Në vitin 2013 ishte përuruar shtatorja e Ibrahim Rugovës që është vendosur në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, po para se të përzgjidhej shtatorja që tashmë është e vendosur në shesh, kishin konkurruar edhe shumë skulptorë të cilët i kishin prezantuar bucetat e tyre, shkruan KultPlus.
Kritiku i artit Ilir Muharremi ka shpërndarë nëpërmjet rrjetit social facebook disa fotografi nga këto buceta që kishin synuar kryeqytetin, buceta këto që vetë Muharremi i quan shëmtira.
“Disa nga skulpturat e shëmtuara që fare nuk kanë të bëjnë me ish presidentin tonë. Për fat të mirë ajo që u zgjodh dukshëm është më larg këtyre shëmtirave. Nuk e dijë si patën guxim t’i prezantojnë këto shëmtira që fyejnë figurën e ish presidentit Ibrahim Rugova”, ka shkruar Muharremi./KultPlus.com
Etiketë: Ilir Muharremi
Newborn-i i gabuar
Shkruan: Ilir Muharremi
E dashurojmë të gjithë lirinë, atmosferën mbi tokën që e kemi tejet të freskët, të pafajshme që u përpiqen t’ja ngjisin fajin.
I arsyeshëm është monumenti Newborn-i, poshtë pallatit të rinisë. skulpturë e krijuar me rastin e pavarësisë së Kosovës e udhëhequr nga Fisnik Ismajli. Ky monument çdo vit ndërron pamjen, por jo formën. U shpalos në ditën e pavarësisë së Kosovës. dhe iu mundësua pjesëmarrësve festues, që në skulpturë të nënshkruajnë. Skulptura u vendos në qendër të Prishtinës vetëm për ditën e pavarësisë për të shënuar lindjen (born) e Republikës së Kosovës, për të “marrë nënshkrimet” dhe pastaj të zhvendoset në lokacion të përhershëm.
Ky monument nuk e zbukuron botën, është i rrethuar me hi, çdo ditë nxihet, vlon në zanatin e baltës, është në gropë, i shtypur, por i ngritur si lindje dhe ata që e duan lirinë.
Kjo britmë është e preferuara e të gjithëve, por unë jam i zhgënjyer me mos përshtatjen e hapësirës adekuate për Newborn-in.
Arti ka për qëllim të bëhet i zhurmshëm. Monumenti për asnjë vit nuk trazoj, nuk rrotulloj zhurmën, çdo ditë bëhet më i heshtur.
Në vendin ku rri, po shndërrohet në mumie, statuja po shembet në baltë.
Jo të rrëzohet, por të zhvendoset se më idiotë janë ata që po i përmbysin kështu veprat e mëdha nën kafshim arkitektonik përreth sesa ata që hedhin kripë në det.
Ky monument po përçmohet i mungon shtrirja ideale, sepse skulptura e madhe e ka këtë ligj, rilind në një jetë të re , bëhet bukuri e gjallë. Kështu e rrethuar duket si shëmti.
Newborn tenton të ketë tipare hyjnore sepse u inaugurua në momentin e duhur, por tashmë përmbyset në vuajtje, është tërhequr në vete: vërtet do të na falënderoj nëse një ditë ja gjejmë një hapësirë. Newborn loton dhe loton…..
Ju këshilloj: vendoseni ja lartë, ja vetëm, kështu do ja kthejmë një jetë të re, çdo virtyt do kthehet te ne.
Qytetet e mëdha botërore identifikohen me art konkretisht me ndonjë skulpturë unike dhe ato zënë vend në hapësirat publike, sheshe, qendra, ose parqe, por gjithmonë në vete ruajnë koncepte, ide dhe mesazhe të fuqishme.
