‘Independent’: Shqipëria ndër destinacionet më të bukura për t’u vizituar në 2025-n

Shmangni destinacionet e mbipopulluara dhe zbuloni disa nga vendet e qeta, por sensacionale të pushimeve për një arratisje të paharrueshme këtë vit, shkruan Daniel Stables në të përditshmen britanike “Independent”.

“Ferri janë njerëzit e tjerë” – kështu shkruante Jean-Paul Sartre, figurë udhëheqëse në filozofinë dhe marksizmin francez të shekullit XX – i cili mund të kishte qenë më pak një mizantrop nëse do të kishte kaluar më pak kohë në Paris, kryeqytetin më të populluar të Evropës – dhe në vend të tij të shkonte drejt zonave më të qeta të vendit të tij; Camargue – rajoni bregdetar në Francën jugore apo ndoshta, Occitania – rajoni historik në Evropën Jugore.

Sot, turizmi masiv është bërë një problem në cepat e botës ku njerëzit nuk kishin shkelur një ose dy shekuj më parë, dhe aq më pak në Francë.

Antarktida po mbushet me anije lundrimi dhe shpesh shfaqen bllokime të trafikut në majën e Everestit.

Kjo nuk është vetëm e tmerrshme për mjedisin, por është një mënyrë e sigurt për të prishur pushimet.

Ne ju sugjerojmë disa destinacione më pak të vizituara në të gjithë botën, të cilat janë po aq magjepsëse sa vendet homologe më të njohura si: Shqipëria; Omani; Sulawesi, Indonezia dhe Zimbabve.

Shqipëria

Male të larta, plazhe të mahnitshme dhe ishuj që shkëlqejnë në detin Jon – Greqia është e bukur në pranverë, por fqinja e saj ballkanike, Shqipëria, i premton të gjitha këto thesare – me shumë më pak vizitorë dhe një larmi më të madhe peizazhesh natyrore në një sipërfaqe toke më të vogël.

Parku Kombëtar i Thethit, në veri të vendit është shtëpia e ecjeve të shkëlqyera dhe pamjeve befasuese si Syri i Kaltër, një burim karstik me ujëra të kaltra.

Aty pranë, Bjeshkët e Nemuna formojnë Alpet Dinarike.

Ky vend me majat e frikshme, të thepisura, që rrethojnë luginat e gjelbra akullnajore – me lule të egra në pranverë, sigurisht që ia vlen të vizitohet përpara se të zbulohet dhe të bëhet një nga destinacionet më të nxehta të ecjes në Evropë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, ju jep ndjesinë e një vendi që kompenson kohën e humbur.

Arkitektura e larmishme e qytetit pasqyron shumëllojshmërinë e tij kulturore, lëvizjen e tij përmes diktaturave fashiste dhe komuniste dhe hapjen e tij ndaj botës më të gjerë që nga vitet 1990.

Ndërtesat që bien në sy përfshijnë Piramidën e Tiranës, e ndërtuar si një muze per diktatorin Enver Hoxha; Xhamia monumentale e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan; dhe Shtëpia me Gjethe, një muze spiunazhi dhe një qendër mbikëqyrjeje e policisë sekrete komuniste.

Aty ku Tirana merr jetë, megjithatë, është skena e saj kulturore bashkëkohore.

Muzeu i artit modern – Bunk’Art është një simbol i gjallë i rishpikjes, i vendosur në një bunker të rindërtuar të Luftës së Ftohtë; ndërsa Blloku – dikur i frekuentuar vetëm nga elita komuniste ka rilindur si një lagje plot restorante dhe bare të modës./atsh/ KultPlus.com

‘Independent’: Kala Festival më çoi në ”Maldivet e Evropës’ – destinacioni i preferuar i turistëve

Kala Festival më çoi në “Maldivet e Evropës” – dhe kuptova pse ky vend është destinacioni i preferuar i turistëve.

Më shumë se një dekadë pas vizitës së saj të parë, korrespondetja e të përditshmes britanike “Independent”, Maya Oppenheim kthehet në Shqipëri – një destinacion turistik në zhvillim – duke zbuluar bukurinë e saj, kulturën e pasur dhe joshjen e peizazheve të pacënuara, që vështirë se mund t’u rezistosh.

Udhëtova në Shqipëri për herë të parë në moshën 20-vjeçare me një traget nga Korfuzi. Në këmbim të akomodimit dhe disa ushqimeve falas, unë punova në një bujtinë në Berat – kryesisht duke shërbyer birra të ftohta për mysafirët dhe riorganizuar jastëkët në divane.

I quajtur qyteti i një mbi një dritareve dhe i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qyteti mahnitës i Beratit i epokës osmane – ia vlen të vizitohet.

Gjatë vizitës time në Shqipëri në vitin 2012, kalova një muaj – tre javë në Berat dhe një javë duke udhëtuar vetëm nëpër vend – ishte si një ëndërr.

E konsideruar si një perlë e fshehur dhe xhevahiri i Ballkanit – Shqipëria i meriton plotësisht këto emërtime – dhe statusin e saj në rritje si destinacioni i ri i Evropës.

