Akademiku i dërgon letër presidentit e kryeministrit për të shkarkuar Besa Shahinin

Akademiku Artan Fuga, pas akuzave se po synon ta shkrijë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me atë të Malit të Zi e Maqedonisë, i ka dërguar një letër publike Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ku kërkon të thirret për sqarime e më pas të shkarkohet ministrja e Arsimit, Besa Sahini. “Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini flet edhe për të gjithë rajonin. Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik”,- thotë ai në letrën e hapur.

STATUSI I ARTAN FUGES

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Shqipëria në punë të vet, qytetarja Besa Shahini në punë të vet!

——–

Letër publike:

Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta !

Kryetarit të Këshillit të Ministrave, zotit Edi Rama !

Kryetarit të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë!

Po Ju drejtohem me shqetësim të thellë intelektual dhe qytetar lidhur me një deklaratë të papritur të Ministres të arsimit, rinisë dhe sporteve të Republikës të Shqipërisë, qytetares Besa Shahini, bërë sot, më datë 10 maj 2019, e cila në profilin e një rrjeti social deklaron se : “Do të jem edhe unë pjesë e këtij debati ku do të paraqes idenë time për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme.”

Eshtë e çuditshme sepse në asnjë platformë politike të partive parlamentare, të qeverisë, e së cilës ajo është pjesë, e Kushtetutës të Shqipërisë, nuk ekziston ndonjë platformë që t’a justifikojë qytetaren Besa Shahini si ministre e këtij shteti, të punojë për realizimin e një ideje të tillë!

Madje as në Bashkimin Europian nuk kërkohet shkrirja në një të vetme e agjencive publike të shteteve të veçanta anëtare!

Në këtë mënyrë, në pikën kulmore të punimeve të komisionit kuvendor për reformimin e akademisë të shkencave të Shqipërisë, qytetarja Besa Shahini, në funksionin e ministres, që ka për detyrë ligjore të zhvillojë identitetin e institucioneve të arësimit dhe të shkencës dhe të agjencive publike që funksionojnë ligjërisht në shtetin e Shqipërisë, deklaron se punon kundër kësaj mëvetësie, pra punon në të kundërt të betimit të saj si ministre!

Me megalomani kjo ide nënkupton se është qytetarja Besa Shahini që pa konsultuar komunitetin e akademikëve dhe universitarëve që janë qytetarë të shtetit të Shqipërisë, pa konsultuar as programin e qeverisë e së cilës ajo është pjesë, pa respektuar as Kushtetutën e Shqipërisë së cilës ka pranuar t’i shërbejë, po punoka për zhbërjen e mëvetësive të akademisë të shkencave të Shqipërisë, madje shkon edhe më larg, a thua se varet prej saj, edhe zhbërjen e mëvetësisë të akademisë të shkencave të Kosovës dhe më gjerë.

Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini flet edhe për të gjithë rajonin.

Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik.

Cilat janë akademitë e tjera të shkencave shqiptare në rajon veç asaj të Kosovës?

Akademikët shqiptarë në rajon kanë fituar të drejtën e të pasurit në mënyrë dinjitoze të vendeve në akademinë e shkencave të Maqedonisë dhe në atë të Malit të Zi. Si parim, edhe në Akademinë e shkencave të Serbisë. Cfarë nënkupton deklarata e qytetares Besa Shahini? Që akademikët shqiptarë të braktisin këto akademi shkencash dhe të krijojnë akademitë e tyre të shkencave në shtetet përkatëse duke u vetëizoluar? Apo nënkupton që në fund të procesit të ideuar prej saj, akademia e shkencave e Shqipërisë, ajo e Kosovës, të integrohen “në një të vetme” me atë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi?! Apo ideja e saj është që shqiptarët në cilindo nga këto shtete të ish Jugosllavisë të krijojnë akademi shkencash mbi baza etnike dhe pastaj të integrohen me akademinë e Shqipërisë?!

