Shfaqet në Gjermani filmi televiziv për mafian shqiptare, luan edhe aktori Ilir Rexhepi

Jeta Zymberi

Një film që flet edhe në shqip është shfaqur mbrëmë premierë në televizionin e parë gjerman ARD, dhe atë zviceran SFR. Bëhet fjalë për filmin serik “Der Zürich Krimi- Bochert und der tote im see”, shkruan KultPlus.

Në film bëhet fjalë për shqiptarët, për bizneset, traditat, konfliktet dhe luftën e policisë zvicerane kundër mafias shqiptare atje. Përveç që filmi bart një histori që sillet rreth shqiptarëve, në brendësi ka edhe një aktorë shqiptar. Ilir Rexhepi, aktori i cili ka një numër të konsiderueshëm të roleve në filma e seriale në Gjermani, në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë detaje rreth filmit dhe rolit të tij aty.

Seriali filmik është realizuar nga Graf Film Produktion dhe Mia Film për televizionin e parë gjerman ARD, ndërsa transmetohet në shumë televizione të ndryshme europiane duke pasur një shikueshmëri të lartë.

KultPlus: Jeni bërë pjesë e filmit serik “Der Zürich Krimi…” në Gjermani i cili mbrëmë pati premierën televizive, fillimisht na trego si erdhët deri te ky bashkëpunim ?

Ilir Rexhepi: Meqenëse u bënë shumë vite që unë veproj si aktor në Gjermani, edhe ky rol rrjedh nga bashkëpunimet kolegiale dhe nga angjentët e mi këtu. Si zakonisht, pas kontakteve tona me Produksionin filmik dhe regjisorin mu më është besuar ky rol.

KultPlus: Filmi bën fjalë për mafian shqiptare të cilët janë në përndjekje të policisë zvicerane, kjo nuk është hera e parë që bëhet film e ku shqiptarët paraqiten si mafiozë, si jeni ndjerë kur e keni kuptuar se për çfarë bën fjalë filmi ?

Ilir Rexhepi: Po zakonisht shumica e filmave të mbrëmjes që prodhohen për  televizionet e këtushme shtetërore si ARD, ZDF, WDR etj. përmbajnë skanarë të ndryshëm krimi, prandaj filmat apo seritë e përzgjedhura javore titullohen si psh. “Të ejtën Krimi” etj. Kësaj radhe në këtë pjesë ngjarja zhvillohet për disa shqiptarë, për biznese, tradita, dashuri dhe konflikte brenda disa grupeve të ashtuquajtura si “mafia-s shqiptare”. Këtu flitet për figura protagoniste dhe antagoniste shqiptare, prandaj shqiptarët në role të filmit paraqiten edhe të mirë – në këtë ngjarje filmike të zhanrit dramë-krimi.

Ta marrim shembull njërin nga filmat më të mirë në kinematografinë botërore “The Godfather” nga regjisori Francis Ford Coppola ku rrëfehej për mafian italiane, film i ka thyer të gjitha rekordet por edhe i ka bërë italianet edhe më prezentë në artin e kinematografisë botërore. Prandaj, filma të tillë të nivelit të lartë kinomatografik, pavarësisht skenarëve mendoj që do ishin pozitiv edhe për ne.

KultPlus: Mendon që shqiptarët shihen si mafia në vendet evropiane apo ky perceptim ka ndërruar dhe nuk qëndron?

Ilir Rexhepi: Mendoj se për dallim ndoshta nga kohërat e mëhershme, shqiptarët shihen tani për të mirë, njerëz familjarë, punëtor me biznese të suksesshme në këto vende Evropiane. Filmat flasin për ngjarje dhe personazhe, pavarësisht çfarë nacionaliteti kanë ato.

KultPlus: Në këtë film gjithçka sillet rreth shqiptarëve, po gjuha shqipe a përdorët në film, nëse po jeni ju apo ndonjë aktorë tjetër që flisni shqip ?

Ilir Rexhepi: Ka disa fjalë që fliten në gjuhën shqipe, kam pasur dëshirë të flisja edhe unë por jo, unë luaj vetëm në gjuhën gjermane.

