Protagonist i komedisë dhe ikonë e kinematografisë, Fatmir Spahiu: Filmat e mi janë prezantuar aty ku diplomacia nuk ka shans të depërtojë

Era Berisha

Humori është elementi kryesor që ia ka hapur çelësin drejtë dyerve të suksesit në jetë. Për të shkuar drejtë atyre dyerve, njerëzit bëjnë çmos, por ka mjaftuar humori i mirëfilltë që ka shoqëruar gjenerata të ndryshme në trevat shqiptare, për të përmbushur brendësinë shpirtërore të Fatmir Spahiut. Aktor i ekranit, teatrit dhe producent kosovar, ai është një figurë e veçantë, pas së cilës qëndrojnë shumë role e shumë prodhime të jashtëzakonshme. I shquar për rolin e tij si protagonisti Orhan Bobaj në serialin e mirënjohur, ‘Kafeneja jonë’ e deri tek roli i tij si producent që ka rezultuar në themelimin e shtëpisë filmike “Buka Production”, ai ka dhënë një kontribut të lartë në fushën e artit, kulturës dhe kinematografisë.

Me pseudonimin “Bufi”, ai qysh nga seriali “Kafeneja jonë” (2004), ka qenë një magjistar i humorit, magjitë e të cilit janë shfaqur shumë lehtë. Nuk është zhveshur nga pëlhura e dikujt tjetër për të hyrë në rolin e “Orhanit”, por brendësia e tij është shfaq në pah, duke i shndërruar momentet e përditshmërisë në jehona të qëndrueshme kualitative që janë përcjellë nga familje të shumta shqiptare. Bufi vjen si një mjeshtër i zgjuar, karakteri i të cilit ka balancuar shpirtin, zemrën, dinjitetin dhe humorin. Humori i tij ka rezonuar shumë me audiencën, dhe kësisoj është arritur një formë kënaqësie në kaosin e përditshëm të jetës. E qeshura e tij të bënte të qeshje edhe vetë. Ai nëpërmjet rolit të tij ka krijuar një urë lidhëse me audiencën e serialit “Kafeneja jonë”, mbi të cilën rrinin zgjuar shumë familje shqiptare.

Por, që ky serial do të kishte jehonë kaq të madhe, nuk e ka menduar as vetë ai. Për hir të sinqeritetit, ai nuk e ka paramenduar që për këtë projekt do të flitet kaq gjatë. Ky fakt e bën atë që të ndjehet tepër mirë dhe për më tepër, ndjen një lumturi shtesë kur edhe fëmijët që janë lind pas serialit, vazhdojnë akoma ta shohin atë.

“Secili prej nesh ka edhe shumë projekte tjera, të suksesshme e mjafte prezente, por ‘Kafeneja jonë’ kishte një magji tjetër. Ne kemi fillu me kriju komedi dhe është pranuar mirë, njerëzit kanë qeshë me ne dhe ne jemi kënaq me këtë fakt”, thotë ai.

Sipas tij, ka pasur shumë reagime prekëse, por veçanërisht reagimet nga fëmijët janë më të paharrueshmet, sidomos vizitat në spitale.

“Takimet në spitale janë diçka që kur më kujtohen, mua akoma më dhemb zemra. S’kam bërë më vizita të tilla, nuk mundem.”

Si aktor dhe producent, relativisht aktiv nga paslufta, ai ka përjetuar edhe mënyrën konvencionale të të berit serial apo film, edhe këtë mënyrën sot, pra të bërit diçka për internet. Këtë ai e cilëson si diçka që ka mundësuar promovimin e punës së bërë para dekadash duke e bërë prezente dhe të paharrueshme.

Para pjesëmarrjes në serialin ‘Kafeneja jonë’, Bufi ka pasur edhe shumë role në teatrin Dodona dhe atë Kombëtar, por pastaj ai kaloi edhe në fushën e filmit dhe televizionit. Por, roli i Orhanit mbetet roli që i ka dhënë prezencën më të madhe në jetë.

Familjet kosovare ditën e hënë, pas lajmeve e kanë identifiku me serialin ‘Kafeneja jonë’, kjo tregon mjaftueshëm”, thotë ai, i cili tutje tregon se skena në Kosovë është e vogël, e kultivuar dhe marrëdhënia me publikun është shumë e afërt andaj dhe publiku nuk pranon gjithçka.

“Atëherë kur pranohesh do të thotë se nuk të largojnë lehtë”.

Një nga “meme-t” e preferuara të tij është “Shkallt shkallt..”, por ai beson që më të mirat janë ato që patën ndodhur nëpërmjet improvizimit e në të cilat përfshihet edhe politika, biznesi dhe estrada. Çdo ditë, çdo moment ka qenë i jashtëzakonshëm për të.