Të gjitha mundësitë që mund të nënkuptojë ideja që e “lumturoka” qytetaren ministre Besa Shahini janë absurde, më së paku, por edhe të mbrapshta, dhe çojnë pikërisht në zhbërjen e akademisë të shkencave të Shqipërisë duke e çuar atë drejt shkrirjes të identitetit të vet institucional si bartëse e misionit për të cilën është krijuar.

Parë rrezikshmërinë dhe dëmin e këtyre pohimeve të shkruara të zezë mbi të bardhë, si edhe sabotimin që po i bën prej muajsh procesit të reformimit të akademisë të shkencave të Shqipërisë ministria e arësimit, lind dyshimi i qartë se shkaku më i thellë qenka pikërisht strategjia e zonjës qytetare ministre Besa Shahini.

Nisur nga këtej unë ju ftoj zotërinj të nderuar, si autoritete që keni përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e sovranitetit të institucioneve publike të vendit, ta thërrisni për sqarime publike këtë antare të qeverisë, dhe nëse ajo nuk akomodohet me Kushtetutën e Shqipërisë, me platformën ligjore të qeverisë, të realizoni shkarkimin e saj pa humbur kohë!

Bersa Shahini në punë të vet, Shqipëria, kombi shqiptar, Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës në punën e tyre!

Me respekt qytetar,

Artan Fuga

Akademik

Durrësi, një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta priti në një takim kryesinë e shoqatës “Durrësi” të përfaqësuar nga intelektualët, Shpëtim Metani, Lumturi Ngjala, Agim Shehi, Rifat Bilali dhe Gjon Huli.

Pasi u njoh me aktivitetin e kësaj shoqate, Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve.

“Durrësi është një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë, për vlerat e spikatura patriotike, intelektuale, artistike e kulturore, si vatër e rëndësishme e atdhedashurisë dhe dijes nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për trashëgiminë e pasur, autentike dhe të jashtëzakonshme arkeologjike, që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik”, tha Meta.

Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave që na bëjnë krenarë si shqiptarë, tha Kreu i Shtetit, duhet të jetë një prioritet madhor për të gjithë ne.

“Sepse duke dashur vendlindjen, rrënjët tona, të parët tanë dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë, fëmijët dhe të rinjtë do mund të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt në Shqipëri. Duke vlerësuar punën e shkëlqyer me pasion e përkushtrim që keni bërë në këtë drejtim, ju inkurajoj të vijoni më tej”, – u shpreh Presidenti Meta.

Përfaqësuesit e shoqatës “Durrësi” e falënderuan Kreun e Shtetit për vëmendjen e treguar ndaj këtij qyteti dhe promovimit të vlerave kombëtare, duke i shprehur dëshirën për një bashkëpunim më të ngushtë për këtë qëllim të përbashkët. /a.g/KultPlus.com

Meta pritet nga arbëreshët në Avellinos

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në vizitën e tij në Itali është pritur në një takim nga komuniteti arbëresh në provincën e Avellinos.

Meta shkroi në Facebook se ishte i lumtur me takimin që kishte pasur me komunitetin arbëresh në Greci.

Presidenti i Shqipërisë ka thënë se figura më e shquar e këtij komuniteti është Joe DiGuardin. Ai e ka vlerësuar lart ish-kongresmenin e njohur për, siç ka thënë, avokatinë e shkëlqyer që u ka bërë të drejtave të shqiptarëve e çështjes së Kosovës në veçanti.

“I lumtur të takoja komunitetin arbëresh në Greci të Provincës Avellino. Ky komunitet nxori disa figura të shquara, ku do veçoja Joe DioGuardin, ish-kongresmenin e mirënjohur për avokatinë e shkëlqyer që u ka bërë të drejtave të shqiptarëve e çështjes së Kosovës në veçanti”, shkroi Meta në Facebook.

Meta, presidenti i parë shqiptar që takon shqiptarët e Rozhajës në Mal të Zi

Presidenti i Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Komunën e Rozhajës të Malit të Zi. Kjo është hera e parë që një kryetar i shtetit shqiptar viziton këtë komunë ku banojnë shqiptarë në Mal të Zi.

