin ku na lindën të parët, për truallin që na mëkoi gjuhën e nënës, dhe që na mësoi që të kemi vetëm një flamur në jetë, flamur kombëtar!”,- vijon Meta.

“Dhe kjo do të arrihet vetëm duke edukuar edhe ne brezat më të rinj dhe jam shumë i lumtur që shikoj shumë të rinj e të reja sonte në këtë veprimtari Edhe pse larg gjeni mundësitë të ngrini zërin dhe të ndihmoni në zhvillimin e krahinës suaj, që edhe këtu të ketë jetë kulturore, infrastrukturë, shërbime dhe agro-biznese në këtë mënyrë vendlindjet tona mos braktisen, por të jenë të dashura për të jetuar!”.- u shpreh ai.

“Demokracia shqiptare duhet të japë frytet e zhvillimit në të gjithë vendin dhe jo vetëm në dy-tri qytete! Nder dhe mirënjohje Zall Dardhës, Dibrës dhe bijve të saj më të shquar! Urime e suksese të mëtejshme artistëve të Ansamblit Kuvendi! Gëzuar festën tuaj tradicionale! Mbarësitë më të mira për ju, për të gjithë dibranët dhe për do vatër shqiptare!” – u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Qerim Sulën (pas vdekjes) dhe zonjën Liri Jushi (Rasha), ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Sherif Dervishin dhe Xhelal Cerpjen (pas vdekjes) Shaban Mziu, Sajhe Poleshi, Xhelil Ymeraj, Lutfi Ndreu dhe Halil Rama. Kurse me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës dekoroi artistët Neshat Ndreu dhe Agim Cani. /atsh/ KultPlus.com

Meta: Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte sot në Sinë ku vizitoi Muzeun Historik.

“Sot në Sinë, në truallin e Kastriotëve, vendin e origjinës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, u shpreh Meta.

Meta shprehur kënaqësi që vizitoi Muzeun Historik dhe që u njoh nga afër me të dhëna interesante për betejat heroike të zhvilluara për mbrojtjen e kombësisë, territorit dhe identitetit tonë europian.

“Të bëhet zemra mal kur sheh djemtë dhe vajzat e Dibrës të lartësojnë traditat dhe vlerat tona duke na bërë të ndihemi krenarë!”, tha Meta.

“Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare, për të mbrojtur më mirë të ardhmen europiane të Shqipërisë”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

78-vjetori i Konferencës së Pezës, Meta: Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar sot 78-vjetorin e Konferencës së Pezës.

“Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar”, është shprehur Meta.

“Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë”, ka nënvizuar Meta.

“Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë! O sot o kurrë”, ka përfunduar Meta.

Më 16 shtator të vitit 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Më vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar. / atsh / KultPlus.com

100-vjetori i Luftës së Vlorës, tituj vlerësimi për atdhetarë e profesorë të historisë

Presidenti Ilir Meta vizitoi së bashku me një grup të rinjsh studentë, historianësh dhe akademikësh Pavijonin e Pavarësisë dhe të Luftës së Vlorës 1920 në Muzeun Historik Kombëtar.

Duke theksuar rëndësinë historike dhe atdhetare të Luftës së Vlorës si dhe shembullin e paharrueshëm e frymëzues të saj, sidomos për brezat e rinj, Presidenti i Republikës çmoi në një ceremoni solemne, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes) profesor Muin Çamin dhe profesor Bardhosh Gaçen, ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” prof. ass. dr. Bernard Zotajn.

Me këtë rast Presidenti Meta vlerësoi (pas vdekjes) edhe tre pjesëmarrës dhe atdhetarë të Luftës së Vlorës, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dr. Ali Mihalin për trimërinë, humanizmin dhe kontributet e dhëna jo vetëm në lëvizjet kombëtare të viteve 1912 dhe 1920, por edhe për zhvillimin e mjekësisë shqiptare; me Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Ali Spahiun (Malindi) si luftëtar trim dhe drejtues i shquar njësive ushtarake në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe Pavarësisë së Atdheut.

