Instagrami vendos kufizime në llogaritë e adoleshentëve

Instagrami po i bën në mënyrë automatike llogaritë e adoleshentëve private, duke kufizuar qasjen e të tjerëve në përmbajtjen e këtyre llogarive. Kjo ka qëllim ta bëjë platformën më të sigurt për fëmijët. Vendimi u mor ndërsa ky rrjet social gjendet përball një trysnie në rritje për mënyrën se si media sociale ndikon në jetën e të rinjve.

Duke filluar nga dita e martë në Shtetet e Bashkuara, në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi, përdoruesit nën 18 vjeç, të cilët hapin llogari në Instagram, do të vendosen në listën e llogarive kufizuese të adoleshentëve. Ata që tanimë kanë llogari ekzistuese do të kalojnë në atë listë gjatë 60 ditëve të ardhshme. Llogaritë e adoleshentëve në Bashkimin Evropian do të kalojnë në llogari private më vonë gjatë këtij viti.

Meta, pronë e së cilës është dhe Instagrami, pranon se adoleshentët mund të gënjejnë për moshën e tyre dhe thotë se do t’u kërkohet të verifikojnë moshat e tyre në më shumë raste, si dhe do të shohin nëse përpiqen të krijojnë një llogari të re me një ditëlindje të të rrituri. Kompania ‘Menlo Park’, në Kaliforni tha gjithashtu se po ndërton teknologji që gjen në mënyrë proaktive llogaritë e adoleshentëve që pretendojnë se janë të rritur dhe i vendos automatikisht në llogaritë e kufizuara të adoleshentëve.

Llogaritë e adoleshentëve do të jenë private në mënyrë automatike. Mesazhet private që iu dërgohen këtyre llogarive do të jënë gjithashtu të kufizuara, kështu që adoleshentët mund t’i marrin ato vetëm nga njerëzit të cilët i ndjekin. “Përmbajtjet e ndjeshme”, si videot e njerëzve duke u përleshur ose ato që promovojnë procedura kozmetike, do të jenë të kufizuara”, tha Meta. Adoleshentët do të marrin gjithashtu njoftime nëse e përdorin Instagramin për më shumë se 60 minuta dhe do të aktivizohet një modalitet që çaktivizon njoftimet dhe dërgon përgjigje automatike tek njerëzit që dërgojnë mesazhe nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Ndërsa këto veprime do të aktivizohen për të gjithë adoleshentët, 16 dhe 17-vjeçarët do të mund t’i çaktivizojnë ato. Fëmijët nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindërve për ta bërë këtë.

“Tri shqetësimet që po dëgjojmë nga prindërit janë se adoleshentët e tyre po shohin përmbajtje që nuk duan të shohin ose se po kontaktohen nga njerëz që nuk duan të kontaktohen ose që po shpenzojnë gjithashtu shumë në aplikacion”, tha Naomi Gleit, drejtuese e produktit në Meta. “Pra, llogaritë e adoleshentëve tani vërtet janë të përqendruara në trajtimin e këtyre tre shqetësimeve.”

Njoftimi vjen pasi kompania përballet me padi nga dhjetëra shtete amerikane që e akuzojnë atë për dëmtim të të rinjve dhe kontribut në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve duke krijuar me vetëdije dhe qëllimisht funksione në Instagram dhe Facebook që i bën fëmijët të varur në platformat e saj.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se njoftimi i Metës ishte “një hap i parë i rëndësishëm, por duhet bërë shumë më tepër për të siguruar që fëmijët tanë të mbrohen nga dëmet e mediave sociale”. Zyra e zonjës James po punon me zyrtarë të tjerë të Nju Jorkut se si të zbatohet një ligj i ri shtetëror që synon të frenojë qasjen e fëmijëve në ato që kritikët i quajnë përmbajtje që krijojnë varësi varura të mediave sociale.

Në të kaluarën, përpjekjet e Metës për të trajtuar sigurinë dhe shëndetin mendor të adoleshentëve në platformat e saj janë përballur me kritika se ndryshimet nuk shkojnë aq larg sa duhet. Për shembull, ndërsa fëmijët do të marrin një njoftim kur të kenë kaluar 60 minuta në aplikacion, ata do të jenë në gjendje ta anashkalojnë atë dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në aplikacion.

Kjo ndryshon vetëm nëse prindërit e fëmijës aktivizojnë modalitetin “mbikëqyrje prindërore”, ku prindërit mund të kufizojnë kohën e adoleshentëve në Instagram në një kohë specifike, si p.sh. 15 minuta.

