Nëpërmjet peticionit “Ti nuk më përfaqëson”, kërkohet shkarkimi i Driton Selmanaj

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, që nga dita e djeshme është përsosni më i përmendur në skenën politike në vend. Ai  dje ka fyer deputeten e kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kur po diskutohej në lidhje me çështjen e personave të pagjetur si njëra ndër plagët më të mëdha që ka shoqëria kosovare.

Deklaratat e Selmanaj që nga dje kanë ngjallur pakënaqësi të madhe tek qytetarët, por edhe disa nga përfaqësuesit e institucioneve, si dhe partive opozitare. Iniciativa Qytetare gjatë ditës së sotme ka publikuar peticionin “Ti nuk më përfaqëson! Shkarkim!”, ku kërkohet shkarkimi i Driton Selmanaj.

Ata nëpërmjet këtij peticioni kanë shprehur indinjatën e tyre kundrejt deklaratave të Driton Selmanaj dhe kanë bërë thirrje për nënshkrimin e këtij peticioni.

Më poshtë gjeni përshkrimin e peticionit si dhe linkun:


Kosova ende vazhdon të jetojë në terrin e të pagjeturve. Ende mbetet plagë e hapur mos vënia e drejtësisë për krimet e masakrat, për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.


Andaj si qytetarë, si familjarë të personave të pagjetur, të atyre të vrarë, të grave viktima të dhunës seksuale dhe gjithë atyre që kanë parë krimet me sy dhe kanë përjetuar masakrat në lëkurën e tyre, jemi thellësisht të indinjuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës Driton Selmanajt. Ky njeri dhe ky emër nuk paraqet person fizik por përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e rrezikshme të kemi në udhëheqje një përfaqësues që i konsideron çështjen e të pagjeturve, masakrat dhe krimet e kryera në Kosovë si çështje që është konsumuar dhe ezauruar.


Prandaj, ky peticion është protesta jonë!


U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të nënshkruajnë peticionin përmes së cilit kërkojmë nga kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti shkarkimin e Driton Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit. Ndërsa Driton Selmanaj e ftojmë të japë dorëheqje nga çdo pozitë zyrtare në institucionet e Republikës.

Ti nuk më përfaqëson!/ KultPlus.com

https://www.change.org/p/kryeministri-i-kosov%C3%ABs-z-avdullah-hoti-historia-q%C3%AB-harrohet-p%C3%ABrs%C3%ABritet-shkarkim?recruiter=false&utm_source=share_petition&utm_medium=facebook&utm_campaign=psf_combo_share_initial&utm_term=share_petition&recruited_by_id=833f79e0-2b52-11eb-b238-0de0ef775a6f&utm_content=fht-25934136-en-us%3A0