Ndërsa Titullin “Kalorës i Udhrit të Flamurit”, Kreu i Shtetit ia akordoi ushtarakut italian Giovanni Valenza, “në mirënjohje për besnikërinë ndaj bindjeve dhe parimeve të tij të larta morale si dhe për mbështetjen e çetave luftëtare shqiptare me armatim gjatë Luftës së Vlorës të vitit 1920 duke u bërë shembull ndër breza për trimërinë dhe vetmohimin e tij në luftën kundër së keqes”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti duke iu drejtuar të rinjve studentë, akademikëve, historianëve dhe të afërmve dhe familjarëve të pranishëm në ceremoninë solemne të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar, u shpreh se “jemi këtu në Muzeun Historik Kombëtar ku është ekspozuar historia jonë kombëtare, histori e cila pa mundin dhe kontributin e historianëve tanë të nderuar do të ishte e harruar, prandaj vlerësimi dhe mirënjohja në këtë përkujtim të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, është edhe një nder i merituar për punën e bërë prej tyre ndër dekada”.

“Pasqyrimi që i kanë bërë historianët tanë betejave dhe përleshjeve me armikun, kanë skalitur portretin e Luftës së Vlorës, të atdhetarëve, të kapedenëve të çetave dhe të luftëtarëve të Vlorës, Tepelenës, Himarës, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës, Korçës, Devollit dhe gjithë trevave të kombit tonë, deri edhe të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera europiane. Ky pasqyrim na jep të plotë këtë epope të fitimtarëve, që nuk lejoi copëtimin e trojeve shqiptare. Na tregon për një ngjarje historike të rëndësisë së jashtëzakonshme kombëtare, vendimtare për ekzistencën e shtetit tonë, por edhe për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar. Një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, vetëm të bazuar në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush”, – nënvizoi Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se “është thelbësore që historinë t’jua mësojmë brezave të rinj, duke mbajtur të gjallë të ardhmen e atdheut. Nuk mund të lejojmë, që e shkuara të lihet në harresë, apo siç na ka mësuar Ismail Qemali se: ‘Një fëmijë që fle rritet, por një komb që fle vdes’”.

“Shqipëria duhet të jetë gjithmonë zgjuar në mbrojtje të lirisë, pasi ajo nuk fitohet një herë e përgjithmonë, por duhet mbrojtur në çdo kohë nga të gjithë”, – tha Meta.

Presidenti Meta theksoi se “të kërkosh në të kaluarën”, ndaj unë nxis të gjithë historianët tanë të nderuar të vazhdojnë me hulumtimet e tyre, të kërkojnë edhe më shumë në të kaluarën krenare të popullit shqiptar për të mbajtur të gjallë historinë dhe të ardhmen e kombit tonë, duke hedhur më shumë dritë mbi të vërtetat e patjetërsueshme të historisë sonë të lavdishme, që do ndihmojnë brezat e sotëm e të ardhshëm të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, më të ndritur dhe me më shumë dashuri për Atdheun tonë”.

“Në nderim të sakrificave të luftëtarëve të Luftës së Vlorës të vitit 1920, dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme të historianëve e studiuesve tanë për të pasqyruar këtë luftë heroike, kam kënaqësinë që sot të vlerësoj me tituj të lartë nderi disa prej tyre: prof. Muin Çami, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe prof. as. Bernard Zotaj dhe njëkohësisht tri luftëtarë të shquar të Luftës së Vlorës: dr. Ali Mihali, Ali Spahiu (Malindi) dhe arbëreshin Xhovani Valenca”, – tha Meta.

Meta: Djepi që përkundi simbolet e përkryera të Rilindjes Kombëtare, vezullon dritë patriotike

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është ndalur sot në Frashër të Përmetit, në vendlindjen e Addyl, Naim e Sami Frashërit.

Meta thotë se pikërisht ky fshat dhe familja Frashëri përkundi me dije dhe atdhedashur simbolet e përkryera të Rilindjes Kombëtare.