Me ndryshimet e fundit, Meta po u jep prindërve më shumë mundësi për të mbikëqyrur llogaritë e fëmijëve të tyre. Ata nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindit ose kujdestarit për të ndryshuar masat kufizuese.

Nick Clegg, presidenti i Metës për çështjet globale, tha javën e kaluar se prindërit nuk po përdorin kontrollet prindërore që kompania ka prezantuar vitet e fundit.

Drejtuesja e produktit në Meta Gleit tha se ajo mendon se llogaritë e tanishme të adoleshentëve do të “nxisin prindërit dhe adoleshentët për të vendosur në funksion mbikëqyrjen prindërore”.

“Prindërit do të jenë në gjendje të shohin se kush po i dërgon mesazhe adoleshentit të tyre dhe shpresojmë të kenë një bisedë me adoleshentin e tyre”, tha ajo. “Nëse ndodhin ngacmime, prindërit do të kenë qasje të shohin se kë ndjek adoleshenti i tyre, kush e ndjek adoleshentin e tyre, kujt i ka dërguar adoleshenti i tyre mesazh në shtatë ditët e fundit dhe shpresojmë të kenë disa nga këto biseda dhe t’i ndihmojnë ata të kalojnë në këto situata vërtet të vështira në internet.

Zyrtari më i lartë amerikan për shëndetin publik Vivek Murthy, tha vitin e kaluar se kompanitë e teknologjisë presin shumë nga prindërit kur bëhet fjalë për mbajtjen e fëmijëve të sigurt në mediat sociale.

“Ne po u kërkojmë prindërve të menaxhojnë një teknologji që po zhvillohet me shpejtësi, e cila ndryshon rrënjësisht mënyrën se si fëmijët e tyre mendojnë për veten e tyre, si krijojnë miqësi, se si e përjetojnë botën – dhe teknologjinë, meqë ra fjala, që gjeneratat e mëparshme nuk duhej ta menaxhonin kurrë”, tha Murthy në maj 2023./KultPlus.com

Kanadaja ndalon reklamat në FB dhe Instagram, pas mosmarrëveshjeve për publikimin e lajmeve

Qeveria federale e Kanadasë ka thënë se do të tërheqë të gjitha reklamat e saj nga Facebook dhe Instagram, sipas BBC.

Kjo vjen pas lëvizjes së kompanisë mëmë Meta për të kufizuar përmbajtjen e lajmeve për kanadezët, pasi parlamenti miratoi një ligj që do të detyrojë firmat e teknologjisë të paguajnë mediet për lajmet.

Zyrtarët kanadezë thanë se i qëndrojnë ligjit dhe se ”nuk do të frikësohen nga Meta”.

Ata thanë se kanë qenë në kontakt me vende të tjera që planifikojnë të miratojnë ligje të ngjashme.

Google ka njoftuar gjithashtu planet për të bllokuar lajmet kanadeze në vend, në përgjigje të Aktit të Lajmeve Online – i njohur gjithashtu si Bill C-18 – kur ai të hyjë në fuqi për rreth gjashtë muaj.

Por, zyrtarët kanadezë thanë se shpresojnë se mund të negociojnë me sukses një marrëveshje me kompaninë mëmë të Google, Alphabet, që do të parandalojë zhvillimin e bllokut.

”Shqetësimet e Google mund të plotësohen nga ajo që ne planifikojmë të bëjmë në rregulloret (ligjore)”, tha ministri i Trashëgimisë Pablo Rodriguez në një konferencë shtypi.

Nga ana tjetër, Rodriguez tha se ”Meta nuk është angazhuar me qeverinë në të njëjtën mënyrë në një rrugë përpara”.

“Meta nuk po flet me ne”, tha ai, duke shtuar se vendimi i tyre për të bllokuar lajmet për kanadezët është “i paarsyeshëm dhe i papërgjegjshëm”.

Rodriguez vlerëson se vendimi i Kanadasë për të tërhequr të gjitha reklamat në platformën e Meta-s do t’i kushtojë gjigantit të teknologjisë 7,54 milion dollarë.

Ai nuk tha nëse tërheqja e reklamave do të zbatohej për platformën e re Threads të Metës, e cila është planifikuar të debutojë të enjten si një rival i Twitter.

Por, Rodriguez tha se lëvizja e Kanadasë në teori do të zbatohej për të gjitha platformat nën kompaninë mëmë.

