Përderisa bota ballafaqohet me migracionin, instalacioni “Në fije të penit” erdhi sot si thirrje për solidarizim me refugjatët

Jeta Zymberi

Një pamje goditëse qysh në shikim të parë, mori vëmendjen e publikut sot në ekspozitën që u hap në KultPlus Caffe Gallery. Ishte instalacioni “Në fije të penit” që ishte vendosur në qendër të kësaj ekspozite e që vinte si thirrje për solidarizim me refugjatët, shkruan KultPlus.

Dy fustane të bardhë, tek të cilët ishin formuar “goditjet” që i përjetojnë refugjatët e në veçanti gratë dhe vajzat, ishte varur në mes të hapësirë ekspozuese dhe poshtë secilit fustan ishin vendosur nga një palë këpucë

Fustanet përkonin me atë të një nënë dhe të bijës së vogël, dhe kjo vinte me qëllimin që të përcillet mesazhi te masa se dhuna dhe traumat përcillen nga gjenerata në gjeneratë dhe janë pikërisht gratë dhe vajzat ato të cilat e përjetojnë më shumë. Ndërsa këpucët simbolizonin rrugën e gjatë nëpër të cilën refugjatët ecin deri te sigurimi i një shtëpie të sigurtë.

Përderisa instalacioni kishte marrë jetë dhe publiku po ballafaqohej me këtë pamje, në të njëjtën kohë nuk duhet harruar se anë e mbanë botës ka shumë azilkërkues dhe refugjatë, e në veçanti shumë gra dhe vajza të cilat të detyruara të lënë familjen, shtëpitë dhe vendin e tyre, janë duke u përballur me pasojat e traumave të përjetuara në vendin e origjinës, pasoja  të cilat vetëm sa përkeqësohen nga vështirësitë e hasura gjatë rrugëtimit të tyre për të gjetur një vend të sigurtë.

“Në fije të penit” i cili synon të rrisë vetëdijen dhe empatinë për refugjatët të cilët kalojnë nëpër forma të ndryshme të dhunës përgjatë udhëtimeve të tyre të rrezikshme duke ikur nga lufta e shkatërrimi, u shoqërua edhe me një poemë e cila ishte vendosur afër instalacionit e që ishte shkruar nga një poete refugjate që shpaloste përmes vargjeve dhimbjen dhe traumat që refugjatët i përjetojnë gjatë jetës së tyre.

Në hapje të këtij aktiviteti që u organizua me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës Gjinore, fillimisht fjalën e mori, Nazmie Abdullahu, menaxherë e projekteve në KCRT, e cila u shpreh se përmes këtij aktiviteti Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) synon të ngrit vetëdijesimin për mirëqenien shëndetësore, parandalimin por edhe reagimin ndaj dhunës  me bazë gjinore në kontekstin e migrimit të përzier, në veçanti grave, burrave, djemve dhe vajzave azilkërkues dhe refugjatë të cilët janë nën përkujdesjen e UNHCR.

“KRCT është falënderuese që ndër vite në Kosovë është ndërtuar një bashkëpunim, në mes institucioneve dhe organizatave, përmes të cilit bashkëpunim, të gjithë, të bashkuar iu dalim në ndihmë këtyre personave dhe njëkohësisht synojmë të japim kontributin tinë në parandalimin ndaj dhunës së bazuar në gjini në kontekstin e migracionit të përzier”, u shpreh Abdullahu e cila tutje fjalën ja dha Arjun Shrestha, shefit të misionit të UNHCR në Kosovë.

“Faleminderit që keni gjetur kohë të merrni pjesë në këtë aktivitet. Një prej prioriteteve që i ka UNHCR është edhe dhuna në gjini. Në Kosovë ne çdo ditë shohim pabarazi gjinore, kjo është sidomos ndër personat që UNHCR përkujdeset për ta. Sipas disa statistikave që i kemi, shumë vajza braktisin shkollën dhe është një numër shumë më i madh në krahasim me djemtë. Niveli i njëjtë shkon edhe për vazhdimin e  shkollimit të mesëm apo të lartë”, tha Shrestha i cili tutje potencoi se kriza ekonomike këtë vit, pas asaj të pandemisë vitin e kaluar, ka ndikuar shumë në rritjen e problemeve psikologjike në botë.

