Poezi nga Sali Bashota
Nuk është më aty
Hija e Gruas së Mirë
Kur na prekte ballin e përflakur
Me gishtërinjtë e butë
Sikur zmadhohej lumturia
Plot buzagaz
Ishim fëmijë me brenga
Që nuk i harronim ëndrrat
Pa u shëruar nga frika
Trupi dridhej si balonë e fryrë
Deri në ditën tjetër
Nuk janë më aty
As qerpikët e zbukuruar
Që grinden çdo mëngjes
Me shikimin e përdalë
Sa çel e mbyll sytë
Për ta përpirë lotin
Si tamblin e ngrohtë
Nëse i shëron vetëm ata
Që i thurin lavde harresës
Kur i lidhin nyje kujtimet
Nuk është më aty
As ikja e natës
As zjarri i buzëve të shkrumbuara
As dashuria në shikim të parë
Nuk është më aty
As hatërmbetja e fundit
(Prishtinë, 12 korrik 2022) / KultPlus.com