Flet ushtarja kosovare që fitoi ‘Shpatën Ndërkombëtare’: Ua dedikoj të gjithë ushtarëve të rënë, më së shumti fëmijëve të vrarë

Nëntogerja e FSK-së, Ilirianë Bunjaku, ditë më parë është shpallur kadetja më e mirë ndërkombëtare.

Ajo ka marrë çmimin e “Shpatës Ndërkombëtare” të cilin e jep Akademia Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.

Bunjaku ka thënë se me këtë rast i është shpërblyer puna dhe përkushtimi, njofton Klan Kosova.

“Motivi ka qenë mjaft i madh që ta përfaqësoja shtetin tim. Puna shpërblehet. Të qëndruarit natë e ditë pa gjumë me gjitha peripecitë dhe sfidat gjithmonë shpërblehet. Kam punuar fortë që ta marrë shpatën”, është shprehur ajo.

Këtë çmim Bunjaku ka thënë se e dedikon për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

“Ua dedikoj të gjithë ushtarëve të rënë – më së shumti është dedikim për fëmijët e vrarë në luftën”.

Në këtë garë ku ajo ka dalë triumfuese, thekson se konkurrenca ka qenë e madhe.

“Kanë qenë 26 kadetë nga shtete të ndryshme si Kolumbia, Ukraina dhe shumë shtete tjera. Nga 13 shtete që janë pjesë në akademinë ushtarake u ndjeva shumë mirë që shteti im tregoi se mund të jemi të parë. Është çmim shumë i rëndësishëm shtetin tim dhe për mua”.

Në edicionin e Orës së Pasditës ajo ka treguar se pjesë e FSK-së është nga viti 2015.

“Kam përfunduar Akademinë Ushtarake në Kosovë. Dëshira ta mbroj sovranitetin dhe të jem pjesë e ushtrisë… e kam pasë nga fëmijëria. Babai im ka qenë pjesë e luftës”.

“Akademia Ushtarake në Kosovë të trajnon aq mirë dhe ka instruktorë të fortë që gjithmonë të trajnojnë në mënyrat më të mira. Ata më kanë dhënë motiv të jem pjesë e akademisë ushtarake në Angli”./klankosova/ KultPlus.com

Momenti kur kadetja e FSK-së nderohet me çmimin prestigjioz nga Akademia Ushtarake e Britanisë

Kadetja e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Ilirianë Bunjaku u shpërblye me çmimin Shpata Ndërkombëtare e cila i jepet kadetit me performancën më të lartë nga Akademia Ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka shpërndarë një fotografi nga momenti kur Bunjaku nderohet me çmimin.

“KRENARI, EMOCION, INSPIRIM të shohim kadeten e FSK-së Ilirianë Bunjaku tek i prezantohet shpërblimi i nderit për demonstrim të qëndrueshmërisë fizike, guxim, dhe aftësi të vërteta lidershipi”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook. / KultPlus.com