Meta thotë se edhe sot Frashëri vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3274760489236868

Meta vlerëson me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” humanistin e shquar arvanitas

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, humanistin arvanitas Dr.Panagiotis Koliomichalis me me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm në fushën humanitare; në ruajtjen, njohjen, përhapjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare, arvanitase dhe të popujve të tjerë ballkanikë; si dhe në forcimin e miqësisë ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit grek.

Me mirënjohje për veprën e çmuar si koleksionist i gravurave, librave dhe pikturave të veçanta, pjesë e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare dhe organizator i ekspozitave me ‘Dokumente për Shqipërinë dhe shqiptarët e Diasporës’”.

Në fjalën e tij të rastit gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm Ambasadorja e Republikës Helene në Tiranë, Sophia Philippidou si dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Athinë, Adriana Hobdari përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe të MEPJ-së, personalitete, studiues dhe akademikë, diplomatë, drejtues institucionesh dhe anëtarë të Shoqatës kulturore “Lunxhëria”, Presidenti Meta u shpreh dy kombet tona kanë nxjerr burra të mëdhenj dhe gra të jashtëzakonshme të cilët kanë lindur me familje të përziera ose kanë jetuar ndër shekuj në territore të përbashkëta.

“I dashur Dr. Koliomichalis,

Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj dhe të babait tuaj, këtu ku do të jeni gjithnjë i mirëpritur!

Ju jeni një mik i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe i shqiptarë, dhe vlerat tuaja humane janë të jashtëzakonshme.

Si mjek, filantrop, por edhe si koleksionist i apasionuar, ju keni trokitur ndër të parët në derën e Ambasadës sonë në Greqi, duke ofruar ndihmë në interes të qindra dhe mijëra shqiptarëve, të cilët kanë patur nevojë për përkujdesje shëndetësore, ilaçe dhe mjekim, në momente mjaft të vështira.

Me përulësi dhe përkushtim ju u keni shërbyer shqiptarëve në nevojë, duke marrë si këmbim një mirënjohje të thellë prej këtij komuniteti.

I motivuar nga një ndjenjë e fortë e dashurisë për Atdheun e babait tuaj, për Lunxhërinë dhe për Shqipërinë, ju keni punuar pa pushim për më shumë se pesë dekada, për të mbledhur dhe ruajtur një volum të jashtëzakonshëm objektesh koleksionuese, që përbëjnë një pjesë thelbësore të historiografisë dhe kulturës shqiptare, e shpërndarë në të katër anët e botës dhe shpesh e harruar në pluhurin e kohës.

Gravurat, pikturat, librat, kartat postare të panjohura më parë për publikun shqiptar, ju jo vetëm që i gjetët, por bashkëpunuat harmonikisht me të gjithë bashkëkombësit tanë në mënyrë që t’i promovonit ato në sytë e botës, si vlerat e një kombi me histori dhe tradita. Përmes punës tuaj humanitare dhe koleksionuese, dhe kryesisht për shkak të prejardhjes tuaj të përbërë nga dy shtete fqinje dhe mike, ju keni arritur të ngushtoni distancat artificiale që ekzistojnë shpesh midis popujve tanë që janë ndërlidhur qysh në gjenezën e tyre. Në fakt, dy kombet tona kanë nxjerr burra të mëdhenj dhe gra të jashtëzakonshme të cilët kanë lindur me familje të përziera ose kanë jetuar ndër shekuj në territore të përbashkëta. Për gjithçka që keni bërë për mbarë botën shqiptare ju falënderojmë dhe do ju jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin dhe punën tuaj të vyer!”, – u shpreh Presidenti Meta. / BalkanWeb / KultPlus.com

Artistit Lazri i ndahet Titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi artistin, muzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Gjovalin Lazri me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të talentit të spikatu r muzikor, të mjeshtërisë së lartë të interpretimit si violinçelist, si dhe me mirënjohje për kontributin e veçantë dhënë gjatë punës plot përkushtim si drejtues i Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ në fushën e pedagogjisë artistike për formimin profesional të artistëve të rinj”.

Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë artistë dhe personalitete të muzikës shqiptare, Kreu i Shtetit falenderoi Mjeshtrin Zhani Ciko për prezantimin e veprimtarisë së spikatur të Profesor Gjovalin Lazrit dhe shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga figurat e shquara të muzikës sonë kombëtare.

“Me violinçelin e tij Profesor Lazri na ka dhuruar kënaqësi artistike dhe estetike, por mbi të gjitha mesazhe njerëzore, të cilat na kanë ndriçuar duke ndryshuar pozitivisht përditshmërinë e jetës sonë, por edhe duke na bërë optimist për të ardhmen”, tha Meta.

“Në këto shtatë dekada të jetës dhe veprimtarisë së tij të vyer artistike, Profesor Gjovalin Lazri ka lënë gjurmë të shndritshme artistike në jetën solistike e koncertale, në mësimdhënien e tij pedagogjike dhe drejtimin e Liceut Artistik ‘Jordan Misja’, të cilat ne vazhdojmë t’i ndiejmë, t’i prekim akoma dhe nga të cilat duhet të frymëzohemi më shumë për të ardhmen”, theksoi Meta.

“Ai asnjëherë nuk reshti së kontribuari profesionalisht dhe qytetarisht për shoqërinë dhe edukimin e brezave më të rinj. Ai vazhdon të mbetet një thesar prej të cilit të gjithë nxënësit e dikurshëm të tij, kolegët pedagogë dhe drejtuesit e mëvonshëm të Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ marrin shembull dhe frymëzohen.Prandaj ndihem i nderuar që ta vlerësoj këtë artist të rrallë e të shquar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, duke i uruar edhe njëherë shëndet dhe jetë sa më të gjatë dhe që të shkëlqejnë sa më shumë nxënësit e tij”, theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar Gjergj Lazri dekoratën e lartë për babain e tij. /Atsh /KultPlus.com

Presidenti Meta për Moikom Zeqon: Trashëgimia që la pas, piketa për të ardhmem e kombit tonë

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për Moikom Zeqon i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 71-vjeçare.

Mesazhi i plotë i Presidentit Meta në Facebook:

Thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.

Ngushëllimet më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje.

Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!/ KultPlus.com

Shkatërrohet monumenti në Apoloni, Meta: Akt barbar dhe anti-kombëtar

Presidenti Meta dënon me forcë aktin e shkatërrimit të një prej monumenteve përbërëse nga më të rëndësishmit e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Meta e ka cilësuar si taleban dhe anti-kombëtar, dhe ka kërkuar nisjen e një hetimi të menjëhershëm.

‘Dënoj me forcë aktin barbar, taleban dhe anti-kombëtar të shkatërrimit të një prej monumenteve të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e fondit të vyer të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje tepër e rëndë, apeloj me forcë nisjen e një hetimi të menjëhershëm dhe vënien para përgjegjësive ligjore të autorëve dhe frymëzuesve të tyre, të cilët duhet të marrin një dënim shembullor.

Çdo sulm ndaj trashëgimisë dhe vlerave tona kombëtare, sikundër ndodhi edhe me shembjen e Teatrit Kombëtar, është sulm i drejtpërdrejt ndaj identitetit tonë kombëtar.

Bëj thirrje për nisjen pa zvarritje të projektit të restaurimit dhe forcimin e masave për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në të gjithë vendin, që rastet e fundit dëshmojnë se po rrezikohen nga akte barbare që as pushtuesit nuk kanë guxuar t’i bëjnë.

Barbaria dhe talebanizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë!’ / KultPlus.com

Ndahet nga jeta kompozitori dibran, Ilir Meta: Shembull frymëzimi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të talentuar dhe kompozitorit të njohur dibran, Përparim Tomçini.

“I hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të artistit të talentuar dhe kompozitorit të njohur dibran, Përparim Tomçini”, është shprehur Meta.