Në anën tjetër, është pikërisht Bufi ai i cili shpesh krijon humor dhe në llogari të vetvetes, duke e përdorë edhe fizikun e tij si shembull, gjë që jo çdokush mund ta bëjë. Kjo dëshmon për faktin se ai nuk krijon komedi vetëm për ekranin, por edhe për skenën e jetës. Roli i tij ka gëzuar zemrat e mijëra njerëzve, por qenia e tij ka mbushur shpirtërisht edhe zemrat më të thyera në rrjetet sociale. Bufi shpesh mishërohet me një humor sa të guximshëm, aq edhe të vetëdijshëm. Shakatë i kthen në diçka vetëpërçmuese dhe bart mbi supe papërsosmëri që gjenden edhe brenda plotë njerëzve të tjerë të cilët nuk e kanë forcën për t’iu bë ballë komenteve. Nëpërmjet të qeshurave, qofshin ato për ekran apo jo, Bufi ka krijuar një hendek në shpirtin e atyre që zë nuk kanë por zërin e gjejnë tek statuset e tij në rrjetet sociale. Bufi na rikujton se humori është art, dhuratë e dhënë e jetës që duhet shfrytëzuar në mënyrat më të bukura.

“S’ka si bëhet ndryshe. Nëse bën humor në llogari të vetës, të jepet një të drejtë të vogël që të bësh edhe në llogari të të tjerëve. Nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjë individ, humorin e të cilit e kam ndjek ose diçka të tillë. Unë në çdo punë që e bëjë, inspirohem nga përditshmëria, jeta. Nëse puna ime ka arrit me thye ndonjë stereotip, atëherë më vjen mirë. Publiku gjithmonë e ndjen energjinë time dhe në këtë kohë kur kemi një krizë gjigante televizive në Kosovë, komunikimi përmes rrjeteve mbetet një zgjidhje kompromisi”, thotë Spahiu.

Sipas tij, e “meta” e vetme që njerëzit mund të kenë është pjesa e trurit dhe çdo gjë tjetër mund të jetë vetëm vetëkufizim.

“Është në natyrën time toleranca dhe baraspeshimi në çdo gjë, pos në ushqim. Prej krejt gjallesave në tokë, i vetmi është njeriu që është zhvilluar mjaftueshëm për të bërë baraspeshë dhe për të ndarë të saktën nga e gabuara. Shpesh më vjen të shprehem rëndë, për tema të rënda, por kur ndalem e mendoj, them se ndoshta më mirë ta lë ‘nesër’”, thotë Spahiu.

Ekziston një lloj dashurie që kanë fëmijët kur Bufin e shohin në rrugë apo kudo. Dhe kjo pjesë e përmbushë atë më së miri.

Asnjë reagim pozitiv nuk më përmbushë më shumë sesa ai i fëmijëve. Edhe pse, dorën në zemër, s’kam punuar shpesh ndonjë gjë që bëhet enkas për ta, por serialet kanë bërë që të kem një prezencë edhe tek kjo moshë, dhe kjo më bënë të ndihem shumë mirë”, tregon Spahiu, i cili njashtu ka marr pjesë në spektakle të ndryshme që për bazë kanë pasur kauzë bamirësie, ndaj të cilave është munduar të dhurojë një kontribut përmes përfshirjes dhe angazhimit. Ai ato i quan “mirëpërdorim i popullaritetit”.

Nga roli i aktorit, ai kaloi në rolin e producentit. Spahiu dikur ka gdhendur buzëqeshjen me fytyrën e tij, ndërsa tani ai e gdhend nëpërmjet artit të produksionit. Ai ka evoluar zanatin e tij, duke e kthyer një faqe jetësore tutje me kalimin e tij nga para kamerës në pas saj. Spahiu u bë një arkitekt i historive të treguara por edhe të patreguara. Ai, tani, nëpërmjet shtëpisë filmike “Buka Producion” orkestron ëndrrat ndryshe, duke i quar ato në një shkallë më të lartë. Gërsheton narrativa që kapërcejnë kufijtë. Udhëtimi i tij artistik tregon shumë për transformimin e nevojshëm jetësor për një artist.

Spahiu tanimë është një vizionar dhe ai ka prodhuar disa nga filmat më të mirë si: “Distant Angels”, “Cold November”; film i cili pati rrëmbyer çmimin e audiencës në Zurich Film Festival dhe është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime, e po ashtu është filmi i parë i prodhuar në këto troje që mund të shihet në platformën Netflix, “Illyricvm”; filmi i parë për ilirët ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë e që pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Pula, “Sirin”; filmi kandidat i Malit të Zi për Oscar-in e 96-të të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit në kategorinë e Çmimit Ndërkombëtar të Filmit në vitin 2023, “Escort”; premierën botërore e pati në Festivalin e Filmit në Pula.

