Shfaqja “N’dry” së shpejti premierë në Ento Fest

“N’dry”, titullohet shfaqja nga Arta Arifi me regji të Iliriana Arifit nga “Tana Production” & “Sythi”, e që vjen premierë në Etno Fest, shkruan KultPlus.

“N’dry” përcjell fijen e fatit të një gruaje, në rrethana të jashtëzakonshme, me identitete të ndryshme, dhe sekrete të mëdha.

“Pasi i rrëzojne shtëpinë dhe e largojnë me forcë nga muri, Dushkaja mbledh eshtrat e Hanes dhe rikthehet në shtëpinë e vjetër, nga e cila ishte larguar dikur e përndjekur nga vrasjet dhe fantazmat. Kësaj radhe ajo ritakohet me veten, vrasësit, të vrarët dhe të vdekurit në jetën e saj.”

Aktorët të cilët do të sjellin këtë shfaqje para publikut janë: Sheqerije Buqaj, Shpëtim Selmani, Alketa Syla dhe Edona Vatoci.

Shfaqja vjen premierë me datë 21.08.2021, duke filluar nga ora 20:00 në Ento Fest në Kukaj. / KultPlus.com

Hajt ti hajt

Nga Iliriana Arifi

Deshta me ta prek ballin e me ti njeh rrudhat
kadal dale
Me marr frymen tane,
me e shti n’gji e me u mush jete

Edhe doren deshta me ta kap,
me e vu n’ doren teme
se,
dore per dore e kishim vizatu nji diell,
ndaç nji hane
ndaç nji yll

Pata qef ti, syt me i qel
me m’ pa tuj t’pa

Krejt i shtrim e cullak
Je!

Asnji rrudhe nuk t’ashte shtu
Doren ta kam kap por ashte shume e rande e s’po muj me e qu
Krejt frymen e hargjova me u ngi ti
Nuk ashte boll me u mush jete

Livrit pak, bir nane
se
dora jote vizaton ma mire!

As dielli s’ka me t’nxe ma
as hana s’ka me t’ba drite
Edhe yllin qe ta pata fal s’ke per me e pa
Idhnue fort i ke, m’ke

Hajt ti hajt
Se
kam me vizatu vet nji diell,
nji hane
e nji yll
Se kurgjo mos paqa,
kohe kam
Me nejt perpara teje e me t’vizatu
n’kujtimet e mia/ KultPlus.com

“Djali im ecë, veç pak ma kadale” nga Iliriana Arifi, së shpejti premierë në Teatrin Dodona

Medina Pasoma

Fati i trishtë i një familje dhe ikja nga përballja me realitetin do të bëjnë që në muajin prill, ulëset e Teatrit Dodona të mbushen me shikues për premierën e shfaqjes “Djali im ecë, veç pak ma kadale” nën regjinë e Iliriana Arifit, shkruan KultPlus.

Dramën e shkruar nga Ivor Martinic e mirëpriti Arifi, e cila nëpërmjet profesionalizmit të saj vendosi ta jetësoj në teatër. Tanimë, teksa shfaqja ka gjetur mbështetjen e Komunës së Prishtinës, KultPlus ka realizuar një intervistë me regjisoren, për të kuptuar tutje thellësinat të cilat do t’ia dhuroj artdashësve kjo shfaqje në ardhje.

“Kjo shfaqje do të filloj provat në muajin mars në një kohëzgjatje prej 40 ditësh. Besoj se kjo është kohë e mjaftueshme përgatitore për premierë, pasiqë këtë tekst e kam në dorë qe disa muaj”, thotë Arifi.

Ajo tregon se përzgjedhja e aktorëve të cilët do të jetësojnë rolet e dramës është në proces e sipër, teksa për nga aspekti i regjisurës gjithçka është gati. Në anën tjetër, Arifi jep detaje për tematikën dhe përmbajtjen e kësaj shfaqje.

“Djali im ecë, veç pak ma kadale”, është titulli që e ka vendos autori. Nuk e di se si e ka menduar ai por, ai do të jetë në premierë nëse masat lirohen nga pandemia”, u shpreh regjisorja.

Jetësimi i dramës në skenë duket se do të jetë ‘ngacmues’ për publikun, për shkak të emocionalitetit të tij.

“Në familje të gjithë janë në një shkallë depresioni për shkak të mospërmbushjeve shpirtërore. Në shtëpi i ka kapluar nostalgjia për të kaluarën kur kanë qenë të lumtur, e këtë na e shpalos nëna e cila vuan nga harresa”, përshkruan Arifi, teksa na jep një pamje të atmosferës tematike.

Tutje, ajo zbërthen edhe më tutje ‘problemin’ apo revoltën që kjo shfaqje ka.

“Vajza e saj ka një djalë i cili nuk ec por, ajo nuk e pranon këtë fakt. Ajo përmbushet me gënjeshtrën duke mos dashur të pranoj të vërtetën. Në shtëpi askush nuk është i lumtur”, rrëfen Ilirjana Arifi.

Arifi teksa flet për synimet që ia ka vënë vetes nëpërmjet “Djali im ecë, veç pak ma kadale”, përmend përmbushjen profesionale dhe shpirtërore nëse ato arrihen.

“Fillimishte pres që këtë dramë, që e kam pëlqyer qysh në leximin e parë ta pëlqejnë edhe aktorët që përzgjedhen për rolin, sepse atëherë do ta duan edhe jetësimin e personazhit”, mendon Arifi.

Regjisorja shpreson që publiku të gjej diçka nga vetja në shfaqjen që do të vie në prill.

“Pres që publiku ta ndjej performancën e tyre duke e gjetur ndonjë ‘copëz’ interesante dhe të përjetuar ndonjëherë. Poashtu pres që shfaqja të rrugëtojë në skena e teatro brenda dhe jashtë vendit”, shpreson Arifi.

Ajo thekson se duartrokitjet që do t’i marrin bashkë me ekipin e saj do t’i dhurojnë motiv për shfaqjen e radhës.

“Unë dhe ekipa do ta bëjmë më të mirën tonë, në mënyrë që spektatori të ndahet i kënaqur dhe së paku të del nga salla me emocionet e fuqishme që besoj do të kenë mundësi t’i përjetojnë”, përfundon Ilirjana Arifi.

Shfaqja “Djali im ecë, veç pak ma kadale” është në kuadër të 5 projekteve teatrore të përkrahura nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com