Ndërsa Artane Makolli – psikologe, njëherit artistja e këtij instalacioni u shpreh për KultPlus se instalacioni ka për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit të dhunës që shpesh herë janë të padukshme për disa kategori të shoqërisë siç janë personat me lëvizje.

“Kjo din me qenë dy herë më vështirë për gratë dhe vajzat të cilat janë më shumë të ekspozuara ndaj dhunës dhe mbrojtjen e qasjen në drejtësi e kanë më të vështirë. Qëllimi kryesor i këtij instalacioni është të ngrijë empatinë, që kur audienca të përballet me këtë instalacion, me e ndje se si është të jesh i shkelur nga disa anë”, u shpreh Makolli.

Eventi vazhdoi me një diskutim të hapur për këtë çështje të ndjeshme ku të pranishmit patën mundësi të parashtronin edhe pyetje.

Ky event u organizua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në partneritet me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR – Zyra e Shefit të Misionit në Prishtinë. / KultPlus.com

‘’Lule, Mosmëharro’’, një fole përrallore e dashurisë, ëndrrës dhe diversitetit

Era Berisha

Lulet boshtra, farat e palmës, luleqershia, luleftoi dhe karafili, janë këto lulet gjigande të krijuara nga pëlhura për instalacionin e titulluar ‘’Lule Mosmëharro’’ të artistit bashkëkohor Petrit Halilaj, i cili së bashku me Alvaro Urbano, përmes edicionit të tretë të Autostradës Biennale, kanë sjell këtë instalacion në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ e që në vete ngërthen një thirrje unike, një thirrje për diversitet, ndryshim dhe guxim për të shpresuar e ëndërruar, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare dje ishte shndërruar në një fole madhështore ku kupolat e saj tashmë nuk të kapnin syrin, për arsye se pikërisht nën kupolën kryesore, të vendosura ishin lulet shumëngjyrëshe e llojllojshme të cilat kishin zënë vendin e tyre në ajër. Instalacioni u plasarit para publikut si një kopsht përrallor, një strofull ku dashuria zë vend dhe nuk lë hapësirë për asnjë lloj ndjesie tjetër. Ndërsa, ishte pikërisht kjo dashuri për artin e njeriun që dje mblodhi afër vetes, artistë të shumtë e artdashës të këtyre krijimeve unike.

Fillimisht, pasi që të pranishmit ishin mbledhur jashtë Bibliotekës dhe ishin furnizuar me nga një libër që përmbante informacione rreth edicionit të tretë të Autostradës Biennale, padurimi i tyre për të hyrë brenda vërehej jo vetëm në fytyrë por edhe në lëvizjet e luhatjet e vogla që trupi i tyre krijonte. Pas 10 minuta pritje, dyert e Bibliotekës u hapën e së bashku me vështrimin e syve të të pranishmëve që direkt u cungua drejt hapësirës ku lulet ishin prezente, u zgjerua edhe hapësira brenda nesh, aty ku lumturia, gëzimi, habia, kureshtja dhe trazirat e ëmbla krijojnë një rrokullisje skalitëse brenda stomakut të njeriut.

Ajo se çka çuditi dhe shtangu të gjithë, ishin dy persona të veshur me kostume kafshësh duke shoqëruar të pranishmit e sidomos fëmijët deri sa ata ngjiteshin në shkalla. Kjo e papritur ishte një befasi që futi të gjithë në një humor tejet të duhur e specifik dhe njëkohësisht gjallëroi atmosferën deri në një masë të paparashikuar.

Kokat e gjithsecilit ishin gdhendur në një pozitë përpjetë dhe njëlloj si ky instalacion, nuk po mund të dilnin nga hipnotizimin që lulet krijonin. Ulërima e tyre erdhi në formën e heshtjes dhe në gërshetimin e ngjyrave nga më të ndryshmet, një gërshetim ky që portretizonte edhe mesazhin e instalacionit. Ndërsa, entuziazmi i të pranishmëve nuk po mbaronte dot, ata lëviznin herë në një qosh e herë në këndin tjetër për të vëzhguar e admiruar këto lule të veçanta që publikun kosovar e lanë pa mend e pa frymë.

