Imer Mushkolaj
Është e turpshme të refuzohet vendosja e shtatores së Anton Çettës para Institutit Albanologjik, pjesë e të cilit profesori ishte dekada me radhë. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e folkorit shqiptar dhe, sidomos, në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve. Arsyetimet banale të njerëzve të Institutit… që të mos lejohet përjetësimi i tij në bronz duhet injoruar. Po të ishte gjallë, profesori me siguri do t’i falte ata për këtë budallaki.
Ishte një maji i vitit 1990, kur bashkë me babën shkuam në vendin e quajtur Te Verrat e Llukës, afër Deçanit, në tubimin më të madh deri atëherë për pajtimin e gjaqeve. Isha 13 vjeçar dhe çdo ditë lexoja për aksione të pajtimit gjithandej Kosovës, në një kohë të vështirë të okupimit nga Serbia. Aksioni i nisur nga rinia dhe studentë të Rrafshit të Dukagjnit ishte përhapur rrufeshëm në pjesë të tjera të vendit dhe në krye të kësaj lëvizjeje fisnike ishte vënë profesori Anton Çetta. Që nga nxënës, studentë e bujq, e deri te mësues, doktorë, gazetarë e prijës fetarë ishin bërë pjesë e njërit ndër kapitujt më të ndritur të historisë shqiptare.
Baba insistoi që ta shoqëroja në tubim. Konsideronte se ishte e rëndësishme të isha pjesë e një ngjarjeje historike dhe me domëthënie të madhe. Kishte të drejtë.
Atë të martë të ditës së parë të majit, Te Verrat e Llukës u mblodhën 500 mijë njerëz. Në një tubim masiv çfarë nuk ishte parë ndonjëherë u falën 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa. Pas përfundimit të tubimit, policia serbe rrahu dhe burgosi shumë të rinj. Por, qëllimi ishte arritur – ishin pajtuar më shumë se njëqind familje mes veti.
Të hasmëruar shpesh edhe për shkaqe banale, që kishin çuar në vrasje e plagosje, burra e gra ia falnin gjakun Anton Çettës, ia falnin gjakun Kosovës. Kjo bëhej edhe më e rëndësishme, ngase ndodhte në rrethana jo të zakonshme, në rrethana okupimi.
Qindra familje të tjera u pajtuan viteve në vazhdim, jo vetëm në Kosovë, por edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi. Gjithnjë në ballë qëndronte profesori Çetta, i cili u zgjodh kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.
Profesori i letërsisë gjatë mbledhjes së folklorit nëpër viset shqiptare për dekada të tëra, kishte fituar respekt ndër njerëz. Kur u vu në ballë të pajtimit të gjaqeve, ia vunë epitetin “plaku i urtë”.
Gati për tri dekada, ai ishte pjesë e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërkohë që kishte botuar dhjetëra vepra me përmbajtje folklori deri në vitin 1995, kur edhe ndërroi jetë.
* * *
Anton Çetta vlerësohet për punën e tij kërkimore gjithandej viseve shqiptare por, po ashtu, edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në pajtimin e gjaqeve. Por, njerëzit që udhëheqin institucionin në të cilin ka kontribuar me dekada, Institutin Albanologjik, nuk po lejojnë që shtatorja e tij të vendoset në hapësirën para këtij institucioni. Arsyetimi është më shumë se banal – aty nuk paska hapësirë të mjaftueshme, thonë, ndërkaq shtatorja e profesorit meriton një vend më të mirë, një hapësirë më të madhe.
Për shtatoren e Çettës ka vend kudo, ngase ai e ka merituar me bëmat e veta. Askush, askund nuk do të refuzonte vendosjen e një shtatoreje të tij. Madje, do ta kishin për nder. Siç e patën për nder banorët e Mirditës, nga e kishte prejardhjen Çetta, të cilët në fund të vitit 2015 ia ngritën një bust në qytetin e Rrëshenit. Por, kështu nuk mendojnë edhe njerëzit që tash udhëheqin Institutin.
“Është fjala për një hapësirë të papërshtatshme për vendosjen e çfarëdolloj shtatoreje, meqë hapësira ku pretendohet të vendoset shtatorja është shumë e ngushtë. Në këtë hapësirë më herët ky këshill kishte siguruar lejen e Departamentit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, por është e papërshtatshme, madje aty kalojnë edhe gypat e Institutit Albanologjik”, është arsyetuar Hysen Matoshi, drejtor në këtë institucion.
Ky dhe të tjerë si ky mund të gjejnë edhe arsyetime të tjera, për të refuzuar vendosjen e shtatores së Çettës, por asnjëherë nuk mund ta zbehin kontributin e tij. Andaj, të tilla arsyetime banale duhet injoruar dhe shtatorja e profesorit duhet të vendoset aty ku e ka vendin, duke i bërë nder jo vetëm institucionit, por gjithë qytetarëve dhe vendit, shkruan Gazeta Express.
* * *
Anton Çetta ka pajtuar mijëra familje të hasmëruara, ka falur mijëra gjaqe në emër të këtyre familjeve. Sa herë përmendet emri i tij, mua më shfaqet si në vegim tubimi madhështor i 1 majit 1990 Te Verrat e Llukës. Më kujtohen përmbledhjet e folklorit të profesorit, që na sjellin ndërmend kush jemi.
Po të ishte gjallë, profesori me siguri do t’i falte edhe njerëzit e Institutit… për budallakinë e shfaqur karshi shtatores së tij. Shtatore që i nderon edhe vetë ata, nëse dinë ç’ështe nderi./KultPlus.com