“Me një krijimtari të suksesshme muzikore dhe mbi 400 kompozime me natyrë lirike, epike dhe folklorike, trashëgimia e çmuar që la pas në muzikë dhe art do të kujtohet gjithmonë me nderim, si një shembull frymëzimi dhe motivimi për brezat e rinj të artistëve shqiptarë”, ka theksuar Meta.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Tomçini, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë. I përjetshëm kujtimi i Tij!” – është shprehur Presidenti Meta. atsh / KultPlus.com

Ditëlindja e Vaçe Zelës, Meta: I përjetshëm kujtimi i koloses së këngës dhe kulturës shqiptare

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar me anë të një postimi në profilin e tij në facebook, 81 vjetorin e ditëlindjes së divës së muzikës shqiptare Vaçe Zela. 

‘Sot është ditëlindja e mbretëreshës së përjetshme të këngës shqiptare, Vaçe Zela, Nderi i Kombit.
Vepra dhe trashëgimia e saj e pasur flet më shumë se çdo gjë tjetër. Syri.net / KultPlus.com

Meta: 7 Prilli, ditë e hidhur si vetë pabesia në historinë tonë

Presidenti Ilir Meta kujtoi përmes një postimi në Facebook, 7 Prillin e vitit 1939 kur Shqipëria u pushtua nga fqinjët fashistë italianë.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Metës:

Sot është 7 prilli, një ditë e hidhur si vetë pabesia në historinë tonë. Por është edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike të ushtarakëve patriotë, me në krye Heroin tonë Mujo Ulqinaku.

Edhe pse të vetëm dhe të braktisur nga të gjithë, ne shqiptarët ju përgjigjëm pabesisë të pushtuesve fashistë me patriotizmin e bijve më atdhetarë të këtij vendi, të cilët ju kundërvunë me vetëmohim njërës prej fuqive më të mëdha të kohës.

Ndaj sot, ne shqiptarët përulemi me nderimin më të thellë para sakrificës sublime të ushtarakëve patriotë dhe djemve më të mirë të Atdheut, të cilët me bindje të plotë dhanë edhe jetën e tyre për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit kombëtar, duke shënuar dhe fillimin e Rezistencës Antifashiste të popullit shqiptar.

Mirënjohje të përjetshme Heroit tonë të Rezistencës Antifashiste Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotëve të tjerë, të cilët përmbushën me nder betimin e tyre para Flamurit Kombëtar, duke e larë atë edhe me gjakun e tyre të paharruar. / KultPlus.com

Meta: Historia e re e Kosovës dhe e kombit shqiptar ka në themelet e veta emrin dhe veprën e ndritur të Presidentit Rugova

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot ka vizituar varrin e ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ku dhe ka bërë homazhe, shkruan KultPlus.

Meta u shpreh se u përulë para memorialit të Presidentit historik, me respekt e mirënjohje të thellë.

”Vizioni i Tij euroatlantik për Kosovën, kontributet e jashtëzakonshme për paqe, liri, demokraci, për fqinjësi e bashkëjetësë në rajon janë shembuj frymëzimi, përherë aktuale.
Historia e re e Kosovës dhe e kombit shqiptar ka në themelet e veta emrin dhe veprën e ndritur të Presidentit Rugova.”, shprehej ai tutje në statusin e tij në Facebook. / KultPlus.com

Meta i shqetësuar për Kalanë e Krujës

Rreziku që i kanoset fortesës së Skënderbeut nga tërmeti i 26 nëntorit ka shqetësuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai sot ka vizituar Kalanë e Krujës. Për të parë më nga afër pasojat e dëmeve në Kullën e Këmbanës dhe Teqenë e Dollmës, Meta është kujdesur që t’i shohë këto dy monumente më nga afër, duke kaluar edhe perimetrin e sigurisë.

Kreu i shtetit tha se “duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund”.

Meta i kërkon institucioneve më shumë bashkëpunim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur jashtë për shkak të shkatërrimit të banesave të tyre. Gjithashtu presidenti vizitoi edhe shtëpitë e disa familjeve në fshatin Hasanaj të Krujës , të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. / KultPlus.com

Nuk e morën seriozisht, Ilir Meta paralajmëroi për tërmetin apokaliptik që në korrik

Paniku që përjetuam sot nga dy lëkundje të forta nuk ishte një situatë e pa paralajmëruar. Ishte 29 korriku i këtij viti kur Presidenti Ilir Meta dha alarmin për një tërmet apokaliptik që mund të godiste Ballkanin dhe si rrjedhojë edhe vendin tonë.