Ndërkohë, për të shënuar nisjen e kësaj ngjarje, sopranoja Urta Haziraj, e vendosur në një nivel paralel me lulet gjigande në një kat më lart dhe pianisti Melos Buza, që ishte vendosur poshtë e i cili me një shikim të vetëm me sopranon, filluan të pushtojnë ambientin me një harmoni të dalluar. Tingujt e instrumentit bardh e zi dhe timbri dramatik i zërit të sopranos, kapluan atmosferën në një harmoni ku fuqia e pasur artistike dhe melodike ndërlidhej në një rënkim sensual e pasionant të një agonie të dëshiruar.

Pastaj, pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve të sinqerta të publikut, radhën për të interpretuar këngën ‘Shingjergjat po sillen’, në një version admirues, doli artisti Plator Gashi, i cili ishte vendosur në një pllakë rrethore që jepte ndjesinë se çdo hapësirë mund të kthehet në një vend performimi. Zëri i tij verbues e i papërsëritshëm përqafoi meloditë e tingujt me një talent karakteristik që vetëm ai mund të posedoj, kurse interpretimi në kitarë tashmë për të është shndërruar në një epilog jetësor e ekzistencial e që publikun e trazoi duke i futur ata brenda një ngatërrese emocionale e tejet ndikuese.

Kështu, pas këtyre aktivitete kulturore e të domosdoshme në një kohë të tillë ku nevoja e dëshira për to nuk ka qenë asnjëherë më e madhe, nisën edhe fjalimet pasuese. Në fillim, fjalën e morri Vatra Abrashi, bashëkthemeluesja e Autotradës Biennale, e cila hapi këtë ngjarje me një fjalim.

“Jemi shumë të lumtur që së bashku po fillojmë rrugëtimin tonë të edicionit të tretë të Autostrada Biennale, këtu me ju nën veprën e mrekullueshme të Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano. Si bashkëthemeleues të Autostrada Biennale, së bashku me Leutrimin dhe Barisin, kemi fillua rrugëtimin tonë në Prizren në vitin 2014 dhe edicionin e parë e kemi mbajtur në vitin 2017 bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore”, thotë Abrashi.

Sipas saj, gjithmonë është menduar që Autostrada Biennale të jetë si një pikë ndërlidhëse dhe një rrugë në hartën e Ballkanit perëndimor. Mirëpo, pandemia ka bërë që Austrada ta rimendojë modelin e Biennales duke shtrirë aktivitetet e tyre edhe në Prishtinë e Pejë.

“Jemi të gëzuar që edicionin e tretë ‘What if…’, e kanë kuruar dy kuratore të dashura për ne e që i falenderojmë përzemërsisht për një edicion magjik me artistë dhe vepra të mrekullueshme”, ka thënë Abrashi.

Pastaj, fjalën e morri edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.

“Me qenë në këtë hapësirë është e jashtëzakonshme. Biblioteka sot po duket si asnjëherë më parë. Lulet magjepse të Petritit dhe Alvaros, u sollën në Prishtinë për të na rikujtuar disi se si nuk ka kufi për kujtimet e përbashkëta. Ky instalacion sikur është një ftesë për të na rikthyer në memoriet tona por edhe shpresat për ndryshim e guxim e moskonformizëm me preokupime të përbashkëta që kemi si komunitet”, thotë Berisha.

Sipas tij, ai ndjehet shumë i lumtur që në emër të Komunës së Prishtinës, ata kanë arritur të përkrahin ardhjen e luleve të Petritit në Prishtinë në bashkëpunim me ekipin e Autostradës Biennale.

“Ne do të mundohemi për të gjetur një vend apo hapësirë publike që lulet e Petritit, të kanë një vend të përhershëm në Prishtinë”, përfundon Berisha.