Pyetja kryesore është se skulptura apo monumenti i madh sa mund të ekzistojë në hapësirë e cila është e ngulfatur me ndërtesa afër njëra-tjetrës, konkretisht raporti i arkitekturës me skulpturën. Kjo dramë çdo ditë ma copëton zemrën, por nuk besoj në atë se do e rehatojnë. Ne asnjëherë nuk ditëm t’i rehatojmë veprat e mëdha. Po kërkoj vetëm të ndriçoj një copë shpirt nga vepra, këta injorantë nxjerrin vetëm mish nga kjo. Fisnik Ismajli ja është budalla ja i paditur në art sepse ngatërroj hapësirën me skulpturën. Çdo ditë ajo ndjen ftohtësinë dhe po bëhet e pakënaqshme. A është ky qëllimi? Ta anashkalojmë këtë monument? Po, sepse injoranti është edhe i paditur. Kjo krenari e heshtur nuk i shkon stomakut të artistit të mirëfilltë zotëri. Skulptura ndjehet shumë e vogël, në heshtja i ndizet poshtërsia. Një ditë do të vdesë kjo skulpturë.
Nëse skulptura është shumë e madhe dhe rri afër objekteve edhe më të mëdha, nuk le shumë për të dëshiruar, shëmtohet në vete.
Newborn çdo ditë minimizohet nga arkitektura përreth. Kjo i bie sikur një njeri mbi peshë të veshë rroba të vogla.
Në vend që arkitektura në raport me skulpturën të jenë superstrukturë, ato ngurtësohen, shëmtohen dhe gjymtohen.
Çfarë përmban Newborn-i? Vijë, ngjyrë, formë, vëllim dhe masë. Hapësirë-kohë të gabuar.
Vlera e skulpturës së sotme ka karakter arkitektonik, e kjo ka qesharak, gjithmonë në vendin ku është.
Jo më kot skulptori Roden nuk i vendos skulpturat e tij në hapësira të hapura. E as Hanri Murr. Në vend që Newborn-i ta thjeshtëzon paraqitjen, thelbin ta figurativizon, pa ndonjë shtesë ose ekzagjerim, ai shëmtohet vetvetiu.
Kërkoj që ky monument të bëhet modë ose lëvizje skulpturale e kohës, e jo vetjake ose anashkaluar siç po ndodh me të. Vërtetë nuk e meriton një vepër nëse i analizohet kuptimi dhe mesazhi. Skulptura figurativisht ngjallet në arkitekturë, por edhe arkitektura në skulptura.
Në këtë rast Newborn-i po shtyhet me limitet e arkitekturës dhe bashkëpunimi është qesharak, tallës dhe ofendues.
Çfarë disipline përbëjnë Arkitektura dhe Skulptura? Hapësinore, komunikim shumë paralel, herë edhe tejkalues.
Kufiri i tyre tashmë është shkrirë, mbas syrit të njeriut dhe rahatisë mendore e cila proteston vazhdueshëm nëse nuk harmonizohen të dyja.
Nuk do të thotë se jemi në një kohë ku gjithçka pranohet. Jemi në një kohë që kërkojmë qetësinë më absolute ndaj zhurmave dhe mbivendosjeve ekstreme.
Çdo ditë tmerrona, nga tmerri dua të bërtasë siç nuk kisha bërtitur kurrë. Skulpturat e kërkojnë hapësirën e duhur.
Newborn është ende në burg kërkon lirinë, lirojeni në hapësirë.
Dallgët e ndërtesave çdo ditë vërsulen rreth këtij monumenti, po rritën e po rritën.
Hijet nuk mund ta skicojnë përdhe formën e Newborn-it.
Skulptura dhe arkitektura përballen frontalisht, vështirë e shohin ndarjen njëra nga tjetra.
Duket si e topitur, e ngrirë e ngurtë si shtylla kolone.
Skulptura nuk e ka korrektësinë, ambienti vuan nga harmonia, i mungon funksionaliteti.
Asgjë nuk është ne perfeksion siç duhet te ishte.
Duket si gërmadhë herë verdhacake herë gri, gjithmonë duke shpresuar.
Newborn ekspozohet para çdo batakçiu dhe pyet se kush do ta lëndoj?
A i plotëson kriteret kjo shtatore e heroit Adem Jashari?