Humbja e reklamave të qeverisë është një rënie për Metën, të ardhurat vjetore të së cilës në 2022 ishin mbi 116 miliardë dollarë.

Por, Rodriguez tha se Kanadaja është e vendosur të dërgojë një mesazh se nuk do të frikësohet.

Ai shtoi se shpreson se do të frymëzojë të tjerët, përfshirë kompanitë kanadeze, të bëjnë të njëjtën gjë.

Kompanitë mediatike ”Quebecor” dhe ”Cogeco”, të dyja me qendër në provincën e Kebekut, thanë se do të tërheqin gjithashtu reklama nga Meta.

Në një deklaratë për BBC, Meta tha se projektligji C-18 ”është legjislacion me të meta që injoron realitetin se si funksionojnë platformat tona”.

”Botuesit zgjedhin në mënyrë aktive të postojnë në Facebook dhe Instagram sepse u sjell përfitime ta bëjnë këtë”, tha kompania.

Një ligj i ngjashëm me Bill C-18 u miratua në Australi në vitin 2021, por ai u modifikua pasi Meta bllokoi shkurtimisht përdoruesit në vend nga ndarja ose shikimi i lajmeve në platformën e saj.

Ndërprerja përfundoi kur u bënë ndryshimet dhe Google dhe Meta që atëherë kanë negociuar më shumë se 30 marrëveshje me kompanitë mediatike australiane.

”Facebook vendosi që Kanadaja është një vend mjaft i vogël saqë ata mund të refuzojnë kërkesat tona. Ata bënë zgjedhjen e gabuar duke vendosur të sulmojnë Kanadanë”, tha kryeministri Trudeau.

Meta tashmë ka filluar të kufizojë aksesin në lajme për një përqindje të vogël të kanadezëve në teste dhe tha se planifikon të zbatojë një ndërprerje të plotë në javët e ardhshme.

Në Instagram, disa përdorues kanë raportuar se kanë parë një mesazh që thotë “Në përgjigje të legjislacionit të qeverisë kanadeze, përmbajtja e lajmeve nuk mund të shikohet në Kanada” kur përpiqen të shikojnë përmbajtjen e lajmeve./”Balkanweb”/KultPlus.com

Instagrami lanson përditësimin e madh për të mos e përdorur gjatë natës

Kur të rinjtë po hasin në telashe për të fjetur, “shpëtimin” po e gjejnë te telefoni dhe rrjetet sociale. Bëhet fjalë kryesisht për Instagramin. Por ditët kur i zë mëngjesi duke shikuar ende në Instagram, mund ta kenë përjetuar fundin me përditësimin e ri të Instagramit.

Meta, që është pronare e Instagramit dhe Facebookut, ka lansuar dy vegëza për t’i paralajmëruar të rinjtë që të menaxhojnë kohën e tyre nëpër aplikacione.

Meta, që është pronare e Instagramit dhe Facebookut, ka lansuar dy vegëza për t’i paralajmëruar të rinjtë që të menaxhojnë kohën e tyre nëpër aplikacione.

“Këto përditësime janë menduar t’u ndihmojnë të rinjve të ndihen më në kontroll të përjetimeve të tyre online dhe t’u ndihmojë prindërve t’i përkrahin adoleshentët e tyre”, ka thënë Meta.

Veçoria e parë është njoftimi i adoleshentëve se kanë kaluar “kohë të gjatë në Facebook”.

“Adoleshentët do të njoftohen kur t’i kalojnë 20 minuta në Facebook, duke u rekomanduar të largohen nga aplikacioni e të caktojnë kufizime ditore të kalimit të kohës në to”, ka shpjeguar kompania.

Ndërsa në Instagram, atyre “do t’u dridhet ekrani” nëse aplikacioni vëren se po rrinë shumë gjatë natës.

Veçoria vjen pak kohë pas lansimit të “Quiet Mode” në Instagram – veçori që inkurajon përdoruesit të caktojnë kufizime me miqtë dhe ndjekësit e tyre. Ky modalitet hesht njoftimet dhe dërgon auto-përgjigje në mesazhe.

Veçoritë pritet të jenë gati në gjithë botën së shpejti. / KultPlus.com

Këngët italiane nuk do të luhen më në Facebook dhe Instagram

Kompania Meta nuk do të riprodhojë më, përmes Facebook-ut dhe Instagramit, këngë italiane dhe pjesë muzikore, pasi nuk u arrit një marrëveshje me kompaninë italiane Siae, e cila mbron të drejtat e autorit të kantautorëve dhe muzikantëve.

