Suada Qorraj
Në ditëlindjen e 25-të të Denisit, nëna e tij sikurse në çdo ditëlindje tjetër, fillon përgatitjet për festë. Denisi që kohë më parë mund të ecte ngadalë, tashmë karrocën e ka mik të përjetshëm. Kurse nëna e tij jeton mes dhimbjeve dhe tendencës për të mohuar realitetin.
Pjesë e familjes ishte edhe gjyshja që jetonte në dy dimensione të ndryshme, të shkuarën dhe të ardhmen, por e plotë në asnjërën prej tyre. Mes harresës dhe kujtimeve që nuk ekzistojnë, për njerëz që kurrë s’kanë jetuar. Një motër që më shumë se kurrë i duhet një nënë për takimin e saj të parë, dashurisë, por mbi të gjitha këshillat mbi të cilat ndërtohet e ardhmja drejt së panjohurës, dashurisë së pafaj. Një baba që nuk duket e nuk flet kurrë, një gjysh që jeton më një këmbë mbi varr. Por, dhe një teze, që njëlloj sikurse nëna, jeton në vetëmohim të realitetit që e rrethon. Një mike, dashuria e së cilës shkon përtej miqësisë. E në mes të kësaj, djali i ditëlindjes, Denisi, i rrethuar mes dashurisë e kujdesit të madh, duke e izoluar kështu edhe më tepër.
Ky rreth përbënte gjithë dramën që kishte ngërthyer shfaqja ‘Ditëlindja’, titulli origjinal i së cilës është ‘Djali im vetëm ecë pak më ngadalë’, e që mbrëmë u dha premierë në teatrin ‘Dodona’.
Përballja e tre brezave të ndryshëm të një familjeje që krahas zbulimit të vetvetes dhe ndjenjave të tyre, fillojnë të njohin njëri tjetrin, u shpalos në mënyrën më të mirë.
Pikërisht kjo ‘Ditëlindje’ nuk është nga ato të zakonshmet që përfundojnë me festë të madhe e të lumtur. Kjo ‘Ditëlindje’ na bënë të reflektojnë për realitetin në të cilin shumica prej nesh jetojnë, e njëkohësisht edhe gatishmërisë sonë për tu bërë një me të. E kjo dramë e shkruar nga autori korat, Ivor Martinić, u jetësua për publikun kosovar nga regjisorja, Iliriana Arifi dhe nën lojën e aktorëve si: Rebeka Qena, Labinot Raci, Igballe Qena, Bislim Muçaj, Sheqerie Buçaj, Florenta Bajraktari dhe Alketa Sylaj.
Në një prononcim për KultPlus, regjisorja pohoi se kishte mbetur e magjepsur kur e kishte lexuar tekstin për herë të parë dhe pikërisht këtu kishte filluar dhe jetësimi i kësaj drame.
Tutje Arifi ka shtuar se beson që është përcjellë mesazhi i shfaqjes sepse personazhet e kësaj shfaqjeje janë ata që shpërfaqin ‘çlirimin’ nga dashuria e madhe familjare.
“Shpresoj dhe besoj fuqishëm që është pranuar mesazhi që kemi dashur ta përcjellim për shkak se nuk është veç personazhi i Denisit ai që sjell një mesazh, një lloj ‘çlirimi’ banal nga dashuria e madhe familjare që e rrethon sepse fundja duhet një çlirim i tillë për të vazhduar jetën dhe ta pranosh atë ashtu siç është” , ka thënë ajo.
Regjisorja mes të tjerash thekson se shfaqja sjellë dashurinë e pakusht të nënës ndaj fëmijës, dhimbjen dhe dilemat që e shoqërojnë atë, por mbi të gjitha shkëputjen që duhet të ndodhë mes fëmijës, që tashmë është rritur dhe kujdesit të tepruar të nënës.