Kreu i shtetit u prit nga nga zv/kryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviq, si dhe ministra dhe deputetë. Shqiptarët e Rrozhajës i kanë rezervuar presidentit Meta një pritje te ngrohtë. Me dhjetëra banorë shqiptarë të Rrozhajës e zonave përreth që kishin dalë për të përshëndetur presidentin shqiptar Ilir Meta, raporton Koha Jonë.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviç, ministri i Infrastrukturës, Osman Nurkoviç, kryetari i Kuvendit të Komunës Rozhajë, Amir Avdiç, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Uglanin, deputeti Ervin Ibrahimoviç, kryetarët e komunave nga Mali i Zi dhe Kosova, si dhe shumë bashkatdhetarë të Rozhajës e të zonave përreth.

Në fjalën e tij përshëndetëse si i ftuar nderi në tubimin tradicional të veprimtarisë kulturore e letrare kushtuar poezisë shqipe “Ora e Maleve 2018”, presidenti Meta vuri në dukje se këtë vit kombi shqiptar feston dy ngjarje të rëndësishme, 550-vjetorin e largimit në përjetësi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe 110-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si shenjë përbashkimi të shqiptarëve dhe lajtmotivi që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n.

“Alfabeti dhe gjuha e bukur shqipe janë elementi më i rëndësishëm përbashkues i shqiptarëve kudo në botë. Prandaj edhe këtu në Rozhajë, rëndësia më e madhe për të gjithë ne është ruajtja e gjuhës sonë të bukur shqipe. Edhe ky aktivitet kulturor, i shërben këtij qëllimi.” – theksoi presidenti Meta.

“550-vjetori i largimit për në përjetësi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, është ngjarja që e ka simbolizuar këtë Vit Mbarëkombëtar te të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Gjergji ynë i madh e shtroi rrugën e kombit tonë drejt Perëndimit duke përcaktuar identitetin tonë europian, në gjirin e familjes së madhe europiane, aty ku Shqipëria dhe shqiptarët aspirojnë të anëtarësohen së shpejti me merita të plota.” – u shpreh presidenti i Republikës.

“Shqiptarët në trojet e tyre në Mal të Zi, duhet të ndihen krenarë për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, sepse vendi i tyre është në piedestalin e historisë sonë. Respektimi i pakicave kombëtare është një vlerë e shtuar për të gjithë ne. Bashkëjetesa dhe fqinjësia e korë ne mes të shqiptarëve e malazezëve, si në Shqipëri e Mal të Zi, ashtu edhe në Kosovë, është një udhërrëfyes i mirë për bashkëjetesën me pakicat e minoritetet kombëtare në të gjithë rajonin tonë. Shqiptarët në Mal të Zi kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë shtet, veçanërisht për Pavarësinë e tij si dhe për proceset integruese të Malit të Zi, në familjen euro-atlantike.” – nënvizoi mes të tjerash presidenti Meta.

Duke shtuar se është një kënaqësi e veçantë që nga ky takim tradiconal kulturor e letrar t’iu uroj banorëve të Rozhajës dhe të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, Festën e Flamurit Kombëtar. Presidenti i Republikës me këtë rast vlerësoi organizatorin e palodhur të tubimit, mësuesin e intelektualin Ali Daci me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar si mësimdhënës i gjuhës shqipe, gazetar, shkrimtar e veprimtar i spikatur, si dhe për organizimin e veprimtarive kulturore në Rrozhajë, duke ruajtur e lartësuar traditat, doket dhe zakonet më të mira shqiptare”.

Ilir Meta ka postuar edhe këtë shënim shoqëruar me foton me Abetaren nga Vuthaj:

Alfabeti dhe gjuha e bukur shqipe janë elementi më i rëndësishëm përbashkues i shqiptarëve kudo në botë.

Befasi e këndshme të takoja sot në Rozhajë, Abetaren nga Vuthaj, e së bashku të uronim 110-vjetorin e Alfabetit./KultPlus.com

Meta bën shqiponjën me shqiptarët në Mexhitli të Manastirit

Fundjava e ka gjetur Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta në Manastir, aty ku pasi përkujtoi 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë, u ndal edhe në fshatin Mexhitli.