Vendimi është marrë nga Meta, drejtuesi i dy rrjeteve sociale, i cili ka bërë të ditur se “për fat të keq, marrëveshja përkatëse me Siae nuk mund të rinovohet” dhe se “do të duhet të heqë nga biblioteka e saj muzikore pjesët e mbrojtura nga kompania italiane e të drejtave të autorit’.

Masa vlen vetëm për përdoruesit e mediave sociale në Itali. Nga ana e saj, Siae bëri të ditur se ky është një vendim i njëanshëm, “duke qenë se negociatat përkatëse janë ende në vazhdim dhe se ka vullnet për të nënshkruar një marrëveshje me kushte transparente”.

Mediat fqinje theksojnë se negociatat përkatëse ka gjasa të vazhdojnë dhe se për momentin, pjesa më e madhe e këngëve të “mbrojtura” nga Siae, nuk janë hequr nga dy rrjetet e njohura sociale.

Komentuesit italianë theksojnë se, veçanërisht për artistët e rinj, është e rëndësishme që të jenë në gjendje t’i bëjnë të njohura këngët e tyre, me disa përfitime financiare, duke përdorur mediat sociale./abcnews.al/ KultPlus.com

Shtyhet transformimi i Instagram-it

Zyrtarë të rrjetit social, Instagram, kanë thënë se do të shtyjnë për pak kohë përditësimin e aplikacionit me mundësitë e reja, pas pakënaqësive të shprehura nga njerëz me ndikim.

Në kuadër të transformimit ishte paraparë rritja e përmbajtjes me video dhe rekomandimi i tyre më i shpeshtë.

Megjithatë, përdoruesit kanë thënë se diçka e tillë bllokon përmbajtjen e miqve të tyre.

Më herët gjatë kësaj jave, shefi i Instagram-it, Asam Mosseri, ka postuar disa video në Twitter duke i bërë të ditura ndryshimet, ndonëse ka thënë se dëshiron “të vazhdojë mbështetjen për fotografitë”.

Mirëpo të enjten, një zëdhënës i Meta-s, kompanisë amë të Instagram-it, ka thënë se është marrë vendim që përditësimet të shtyhen për disa kohë, ashtu që të merren vendimet e duhura.

“Bazuar në gjetjet tona dhe reagimet e komunitetit, ne do të pauzojmë testimin e plotë në Instagram, në mënyrë që të analizojmë edhe mundësi tjera. Përkohësisht do të ulim numrin e rekomandimeve që shihni te përmbajtja juaj”, ka thënë një zyrtar i Meta-s për The Hollywood Reporter.

“Ndonëse ne e dimë se Instagram-i duhet të evoluojë në hap me ndryshimet botërore, neve na duhet kohë për ta bërë këtë gjë si është më së miri”.

Pas postimeve të Mosserit në Twitter, disa njerëz kanë nisur peticion online me thirrjet kundër ndryshimeve në këtë platformë. / KultPlus.com

Dua Lipa përfundon në gjykatë

Dua Lipa është paditur pasi ka postuar një foto të shkrepur nga paparaci në Instagramin e saj. Kjo është hera e dytë që ndodh brenda një viti. Këtë herë, fotografi Robert Barbera, pretendon se këngëtarja ka shkelur të drejtat e autorit pasi postoi fotot që ai i bëri në korrik 2018.

“Pa leje ose autorizim nga paditësi, i pandehuri zgjodhi, kopjoi dhe shfaqi vullnetarisht secilën nga fotografitë e mbrojtura nga e drejta e autorit të paditësit,” thuhet në ankesë. Fotot në fjalë tregojnë Lipën e veshur me një pulovër të zezë që mban fjalën “HEROES” me shkronja të mëdha.

Ashtu si në padinë e mëparshme, e cila ishte nga një kompani e quajtur Integral Images, Barbera pretendon se Lipa përfitoi financiarisht duke postuar fotot e tij me të drejtë autori duke dëmtuar kështu tregun potencial për të. /abcnews.al / KultPlus.com

Rusëve u lejohet sërish përdorimi i Facebook dhe Instagram

E njëjta gjykatë e Moskës që javën e kaluar ndaloi përdorimin e Facebook dhe Instagram në Rusi tani ka vendosur se qytetarët mund të përdorin platformat e mediave sociale përsa kohë që aktivitetet janë të ligjshme, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Më 21 mars, Gjykata e Tverskoy ndaloi përdorimin e platformave duke i cilësuar ato si organizata “ekstremiste” pas një kërkese të prokurorit të përgjithshëm.