Ilir Muharremi
Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari pritet të vendoset më 28 nëntor në Lipjan, e punuar nga artisti Durrsak Idriz Balani. Lartësia e shtatores është rreth 3m e 25 cm, do të peshojë pas derdhjes në bronz afërsisht 1 ton. Pritet që këto ditë kjo vepër monumentale në argjilë, të përgatitet për derdhje në bronz, në një nga fonderitë e specializuara për derdhjen e veprave të artit në Tiranë. Arsyeja pse u zgjodh kjo punë nga Belani është se boceti i tij u vlerësua më i mirë nga autoritetet e Lipjanit. Sa arriti skulptori të futej thellë në botën e heroit? A ngjanë realisht pamja e shtatores me pamjen reale të heroit? A i përket frymës socrealiste skulptura, apo ka diçka nga e sotmja? Nga koka e gjerë tek këpucët a i plotëson kriteret për një figurë madhështore siç qe Jashari? A ka kreativitet vepra? Ose pse gjithmonë heronjtë i paraqesim me pushkë dhe plumba? A mund të qëndroj heroi pa këto?
Skulptori Balani në të gjitha veprat e tij përdorë lëvizshmëri, dinamikë, elegancë… Por, kësaj radhe, figurën madhështore e projekton më mirë krahas atyre shtatorëve të shëmtuara që u bënë për heroin tonë. Nuk e dijë pse së paku fytyrën nga fotot që i kemi për heroin ta paraqisnin origjinal, por gjithmonë me deformime, Balani lirohet nga këto amatorizma, krijon një fytyrë të butë, engjëllore, të pastër, por paska si shumë ka lëmuar pjesën e ballit, hundës dhe mjekrës. Hundën e paraqet më të vogël krahas me hundën origjinale të heroit. Dihet që Ademi hundën e kishte më të gjerë në pjesën e poshtme. Po të ishte më e gjerë do ishte origjinal fytyra e Jasharit. Shihet që ka bërë përpunim të mirë të fytyrës, ka nxjerrë forma nga heqja e madhe e pjesëve. Nuk është vetëm ngjashmëri e fytyrës me heroin, por e veçohet ana estetike, e lëmon aq shumë, me qëllim depërtimit të dritës mbi fytyrë. Ka një ekuilibër harmonikë fytyra. Nuk përqendrohet te mjekra, gjatësia, por te ana e muskujve, lëkura, dhe artisti që nxjerr mirë muskujt me saktësi, ka arritur ta sfidoj skulpturën. Pjesën e flokëve e paraqet më të shkurtra, kur dihet në çdo fotografi Ademi i kishte më të gjata.
Nga ana vizuale, dora e djathtë duket pak më e zgjatur se e majta, ndonëse plumbat peshojnë, dhe pjesën e sipërme të krahut e jap si më të vogël, më të ngushtë. Është përthyerje e madhe e dorës dhe krahut të djathtë. Gishtërinjtë janë pak më të mëdhenj sesa ata që duhet të jenë me përmasa të sakta natyrale krahas me madhësinë trupore. Mëngët te duart duhet paksa të zmadhohen në raport me shuplakën e dorës.
Gjoksi është mirë i punuar, kurse kostumi në raport me muskulin, është më i vakët, kjo e qëllimshme sepse Balani sforcon pjesën anatomike muskulore. Është pak i ngarkuar me armë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë.
Madhështia e skulpturës nuk qëndron te armët, kjo pak na vret syrin, por te fytyra, karakteri, veshja, lëvizja trupore, e në këtë rast, shtatorja përmes fytyrës shprehë paqe, kurse përmes qëndrimit etje për luftë. Qëndrimi dhe fytyra janë të kundërta njëra me tjetrën.
Pjesa e pantallonave i ka vetëm dy thyerje në pjesën e djathtë të këmbës nga lartë dhe te pjesa e këpucës poshtë. Pantallonat janë shumë të lëmueshme, të drejta të jep përshtypjen e materialit të kadifes ngjajnë edhe si tuta. Pantallonat është dashur të jenë më me lakime, më të vrazhda sepse është një ushtarak. Skulptura duhet ta ketë një stil të punës nga fytyra e deri te këpuca. Duhet të respektohet liria e artistit, veçanërisht tek stili i tij. Këpucët duken sikur të njëjta, por ndoshta kjo vetëm vizualisht mashtron, nëse vendoset mbi bazament, mund të peshoj më mirë. Pushka nuk është theksuar mjaftë krahas me elementët tjera nuk arrihet saktë forma e shprehjes së saj.