“Është një moment interesant që kalova në produksion. E vërteta është se unë qysh në fillim kam pas një dëshirë ndërmarrëse. Qysh në studime i blija shfaqjet e mija pastaj organizoja turne të tyre nëpër qytete. Por në vitin 2008 pata vendos me hapë produksionin Buka. Dëshira dhe nevoja për të dalë jashtë kufijve shqipfolës ka qenë njëra prej arsyeve. Por, natyrisht edhe pjesa biznesore që kryesisht vjen nga punët audiovizuale siç janë reklamat etj”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, aktrimi dhe prodhimi janë dy gjëra që lidhen shumë me njëra-tjetrën.

“Ka shumë aktorë në botë por edhe regjisorë që dikur bëhen edhe producent. Si aktor ti kënaqesh më pak me suksesin kolektiv, kënaqësia e aktorit shpesh është “egocentrike” kurse nga pozicioni i producentit, ti ke një kënaqësi më të përgjithshme. Të kënaq loja e aktorit, performanca e drejtorit të fotografisë, të kënaq edhe shoferi i mirë në set. Pra, është diçka më madhore, më kolektive”, tregon ai.

Ai tutje ka thënë se e ndjen veten se nuk është tamam një producent konvencional dhe i saktë. Ai mendon se nuk është as një producent nëse flitet se si funksionin një i tillë.

“Unë jam pra një artistoproducent intuitiv, ku marrëdhënia njerëzore në mes të regjisorit dhe producentit është në plan të parë. Dashuria për skenarin është në plan të parë dhe asnjëherë numrat.”

Ajo se çka e tërheq atë më së shumti drejt një projekti të caktuar është skenari dhe ëndrra e përbashkët me regjisorin dhe pjesën tjetër të ekipit. Dhe, të qenit një aktor, do të thotë se ke mësuar një perspektivë tjetër brenda artit të produksionit.

Në çdo punë pra edhe në prodhim, nëse ti nga një projekt nuk del me një mik më shumë sesa që kishe para tij, atëherë nuk ke bërë asgjë. Në anën tjetër, unë realisht besoj në brezin e ri, edhe pse në Kosovë jemi të gjithë brez i ri. Por, së fundmi kam lexuar disa skenarë mahnitës dhe me shpresë që do t’i shoh tek realizohen”, tregon tutje Spahiu, i cili pastaj thotë se i vetmi problem për të luajtur një rol tani si aktor, tanimë mbetet tek pjesa konsumuese që ka roli i producentit mbi të.

Sipas tij, nuk ka asnjë përfitim nga kjo fushë përpos honorarit si producent i filmave të llojit që bëhen nga shtëpia filmike ‘Buka’.

Ka lavdi dhe vetëpërmbushje. Shembull si producent; disa nga filmat e mi janë prezantuar atje ku diplomacia nuk ka asnjë shans për të depërtuar. Ka pasur momente kur shtetet mosnjohëse na kanë prezantuar si: Fatmir Spahiu nga Repbulika e Kosovës, e shumë gjëra të tjera që nuk maten me të hyra materiale”, tregon ai.

Gjithashtu, filmi “Luna Park” është projekti më i fundit që vjen në bashkëprodhim me shtëpinë filmike ‘Buka’ (producent Fatmir Spahiu Bufi), derisa në rol kryesor është edhe aktorja nga Kosova Adriana Matoshi së bashku me Orion Jolldashin.

Filmi është dhënë Premierë Rajonale në Festivalin e 65-të Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, dhe po ashtu ka qenë pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Indi, GOA.

“Filmi ‘Luna Park’ është filmi i fundit i shfaqur në të cilin unë jam bashkëprodhues me Shqipërinë si shteti kryesor prodhues i këtij filmi. Jam jashtëzakonisht i lumtur sepse ky bashkëpunim ka sjellë një super aktore kosovare në një rol kryesor të një drame të jashtëzakonshme e emotive të cilën audienca mbarëshqiptare do ta dashuroj. Rolin kryesor e luan Adriana Matoshi kurse Florenc Papas është regjisori dhe skenaristi. Besoj në fund të muajit Janar, ky film do ta ketë premierën e vetë në Kosovë”, shpalos Spahiu.

Së shpejti, pritet edhe premiera e radhës së një bashkëprodhimi tjetër filmik, të titulluar “Vidra” me skenar të Stefan Boskovic e regji të Srdjan Vuletic, në të cilin luan edhe vetë aktori Fatmir Spahiu. Përkatësisht, premiera pritet të jetë në fillim të vitit 2025 dhe në këtë projekt merr pjesë edhe shtëpia filmike ‘Buka’ nën petkun e Fatmir Spahiut.