Kompania mëmë “Meta” u akuzua për promovimin e thirrjeve për dhunë ndaj trupave ruse në Ukrainë.

Edhe përpara vendimit të Gjykatës, të dy shërbimet ishin bllokuar zyrtarisht për përdoruesit në Rusi, megjithëse ato mbetën gjerësisht të disponueshme përmes shërbimeve VPN.

VPN-të i lejojnë përdoruesit e internetit të anashkalojnë censurën e qeverisë për të hyrë në faqet e ndaluara.

Duke pasur parasysh statusin e tyre të errët ligjor, shumë individë që përdorën dy rrjetet sociale për të fituar para, kishin frikë për jetesën e tyre pas masave të rrepta qeveritare./ KultPlus.com

Nga Zvicra në Kosovë, shfaqje për vjedhjen e të moshuares zvicerane nga Loredana dhe vëllau i saj

Shfaqja nga Jeton Neizraj me regji të Katharina Cromme ndërtohet mbi dinamikat e dy emigranteve nga Kosova në Zvicër. Këngëtarja e njohur Loredana Zefi në vitin 2019 bëri bujë pasi dyshohej se bashkë me vëllain e saj i kishin marrë 900 mijë franga një gruaje zvicerane. Arrestimi i saj nga policia ishte ndjekur gjerësisht nga media kosovare dhe zvicerane. Ylfete Fanaj, në anën tjetër, në qershor të vitit 2020 u bë shqiptarja e parë e zgjedhur në pozitën e Presidentes së Këshillit të Kantonit të Lucernit.

Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. King Lori – Instagration është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten. Përmes muzikës dhe debatit, shfaqja ndriçon dinamikat kontraverse të yllit të muzikës, Loredana dhe politikanes së suksesshme, Ylfetes. Të dyja nga Lucerni, të dyjat me prapavijë emigrimi. Por, krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë këmbëngulin që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflx-i, ose nga Instagrami.

King Lori – Instagration

Shfaqje mysafire nga Zvicra do të jipet në teatrot e Kosovës në këto data

15 mars, 2022 > ora 20:00 në Teatrin e Qytetit të Gjilanit

16 mars, 2022 > ora 20:00 në Teatrin “Adriana” të Qytetit të Ferizajt

17 & 18 mars, 2022 > ora 20:00 në Teatrin ODA, Prishtinë

Shfaqja është bashkë-produksion i  Zürcher Institut für bewegende Künste; Qendra Multimedia dhe Kleintheater Luzern, derisa në të do të luajnë: Susanne Abelein dhe Julia Schmidt.

Shfaqja do të jipet në gjermanisht me titra shqip. /KultPlus.com

Pas Facebook-ut, Rusia do ta ndalojë edhe rrjetin social Instagram

Pas Facebook, Rusia ka filluar lëvizjet për ta ndaluar edhe Instagramin, si dhe duke e cilësuar Metën një “organizatë ekstremiste”, transmeton KultPlus.

Kufizimet e reja vijnë menjëherë pasi Meta – e cila zotëron Instagram, WhatsApp dhe Facebook – njoftoi se do të shkelte politikën ekzistuese dhe do t’i lejonte përdoruesit të bënin thirrje për vdekjen e forcave të armatosura ruse.

Emërtimi për gjigantin e teknologjisë erdhi nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Federatës Ruse, sipas një raporti nga Interfax.

“Në përputhje me Ligjin Federal “Për Kundër Veprimtarinë Ekstremiste”, Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse dërgoi një kërkesë në gjykatë për të njohur Meta Platforms Inc. si një organizatë ekstremiste dhe për të ndaluar aktivitetet e saj në territorin e Federatës Ruse. “, tha sot Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Federatës Ruse.

WhatsApp “nuk do të preket nga masat ndaj Metës, pasi është një mjet komunikimi që nuk poston informacion”, tha një burim për agjencinë shtetërore RIA Novosti, duke kundërshtuar raportet fillestare./ KultPlus.com

Aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2021, Instagram mbetet mbrapa për të dytin vit

Mediat sociale vazhduan të kenë një ndikim të madh në jetën e njerëzve edhe këtë vit, kështu që nuk është çudi që aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2021 ishin kryesisht aplikacionet e mediave sociale.

Sipas statistikave të publikuara nga Appfigures, TikTok u rendit në vendin e parë, me më shumë se 586 milionë abonentë të rinj që e shkarkuan aplikacionin këtë vit.