E bukura e skulpturës është se heroi duket shtatdrejtë, ashtu siç ishte vërtetë. Ka përmbajtje të fortë, ka ritëm, dhe nga sytë e tij del shpirti origjinal i Ademit. Trajtimi është shumë realist, i saktë në tërësi, e riprodhuar më imazh tejet të fuqishëm, dinamikë, dhe çdo aksentë është mirë i përpunuar, gjithmonë them në tërësi, përjashtuar detajet e vogla që u theksuan më sipër.
Pse gjithmonë heronjtë të ngarkuar me pushkë dhe plumba? Kjo shtatore ka imazh tipik socrealist dhe arti s’mund t’i takojë të gjitha kohërave, përcaktohet nga koha e tij, gjithmonë shprehë vlerat më të privilegjuara qofshin heronj apo ndonjë klasë dominuese. Skulptura e sotme, është konceptuale, zbukurim i hapësirës dhe shfrytëzuese në raport me hapësirën. Duhet pra ta krijojmë të bukurën absolute brenda vendit dhe kohës në të cilën jetojmë. Jo të jetë bukuri kalimtare siç e krijoji Rafaeli, kjo ndonëse qe e pakuptueshme për njeriun e ri. Ademi për njerëzit e ri duhet të jetë i kuptueshëm dhe skulptori Balani kishte dashur t’ja vë në kokë plisin. Ky veprim i tij u mohua, por do ishte më e arsyeshme vendosja e plisit kur bëhet fjalë pas njëqind vjetësh, dhe identifikimi i tij mund të keqkuptohet nga njerëzit në rajon e më gjerë. Plisi do ruante të vërtetën mbi kokën e Ademit. Nëse heronjtë do i lirojmë nga pushka dhe plumbat, mund ta deformojmë biografinë e tyre. Skulptura ndërtohet mbas biografisë së personazhit. Veçanërisht shtatoret në vendet publike, por edhe skulpturat e parkut.
A duhet të lirohemi nga shabllonet e paraqitjeve të heronjve? Në planin estetik, po, në planin historik jo. Duhet të harmonizohen të dyja këto, me kujdes dhe ruajtje të madhe ndaj patetikës. Qëllimi i çdo skulpture të sotme nuk është më të imitojë saktë njeriun, por ta stilizoj pa e deformuar, të mbajë ngushtë shprehjet e tij që janë domethënëse (ana ushtarake), të bëjë vërtitje të shumta të qëndrimeve, të ngrihet mbi frontin e krejt qyteteve, të zhurmojë me perfeksionin anatomik gjithmonë stilist.
Andaj, lirisht mund të them se kjo shtatore krahas me ato që u punuan për heroin Adem Jashari është më e kompletuara njëherësh dhe shpresoj ta meritoj vendin e duhur. / KultPlus.com
Shtatorja e Bill Clinton-it, krijim i shëmtuar
Duket si imazh ofendues për gjithë neve, por edhe për botën, ngaqë aty ka defekte tejet elementare shkollore që kanë të bëjnë me matjen e trupit dhe të kompozimit. Është shtatore që i mungon baza artistike estetike, estetika është qëllimi kryesor i skulpturës. Kjo skulpturë është vetëm material i keqinterpretuar për nga dukja, por edhe nga brendësia, veçanërisht te pjesa e syve që aspak nuk ngjanë me të Clinton-it.
Ilir Muharremi
Është mirë të ekzistojnë shtatoret, por jo realizmi i tyre të jetë i mangët, karikaturë, fyes ose turp i dhimbshëm, sepse fëmijët tanë do të besojnë në imazhin bastardues të skulpturuar dobët nga artistët. Kujdes skulptorë, mos u tallni dhe mos krijoni pseudoskulptura, shtatore të zbehta, monumente nga figurat e merituara. Mos krijoni imazhe tredimensionale të turpshme, e nëse i krijoni siç ndodhi me shumë figura, atëherë ato duhet të ulërijnë, të lëshojnë britma, për ofendimet që po ju bëhen. Vet artistët duhet t’i shkulin, t’i çlirojnë nga turpet siç po ja bëjnë vetes dhe njerëzve që po i vështrojnë.
Sapo artisti fillon ta ndërton një monument ai mendon për hapësirën, kohën dhe historinë. Pastaj radhitet cilësia e lartë, përmasat e sakta, pastërtia, lëmimi i detajeve, punimi i thyerjeve nga koka gjerë te këmbët dhe shpirti ose karakteri identik me figurën të cilën skulptori pretendon ta paraqes. Skulptori është më i kufizuar se piktori, e këtë pak e dinë skulptorët tanë, sepse ata lirohen aq shumë dhe monumenti nuk i ngjan fare figurës reale.