Krejt në fund të kësaj interviste, aktori i ekranit, teatrit dhe producenti kosovar, Fatmir Spahiu, ka thënë se viti 2024 për të ka qenë një vit i mirë, i qetë dhe i shëndetshëm. Ai lexuesve të KultPlus-it u ka uruar një vit të mbarë, ndërsa ka falënderuar ekipin e KultPlus për punën e madhe që bëhet për kulturën./ KultPlus.com

‘Illyricvm’ – mënyra e jetesës së ilirëve në trajtën e një mozaiku që ka “nevojë” të plotësohet

Uranik Emini

Pas një kohe të caktuar, dallimi midis historisë dhe legjendës turbullohet, ndërkaq është pikërisht magjia e filmave që ka fuqinë për t’u transportuar në çdo botë, reale apo imagjinare, për një periudhë të shkurtër kohe. Filmbërësit e bëjnë të mundur krijimin e vendodhjeve të vjetra dhe njerëzve të “ri-imagjinuar”, duke i sjellur ata në ekran të madh, njësoj siç bëri edhe “Illyricvm”, duke dëshmuar thënien se asnjë art nuk e kalon ndërgjegjen tonë ashtu siç bën filmi, dhe nuk shkon drejtpërdrejt te ndjenjat tona, thellë në dhomat e errëta të shpirtit tonë, siç bën filmi, shkruan KultPlus.

Edhe më intrigues është të shohësh sesi një kastë e artistëve kombinojnë faktin dhe trillimin për të portretizuar periudha historike si ilirët dhe mënyrën e tyre të jetesës.

Mbledhja e taksave mund të duket si një punë shumë e lehtë për t’u bërë, por nuk ishte për një të ri si Liburnus Volsus, i cili rekrutohet nga një njësi romake për të mbledhur taksat. Ilirët, të cilët në atë kohë konsideroheshin barbarë nga fiset romake, paraqesin kthesa të papritura në film, duke treguar forcën e tyre kundër nënshtrimit. Përmes Volsusit shohim se bota e njerëzve të kohës “37 vjet para lindjes së Krishtit”, nuk ishte aspak e ndryshme nga e jona.

Mënyra e jetesës së ilirëve – arsye për realizimin e filmit

Regjisori dhe njëri prej skenaristëve, Simon Bogojevic-Narath, shpjegon në konferencë për media se është pikërisht fakti që më herët nuk është realizuar një film për ilirët dhe mënyra e tyre e jetësës, si arsye, të cilat ndikuan edhe në realizimin e këtij filmi.

Duke filluar nga regjisori Narath, së bashku me aktorët: Robert Prebil, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Gani Morina dhe Ali Demi, u mblodhën bashkë edhe një herë tjetër nga co-producenti Fatmir Spahiu, për të parë nga afër filmin “Illyricvm” dhe për të bashkëbiseduar më shumë rreth filmit.

“Për mua i gjithë procesi i realizimit të këtij filmi ishte i jashtëzakonshëm. Jemi të parët që kemi bërë një ‘subject in cinematography’ falë njerëzve që janë këtu që e bën të mundur gjithë realizimin. Për mua si regjisor dhe co-producent ishte një përgjegjësi e madhe dhe gjithashtu një kënaqësi e madhe. Në njërën anë ishte një gjë shumë e mirë, por edhe sfiduese. Ishte një nder i madh që të punoja me aktorë të talentuar siç janë këta që i kemi këtu”, thotë regjisori Simon.

Simon shpjegon se mungesa e informacioneve nëpër vende të ndryshme të botës për ilirët, është edhe motiv shtesë që ai të ketë premiera në shumë shtete, por sigurisht kjo nuk varet nga ta.

“Do të doja që ky film të udhëtonte nëpër shumë vende të botës dhe jo vetëm në shtetet ballkanike. Problemi im personal ka qenë që në shumë vende të botës dihet më shumë për vikingët dhe këtë lloj historie. Por, për ilirët nuk ka shumë njohuri nëpër botë dhe t’i shfaqesh ata përpara publikut, mënyrën si kanë folur, mënyrën si janë dukur dhe të prezantosh këtë botë antike përpara njerëzve është diçka shumë e madhe. Në qoftë se njerëzit do të jenë të interesuar për të parë këtë film, atëherë ata mund të shkojnë në kinema”.