Ndërsa, Tatiana Tarago nga Manifesta, në emër të të gjithë ekipit të Manifestës, përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për prezencën e tyre.

“Unë vetëm doja të shprehja se sa të nderuar jemi që të bashkëpunojmë dhe mbështesim Autostradën Biennale e njëkohësisht për të vërtetuar se sa e rëndësishme është puna që ata po bëjnë. I uroj artistët për këtë punë të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë të bashkëpunojmë tutje”, ka thënë Tarago.

Fjalimi i Leutrim Fishekqiut nga Autostrada Biennale, ishte ai i radhës ku ai është shprehur se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme që po punon me një ekip të jashtëzakonshëm.

“Pas një kohe të gjatë të pandemisë, kishim me të vërtetë nevojë për të parë këto fytyra të bukura që jeni ju këtu ndër këto lule kaq të bukura”, ka thënë Fishekqiu.

Pastaj, radhën e kishin kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’, si: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

“Është një thashethem që kjo ndërtesë ka 99 kupola dhe kjo është në të mirë të objektit i cili gjithmonë mund të zhvillohet tutje e të rritet. Kjo ide është ajo që ne po e zhvillojmë edhe në këtë edicion, pra idenë e e paplotësisë”, ka thënë Warsza.

Në ndërkohë këto kuratore lexuan edhe një pjesë të tekstit nga libri informues që përmban fakte rreth edicionit të Autostradës Biennale dhe konceptit të tij.

Kështu krejt në fund, pritjes së çdo kujt i dha fund prezenca e artistëve Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, të cilët po ashtu dolën përpara për të folur.

“Lulet vinë si një gjest i vogël i një relacioni, gjeste dashamirëse, lule të cilat i dhurojmë njëri-tjetrit dhe familjeve. Ne dëshiruam që këto gjeste t’i shndërrojmë në madhësi shumë më të mëdha”, ka thënë Urbano.

Ndërsa, artisti bashkëkohor, Petrit Halilaj, është shprehur se po ndjehet tejet i lumtur që ai ndan këto momente me të pranishmit.

“Faleminderit që keni ardhur sepse është gëzim i veçantë për të ndarë këtë moment me juve, për të pasur Alvaron afër, kuratoret, Autostradën Biennale, Komunën e Prishtinës, të gjithë qytetarët e familjen time”, ka thënë Halilaj.

Sipas tij, ai është rritur çdo herë me fjalët: liri, barazi e demokraci, dhe çdo gjeneratë ka pasur sfidat e kërkesat e tyre për barazi.

“Këto lule janë goxha të mëdha, por janë lule që i kemi dhuruar njëri-tjetrit me Alvaron. Ne jemi bashkë që 10 vjet dhe pa ato lulet e vogla që ia kemi dhuruar njëri-tjetrit, s’do të kishin pasur kuptim këto lule të mëdha. Por këto lule kanë kuptim sepse ia kemi dhuruar shoqërisë tonë”, përfundon Halilaj.

Kështu krejt në fund, njëra nga kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, Ovul O.Durmusoglu, shënoi fundin e kësaj ngjarje me një këngë turke që fliste për dashuri, behar e zogj.

Autostrada Biennale në edicionin e saj të tretë, së bashku me edicionin e pestë të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘’Pjetër Bogdani’’, kanë prezantuar dje këtë instalacion artistik. / KultPlus.com

Instalacioni audiovizuel ‘Gjama’ nga Zgjim Elshani, një rimendim i vajtimit kolektiv që thyen stigmën e shoqërisë patriarkale

Era Berisha

Instalacioni i vendosur në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit nga artisti Zgjim Elshani, sot solli para publikut ritualin rrallë të praktikuar e të titulluar ‘Gjama’, përmes së cilës synohet të hapet një hapësirë e re për reflektim dhe ri-interpretim të përjetimeve emotive kolektive dhe njëkohësisht të rimendohet vajtimi kolektiv dhe ajo se çka do të thotë të shfaqësh publikisht emocione në një shoqëri patriarkale, shkruan KultPlus.