Ky është një nga fshatrat me shumicë shqiptare në Maqedoni dhe aty Meta është pritur nga autoritetet vendore dhe nga dhjetëra banorë, pasi kjo është vizita e parë e një Presidenti shqiptar. Banorët kanë shprehur falënderimet e tyre për këtë vizitë, dhe për kujdesin që Meta tregon për shqiptarët e Maqedonisë.

“Ju dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jeni vetëm. Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush. Ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve. Kruja, Vlora, Prizreni e Manastiri janë qytetet me te rëndësishme për ne shqiptaret”, u shpreh Meta.

Edhe në një postim në Facebook, Meta ka ndarë foto nga vizita në Mexhitli, teksa shkruan: “Një takim mjaft i përzemërt me shqiptarët e Mexhitlije (Manastir), fshatit më skajor në kufi me Greqinë. Ndamë së bashku bindjen se kohë më të mira po vijnë edhe për ta, me perspektivat e reja të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe çeljes së negociatave me BE vitin e ardhshëm. Mirënjohje të gjithë atyre që qëndruan në kohë të vështira si shqiptarë dhe ruajtën me krenari gjuhën kombëtare, Alfabeti i së cilës u themelua në Manastir për t’i bashkuar shqiptarët kudo”.

Viti i Skënderbeut, Meta nis vizitën në Kalabri

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi vizitën zyrtare në Kalabri të Italisë.

Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar do të takohet me Presidentin e Republikës italiane, Sergio Mattarella dhe së bashku do të vizitojnë Kolegjin e Shën Dhimitër Koronës, ku do të takohen me arbëreshët, përfaqësuesit dhe autoritetet e tyre vendore, drejtuesit e bashkësive fetare arbëreshe, personalitete të ndryshme, pedagogë, studentë arbëreshë.

Në një njoftim të presidencës thuhet se Presidenti Meta pritet të zhvillojë takime zyrtare edhe me drejtuesit dhe përfaqësuesit vendorë të rajonit të Kalabrisë si dhe të vizitojë Universitetin e Kozencës, në të cilin shkollohen shumë studentë arbëreshë dhe shqiptarë, shkruan tvklan.al.

“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” iu dorëzua sot Eno Peçit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka nderuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, solistin e Operas Shtetërore të Vjenës dhe koreografin e mirënjohur shqiptar, Eno Peçi.

Përmes një statusi në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se Peçi ka spikatur në skenat europiane duke nderuar veten dhe kombin shqiptar të tërësi.

“Me mirënjohje të thellë i dorëzova Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, solistit të Operas Shtetërore të Vjenës dhe koreografit tonë të mirënjohur Eno Peçi. Talenti i spikatur dhe përkushtimi i palodhur e kanë ngjitur atë në majat më të larta të skenës europiane dhe botërore, duke nderuar veten dhe vendin e tij”./ KultPlus.com

Meta kthen sërish ligjin për Teatrin

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta ktheu sërish për rishqyrtim në parlament, ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë, i cili pësoi ndryshime duke përfshirë hapjen e një gare.

Kjo është hera e dytë që Meta kthen ligjin për Teatrin. Herën e parë ai renditi të paktën 9 çështje të cilat sipas tij përbënin shkelje. Socialistët ranë dakord me dekretin, por pa marrë parasysh vërejtjet e Kreut të Shtetit, përcjell VoA. Nën trysninë e Komisionit europian, ata përfshin hapjen e një gare dhe jo më një procedurë specifike për kompaninë “Fusha”.

Për presidentin Meta, as gara e hapur nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje. Praktikisht gara duket se është e tillë vetëm në letër, pasi kompanitë e tjera përveç “Fushës” nuk do mund të plotësojnë të gjitha kriteret. Në ligj është parashikuar që për zhvillimin e zonës pas Teatrit, kompanitë konkurruese duhet “të kenë nënshkruar marrëveshje me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit”. Por njëri nga këta pronarë është pikërisht kompania “Fusha”. Mjafton vetëm që ajo të mos dëshirojë marrëveshje me ndërtues të tjerë, dhe këta të fundit janë automatikisht të skualifikuar.