Mozaiku i filluar, në pritje për t’u plotësuar

“Unë doja që të shfaqja përpara publikut mënyrën se si janë ilirët. Shpresoj që ky nuk do të jetë filmi i fundit për Ilirët dhe të kaluarën tonë antike. Mendoj që kemi të drejtën që të marrim primatin si njerëzit e parë që kemi realizuar një film për Ilirët. Për mua mesazhi i filmit ishte që të tregojmë që ne të gjithë jemi njerëz, pa marrë parasysh që jetojmë tani, apo rreth 1500 vjet më parë ose çfarëdo lloj kohe. Jemi të njëjtë, por jo shumë të njëjtë gjithashtu. Nëse e marrim për shembull një mozaik, ne mund të themi që kemi plotësuar vetëm një pjesë, për ta kompletuar atë, duhen shumë pjesë. Prandaj, shpresoj që të realizohen edhe filma të tjerë”.

Triumfues përpara vështirësive, në qendër shqiptarët dhe e kaluara e tyre

“Ne dëshironim që të krijojmë një portretizim të ilirëve në këtë film, një periudhë të caktuar kohore dhe për mua ka rëndësi se si e shihni në pjesën kinematografike këtë film. Ne donim që të krijonim diçka më poetike. Nëse ju jeni një person që kërkoni aksion, filma aksion, do të shkaktoj një konfuzion te ju. Ne jemi munduar që përmes këtij filmi të tregojmë një periudhë të caktuar kohore. Të kemi aktorë shqiptarë në këtë film ishte gjëja e duhur. Të jem i sinqertë, një film i tillë, në këtë rast i yni, është shumë i vështirë që ta bënim. Ka qenë sfidë e madhe dhe kemi arritur që ta bëjmë një gjë të tillë. Fatmirësisht ne kishim shqiptarë në këtë film”, shpjegon regjisori.

Njëri ndër aktorët shqiptar me rolin kryesor në këtë film, Ylber Bardhi, thotë se një film i tillë ishte sfidë interesante, por edhe punë e madhe që duhej bëhej.

“Normalisht që ka qenë e vështirë, por gjatë gjithë kohës, prej momentit kur e kemi marr tekstin, diku një vit përpara se të fillonin xhirimet. Kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës edhe me profesorë të gjuhës, ata të latinishtes dhe të ilirishtës. E kemi pasur një lloj sfide shumë interesante që të mësojmë të flasim ilirisht, dhe me shumë punë e kemi bërë një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Labeat Bytyqi, njëri ndër aktorët që kishte udhëtuar për xhirimet e këtij filmi, vetëm një apo dy javë pasi kishte diplomuar në këtë drejtim, thotë se ndjehet shumë i lumtur që është bërë një film i tillë dhe ai ishte pjesëmarrës.

“Secila pjesë i ka pjesët e veta të vështira, por gjatë procesit kemi kaluar shumë mirë. I kemi filluar më herët përgatitjet dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Po, jam aktor i ri dhe sapo kam diplomuar, e pas një jave ose dy jam nisur për xhirime të filmit. Ka qenë e vështirë, por dashnia ka qenë më e madhe se lodhja dhe sigurisht gjatë gjithë kohës jam konsultuar me Bufin e Ylberin, të cilët kanë përvojë shumë më të gjatë se unë. Por edhe me regjisorin e profesorë të tjerë. Më pas, i gjithë procesi ka qenë shumë i mirë. Do të doja që të vazhdoja karrierën me filma të tillë. Po shfrytëzoj rastin që të falënderoj Fatmir Spahiun në realizimin e këtij filmi, sidomos që më ka ftuar në këtë film dhe e ka bërë të mundur daljen time në skenë menjëherë”. 

Një nga aktorët më të njohur nga Sllovenia, Robert Prebil, thotë se që nga fillimi i realizimit të këtij filmi, ndodhi një ndërlidhje me aktorët nga Kosova, në këtë rast Ylber Bardhin (me të cilin ka një rol të ngjashëm), derisa shpjegoi edhe pjesët më të vështira e më të mira në realizimin e filmit.

“Asnjëherë në karrierën time nuk kam luajtur një film të tillë. Për mua ishte shumë interesant që të luaja këtu. Kur e pashë skenarin, që në fillim e pamë atë lidhjen mes aktorëve. Sapo u takuam me Ylber Bardhin, ne kaluam momente të mira dhe ishte shumë interesant se si regjisori na vendosi bashkë në mënyrën më të mirë të mundshme. Dukej sikurse gjithçka ishte e bërë më parë dhe lindi natyrshëm bashkëpunimi i veçantë. Gjatë gjithë kohës ne po mundoheshim që të mësonim gjëra të reja gjatë filmit, duke filluar nga pjesa për të hypur në kuaj dhe më pas edhe sigurisht po shikonim në “YouTube” se si ta zotërojmë më mirë shpatën dhe lëvizjet që njerëzit kishin në atë kohë. Zakonisht ditët e xhirimit dijnë të jenë të mërzitshme, por këto kaluan si një moment dhe kaluam shumë kohë të mirë, çdo dite ishte një ditë më e veçantë se tjetra. Nuk po i prisja detajet të jenë në këtë formë”, tha Prebil.

