Gjorgj Berisha, personazhi kryesor në librin “Prilli i Thyer” nga Ismail Kadare, ka folur këtë muaj në gjuhën e Brazilit.
Në Shed Arthur Netto, një teatër i artit performues në Brazil, këtë muaj disa herë është reprizuar shfaqja “Armiku” bazuar në tekstin e romanit nga Ismail Kadare.
Shfaqja ka për aktor kryesor Manoel Mesquita Junior ndërsa tregon edhe zhvillimet e Kanunit në një shoqëri shqiptare të viteve 30-të, shkruan KultPlus.
“Është interesante se si, pa e kuptuar fare, shpesh funksionojmë lehtë drejt mosmarrëveshjes. Edhe pse një botë e tërë flet për dashurinë, tolerancën e vëllazërinë, veprimet janë gjithmonë të rregulluara instinktivisht drejt problemeve e mosmarrëveshjeve” tregon aktori kryesor i shfaqjes “Inimigo” – Armiku.
Prilli i thyer është një nga romanet më të shquara të shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare. I publikuar së pari në vitin 1980 në përmbledhjen “Gjakftohtësia”, ky libër që për temë ka besën, gjakmarrjen dhe kanunin në krahinat malore të Shqipërisë Veriore, është përkthyer dhe botuar në dhjetëra gjuhë dhe është filmuar disa herë. Personazhi kryesor, Gjorgu, detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon Kanuni i pashkruar që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton.
Në Brazil ky libër është kthyer edhe në film, dhe mori titullin “Prapa Diellit”. / KultPlus.com