Rasti konkret i shtatores së Bill Clinton, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mik i ngushtë i shqiptarëve. Kjo shtatore e cila është punuar nga skulptori Izeir Mustafa peshon 900 kg e derdhur në bronz dhe është e gjatë 3 metra. Po ashtu bazamenti është 3 metra.
Gabimi i parë i shtatores është hapësira në të cilën u vendos ajo. Këtu duhet edhe të bashkëpunohet me arkitektë. Harmonia ndërmjet arkitekturës dhe skulpturës. Harmonia dhe skulptura nuk ndërhyjnë te njëra-tjetra, secila mbanë kuptimin dhe arsyen e vet, dhe e tëra jep përshtypjen se nuk mund të bëhen njëra pa tjetrën. Skulptorët thellohen vetëm në veprën e tyre, kurse syri i njerëzve vështron në total, e në total kjo nuk rri aty ku është, e rrethuar me ndërtesa 15 katëshe, të cilat e përpijnë shtatoren. Tereni duhet të jetë më i hapur me hapësirë të madhe pa ndërtesa. Ndërtesat e mëdha nëse e rrethojnë një shtatore ato e minimizojnë atë (devijojnë proporcionet, shëmtohet) edhe syri nuk e pranon. Rreziku është që shtatorja kalon në kiç, krijim i pashije i një stili tashmë ekzistues artistik. Është shije e keqe shumë komerciale.
Duket si imazh ofendues për gjithë neve, por edhe për botën, ngaqë aty ka defekte tejet elementare shkollore që kanë të bëjnë me matjen e trupit dhe të kompozimit. Është shtatore që i mungon baza artistike estetike, estetika është qëllimi kryesor i skulpturës. Kjo skulpturë është vetëm material i keqinterpretuar për nga dukja, por edhe nga brendësia, veçanërisht te pjesa e syve që aspak nuk ngjanë me të Clinton-it. Skulptori disi përpiqet t’i fryj rrathët rreth syve duke tentuar të gjej ngjashmërinë e kokërdhokëve, mirëpo skulptura i ka më të hapura, më të ekzagjeruara, derisa Clinton-i më të tërhequra. Shtatorja më shumë ngjanë me figurën e presidentit Hashim Thaçi se me Bill Clinton-in.
Sipërfaqja e shtatores nuk është dinamike, ngjyra duket si natyrale, linjat janë të holla diku edhe të trasha, varet prej lakimeve të kostumit dhe fytyrës. Fytyra duhet ende të punohet, të minimizohen elementet, të krijohet simetria më e përkryer, t’i iket fryrjeve të elementeve të fytyrës. Nëse rritet koka, normal edhe pjesët tjera, por duhet më shumë të saktësohen ato me figurën origjinale të Clinton-it.
Si duket artisti nuk i njeh mirë ligjet e optikës: nga poshtë-lartë figura rritet në tërësi jo vetëm ca gjymtyrë, sepse humbet dhe krijon disproporcion. Dorën e majtë e mbanë të ngritur në formë përshëndetje, ndërkohë që e djathta është e ulur poshtë dhe mban një mirënjohje të dhënë, që simbolizon titullin “Honoris Causa”, e cila i është ndarë atij nga Universiteti i Prishtinës. Ndërsa, serbët mendojnë se në dorën e djathtë mbanë librin në të cilin ka shënuar datën 24.3.1999, datë kjo e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. Si duket nga shteti fqinj interpretohet mbas dëshirave të sëmura të tyre. Shuplaka e dorës është tejet e madhe si dhe koka krahas me harmoninë e trupit. Tërë vepra ka mungesën e karakterit nën pasqyrimin e vërtetë të Clinton-it.