Alarmi ishte dhënë në Greqi për mundësinë e një tërmeti mbi 6 ballë.

Kjo vuri në lëvizje dhe Presidentin shqiptar. Në një shkresë dërguar Ministrisë së Mbrojtjes Ilir Meta, referuar deklaratës së sizmologut Akis Tselentis kërkoi të dijë nëse është marrë kontakt me të apo me institucionet e tjera të rajonit.

Një tjetër pyetje Presidenti ngre dhe për kapacitetet që ka Shqipëria në përballimin e ngjarjeve të tilla dhe masat që mund të jenë marrë nga Ministria e Mbrojtjes për të minimizuar pasojat nëse do të ketë një tërmet të tillë.

Në përfundim të shkresës Presidenti shprehet i gatshëm edhe të mbledhë Këshillin e Sigurisë qoftë edhe vetëm për këtë çështje.

Letra e plotë:

Nëpërmjet medies ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmologu i njohur zoti Akis Tselentis, drejtor I institutit gjeodinamik observatori  kombëtar i Athinës. Sizmologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës

Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi unë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Evropë. Prandaj Shqipëria është një vend I kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:

Institucionet përgjegjëse a kanë kontaktuar me sizmologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?

Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj, nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet I përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qendror dhe vendor?

Nëse e gjykoni të domosdoshme jam I gatshëm të mbledh këshillin e sigurisë kombëtare qoftë edhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim I situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarët në radhë të parë.

Meta nderon me titullin “Naim Frashëri” dy albanologë kinezë

Gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar ditën e djeshme në Presidencë, Meta ka dekoruar me titullin “Naim Frashër” dy personalitete të shquara kineze, dy albanologë.

Presidenti Meta vlerësoi me titullin “Naim Frashëri”, gazetarin Wang Hongqi në shenjë vlerësimi për veprimtarinë në fushën e marrëdhënieve Shqipëri- Kinë.

Gjithashtu, Meta dekoroi me të njëjtin titull Profesorin, Zheng Enbo në shenjë vlerësimi për veprimtarinë si albanolog kinez, i përkushtuar ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, raporton tch.

Me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” ai shprehet se ishte një kënaqësi për të, të nderonte dy albanologët e shquar, që të gjithë jetën e tyre ia përkushtuan promovimit të vlerave më të mira të Shqipërisë.

“Ishte kënaqësi të nderoja dje dy albanologë të shquar, të cilët kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë dhe letërsisë shqiptare në Kinë, Profesorin Zheng Enbo dhe gazetarin Wang Hongqi.

Mirënjohje që gjithë jetën e tyre ia përkushtuan promovimit të vlerave më të mira të Shqipërisë dhe krijuesve tanë!”, shkruan ai. /koha.net/ KultPlus.com

Meta inicion “U’ jam Arbëresh”, ta ruajmë e promovojmë trashëgiminë kulturore arbëreshe

Presidenti i Republikës, Ilir Meta inicioi sot nismën që ka ndërmarrë “U’ jam Arbëresh” me mbajtjen e takimit të parë të këtij Forumi në Institucionin e kreut të shtetit.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Forumit, mes të cilëve ishin të pranishëm ministri i Diasporës Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit Salvatore Lamirata, Padre Pietro Lanza i Kishës italo-arbëreshe, konsulli i Nderit Aldo Marino, akademikë, historianë, albanologë dhe intelektualë të shquar, Neritan Ceka, Paskal Milo, Tritan Shehu, Moikom Zeqo, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj, etj., presidenti i Republikës vuri në dukje se:

“Kanosja reale e zhdukjes së kësaj gjuhe do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, të cilët e ruajtën atë me besnikëri të pashoqe dhe dashuri për gjashtë shekuj, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane e botërore.”