“Është përballja e saj me realitetin, shkëputja e saj ndaj djalit, ajo rruga e qumështit që ndodhë mes fëmijës dhe nënës kur arrijnë në një moshë të pjekur. Këta është dashur ta bëjnë një shkëputje në të cilën djali veç se duhet të ndjehet i lirë, por të njëjtën kohë edhe nëna duhet të çlirohet nga ndjenja e kujdesit të tepruar ndaj fëmijës”, shtoi ajo.
Sipas saj dashuria e tepruar ndaj fëmijës, në këtë rast Denisit, fillon ta viktimizoj atë. Ndonëse një dashuri e tillë duhet të ekzistojë, nëna duhet ta kuptojë se duhet të tërhiqet dhe të lejoj fëmijën të jetoj i lirë.
‘Ditëlindja’, ngërtheu në vetvete emocione të përziera. Komedia dhe humori i zi që sillet aq mjeshtërisht nga aktorët të bënë të qeshësh e të qash në të njëjtën kohë. Të rikthen në situata që nëse jo krejtësisht të njëjta, përafërsia e tyre dikur është jetuar e përjetuar nga ana jote.
Portretizimi i tre brezave të ndryshëm shpërfaqë gjendjen e një familjeje tipike, e një shoqërie që jeton në mohim të realitetit.
Denisi, djali që feston 25 vjetorin e tij të lindjes, tashmë në karrocë, dikur ishte një fëmijë që vraponte, e më vonë një i rritur që lëvizte me paterica, erdhi mjeshtërisht natën e mbrëmshme nën lojën e aktorit, Labinot Raci.
Për Racin, portretizimi i këtij roli krahas punës dhe lojës që duhet bërë me karrocë ka qenë edhe një ngarkesë e ka sjell emocione të përziera gjatë tërë kohës. Sipas tij ‘Ditëlindja’ tregon një realitet të hidhur të shoqërisë tonë për faktin se kujdesi dhe vetëmohimi i tyre i bënë personazhet, sikurse ai i Denisit, të ndihen keq.
“Realiteti është i hidhur për të gjithë, jo për pjesën pse dikush është invalid dhe është në karrocë, por për pjesën se sa mund ta pranoj shoqëria jonë e sidomos familja. Ata pa dashur, me mendimin që të ju ndihmojnë e të kujdesen për ta, i bëjnë të ndihen keq”, tha për KultPlus aktori.
Tutje ai ka shtuar se ndjesia shpirtërore e gjithsecilit, dashuria që japim për njëri tjetrin në cilëndo situatë që ndodhemi është vetëm një nga mesazhet që përcjellë kjo shfaqje. Por, e bukura e kësaj shfaqjeje nuk ndalet këtu. Regjisorja Iliriana Arifi bëri bashkë në skenën e teatrit anëtarë të familjes që lanë gjurmë në artin dhe kulturën e vendit tonë. Ajo për herë të parë solli përballë publikut në një skenë e shfaqje të vetme, nënë e bijë, Igballe e Rebeka Qenën. Madje edhe në shfaqje ato portretizojnë nënën dhe të bijën. “Ka 50 vite që kam ëndërruar me qenë në skenë me vajzën – është një ndjesi shumë e veçantë, normal edhe afërsia si vajzë – nanë, por edhe si kolege. Ndonjëherë kemi kritiku njëra tjetrën, e herë të tjera kemi përkrah njëra tjetrën”, tha Igballe Qena për KultPlus, teksa shpjegonte ndjesinë e të qenurit për herë të parë në një skenë me të bijën.
Për Qenën e cila në shfaqje pati rolin e Anës, gjyshes së Denisit, e cila mes harresës së saj, jeton me familjen e vajzës, nënës së Denisit, përshtatja me këtë personazh nuk ishte aq e vështirë.
“Rol shumë delikat, por gjatë procesit të punës jam ndjerë shumë rehat, gjithashtu edhe me rolin”, pohoi ajo. Tutje tregoi se momentet që përjetohen përmes këtij roli janë të pandashme, por po aq të bukura dhe me peshë në vete.