Në këtë skulpturë unë nuk shohë vërtetësi dhe interesim të vërtetë artistik, por një tendencë politike dhe nacionale e humane lavdëruese, rrahje shpine për një shoqëri të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Por, arti ka tjetër mision. Skulptura më parë ta shprehë gjestin, shprehjen e fytyrës origjinale e jo të zbrazët mbi të cilën vërshohen të gjitha shikimet e botës. Duhet të kemi kujdes kur bëhet fjalë për figura të famshme. P.sh në muzg dhe mbrëmje, kur lëshohen dritat artificiale mbi shtatoren ajo përhumbet dhe nuk ngjanë as me vetveten e as me Clinton-in, duhet të kemi kujdes ndaj hijeve kur depërtojnë mbi të, sepse menjëherë pason ndryshueshmëria.
Pjesët elementare të skulpturës janë: volumi, forma dhe hapësira. Pastaj, radhiten pjesët e tjera si vija, ngjyra dhe sipërfaqja. Për ta kurorëzuar tërë veprën, artisti duhet të ketë kujdes me kompozicionin, dritë-hijen, gdhendjen, modelimin… dhe ngjyrën. Sipërfaqja e shtatores konkretisht e skulpturës krijon lojën ndërmjet dritës dhe hijes, andaj gjithmonë i gjejmë të lakuara, lëmuara, jo të drejta, të ndrydhura… Të lëmuara siç e kemi në këtë rast shtatoren, krijojnë hije të lehta të buta, kurse në sipërfaqe të ashpra dhe drita është më e fortë, e ndjeshme, krijon kontrast të fuqishëm ndërmjet dritë-hijes, duke theksuar vrazhdësinë dhe vdekshmërinë e materialit. Shtatorja në fjalë ka shumë lëmime dhe krejt fokusohet në shkëlqimin prej ari sesa në karakterin origjinal. Figura e Clinton-it është ofenduar me këtë shtatore.
Nëse analizojmë pjesët e linjave të shtatores në fjalë, nxjerrim lidhjen ndërmjet hapësirës dhe vëllimit. Janë të pastra, të thjeshta, të thyera, të lakuara. Linjat shpesh këtu janë të vetëmjaftueshme duken sikur vizatim ose skicë. Skulpturat reale përbëhen vetëm nga linjat hapësinore që e rrethojnë tërë hapësirën, kjo më shumë referohet në artin klasik, por duhet t’i nxjerrim edhe në shtatoren e Clinton-it. Lartësia krahas me bazamentin është e devijuar nuk i ka proporcionet e sakta.
Skulpturat e mëdha nuk e kanë për detyrë të imitojnë, por të stilizojnë shprehjet domethënëse: trupin dhe qëndrimin. Normal duhet edhe t’i ngjajë, sepse bëhet fjalë për një emër. Skulptura është vepër artistike dhe nga skulptori më parë duhet ta kërkojmë veprën e pastaj anën patriotike dhe shoqërore. Diku gjejmë linja dekorative të lëmuara dhe gjest patetik që ndikon në sundimin politik të së shkuarës sonë. E mira e së mirës është se gjymtyrët nuk janë të fryra të trupit siç i bënin më herët artistët komunistë shqiptarë, vetëm kjo mund të vlerësohet, ndoshta se Akademizmi ynë qe më i lirë në ndërtim të skulpturave krahas me atë të Shqipërisë.
Nuk e di nëse Clinton-i u dëshpërua me pamjen e shtatores, ngaqë shtatorja nuk është aspak e denjë për figurën e mikut tonë më të madh. Është dashur të shpallet konkurs publik dhe të ftohen skulptorët të konkurrojnë me boceta të krijuara si bazë. Kjo shtatore nuk i tejkalon as ato në shtetet komuniste. Në kohën tonë duhet të ketë paksa nuanca të postmodernitetit, e kjo shtatore është tipike soc-realiste duke mos e patetizuar në tërësi. Ata i vendosnin shtatoret si zbukurim e jo si revoltë ose si miqësi reale me përmasa të natyrshme. Çdo shtatore komuniste ka defekte anatomike, sepse më shumë i referohen historisë sesa artit. Shtatorja në fjalë ka edhe bazamentin e dështuar. Aty Clinton-i buzëqesh, thuajse tërë populli jonë është i zhytur në humor dhe komedi. Të largëta janë ato shtatore që duhet të buzëqeshin. Tentimi për ta imituar skulpturën reale, e kthen në shëmti figurën, nuk e di përse skulptori nuk ka punuar me asistentë ose sugjerues. Nuk kemi ne skulptorë si Mikelanxhelo ose Rodeni. Realizmi edhe pse është i tejkaluar, nëse punohen figurat e famshme historike duhet të respektohet me përmasa të sakta. Bëhet fjalë për vendosjen e tij në sheshe publike. Shpesh, shtatoret me figura të famshme cilësohen si pika reference dhe atraksioni nga turistët dhe njerëzit./KultPlus.com
“Heroinat”, plagjiat apo vepër origjinale? (FOTO)
Kritika nëse i bëhet një vepre nuk i bëhet menjëherë, duhet të kalojnë ca vite. “Heroinat”, u kritikua që në fillim, por nuk u detajua kritika. Nuk u saktësua a është plagjiat në tërësi? Në ditën e inaugurimit të veprës kam reaguar në Facebook në lidhje me këtë. Në tekst mund të lexoni detajet e veprës plagjiat.