Edhe aktori Dukagjin Podrimaj pohon se mundësia për të pasur një rol të tillë, në një film të këtyre përmasave, është mundësi që vjen një herë në jetë.

“Vetë fakti që është film historik, po besoj që të gjithë aktorët i intrigon. Me të vërtet është një mundësi që të vjen një herë një jetë. Skenari ka qenë i kompletuar plotësisht. Nuk ka pasur shumë dialog, por për aq sa ka pasur ishte i plotë. Ky është një film historik që mund të realizohet në 100 mënyra. Unë e kam parë këtë film në “Pula” të Kroacisë, kur e ka pasur premierën botërore. Aty ka qenë si një koloseum amfiteatër dhe ishte shumë korrespodente, të shihej një film i tillë nga një vend i tillë ishte tamam e veçantë”.

Bashkëpunim i rastësishëm për realizimin e një filmi madhështor

“Bashkëpunimi ka ndodhur rastësisht gjatë një takimi në Festivalin e Filmit “Trieste”, me zonjën Ankica Tilliq Juriq, një super producente jo vetëm kroate por edhe evropiane. Ajo ka shfaqur një interesim që të ketë një kastë të aktorëve shqiptarë nga Kosova, që t’i luajnë rolet e ilirëve. Ekziston një lidhshmëri, sigurisht e natyrshme. Jemi në këtë projekt, sepse këtij projekti i takojmë, kësaj storie i takojmë dhe jemi në të pa asnjë dilemë”, thotë Spahiu.

Ngjashmëria në gjuhë, dëshmi e lidhshmërisë së natyrshme me shqiptarët dhe ilirët

“E keni pa edhe gjuhën, kur e dëgjoni frazën komplet mundet me tingëllu si diçka shumë e çuditshme, si diçka që nuk përngjan me gjuhën e sotme shqipe. Por nëse i ndani fjalët një nga një, e kuptoni që etimologjia e tyre bie në gjuhën e sotme shqipe, sidomos në këtë që e flasim ne në ditet e sotme. Fjalorin që e kemi pasur nga një prej linguistëve më të njohur botëror, mund të shihet se ndoshta secila fjalë shpie te gjuha e sotme shqipe. Nëse mund ta quajmë filmin politikisht korrekt, atëherë është korrekt. Nëse e quajmë historikisht korrekt, edhe ashtu është. Nuk kemi bërë diçka, të themi në thonjëza, që na “shkel” ose nuk është ashtu për neve”, vazhdon ai tutje, duke njoftuar se ky film në radhë të parë është një bashkë-produksion mes disa shteteve.

Aktorët nga Kosova si një vullkan prej talenti

“E quaj një të arritur personale, pjesëmarrjen e 13 aktorëve kosovarë në këtë projekt, sepse mendoj se ekziston një vullkan prej talenti, sidomos te aktorët në Kosovë. Këtu kemi aktorë si Ali Demi, me shumë eksperiencë nga Teatri i Gjilanit, të cilin pak e kemi parë në kinematografi dhe e shohim në film si një yll fare, si një aktor fenomenal të fshehur diku në një qytet, por po e shohim në një bashkëprodhim jo vetëm rajonal, por edhe ndërkombëtar. Këtë projekt e kam trajtuar shumë afër zemrës, për arsye të cilat i përmenda”.

Rrugëtimi i filmit

“Filmi e ka pas premierën e vet në “Pula” në një festival të Kroaicsë, premierë botërore. Pastaj ka qenë në Zagreb, këto ditë ka qenë edhe në Slloveni, ka qenë edhe i nominuar në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar në Festivalin e Sarajevës. Do të ketë një rrugëtim, besoj të gjatë, dhe interesant”, thotë ndër të tjerash Spahiu, një ndër producentëve të filmit.

Njerëz të kostumografisë në këtë film kanë qenë prej më të mirëve, duke filluar nga njerëz të cilët kanë marrë pjesë në filma sikurse “The Gladiator”, “The Great Beauty” dhe gjithashtu edhe prej serialit “Game of Thrones”, por për Spahiunyjet e vërtetë janë aktorët nga Kosova, që, sipas tij, kanë luajtur perfekt. 

Edhe Podrimaj thotë se kur ka njerëz kaq profesionistë në një film, atëherë sigurisht që çdo gjë është më e lehtë.