Instagrami nuk ishte shumë mbrapa me 566 milionë shkarkime.

Aplikacionet Meta – Facebook dhe WhatsApp – u renditën në vendin e tretë dhe të katërt, me 474 milionë dhe 444 milionë shkarkime, respektivisht.

Telegram shtoi 365 milionë përdorues të rinj, të nxitur pjesërisht nga polemika rreth privatësisë së WhatsApp.

Snapchat, Messenger, Zoom, Capcut dhe Google Meet ishin pjesë e Top 10-shes në listën e shkarkimeve më të shpeshta. / KultPlus.com

Di Caprio zë i fuqishëm në mbrojtjen e Lumit Vjosa, kërkon mbështetje përmes peticionit

Aktori me famë botërore, Leonardo Di Caprio, po vazhdon të jetë zëri i fuqishëm për mbrojtjen e lumit Vjosa, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Instagram”, ai ndau një video me ndjekësit e tij, më shumë se 50 milionë të tillë, ku edhe shkroi se aktivistët kanë punuar pothuajse për një dekadë që të mbrojnë këtë lum.

“Aktivistët me @blueheartrivers kanë punuar për të mbrojtur Vjosën për një dekadë dhe përpjekjet e tyre kanë fituar mbështetje globale. Nëse Vjosa do të bëhej park kombëtar, ajo do ta mbronte përgjithmonë nga kërkimet e naftës dhe digat aty pranë, ndër të tjera”.

Tutje ai shpjegoi se një Park Kombëtar i Vjosës do të tërhiqte rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit, do të gjeneronte rreth 20 milionë euro të ardhura çdo vit dhe do të krijonte shumë vende të reja punës.

Përmes një linku të vendosur aty, shihet edhe peticioni i krijuar për të mos lejuar kompanitë e naftës të bëjnë kërkime aty.

Ky peticion veçse ka marrë vëmendje të madhe, ku madje është nënshkruar nga më shumë se 32 mijë njerëz. /KultPlus.com

Jonah Hill: Instagrami është si cigaret e kohës sonë, është vrasësi më i madh

Aktori 37-vjeçar, Jonah Hill, e ka përshkruar rrjetin social Instagram, si “vrasësin më të madh” të brezit aktual dhe ka thënë se platforma krijon varësi po aq të dëmshme sa cigaret.

“Instagrami është si cigaret e kohës sonë. Është vrasësi më i madh. Është vdekja. Dhe unë marr pjesë plotësisht në të, ashtu siç pi cigare. Por përsëri, ka një spektër për atë që është apo jo e shëndetshme. Unë duhet të kem një ndërveprim të kufizuar me të.”

Ylli i “War Dogs” nuk dëshiron të kritikojë askënd që përdor Instagram, pasi edhe ai “është po aq hipokrit sa të tjerët”.

Për intervistën në GQ Style, ai shtoi: Unë nuk po kundërshtoj askënd. Do të postoj selfie dhe s’më intereson. Ideja është se duhet të jetë një punë në progres për të arritur drejt lumturistë.

“Unë nuk mendoj se e kam hequr ndonjëherë këmishën në një pishinë derisa isha në mesin e të 30-ave, edhe para familjes dhe miqve. Ndoshta do të kishte ndodhur më herët nëse pasiguritë e fëmijërisë sime nuk do të përkeqësoheshin nga vitet që njerëzit kanë bërë shaka me trupin tim. Sot, jam 37 vjeç dhe më në fund e dua dhe e pranoj veten. Ky nuk është një postim për mua dhe as që ju të keni mëshirë. Është një postim për atë fëmijën që nuk e heq këmishën nga pishina. Argëtohu! Ti je i mrekullueshëm!”, theksoi tutje ai. / KultPlus.com

Tash e tutje mund të bllokoni mesazhet fyese në Instagram

Instagram po investon në teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për t’i larguar përdoruesit, veçanërisht ata më të rinj, nga mesazhet fyese që vijnë shpesh me mesazhe të drejtpërdrejta (DM), transmeton Ansa përcjell KultPlus.

Platforma ka vënë në përdorim një fuksion të ri që, pasi të aktivizohet automatikisht, do të filtrojë kërkesat që përmbajnë fjalë, fjali dhe emoji fyese.

Mjeti i ri do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me filtrin e komenteve të prezantuar mbi katër vjet më parë, që mundëson zgjedhjen se cilat fjalë ose fjali duhet të fshihen automatikisht nën secilin postim.

