Jeta Zymberi
Pa shumë zhurmë, por me shumë punë e rezultate, aktori shqiptar Imer Kutllovci shkallët e suksesit po i ngjet me hapa të sigurt. Pas suksesit si aktor teatri në Paris, ai u bë edhe pjesë e disa filmave gjithmonë duke marrë vëmendje e duke dhënë rezultate të shkëlqyera, shkruan KultPlus.
Por kësaj radhe do të flasim për një tjetër sukses të jashtëzakonshëm të Imerit.
Është seriali “Darknet-sur-mer” që u shfaq në Amazon Prime Video më 7 tetor dhe Imer Kutllovci bart një ndër rolet kryesore dhe ne lirshëm mund të themi që kjo është hera e parë që një aktor shqiptar bart një rol kryesor në një serial që shfaqet në Amazon.
“Darknet-sur-Mer”, shkruar dhe drejtuar nga Rémy Four dhe Julien War, është në dispozicion në Amazon Prime Video nga 7 tetori dhe po konsiderohet si një komedi-thriller e destinuar për sukses.
Ky serial me gjashtë episode tregon historinë e dy miqve geeks që gjenden përballë dy anëtarëve të mafias shqiptare pas një mashtrimi në Darknet – një faqe interneti misterioze që ofron shërbime nga vrasës me pagesë e që rezulton të jetë një mashtrim. Ndërmarrja e Ben dhe Flo së shpejti i fut në telashe me Alkanin, i cili po kërkon një vrasës me pagesë për të vrarë shefin e një bande.

Për “20 minuta”, pesë aktorët kryesorë diskutojnë rolin e tyre dhe flasin për të dy çiftet dhe kiminë me partnerin e tyre në film.
Aktori shqiptar, Imer Kutllovci, përbën dyshen mafioze, Aklan (Artus) dhe Veran (Imer Kutllovci) të cilët kanë folur për 20 minute duke u shprehur se janë përputhur shpejt.
“Përputhej shumë shpejt, nuk kishte luftë ego siç mund të ketë ndonjëherë, kështu që shpejt u afruam shumë dhe ishte super e këndshme”, thotë Artus, partneri i Imerit në film. Përtej këtij aspekti, ata patën kënaqësi duke kompozuar këtë tandem mafioz të përbërë, të paktën në pamje, nga një i butë dhe një i fortë.
“Është pak si Asterix dhe Obelix”, bën shaka Imer Kutlovci. Të dy vlerësuan ambivalencën e karakterit të tyre. Artus, i cili luante një agjent të DGSE në The Legends Office, këtë herë shkon në anën tjetër: “Të luash një djalë të keq është gjithmonë mirë. Por atje është një horr që luan horr, por që nuk është në të vërtetë”, shpjegon ai.

Ndërsa, Imer Kutlovci, gëzohet që për një herë i ofrohet një rol i mafiozit, por me një dimension tjetër: “Verani ka dy anë. Me të tjerët është shumë i ashpër, shumë i vendosur, por me Alkanin është shumë i butë dhe shumë njerëzor. Kjo është ajo që krijon një komedi në vetvete”, shprehet Kutllovci.
Tanimë mbetet për t’u parë nëse banorët e Poney-sur-Mer, vendi imagjinar ku zhvillohet ngjarja, do të gjejnë një vend në zemrat e abonentëve të Amazon Prime Video. Nëse do të ishte kështu, nuk do të habiteshim të shihnim serialin me një sezon të dytë. / KultPlus.com