“S’mund ti ndash se secila e ka atë peshën në vete, e bukura është kontakti me nipin që është i veçantë sepse gjithmonë gjyshërit kanë afërsi me nipa dhe mbesa dhe i ndajnë sekretet së bashku më shumë sesa me fëmijët e tyre. Brenda një dite ka ngjare ku shihet situata e një familjeje, secili moment është i veçantë dhe i bukur”, shtoi Igballe Qena.
Kurse për aktoren Rebeka Qena, realizimi i kësaj shfaqjeje ka qenë një punë interesante dhe intensive e përcjellë gjatë tërë kohës me harmoni. Ajo ka potencuar se shfaqja sjellë një realitet që ekziston në mesin tonë e që shumë shpesh mohohet.
“Flet për atë se çka do të thotë të jesh ndryshe dhe çka do të thotë kur nuk të pranojnë dhe sa e vështirë është dhe për veten ta pranosh pse je ndryshe, por njëkohësisht edhe sa ju dhemb kjo njerëzve përreth teje. Pikërisht këtu më lindin pikëpyetjet për mënyrën se si ne në rrugë diskriminojmë të tjerët që ballafaqohen çdo ditë me sfidat dhe problemet e veta. Në një formë është një porosi që të dashurohemi dhe të jetojmë jetën duke ndjerë momentin”, potencoi Rebeka Qena për KultPlus.
Pjesë e familjes ku problemet sa janë të dukshme prapë vazhdojnë të mbahen në vete, është edhe tezja e Denisit, gruaja që njëlloj sikurse motra e saj jeton në mohim të realitetit, ngase vetëm atëherë kur ulet në tavolinë mes rrëfimeve të së vërtetës gjen forcën të tregoj se i biri i saj është homoseksual. Pikërisht rolin e kësaj gruaje nën ndikim të përhershëm të tabletave dhe kërkimit të dashurisë, e jetësoj mbrëmë aktorja Sheqerie Buçaj.
Për KultPlus aktorja pohoi se jo vetëm roli i saj, por të gjitha personazhet së bashku nëpërmjet humorit të zi zbërthejnë një realitet të një jete në probleme dhe dashurisë së munguar.
“Mesazhi i shfaqjes është një rreth që jemi duke e bërë e gjithë bota, të gjithë njerëzit janë duke u përballur me problemet e veta e që nuk merret me të tjerët dhe s’ka dashuri”, përfundoi ajo.
Shfaqja ‘Ditëlindja’ – (Djali im vetëm ecë pak më ngadalë), publikun e teatrit ‘Dodona’ që për rreth një orë e gjysmë i dhuroi lot e të qeshura, e ngriti në këmbë për të dhuruar një duartrokitje të madhe e disa minutëshe. Por, kritikat e mira për këtë shfaqje nuk përfunduan brenda dyerve të këtij teatri. Dramaturgu, Jeton Neziraj, në një postim në Facebbok përgëzoi regjisoren dhe aktorët për pasionin, punën e ndjeshmërinë që përcollën përmes shfaqjes.
“Urime ekipit e teatrit Dodona për këtë shfaqje t ‘shkëlqyeshme! Bravo, Iliriana Arifi, për ndjeshmërinë, pasionin e punën me kaq përkushtim! Bravo aktorëve që na kanë mahnitë: Sheqerie Buqaj, Igballe Qena, Rebeka Qena, Alketa Sylaj, Labinot Raci, Bislim Muçaj e Florenta Bajraktari. Për publikun: shkoni e shiheni, kurdo qe ju jepet rasti, ia vlen, 1 milion herë!”, shkroi ai.
Ju kujtojmë që repriza do të shfaqet sonte në teatrin ‘Dodona’ me fillim nga ora 19:30. / KultPlus.com