Ilir Muharremi
Fjalori i gjuhës shqipe kuptimin e plagjiaturës e përkufizon si paraqitjen e një vepre nga dikush tjetër të përvetësuar si të veten: vjedhje letrare, muzikore, artistike, duke marrë pa treguar burimin. E dyta, kur dikush paraqet veprën e huaj me emër të vetin, ose kur dikush huazon ndonjë tekst ose pjesë nga teksti e nuk e bënë të qartë burimin (kjo identifikohet si plagjiaturë e pjesshme), tjetra, kur dikush e përkthen ndonjë shkrim dhe nuk e bënë të qartë burimin, pra e paraqet si të tijin, apo kur dikush huazon pjesë të ndonjë teksti të huaj, prapë nuk e tregon burimin, ose tregon tekstin por burimin e parafrazimit nuk e tregon dhe e fundit kur dikush e paraqet një vepër te veten apo të ndonjë pjese të saj në provime apo ngjarje të ndryshme, identifikohet si vetë-plagjiaturë.
Në çdo vend të botës plagjiatura ndiqet me ligj, kurse te ne, ajo ndodhet në qendër të qytetit konkretisht përballë obeliskut më të madh në kryeqytet NewBorn. Bëhet fjalë për memorialin “Heroinat” të inauguruar më 12 qershor të vitit 2015. Edhe në media u diskutua se a është plagjiaturë apo vepër origjinale nga artisti Ilir Blakçori. Si qëndron puna? A mund të cilësohet si vepër plagjiaturë, atëherë ne po bëjmë një përshkrim të dy veprave dhe vet lexuesi le ta përkufizojë:
Memoriali “Heroinat” rrëfen për sakrificën e femrave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, veçanërisht grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në luftë nuk ranë vetëm heronjtë kemi edhe 20 mijë heroina të dhunuara. Memoriali “Heroinat” është vendosur në një këndë të fshehur krahasuar me memorialet tjera në kryeqytet. Memoriali u inaugurua me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Kosovës. Vepra u krijua me 20 mijë shufra të hekurit. Në sipërfaqen e kësaj skulpture, shufrat marrin trajtën e medaljoneve. Vepra duket si impozante, në fytyrën e saj vërejmë butësinë e natyrës femërore. Koncepti i saj është i dyfishtë, sipas realizuesit Blakçori: gjatë ditës nën efektet e dritës natyrale, medaljonet reflektojnë dritë e hije mbi imazhin e portretit. Nëse afrohemi vërejmë portrete individuale të medaljoneve, që identifikojnë nënat, bijat, motra që humbën në luftën e fundit.
Interesante është se vepra jo veç që u frymëzua nga një vepër tjetër, por është e njëjtë sikurse ajo e artistit Asif Khan, ‘MegaFaces’ 2014. Pjesa e kokës “Heroinat” dhe “MegaFaces” (i njëjti realizim i këtij monumenti ishte i vendosur edhe në Lojërat Olimpike 2014, që janë mbajtur në Sochi të Rusisë), janë të njëjta, me vështrim të njëjtë, vetëm se pjesa e flokëve te “MegaFaces” i mungon, këtë nuk e përdorë artisti te “Heroinat”. Pjesa e ballit, syve, hundës, gojës, vështrimit, copëzat e medaljoneve (të ngjashme) në fytyrë, shikimi, tërë mimika, janë identike. “Heroinat”, është fytyrë gruaje, kurse “Megafaces” duken si fytyra të fëmijëve, vetëm biografia e personazhit ndryshon derisa pjesa e idesë dhe realizmit mbetet mu e njëjta. Në stil, anatomi dhe koncept janë të njëjta. Këto vepra ngjajnë si dy pika uji. Nuk kopjohet vetëm ana vizuale, kopjohet edhe koncepti autentik i veprës “MegaFaces”. Kjo vepër tashmë e kopjuar ka lëvizje emocionale, por unë si qytetar i thjeshtë më shumë do pëlqeja murale të shkëmbit me simbole historike të heroinave në vend të një vepre të kopjuar.