Edhe presidenti Meta në tekstin e dekretit shprehet se një parashikim i tillë ligjor cenon drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm, por një proces selektiv konkurrimi./KultPlus.com

Meta takon bashkatdhetarët në New York

Presidenti Ilir Meta është në New York teksa po merr pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve e besimtarëve, Meta ka përshëndetur bashkatdhetarët duke i shprehur mirënjohje për atë që ata kanë bërë në ruajtjen e identitetit kombëtar.

”Ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që ju bëni duke i bashkuar të gjithë shqiptarët në SHBA. Të forcojmë identitetin kombëtar, bashkëpunimin e tolerancën ndaj njëri-tjetrit. Bashkëpunim për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë. Nder dhe privilegj të takoja në Vatikan, Atin e Shenjtë Papa Françesku. Kënaqësi e jashtëzakonshme, për të dëgjuar lutjet e bekimet e tij për kombin tonë. Porosia e Atit të Shenjtë, për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare. Porosia e Papës ishte që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës. Bekimet e lutjet e tij për kombin tonë, të na japin sa më shumë forcë, dashuri e bashkëpunim me njëri-tjetrin”, ka thënë Meta.

Ndërsa në rrjetin e tij social facebook, Ilir Meta shkruan:

“Para shtatores së Shën Nënë Terezës në New York, me anëtarët e Klubit Kulturor “Rozafati” të kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Kënaqësi e jashtëzakonshme që gjuha, traditat dhe vlerat tona kombëtare po trashëgohen dhe kultivohen me shumë dashuri tek të rinjtë shqiptarë që kanë lindur në SHBA”./ droni.al

Meta: U nisëm për në Prevallë por u kthyem nga një Përrallë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka postuar në faqen e tij në facebook një mesazh urimi për fundjavën duke shprëndarë disa foto nga pushimet e tij familjare në Kosovë.

Ja shënimi i tij plotë:

Mirëmëngjes të dashur miq! Duke ju uruar një fundjave të mbarë po ndaj me ju disa momente nga pushimet malore në Kosovë. U nisëm për në Prevallë por u kthyem nga një Përrallë. 12 ditë, njëra më e bukur se tjetra, në lartësi 1600 metra atje ku kryqëzohen rrymat ajrore detare e malore në zemër të Bjeshkëve të Sharrit./ KultPlus.com

Ilir Meta shijon ajrin e ujin në Bjeshkët e Rugovës

Presidenti shqiptar Ilir Meta, s’ka të ndalur. Viziton vendet turistike shqiptare nga Thethi e deri ne Rugova.

Ai sot në rrjetin e tij social “Facebook” ka postuar foto në Bjeshkët e Rugovës.

Ja postimi i tij i plotë:

Të dashur miq, nga Bjeshkët përrallore të Rugovës, mes pishave të larta e livadheve mahnitëse, aty ku ajri i pastër dhe uji i kristaltë i burimeve malore të mbushin me energji, ju uroj të gjithëve një të dielë të mbarë./ KultPlus.com

Presidenti Meta merr vendim për ligjin e shembjes së Teatrit

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Parlament ligjin për shembjen e Teatrit.

Në njoftim thuhet: Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të opinionit publik, Presidenti i Republikës bën me dije se sot më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, mbështetur në argumentet e më poshtme:

1. Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

2. Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.

3. Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

4. Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

5. Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

6. Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.

7. Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

8. Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.

9. Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”./KultPlus.com

Meta apel Ramës e Veliajt: Dëgjoni zërin e artistëve

Një projektligj i nxjerrë rishtazi nga qeveria Rama ka vendosur në alarm artistët, pasi sipas tyre përcakton shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhurimin e sipërfaqes tek privati për ndërtimin e kullave.