KultPlus: Cili është roli juaj në këtë film serik ?

Ilir FRexhepi: Roli im përshkruan një shqiptar që jeton në Zvicër i quajtur Zef Leka, personazh ky që ndërlidhet me ngjarjen e grupit të një rrjeti mafioz, njëri nga bosët e tyre që luftojnë për t´i mbajtur rrjetet dhe bizneset e tyre në kontroll.

KultPlus: Cilat ishin komentet e regjisorit apo aktorëve për shqiptarët, prapa kamerave ?

Ilir Rexhepi: Ishte kënaqësi e madhe për mua të dëgjoj aq mirë për shqiptarët në Zvicër, isha i vetmi shqiptar brenda një ekipi aq të madh filmi aty. Zviceranët dhe ekipi i filmit flisnin shumë mirë për shqiptarët atje, ishin krenarë për ta, sidomos për sport por edhe konsideroheshin pjesë e rëndësishme dhe e suksesshme mes popullit zviceran. Prandaj, u gëzohesha shumë dhe e kam thënë disa herë, shqiptarët janë faktor shumë i rëndësishëm dhe i mirë në Zvicër dhe kjo është për çdo lëvdatë!

KultPlus: Sa seri do ti ketë filmi ?

Ilir Rexhepi: Ky serial filmit realizohet nga viti 2016 dhe do të vazhdojë edhe më tutje.

KultPlus: Si është të bashkëpunosh me produksione të tilla, ku dihet që janë shumë profesional dhe përbëhen nga ekipe të mëdha ?

Ilir Rexhepi: Po tashmë mbas një përvoje gjashtëvjeçare pune me produksione filmike këndej, konsideroj se është më i lehtë bashkëpunimin profesional me ekipe të mëdha filmi. Gjithçka është e parapërgatitur në nivel profesional që aktori të ndjehet mirë dhe i privilegjuar sipas kontratës me produksionet filmike.

KultPlus: Sa beson në suksesin e këtij filmi serik ?

Ilir Rexhepi: Mbrëmë është mirëpritur pjesa në të cilin unë kam luajtur, ka pasur një shikueshmëri prej 7.14 milion në Gjermani. Mendoj se në reprizat e shumta në televizione të ndryshme do të jetë gjithashtu i shikuar. Sot lexova një shkrim kritik në media, ku shquhej për qasje tjetër dramatike të kësaj pjese duke përfshirë edhe lojën e aktorëve në nivel të lartë. 

KultPlus: Na trego për projektet tjera në të cilat jeni i angazhuar për momentin apo që priten në të ardhmen ?

Ilir Rexhepi: Para dy muajve kam përfunduar xhirimet për “Sankt Maik”, një serialin televiziv i zhanrit Komedi-dramatike që realizohet për televizionin gjerman RTL. Ishte knaqësi të punojë me njërin nga Produksionet më të mëdha gjermane siq është „UFA FICTION“ por edhe me kolegë të mirënjohur si Daniel Donskoy, Bettina Burchard, Vincent Krüger, Marie Burchard etj. Regjinë e këtij cikli do ta bëjë regjisori i mirënjohur Markus Sehr, i njohur nga Kinofilmat „Eine Insel namens Udo“, „Die kleinen und die Bösen“ etj. Xhirime janë bërë kryesisht në qytetin e Kölnit me rrethinë. Gjithashtu këtij viti kam luajtur në radiodramën “Solo für Kruske” të realizuar për Radiotelevizionin gjerman WDR me regji të Thomas Werne. / KultPlus.com

https://www.daserste.de/unterhaltung/film/der-zuerich-krimi/sendung/der-zuerich-krimi-borchert-und-der-tote-im-see-100.html?fbclid=IwAR1nV4e9bfvcor4wO5n4H5Ad9Xv4ZGeIhsOGEtOQSb5jzZzglRyTO0b4-0I

Mbrëmë erdhi premiera televizive e serialit gjerman “Tatort” ku luan aktori shqiptar Ilir Rexhepi

Mbrëmë në ora 20:15 në televizionet gjermane, austriake dhe zvicerane u dha premiera televizive e serialit filmit gjerman “Tatort”, pjesa “Tod und Spiele“ në të cilën luan edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi.