Më tej presidenti Meta nënvizoi se për të mos lejuar që të ndodhë kjo humbje, për të dhënë një kontribut konkret dhe në vazhdimësi të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të forcuar lidhjet midis dy brezave të rinj dhe jo vetëm, nga të dyja anët e Adriatikut, unë besoj se jemi edhe në këtë forumi e në çdo nismë tjetër.

“Ky forum ka disa objektiva, ku ndër më parësoret janë nxitja, ruajtja, dhe zhvillimi i gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu, edhe mësimi i saj në shkolla.” – theksoi presidenti Meta.

Në vijim, pjesëmarrësit në takim diskutuan dhe paraqitën mendimet e tyre rreth arritjes dhe zbatimit të objektivave të rëndësishme të Forumit “U jam Arbëresh”.

Presidenti të Republikës në Forumin “U jam Arbëresh”, ka thënë se Ideja për të ngritur një forum në mbështetje të arbëreshëve ka qenë në mendjen dhe në zemrën time prej të paktën një viti.

Kjo bashkësi, e larguar nga atdheu pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, krijoi dhe mban gjallë identitetin e vet kombëtar prej gati gjashtë shekujsh.

Gjatë të gjithë periudhës pas largimit, arbëreshët, krahas ruajtjes së trashëgimisë së tyre, u bënë edhe mbështetësit kryesorë të atdheut të tyre të ri, por edhe të atdheut që lanë pas.

U jemi mirënjohës gjithashtu për figura të shquara të letërsisë sonë si Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, ashtu si edhe për faktin se ata përgatitën dhe frymëzuan shumë intelektualë të ndritur shqiptarë si Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin dhe pavarësinë e vendit tonë.

Cilido që studion veprimtarinë e figurave të ndritura që lindën prej bashkësisë arbëresh, që prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, do të bindej se projekti i parë i Rilindjes shqiptare, që ishte një projekt thellësisht europian, u formulua nga mësuesit dhe ish-studentët e Kolegjit të Shën Mitrit, më se gjysmë shekulli përpara se ai të merrte formë ndër intelektualët e Shqipërisë.

Urat historike dhe kulturore nuk u rrënuan kurrë, as në momentet më të errëta të historisë sonë./koha.net/KultPlus.com

Meta i jep Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’ personalitetit arbëresh, At Antonio Belushi

Presidenti, Ilir Meta, vlerësoi sot me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, një personalitet të jashtëzakonshëm arbëresh, At Antonio Belushi, për kontributet e dhëna në përhapjen, njohjen, studimin, ruajtjen dhe pasurimin e historisë, gjuhës, zakoneve dhe kulturës së rrallë arbëreshe, si dhe asaj arvanitase. / KultPlus.com

Si prift famullitar, publicist, studiues, mësues, etnolog, historian dhe akademik, Meta thotë se  At Belushi prej më shumë se gjysmë shekulli, me urtësi, pasion dhe përkushtim, ka punuar dhe punon për njohjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit arbëror.

“Mirënjohje ndaj vlerave të çmuara si autor i shumë studimeve e veprave për njohjen dhe lidhjen e shqiptarizmës kudo në botë, duke spikatur si veprimtar i paepur në përçimin dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar ndër arbëreshët e Italisë” shkruan Meta në facebook.

Presidenti Meta takohet me kampionen e botës: Me krenarinë e sportit shqiptar

 Presidenti Ilir Meta ka postuar një foto në Facebook me kampionen e botës, Majlinda Kelmendin dhe ekipin e xhudos së Kosovës.

“Me krenarinë e sportit shqiptar, kampionen e botës, Majlinda Kelmendi dhe ekipin e xhudos së Kosovës, kaluam momente shumë pozitive në çarshinë e Sarajevës.
Përherë kënaqësi të takohem me këta ambasadorë të shkëlqyer të vlerave më të mira njerëzore e sportive të kombit shqiptar kudo në botë.🇦🇱👐🇽🇰”, shkruan Meta.

Kreu i Shtetit ndodhet në Sarajevë që prej ditës së djeshme ku po merr pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore. /Gazeta Liberale / KultPlus.com