“Njerëz të tillë ta lehtësojnë shumë punën si aktor, ata janë aq profesionistë, sa profesionalizmi i tyre ta bën aq të lehtë që ju të përshtateni. Theksi i natyrshëm i artistëve kroatë dhe atyre shqiptarë, normalisht që nuk mund të tjetërsohet. Ne dallojmë në të shprehur, është organike dhe sigurisht ky është një dallim i madh”.

Vendi ku është xhiruar 90 për qind e filmit është vendi ku janë zhvilluar lojërat olimpike dimërore të vitit 1984, një detaj shumë me rëndësi.

Debati për (mos)portretizimin e duhur të ilirëve

“Akademiku nga Kroacia, thotë se patjetër që gjuha shqipe rrjedh prej njërit dialekt të gjuhës ilire. Mua më pëlqen ky debat dhe shpresoj që të rritet më shumë. Unë shpresoj që ne në të ardhmën ta bëjmë një film edhe më të mirë, me më shumë buxhet, ku ilirët edhe flasin e gjëra të tjera. Mos të harrojmë të tregojmë që ky film është një produksion kroat në bashkëprodhim me të gjitha shtetet tjera. Ne e kemi bo një luftë të madhe që të kemi një numër kaq të madh të aktorëve, sigurisht me vullnetin e regjisorëve dhe të gjithë të tjerëve. U bëj thirrje të gjithëve që të vijnë ta shohin”, përfundon Spahiu.

Një kohë që na ka magjepsur gjithmonë me emocionet e saj ishte pikërisht epoka e viteve pas Krishtit, plot luftëra, aventura, skandale dhe sigurisht intriga politike. Shpesh në filma portretizohen histori të ndryshme nga e gjithë bota, duke përmendur këtu disa nga filmat për perandorinë romake dhe sigurisht ato për mitologjinë greke, por kjo është hera e parë kur ilirët personifikohen në një film, të cilët konsiderohen edhe si pasardhës të shqiptarëve

Aktorët që marrin pjesë në këtë film janë: Ylber Bardhi, Ilir Prapashtica, Labeat Bytyçi, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Gani Morina, Rina Krasniqi, Fatmir Spahiu, Lulzim Bucolli, Isa Zenuni, Selman Lokaj dhe Bujar Ahmeti. Filmi ILLYRICVM është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat janë Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova. /KultPlus.com

Filmi i parë për ilirët me premierë në Prishtinë, Fatmir Spahiu: Ky është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të prezantohet edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Fatmir Spahiu, ekskluzivisht për KultPlus ka treguar se premiera e këtij filmi për Kosovë do të jetë në Cineplexx më 28 tetor.

Producenti Spahiu ka thënë më tej se ky film është i veçantë për faktin se është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë.

“Ky është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë. Do ta citoja anëtarin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kroacisë Ranko Matasovic.  “Ata që flasin gjuhën shqipe, mund të kuptojnë shumë fjalë nga ilirishtja e rikonstruktuar vetëm për film””, ka thënë Spahiu duke cituar edhe akademikun Matasovic.

Fatmir Spahiu i cili përpos punës së producentit ka edhe një rol të në këtë film, ka thënë së është shumë i lumtur për numrin masiv të aktorëve pjesëmarrës në këtë projekt.

“Illyricvm” është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Kushtrim Hoxha, Ilir Prapashtica, Rina Krasniqi, Bujar Ahmetaj, Dukagjin Podrimaj, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Ali Demi, Fatmir Spahiu, Selman Lokaj,Gani Morina

“Illyricvm” premierën botërore e ka pas në Festivalin e Pulës në Kroaci, kurse në Prishtinë do të prezantohet prej 28 tetorit, ku pas kësaj date më pas edhe do të jetë në repertorin e kësaj kinemaje.

“Illyricvm” është bashkëprodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUNDVIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme. / KultPlus.com

‘Arena e Pulës’ e duhura për “Illyricvm”, Spahiu: Në tetor filmi jepet edhe në Prishtinë e Tiranë

Uranik Emini

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, me shumë sukses ka pasur edhe premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.

Kinematografia e Kosovës në vitet e fundit ka qenë pa asnjë dyshim si një sinonim i fjalës “sukses”, shumë filma, shumë regjisorë të rinj e madje edhe edhe më shumë çmime të fituara. Një prej filmave të fundit që ka shënuar sukses ndërkombëtar është edhe filmi “Illyricvm”.

“Arena e Pulës” – e duhura për këtë film

Një nga producentët e filmit, Fatmir Spahiu, ka thënë për KultPlus se premiera ka rezultuar për mrekulli.