Udhëtimi nga Londra në Aeroportin e Tiranës me linjë ajrore zgjat më pak se tre orë. Shqipëria është një vend me bukuri natyrore mahnitëse, ku dielli shkëlqen rreth 300 ditë në vit.

Këtë verë, vizitova Shqipërinë për të festuar. Shkova në Kala Festival – një festival muzikor në qytetin bregdetar të Dhërmiut në Rivierën Shqiptare.

Një vend i mbushur me ujëra të pastra kristal, të cilin do të ishte bukur ta vizitonit pavarësisht festivalit.

Fluturova drejt kryeqytetit, Tiranës, duke kujtuar menjëherë pse më kishte pëlqyer ky qytet shumëngjyrësh në vizitën time të parë. Edi Rama, kryeministri aktual dhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, ishte përgjegjës për lyerjen e ndërtesave të vjetra të stilit komunist – me një sërë ngjyrash të ndezura.

Shqipëria është shumë më e lirë se shumica e vendeve evropiane, dhe një vakt i shijshëm në Tiranë ofrohet me çmim të arsyeshëm.

Vakti na kushtoi rreth 20 £ secili, pavarësisht se ishte një restorant mjaft luksoz.

Më pas, u ulëm në një minibus për të shkuar në Kala Festival dhe m’u kujtua vendi që kisha përjetuar më parë.

Më në fund arritëm në Dhërmi. I shtrirë në pesë skena të hapura zbuluam Kala Festival në Dhërmi.

Edicioni i këtij viti përfshinte performanca nga Tomorrow Comes The Harvest – grupi i muzikës Techno të Detroitit Jeff Mills; Afrobeat dhe grupi i fusionit Jazz Kokoroko, Horsemeat Disco, DJ-të Haseeb Iqbal, OK Williams, Avalon Emerson, Job Jobse, Yu Su dhe shumë të tjerë – me disa grupe që performonin deri në pesë orë.

Pjesa më interesante ishte udhëtimi në plazhin e Gjipesë me një motobarkë.

Festat ditore, atje organizohen në një pyll në plazhin e izoluar pranë një kanioni mahnitës.

Ne u akomoduam në hotelin luksoz “Empire Beach Resort”. Ushqimi në Dhërmi në restorant “Prishtina”, ishte i shijshëm.

Ne porositëm porcione gjigante me patate të shijshme me pulë të pjekur, bukë të bërë vetë, sallatë greke dhe një birrë – të gjitha me një çmim modest prej rreth 12 £ për person.

Kala, festivali i parë ndërkombëtar në Shqipëri, ofron njëkohësisht rekreacionin dhe relaksin, duke kaluar në mënyrë të përsosur kufirin midis festivalit dhe festës – një event i cili është bërë gjithnjë e më popullor me kalimin e viteve.

Festivali është i mirëorganizuar, duke përfshirë masazhet në plazh, seancat e meditimit dhe shëtitjet në ujëvara.

Për ta përmbledhur, Kala Festival ishte një kënaqësi. Një përvojë e nxitur nga qielli blu pa re dhe radhët, praktikisht inekzistente për pije.

Pra, Shqipëria, padyshim ia vlen të vizitohet. Popullariteti i destinacionit të ri të pushimeve vazhdon të rritet – ndërsa ekspertët e udhëtimeve e kanë konsideruar Rivierën Shqiptare si “Maldivet e Evropës”. Vendi është i mrekullueshëm./atsh/ KultPlus.com

Simon Calder, gazetari i famshëm i BBC dhe Independent: Shqipëria ‘ylli i këtij viti’ në turizëm

 Shqipëria sërish është vendosur në qendër të vëmendjes së mediave botërore si destinacion turistik.

Këtë herë është gazetari i famshëm i mediave britanike si BBC dhe Independent, Simon Calder, i cili së fundi është bërë “tifoz” i bregdetit shqiptar, duke ua këshilluar të gjithëve në Britaninë e Madhe.

Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të diel intervistën e Calder, në të cilën theksohet se Shqipëria është “ylli i këtij viti” në turizëm.

“Nëse po kërkon diçka të përballueshme shkoni në Portugali. Ata kanë një ofertë të shkëlqyer ose në Lindje, në Bullgari, apo Maqedoninë e Veriut. Dhe “ylli” i këtij viti është Shqipëria”, thotë ai, teksa po jepte këshilla për zgjedhjen e vendeve për të pushuar.

“E çfarë vlerësimi më domethënës mund t’i bëhej Shqipërisë teksa sezoni i verës po mbyllet, se sa nga Simon Calder, gazetari i famshëm i mediave britanike si BBC dhe Independent, i cili zbulimin e vendit tonë e ka nisur dekada më parë, me vizitat e para si reporter kurioz përpara viteve ‘90 në Shqipërinë e një tjetër kohe, ndërsa së fundi është bërë “tifoz” i bregdetit shqiptar, duke ua këshilluar të gjithëve në Britaninë e Madhe si “yllin e këtij viti” në turizëm”, u shpreh Rama./atsh/ KultPlus.com