Fillimisht, para se ngjarja të gjente fillimin, teksa të pranishmit po vinin dalëngadalë, ajo se çka dëgjohej nga jashtë ishin tinguj dhe zëra që dalloheshin qartë se po vajtonin dhe në ndërkohë krijonin iluzionin se dikush prapa dyerve më të vërtetë ishte i pranishëm. Zërat e fuqishëm që burim kishin instalacionin e vendosur brenda sallës, tek publiku zgjuan kureshtjen por edhe padurimin që dyert të hapen sa më shpejtë.

Pas disa minutave, ngadalë po ngritej edhe intensiteti i tingujve duke shpalosur më në fund edhe instalacionin i cili ishte i vendosur në mes të sallës në një projektor që po shfaqte këtë ritual zie që praktikohet dhe performohet nga burrat shqiptar përgjatë shekujve. Ndërsa, para instalacionit, dheu ishte shoqëruesi i tij që po portretizonte diellin, element ky që gjendet në lutjet e tyre.

Instalacioni shpalosi një ritual që erdhi fuqishëm më një dramacitet që zgjoi rrëqethet e njeriut dhe u fut thellë brenda shpirtit të tij me notat e larta dhe specifike. Vdekja, sjell gjithmonë dhimbje tek një person i gjallë, e ky ritual që u shfaq me një orkestrim dhe koncept të jashtëzakonshëm, solli pikërisht atë ndjenjë, ‘një vdekje të gjallë’.

Ndërsa, shprehjet e fytyrës nga performuesit si: Geg Zefi, Gjon Kosteri, Kol Martini, Ndue Fusha, Gjon Fiku, Sokol Kodra, Ndue Deda, Kol Zefi, Gjelosh Fusha, Pale Zefi, Pjeter Shytani, Prel Toma, File Strugaci, Shkelzen Pali, Gezim Gilaj, Lindita Gilaj, Raimonda Sulaj, Gjon Gilaj, Kujtim Varfi, Nue Shytani, Fran Kodra dhe Deda Frani, ishin faktorët përbërës ku së bashku me veshjet e tyre tipike shqiptare, përçuan emocione dhe ndjenja ku dhembshuria tejkaloi vetveten plotësisht.

Gjama e burrave, një traditë e lashtë që ka lënë gjurmë në popullin shqiptar e që për momentin është në zhdukje e sipër, ku të vetmit që e realizojnë tani janë vetëm njerëzit e moshuar. Britmat e frazave specifike dhe koreografi precize e tyre ishin pikat kryesore, përmes së cilave respektohet dhe nderohet i vdekuri, duke tejkaluar kështu pikëllimin dhe dhimbjen për humbjen e një personi. Andaj, edhe artisti Zgjim Elshani, përmes dokumentimit të rikrijimit të ritualit, synon të shfaqë fragmente të kësaj praktike në komunitetet ku kjo formë e vajtimit kolektiv vazhdon të jetë mënyrë e tejkalimit të dhimbjes dhe humbjes.

Përmes simulimit audio-vizuel, instalacioni i ofron qasje publikut që ta shoh këtë ritual mortor, një traditë për burrat e vdekur. Ndërkohë, konsiderohet se rituali nuk mund të nis nëse nuk janë 10 burra, prandaj sa më shumë që i bashkohen ritualit, aq më i madh konsiderohet respekti për të vdekurin.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth realizmit të këtij instalacioni dhe xhirimeve në Shkodër që kanë zgjatur rreth dy ditë, për KultPlus foli artisti Zgjim Elshani.

“Ideja ka nis qysh kur i kam parë disa fotografi online të viteve 40-ta, në Malësi të Shqipërisë ku shihen persona duke performuar dhe pastaj fillova të hulumtoj dhe gjeta disa video online të disa varrimeve që i kanë bërë, andaj edhe më ka tërhequr si performancë por edhe si tingull e zë”, thotë Elshani.

Sipas tij, videoja është realizuar përmes disa burrave nga Shkodra të cilët mundohen ta ruajnë këtë traditë dhe kontaktimi me ta solli sot këtë ritual para publikut.