Nëpërmjet zërave si Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi, komuniteti i artistëve ka paralajmëruar “luftë” me qeverinë. Mbështetja këtë të mërkurë iu ka ardhur atyre edhe nga Presidenti Ilir Meta, me të cilin kanë pasur edhe një takim muaj më parë.

Kreu i Shtetit mbështet kërkesat e artistëve për Teatrin Kombëtar dhe i bën thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për transparencë e dialog për këtë çështje. Meta gjithashtu apelon për të dëgjuar sugjerimet e komunitetit të artistëve.

“Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”, thotë Meta në mesazhin e tij.

Ilir Meta: Arbëreshët frymëzojnë çdo shqiptarë

Presidenti shqiptar Ilir Meta, ka pritur në takim shoqatën “Vorea” të arbëreshëve të Italisë me qendër në Frascineto, shkruan KultPlus.

Këtë takim Meta, e publikoi edhe në rrjetin social Facebook, duke thënë se është një takim i ngrohtë vëllazëror me tre gjenerata arbresh.

“Mbresëlënës takimi i ngrohtë e vëllazëror me tre gjenerata arbëreshe. Përkujdesja e tyre për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi, gjuhën e mrekullueshme shqipe, ritet, kulturën e traditat tona të spikatura dhe në veçanti për të lartësuar figurën e Skënderbeut, frymëzon çdo shqiptar. Mirënjohje për punën e palodhur të shoqatës “Vorea” me qendër në Frascineto, që promovon vlerat tonat kombëtare e punon prej vitesh për ripërtëritjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të arbëreshëve të Italisë me Shqipërinë. Ju uroj një të diel të mbarë miq!:, ka shkruar presidenti Ilir Meta./KultPlus.com

Arbëreshët, promovuesit më të mirë të Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot rolin e arbëreshëve si promovuesit më të mirë të bukurive natyrore dhe të atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Meta ishte sot i pranishëm në veprimtarinë e zhvilluar në Muzeun e Krujës nga Shoqata arbëreshe nga Kalabria “Magna Grecia Off-Road”, që përkujton rrugëtimin historik të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nëpërmjet rikthimit nga Stambolli në kryeqendrën arbërore.

Kontributi i arbëreshëve, sipas Metës, është shumë i rëndësishëm edhe për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve Presidenti Meta theksoi se kemi një trinom të pandashëm: Skënderbe – Arbëreshë – dhe Shqipëri.

“Pa Skënderbeun nuk do të kishim pasur arbëreshë. Pa arbëreshët figurën e Skënderbeut mund ta kishim humbur, ose të na e kishin marrë të tjerët. Dhe jo vetëm kaq, por përmes arbëreshëve, figura e Skënderbeut u rikthye në këto troje për të frymëzuar Rilindjen Kombëtare, e cila solli edhe Pavarësinë e Shqipërisë. Por siç e kemi vënë re ka sjellë edhe Pavarësinë e Kosovës e shumë zhvillime të tjera të mbara për kombin tonë”, tha Meta.

Ne u jemi mirënjohës përjetësisht arbëreshëve, tha Presidenti, duke shtuar se ata në shekuj kanë ruajtur gjuhën, traditat, kulturën, ritet fetare, dashurinë për vendin e të parëve, dashurinë dhe adhurimin për figurën e Skënderbeut. Kontributi i tyre, sipas Presidentit, është i jashtëzakonshëm jo vetëm gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe në të gjitha momentet e tjera.

“Ky është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut. Pra është një vit që ne besojmë se do të sjellë edhe negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dhe këto nuk janë krejt të rastësishme, për arsye se identitetin tonë evropian në radhë të parë e ka vendosur dhe e ka përcaktuar Skënderbeu me historinë e tij të lavdishme, e cila na bën edhe sot krenarë”, shtoi ai.