Instagram specifikon se filtri i komenteve do të zhvillohet lokalisht në pajisje, d.m.th. asnjë përmbajtje nuk do të dërgohet në serverat e rrjetit social.

Filtri i ri mund të aktivizohet ose çaktivizohet sipas gjykimit të përdoruesit nga një seksion i Cilësimeve të quajtura Fjalë të Fshehura.

Përveç filtrit DM, përdoruesit mund të vendosin të bllokojnë një llogari paraprakisht, madje edhe ato të reja, që një person ose një ngacmues i identifikuar tashmë mund të krijojë.

Përveç kësaj, Instagram gjithashtu do të bllokojë fjalët fyese që shkruhen gabimi./ KultPlus.com

Jeni kurioz të dini cila është fotoja e parë e publikuar në historinë e Instagram-it?

Rrjeti social më i përdorur në botë, Instagram, u lançua më 6 tetor të vitit 2010.

Bashkëthemeluesit e aplikacionit, Kevin Systrom dhe Mike Krieger i kanë kushtuar një përkujdesje të veçantë zhvillimit të aplikacionit për ta bërë sa më suksesshëm dhe ia kanë dalë më së miri!

Mirëpo, jeni bërë ndonjëherë kuriozë të dini si ka nisur historia e Instagram?

Fotoja e parë e pubikuar në Instagram është një ekran me figura të ndriçuara, foto e publikuar më 16 korrik të vitit 2010 nga Kevin, si një test për aplikacionin.

Më tej, kjo foto pasoi me foton e një tasi dhe një piruni, ndërsa fotoja e tretë është një qen endacak.

Madje, krahas fotos së qenit, Kevin shkruan fjalën “test“.

Gjatë një interviste për “Daily Telegraph”, Systrom është shprehur:

“Ta kisha ditur që do të ishte fotografia e parë në Instagram, do të isha menduar pak më shumë.”

Tashmë, askujt nuk i mungon një llogari në Instagram.

Ky aplikacion është më i famshmi dhe më i përdoruri në botë, i cili gjeneron shifra të paimagjinueshme fitimi.

Gjithkush ka mundësinë të publikojë ç’dëshiron dhe të lidhet me persona nga e gjithë bota.

Instagram është kthyer në një formën më të thjeshtë të komunikimit me këdo. / KultPlus.com

Shifra të “frikshme”: Kosovarët kanë gati 1 milionë profile në Facebook, 680 mijë në Instagram

Bazuar në statistikat e fundit të publikuara nga Agjencia për Statistika (ASK), 93 % e familjeve kosovare kanë pasur qasje në internet gjatë vitit 2018. Kështu kosovarët renditen në mesin e përdoruesve më të mëdhenj të Internetit në Evropë, duke lënë mbrapa edhe vendet e zhvilluara si Gjermania e Franca.

Valon Kerolli njohës i fushë së IT-së, ka treguar saktësisht në 12 vjet shtet, sa përdorues të rrjeteve sociale janë në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se nga shpallja e pavarësisë e deri tani janë 920 mijë përdorues aktiv në Facebook, 740 mijë përdorues aktiv në Messenger të Facebookut, 680 mijë përdorues në Instagram, 480 mijë përdorues në Snapchat, 78 mijë në Twitter dhe 58 mijë në Linkedin, shkruan Reporteri.net.

Ai poashtu ka treguar se edhe sa përdorues aktiv të telefonisë mobile gjatë 12 viteve pavarësi.

Instagrami planifikon disa ndryshime në funksionim

Instagrami do të kërkojë nga anëtarët e vet të rinj që gjatë regjistrimit ta shkruajnë datën e lindjes, pasi që planifikon të sjellë më shumë përmbajtje që u përshtaten grupmoshave specifike.

Ky rrjet social për shpërndarje të fotografive tashmë kërkon që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç për të krijuar llogari, shkruan BBC News.

Datat e lindjes do t’i ndihmonin kompanisë të reklamonte shpallje për produkte specifike të cilat nuk janë të destinuara për fëmijët, shkruan KOHA Ditore. Këto informacione do ta ndihmojnë Instagramin që ta ndalojë shfaqjen e reklamave për bixhoz, alkool dhe kontroll të lindjes.

Megjithatë, nga Instagrami thonë që reklamimi nuk qëndron prapa këtij ndryshimi, dhe theksuan se në javët e ardhshme do t’i inkurajojnë përdoruesit e rinj që t’i përshtatin konfigurimet e tyre të privatësisë.