“MegaFaces” përbëhet nga 11 mijë aktivizues, që shfaqin fytyra të ndryshme me anë të kinetikes nga jashtë. Poashtu edhe këto fytyra janë identike sikurse të “Heroniave” të minimizuara. Nga distanca, nëse i vështrojmë të dy veprat afër, dallimet janë vetëm në pjesën e flokëve sipër. Kjo nuk mjafton për tu distancuar tërësisht nga vepra, dhe ta quajmë si krijim origjinal.
Atëherë, çfarë mund t’i themi kësaj? Pjesa hyrëse e tekstit e dëshmon si referencë origjinalitetin e këtij memoriali në kryeqytet. Mos të harrojmë se vepra “Heroinat’, kap shumën prej 120 mijë eurosh. Artisti e fitoi konkursin, pasi dy herë radhazi u anulua për shkak mospjesëmarrjes së artistëve. Iniciatorja e projektit Alma Lama kishte thënë se ky memorial duhej të ishte bërë i pari në Kosovë. Po, ana artistike estetike duhej të ishte origjinale, ndonëse edhe unike. Gratë e rëna në luftë të gjithë i kanë prekur, dhe meritojnë të jenë në një vepër origjinale. Lama vet ka pohuar: “Gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2013, pra në dhjetor të 2012 unë kam përgatitur një amendament ku është përshkruar ideja e memorialit si dhe shuma e nevojshme për ta realizuar këtë projekt. Ideja dhe koncepti i një memoriali që nderon kontributin e grave gjatë luftës është përkrahur nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe u miratua njëzëri.” Mirëpo, a e kanë parë skicën ose buceten e memorialit dhe kërkimin se mos vallë është plagjiat, pasi do vendoset në qendër të qytetit? Normalisht që jo, vetëm i kanë ngritur duart pa qenë të informuar. Dakord jam me idenë e memorialit si propozim, ta gëzojë kryeqyteti sakrificën dhe madhështinë e gruas, por jo me realizmin e tij.
Memoriali ashtu si është tash ka të veçantë portretin, është shumë i kohës, dhe nuk paraqet ndonjë grua me armë në dorë me përmasa të trupit të rritura siç jemi mësuar shabllon t’i shohim në skulpturat komuniste të Shqipërisë, ose me emocion folklorik – patetik, kjo vlen të veçohet këtu, por nuk mjafton vetëm kjo. Pasi që gratë e meritojnë një vend të rëndësishëm në luftën e fundit, e meritojnë edhe një memorial origjinal nga duart e artistëve.
Çuditem pse nuk kanë reaguar heroinat dhe ideatorët e këtij projekti, por vetëm me duartrokitje e zbuluan kopjen e tillë. Ndoshta nuk kishin njohuri për një vepër identike që ekziston diku në botë. Tjetra, anëtarët e komisionit vlerësues dhanë pëlqimin e kësaj figure dhe e zgjodhën, prapë se prapë arti është si treg, ku artisti ofron mallin pa ndërgjegje, blerësit e konsumojnë, atëherë artisti fiton. Por, arti i vërtetë madhështor rrjedh nga sinqeriteti i autorit, dhe veprat e mëdha kishin ndikime e pak prej tyre qenë plagjiaturë.
Projekti u financua nga taksapaguesit e Kosovës dhe Kuvendi vendosi miratimin e tij. Kjo vepër vetëm emrin e ka origjinal “Heroinat” ngaqë balancohet me heronjtë dhe të tilla qenë ato gra që dhanë jetën për vendin e tyre. Picasso me kotë nuk thotë: “Artistët e këqij kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”, e kjo vepër i takon të parës në këtë thënie./KultPlus.com