Regjinë e episodit filmik e ka bërë regjisorja gjermane Maris Pfeiffer, prodhuar nga produksioni filmik Warner Bros.
Seriali filmik ‘Tatort’ realizohet që nga viti 1970-të, dhe njihet si Kult serial më i adhuruar në vendet gjermanofolëse. Ky serial i zhanrit Krimi ka krijuar tashmë traditë për të angazhuar vazhdimisht aktorë të mirënjohur të kinematografisë së vendeve gjermnaofolëse. „Tatort“ transmetohet në prime-time çdo të diel nga ora 20:15 në televizionet qendrore publike gjermane, austriake dhe zvicerane si ARD, ORF, SRF etj ndërsa reprizohet pastaj në shumë televizione të tjera evropiane dhe me gjerë.

Në këtë episodë luajnë: Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi, Rick Okon, Viktoria Meyer, Sybille J. Schedëill, Ilir Rexhepi etj./ KultPlus.com

Mbrëmë u shfaq filmi gjerman “Das Krimi Duell-Der Perfekte Mord”, luan edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi

Mbrëmë në televizionin gjerman SAT1 në Prime-Time nga ora 20:15 u shfaq filmi dokumentar i quajtur “Das Krimi Duell-Der Perfekte Mord” me regji të Felix Bärwald prodhuar nga Odeon Film Entertainment për SAT1.

Në rolet kryesore paraqiten aktorë të mirënjohur gjermanë si: Maria Bachmann, Nova Meierhenrich, Jonathan Beck, Patrick Joswig, Nico Ehrenfeld, Sina-Valeska Jung, Matthias Paul si dhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi, shkruan KultPlus.

Ilir Rexhepi luan një nga rolet kryesore, rolin e Carl Markovic, një teknik studioje me prejardhje nga Kroacia. Nga pasojat e luftës së ish – Jugosllavisë ai kishte humbur të gjithat. Tashmë jeton i vetëm, nën ndikim të alkoolit por që është një njeri shumë i sinqertë dhe i pafajshëm.

Ngjarja zhvillohet kur dy autorët më të mirë gjerman të librave me tematikë kriminale, Volker Knüpfel dhe Michal Kobr të njohur si „Bestseller“ në Gjermani, shkruajnë një ngjarje kriminale që ka të bëjë me vrasjen e gazetares në Studion e Radios.

Këtë ngjarje e luajnë aktorët në bazë të profileve të roleve të tyre, aktorët mbeten brenda personazheve deri në përfundim të ngjarjes dhe janë të gjithë të dyshimtë. Por qëllimi është që këtë ngjarje të shkruar ta hetojnë hetuesit real të policisë. Hetimet reale brenda 48 orëve do t´i zhvillojë njëri nga hetuesit më të suksesshëm gjerman, i cili në fund duhet ta identifikojë vrasësin.

Aktorët luajnë lojën e tyre ashtu siç e kishin kërkuar autorët e librit, por duke improvizuar në rrethana të caktuara. Kështu autorët e librit do të hynë në lojë për tu ndeshur me njërin nga hetuesit më të mirë gjerman i cili do ta hetojnë realisht ngjarjen e shkruar nga ta. Është shkrimi realitet apo jo, si do të duhet të shkruanin autorët ngjarje të tilla, kjo teme shtjellohet duke u gërshetuar me lojën e aktorëve dhe realitetin.

Ky lloj formati konsiderohet si risi televizive duke u kombinuar mes filmit, dokumentarit, fictionit dhe realitetit përmes të cilin televizioni gjerman SAT 1 arriti një shikueshmëri shumë më të lartë se më parë./ KultPlus.com

Filmi gjerman “Back for Good” sonte me premierë, pjesë e kastës edhe aktori shqiptar

“Back for Good”, është filmi i zhanrit tragjiko-komik, që është realizuar nga regjisorja Mia Spengler, ndërsa në kastën e aktorëve të këtij filmi gjerman është edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi, shkruan KultPlus.

