Para një jave një infermiere nga qyteti i Vushtrrisë është konfirmuar pozitive me Covid-19. IKSHPK-ja i ka rekomanduar asaj që të qëndrojë në vetizolim shtëpiak për së paku 17 ditë derisa të ritestohet për praninë e koronavirusit në trupin e saj.
Por, rekomandimet e IKSHPK-së, kjo zonjë siç duket i ka thyer 7 ditë pasi është izoluar. Ajo dje, më datë 6 korrik ka dalë në qytetin e Vushtrisë për të bërë shoping. E kjo është vërejtur nga Inspektorati i komunës së Vushtrrisë. Zonja në fjalë do të gjobitet një mijë euro nga Inspektorati i Komunës për mospërfillje të rregullave të vetizolimit në kohë pandemie.
Lajmin se kjo infermiere pozitive me COVID-19 ka dalë nga shtëpia e ka konfirmuar për Express drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti.
“Infermierja është punëtore në emergjencën e spitalit dhe ka rezultuar pozitive me COVID-19. Qe një javë është në vetizolim. Dje ka qenë në qytet, pra pas 7 ditëve”, ka thënë Ajeti.
“Ajo do të marrë gjobë nga Inspektorati i komunës”
E për këtë çështje është shkruar edhe në raportin e Policisë së Kosovës është bërë e ditur se infermierja është takuar rreth orës 19:40, në rrugën “Ismail Qemajli”, në Vushtrri.
Në konsultim me prokurorinë ndaj të dyshuarës është iniciuar procedurë penale dhe do të intervistohet kur të kalojë periudha kohore e përcaktuar nga IKSHPK-ja.
E nga mbrëmë, prej orës 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit është ndaluar qarkullimi për qytetarët e Vushtrrisë. /GazetaExpress/ KultPlus.com