“Kërkimi i këtyre informacioneve do të ndihmojë në parandalimin që fëmijët t’i bashkohen Instagramit, do të ndihmojë në mbajtjen e të rinjve më të sigurt dhe mundësimin e përmbajtjeve përgjithësisht më të pasura që janë të përshtatura për grupmoshat specifike”, theksoi kompania në blogun e saj.

Të kuptuarit e grupmoshës është mjaft i rëndësishëm për punën që e bëjnë, thanë ata, dhe jo vetëm për të krijuar përvoja të përshtatshme për moshat përkatëse, por edhe për ta përmbushur rregullin shumëvjeçar për të mos u lejuar qasje fëmijëve. / KultPlus.com

Rrjeti social Instagram skllavëron njerëzit në përpjekje për të fituar miratimin e tjetrit

Madonna ka kritikuar rrjetin social Instagram, i cili, ajo thotë se skllavëron njerëzit në përpjekjen për të fituar miratimin e tjetrit.
Në intervisten e saj për The Guardian, këngëtarja e pop-it, e cila ka pothuajse 14 milionë ndjekës në platformën e ndarjes së fotografive, vjen në qendër të vëmendjes së efekteve të dëmshme që Instagrami mund të ketë, veçanërisht tek të rinjtë

Ju kapeni duke e krahasuar veten me njerëz të tjerë. A duhet të jem kështu, të veproj kështu, të dukem kështu, a do të më bënte më të popullarizuar apo më të suksesshme?” shprehet këngëtarja.
Madonna shton se, njerëzit janë skllevër për të fituar miratimin nga tjetri. Unë refuzoj t’i gjunjëzohem kësaj konvente dhe çfarë shoqëria pret nga unë.


Madonna, tashmë 60 vjeÇare, shton “Unë mendoj se Instagram është bërë për t’ju bërë të ndiheni keq“. Në intervistë, “Mbretëresha e Popit” tha se kultura e medias sociale “drejton jetën e njerëzve” dhe ajo ishte me fat që ishte rritur në një epokë ku kjo kulturë e medias nuk ishte prezente.
Isha me fat që të kisha një jetë si artiste para smartfonëve, rrjeteve sociale dhe medias sociale, sepse unë e kisha atë kohë të zhvillohesha si një artist dhe një njeri, pa ndjerë presionin e gjykimit të njerëzve të tjerë ose duke e krahasuar veten me njerëz të tjerë. “


Ndihem keq për të rinjtë që nuk kanë pasur mundësinë për të zhvilluar karakterin e tyre dhe për atë se çfarë duan të jenë në jetën e tyre.”. theGuardian.com /KultPlus.com/

Dua Lipa kalon shifrën prej 10 milionë ndjekësish në Instagram

Derisa ditët po kalojnë, popullariteti i Dua Lipës është në rritje të vazhdueshme.

Këngëtarja shqiptare tashmë e ka siguruar vendin në listën e yjeve të mëdha botërore dhe karriera e saj është në ngritje të përhershme.

Me projektet e saja muzikore, 22-vjeçarja po arrin suksese të jashtëzakonshme në të gjitha platformat ku dëgjohet muzika e saj.

Ndërkohë, ajo nuk i harron edhe fansat e saj në rrjetet sociale, të cilët i mban të informuar për përditshmërinë dhe karrierën e saj.

Kjo ka bërë që numri i ndjekësve në Instagram të kalojë shifrën prej dhjetë milionë, gjë që e ka gëzuar këngëtaren.

Vetë Dua ka bërë një postim që e ka shoqëruar me një fotografi për ta shënuar këtë arritje të rëndësishme./ Telegrafi

Fotografia e shtatzënisë së Beyoncé, më e pëlqyera në Instagram gjatë vitit 2017

Beyonce me fotografinë e saj të shtatzënisë ka grumbulluar më së shumti pëlqime në Instagram, duke u bërë kështu fotoja më e pëlqyer në platformën e mediave sociale të vitit 2017, përcjellë KultPlus.

Fotografia është një portret i realizuar nga fotografi Awol Erizku. Me këtë fotografi të postuar në shkurt të këtij viti këngëtarja kishte konfirmuar zyrtarisht shtatzëninë e saj kurse katër muaj më vonë, Beyoncé lindi binjakët Rumi dhe Sir Carter.

Pasi që fundi i vitit po afrohet, kjo fotografi deri tani ka arritur të marr 11 milion pëlqime, duke u shpallur si posti më i pëlqyer gjatë këtij viti. /KultPlus.com