Në këtë film që luajnë aktorë të njohur të kinematografisë gjermane si: Kim Riedle, Juliane Köhler, Leonie Wesselow, Nicki von Tempelhoff, Robert Gallinowski, Emma Drogunova, aktori shqiptar Rexhepi, do të sjellë personazhin e një menaxheri të sigurimit.

“Back for Good”, do ta ketë premierën sonte në Stuttgart ndërsa nga data 31 maj do të shfaqet në rrjetin e kinemave gjermane, njofton agjencia e lajmeve gjermane “DPA”.

Xhirimet e këtij filmi kishin përfunduar në vitin 2016 ndërkaq ngjarja zhvillohet me protagonisten Angin, një yll të famshëm televiziv e cila për ta vazhduar karrierën e saj vendos të tërhiqet nga përdorimi i drogës. Ajo nuk ka tashmë menaxher, as shoqëri dhe as banesë, prandaj vendosë që për rehabilitim të kthehet në fshatin e saj të lindjes, ku atje jetojnë nëna dhe motra e saj…

Filmi është shfaqur edhe në Berlinale 2017-të, ndërsa ishte i nominuar edhe për filmin më të mirë gjerman 2018-të./ KultPlus.com

Aktori shqiptar pjesë e serialit të njohur gjerman (FOTO)

Sarandë Selimi

‘Tatort’ është seriali gjerman i cili që nga viti 1970-të, sjellë emra të ndryshëm aktorësh për të jetësuar personazhet e këtij seriali.

Regjinë e episodit filmik i cili do të shfaqet para audiencës gjermanofolëse në vitin 2018-të, është duke e bërë regjisorja gjermane Maris Pfeiffer me produksionin filmik Warner Bros. Ky episod përveç risive të tjera në kastën e tij sjellë një aktor shqiptar.

Ilir Rexhepi, aktori me prejardhje nga Kosova, i cili karrierën e tij tashmë po e ndërton në Gjermani aty ku jeton dhe vepron, ka treguar ekskluzivisht për KultPlus, për rolin e tij në serialin ‘Tatort’, serial ky i cili ka qenë ëndërr e aktorit. Rexhepi ka luajtur përkrah aktorëve të mirënjohur si: Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi…

“Gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj një rol në ‘Tatort’, i cili që nga viti 1970-të gëzon popullaritetin më të madh të të gjithë filmave-serik televiziv në Gjermani, Austri dhe Zvicër, i cili vazhdimisht kishte dhe ka një kast prej aktorëve më të mirë gjerman, austriak dhe zviceran”, ka thënë për KultPlus, Ilir Rexhepi, i cili vazhdoi të thotë se mendon që secili aktor në vendet gjermanofolëse e ka ëndërr dhe dëshirë të luaj në këtë seria të famshëm.

“Kësaj radhe më është realizuar ëndrra dhe dëshira edhe mua. Unë kontaktova me Warner Bros për të luajtur një rol në ‘Tatort’ dhe këto ditë isha në xhirime në vende të ndryshme në Gjermani. Poashtu them se kam nderin që në këtë pjesë të serialit të luaj me aktorët e mirënjohur siç është si Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi”, theksoi për KultPlus, Rexhepi.

Foto:Emanuela Danielewicz

Seriali ‘Tatort’ në Gjermani transmetohet në prime-time çdo të diel nga ora 20:15 në televizionin e parë publik gjerman ARD ndërsa reprizohet edhe në shumë televizione të tjera publike gjermane si ZDF, WDR, NDR BR…

Disa pjesë të tjera të serisë realizohen edhe nga televizioni austriak ORF dhe radiotelevizioni zviceran SRF me një bashkëpunim të ndërsjellë. Kështu ‘Tatort’ është bërë kult serial me një tematikë kriminale në vende gjermanofolëse. Episoda ku bashkëkombësit e tij mund ta shohin aktorin Ilir Rexhepi, do të shfaqet në vitin 2018-të./ KultPlus.com