Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949 ndërsa vdiq në Prishtinë, më 28 prill 2007, shkruan KultPlus.
Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe në shkollën e mesme në Mitrovicë ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.
Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues.
Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj. Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës.
Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe, duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern. Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore. Botoi poezi, tregime, reportazhe, recensione dhe ese për letërsinë.
Për veprën e tij si në poezi dhe në prozë kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit. /KultPlus.com