Veprimtaria e emërtuar “Arbëreshët vijnë në ‘Rrugët e Skënderbeut” nisi me shfaqjen e filmit dokumentar “Arbëria e Kalabrisë”, ndërsa të pranishëm ishin edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Kalabri, Aldo Marino, nënkryetari i Bashkisë së Krujës Ilir Loci, Giussepe Russo presidenti i shoqatës arbëreshe “Magna Grecia Off-Road”, ish-deputeti, Namik Dokle dhe Irena Toçi drejtore e Institutit të Librit dhe Promocionit./ ATA/ KultPlus.com

Al Bano në Tiranë, takohet me presidentin Meta

Këngëtari i njohur italian Al Bano ndodhet në Tiranë dhe sot, ai është pritur nga presidenti i vendit, Ilir Meta.

Lajmin e ka njoftuar vetë Meta në rrjetet sociale bashkë me këtë fotografi.

“Të dashur miq, – shkruan presidenti. – Sot takova këngëtarin e famshëm, Albano Carrisi, i cili me zërin dhe muzikën e tij frymëzoi shqiptarët në fund të viteve ’80 për liri, demokraci e shpresë. Al Bano është edhe sot një promovues i palodhur për Shqipërinë dhe shqiptarët.”/ KultPlus.com

Dy kolosët e valles shqiptare, Çeliku e Cingu marrin dekoratën ‘Nderi i Kombit’

Presidenti i Republikës Ilir Meta, dekoron Rexhep Çelikun dhe Liljana Cingun, dy kolosët e valles shqiptare popullore me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Në një ceremoni në presidencë, kreu i shtetit vlerësoi artistët e shquar të valles dhe kulturës shqiptare.

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’ dy valltarët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu për kontributin ndër vite.

Valltarët Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, kanë falënderuar Metën për dekoratën, ndërsa e kanë cilësuar si një vlerësim për të gjithë trupën.
“Falënderoj Presidentin për dekoratën. Është një gjë shumë e vlefshme, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin që kemi punuar”, u shpreh Çeliku.

Meta i cilësoi si dy artistë të jashtëzakonshëm.
“Dua të falënderoj dy artistët tanë të jashtëzakonshëm, e lartësojnë këtë dekoratë. Dua t’i kujtoj ansamblit që ka mjaft punë këtë vit të ‘Skënderbeut’ si brenda dhe jashtë vendit”, përfundoi kreu i shtetit.
Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, janë dy valltarë të njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore./ KultPlus.com

Meta: Albanologjia ka rol thelbësor në lindjen dhe konsolidimin e kombit shqiptar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se në “Ditën e Albanologjise” është takuar me akademikë, studiues e albanologë.

Në një postim në rrjetin social në faqen e presidentit Meta thuhet se: “Në kuadrin e “Ditëve të Albanologjisë”, sot pata kënaqësinë të takoja akademikë, studiues e albanologë, me të cilët ndava bindjen se Albanologjia ka rol thelbësor e të jashtëzakonshëm në lindjen, formimin e konsolidimin e shtetit e të kombit shqiptar, si një komb i lashtë evropian, me histori, gjuhë të rrallë, me tradita, vlera të spikatura e kontribute të vyera në historinë e Europës./ KultPlus.com

Përurohet shtatorja e Idriz Seferit në Gjilan, të pranishëm Thaçi e Meta

Për nder të festës së 28 Nëntorit, në qendër të qytetit të Gjilanit është përuruar shtatorja e Idriz Seferit, përurim i cili është përcjellë nga një numër i madh i qytetarëve, shkruan KultPlus.

Në këtë përurim kanë marë pjesë figura të rëndësishme shqiptare, duke përfshirë edhe dy presidentët e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi e Ilir Meta. Përurimi i shtatores është përcjellë edhe me një program të pasur kulturor./KultPlus.com

Ilir Meta, interpreton këngë me çifteli gjatë vizitës në Medvegjë (VIDEO)

Ilir Meta u prit nga dhjetëra qytetarë në një vizitë në Medvegjë, ku ai ka edhe ka interpretuar këngë çiftelie të kësaj zone, shkruan KultPlus.

Presidenti Meta ishte i ulur në një tryezë me përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve dhe disa rapsodë, merr në duar çiftelinë dhe fillon të këndoj së bashku me tingujt e saj.