“Premiera ka shku për mrekulli, filmi dukej se është bërë për ta patur premierën në një ambient të tillë antik. Arena e Pulës është unike njësoj sikurse edhe filmi”, thotë ai.

Spahiu tutje njofton se filmi është “art house” dhje si i tillë ka qasje pothuajse dokumentareske.

“Filmi ka qasje pothuajse dokumentareske, ska protagonist klasik, disi protagonist është koha dhe vendi i ngjarjes, Ilira. Ata që kanë dëshirë me bo një udhëtim nëpër atë kohë përmes personazheve, ky është rasti”, thotë ai, duke treguar se numri i gazetarëve dhe publikut ishte masiv, e pozitive ishin edhe kritikat.

Shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve – qëllimi kryesor i producentit

I pyetur se sa i kënaqur është me punën dhe arritjet deri tani, aktori dhe producenti i njohur kosovar thotë se kënaqësia e tij më e madhe është shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve në një treg që e njeh pak Kosovën.

Shfaqja e filmit në Kosovë?

“Besoj se tetori do të jetë muaji i shfaqjes së filmit, në Prishtinë dhe Tiranë”, njofton tutje Spahiu.

Përjetimi nga sytë e aktorit në “Arenën Pula”

Në anën tjetër, aktori Labeat Bytyçi thotë se ky film është pritur shumë mirë nga publiku kroat, e sidomos nga shqiptarët që jetojnë në atë rrethinë.

“Premiera shkoi shumë mirë, patëm një pritje shumë të mirë nga publiku kroat në “Pula”, veçanarisht nga shqiptarët që jetojnë në këtë rrethinë”, tha ai mes tjerash.

Bytyçi gjithashtu u shpreh i lumtur edhe me rolin e tij, i cili u prit shumë mirë nga publiku dhe mori kritika pozitive.

“Jam tejet i kënaqur me filmin dhe shpresoj që të ketë një rrugëtim të mbarë dhe të suksesshëm”, përfundon ai.

Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film, aty luan rolin e “Curtiusit”.

Ndërkohë, më poshtë gjeni edhe linkun për të parë “trailerin” e këtij filmi.

Disa prej aktorëve shqiptarë që marrin pjesë në këtë film janë: Ylber Bardhi, Ilir Prapashtica, Labeat Bytyçi, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli.

Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat janë Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova. /KultPlus.com

Publikohet traileri zyrtar i filmit ‘Illyricvm’ (VIDEO)

Është publikuar traileri zyrtar i filmit ‘Illyricvm’, me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, përcjell KultPlus.

Një ndër producentët e filmit, Fatmir Spahiu, pak ditë më parë kishte njoftuar se ky film do ta ketë premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik.

“Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët”, ka thënë Spahiu, i cili ka njoftuar edhe për përfshirjen e një kaste të madhe të aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj…

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kroacisë (Kinorama) Kosovës (Buka) Italisë (LaSarraz) BiH (Pro.ba) dhe Sllovenisë (Forum Ljubljana). Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosoves, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUND

VIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme./ KultPlus.com

Filmi “Illyricvm” me premierë botërore në Festivalin e Filmit në Pula

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të ketë premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.

Fatmir Spahiu, njëri nga producentët e filmit ka bërë të ditur lajmin dhe gjithashtu ka njoftuar se tashmë e ka parë filmin e përfunduar dhe është pamasë i lumtur për punën e bërë.

“Mundem me thane qe jam pamase i lumtur per punen e bere dhe sidomos me punen e aktorve kosovar ne film, thjesht te mahniteshem!

Premiera e filmit pritet te jete ne festivalin e filmit ne Pula (Kroaci) gjate muajit Korrik.

Kurse ajo kosovare shpresoj ne vjeshte”, ka shkruar aktori Fatmir Spahiu.

Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj e të tjerë.

Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUNDVIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme. / KultPlus.com

Për herë të parë film për ilirët, xhirimet kanë filluar në Bosnjë dhe Hercegovinë

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath kanë filluar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Illyricvm”, shkruan KultPlus.

Fatmir Spahiu, njëri nga producentët e filmit ka njoftuar se filmi ka filluar të xhirohet në Bosnjë dhe Hercegovinë, por që xhirimet e këtij projekti do të bëhen edhe në Kroaci dhe Itali.

“Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët”, ka thënë Spahiu, i cili ka njoftuar edhe për përfshirjen e një kaste të madhe të aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj…

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kroacisë (Kinorama) Kosovës (Buka) Italisë (LaSarraz) BiH (Pro.ba) dhe Sllovenisë (Forum Ljubljana). Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosoves, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUND

VIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme.

KultPlus ju sjell edhe pamje nga fillimi i xhirimeve të këtij filmi./ KultPlus.com