Video është postuar nga gazetari Idro Seferi i cili shkruan: “Leksion me çifteli rapsodi nga Skrapari, Ilir Meta”./ KultPlus.com

Akademiku Gudar Beqiraj i ofron dorëheqjen presidentit Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, priti dje në takim kryetarin e zgjedhur të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademikun Gudar Beqiraj, i cili i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i kryetari i këtij institucioni, bën të ditur ATSH.

Në një njoftim për mediat nga zyra e shtypit e Presidentit bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua mbi situatën aktuale të Akademisë së Shkencave, procesin e reformimit të saj dhe sfidat dhe perspektivën e përballjes së tyre me sukses, si dhe u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor te Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë.

Po ashtu, thuhet se në takim, akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave, duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.

Presidenti Meta vlerësoi lart aktin qytetar të akademikut Gudar Beqiraj, duke vënë në dukje personalitetin e tij, si dhe theksoi rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë, me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit./ KultPlus.com

Ekspozitë në 30 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri – Gjermani

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së arteve figurative të autores gjermane, Rosemarie Trockel, që u zhvillua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ky aktivitet u mbajt në kuadrin e javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, të cilat këtë vit përkojnë dhe me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, presidenti Meta tha se Tetori Gjerman është kthyer në një traditë të mrekullueshme për shqiptarët dhe se kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve e kombeve.

Gjithashtu, Meta theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar e zgjeruar në përmasa të paimagjinueshme në 30 vjetët e fundit dhe se në këto tre dekada një rol të rëndësishëm për afrimin e njerëzve, ka luajtur në mënyrë të veçantë kultura dhe arti. / KultPlus.com

Meta bën homazhe në nderim të albanologut të shquar, Robert Elsie

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta bëri homazhe në “Bibliotekën Kombëtare” në nderim dhe respekt të albanologut të shquar, përkthyesit, hulumtuesit dhe studiuesit të letërsisë e folklorit shqiptar, Robert Elsie.

Meta vendosi një kurorë me lule, bëri homazhe dhe u përul në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës së vyer dhe kontributit shkencor e intelektual të të ndjerit Robert Elsie.

Me këtë rast Meta shpreh para mediave të pranishme: “Do t’i jemi mirënjohës përjetë Robert Elsiet për gjithçka ka bërë me dashuri dhe pasion për promovimin e kombit tonë, të vlerave tona më të mira kulturore, historike, për zhvillimin e albanologjisë, për gjithçka.

Pa dyshim, në mënyrë të veçantë edhe për zgjedhjen e tij për t’u përjetësuar si shqiptar dhe për t’u prehur përjetësisht në Alpet e Shqipërisë, në Theth duke treguar kështu dashurinë e pafund për vendin tonë dhe duke na mësuar të gjithëve që ta duam më shumë Shqipërinë”. / KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë viziton Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Në kuadër të agjendës në vizitën e tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizituan Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

Presidenti Meta e ministri Gashi panë nga afër tre sektorët që ka ky lokalitet arkeologjik i pasur me objekte e elementë të shumtë të periudhës së antikitetit.

Ministri Gashi e informoi Presidentin Meta për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për investimet në parkun e Ulpianës nëpërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës duke e konsideruar si një ndër prioritetet kryesore të trashëgimisë arkeologjike të Republikës së Kosovës. Ministri tha viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë.

Ndërkaq, përgjegjësi i parkut, Milot Berisha e njoftoi Presidentin për historikun e parkut, sektorët dhe objektet e ti si dhe procesin e gërmimeve, konservimit dhe restaurimit.

Nga ana e tij, presidenti Meta pohoi se ndjehet i lumtur që po e viziton këtë lokalitet të rëndësisë së veçantë jo vetëm për Kosovën por për tërë hapësirën mbarëshqiptare dhe parqe të këtilla janë pasuri që duhet t’i ruajmë e t’i vlerësojmë./ KultPlus.com