“Si ritual faktikisht ka rrënjë pagane ku atëherë ilirët iu kanë lutur diellit dhe po në të njëjtën formë rrethore realizohet edhe gjama. Kurse, ishte një ngjarje shumë e mirë dhe po ndjehem mjaft i lumtur që kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe shpresoj se ju ka pëlqyer”, përfundon Elshani për KultPlus.

Ekipi realizues përfshin: producentin Zgjim Elshani, kinematografia nga Rron Ismajli, opertori i dytë i kamerës Arber Maloku, ndihmës i kamerës Flamur Ahmeti, editimi nga Tal, zëri nga Alban Telaku, operatori i parë i kamerës Nok Selmani dhe udhëheqësja e projektit Ermirë Krasniqi.

Instalacioni do të qëndrojë i hapur për publikun edhe ditën e nesërme, më 24.06.2021. Ndërsa, ky projekt është realizuar në kuadër të platformës ‘HeritageSpace’, e cila implementohet nga ‘CHëBKosova’ dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Prezantimi publik mundësohet nga Ilucidare dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Vendoset instalacioni që portretizon zhgënjimin dhe neglizhencën institucionale mbi çështjen e të pagjeturve

Era Berisha

Zhgënjimi i vazhdueshëm për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të pagjetur, drejtësia e pa vendosur ndaj qytetarëve dhe familjeve të cilat ende jetojnë me shpresën dhe njëkohësisht edhe me ankthin për të dashurit e tyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ishte arsyeja që organizata ‘Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë’, sot ka zhvilluar një aksion rrugor për vendosjen e një instalacioni me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur në Sheshin ‘’Skënderbeu’’, shkruan KultPlus.

Ky instalacion shfaqte emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë ku tash e 21 vite, Kosovës i mungojnë gjithsej 1,639 qytetarë. Ky zhgënjim është shprehur tash e sa vite nga familjarë të afërm dhe personat e dashur të të zhdukurve.

Prandaj sot, në shënimin e datës 27 Prill e cila konsiderohet si Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, vizitorë të shumtë patën rastin të shohin nga afër instalacionin i cili portretizoi zhgënjimin dhe neglizhencën institucionale mbi më shumë se dy dekada drejt çështjes së të pagjeturve që ka lënë në pritje të përditshme mbi 1000 familje kosovare.

Në këtë aksion rrugor, për të luftuar kundër mohimit të së drejtës për të ditur të vërtetën dhe pro të së drejtës për drejtësi për bashkëqytetarët dhe familjet e tyre, nga organizata jo-qeveritare ‘YIHRKS’ e pranishme ishte Marigona Shabihu e cila na tregoi më shumë rreth kësaj iniciative.

“Ne si ‘YIHR’, dy herë në vit në ditën kombëtare për personat e pagjetur dhe me 30 gusht në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, organizojmë aksione të tilla rrugore me qëllim të informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për zbardhjen e së vërtetës për personat e pagjetur por edhe vendosjes së drejtësisë. Ne kërkojmë përgjegjësi dhe seriozitet më të madh nga ana e institucioneve publike në mënyrë që këta 1,639 të iu rikthehen familjarëve të tyre”, tha për KultPlus Shabihu.

Sipas saj, në nivelin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje veçse është bërë njëra ndër çështjet kryesore por duhet të vazhdojë të jetë e tillë ku të kërkohet një bashkëpunim më i madh nga institucionet në shtetin e Serbisë që lokacionet e varrezave masive të zbulohen dhe përfundojnë proceset e nevojshme në mënyrë që plaga e hapur e familjarëve të mbyllet.

Ajo tutje ka folur edhe për vështirësinë e realizimit të këtij projekti për shkak të pandemisë Covid-19 dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve.

“Normalisht që këto aktivitete janë vështirësuar pak, por ne jemi bërë së bashku edhe me organizata të tjera që së bashku të dërgojmë një mesazh duke ngritur vetëdijen e publikut që kjo çështje nuk është vetëm përgjegjësi individuale por edhe kolektive, prandaj duhet dhënë kontributi i secilit sado i vogël të jetë”, thotë Shabihu.

Për Shabihun, këto aktivitete shprehin një lloj përkrahje në mënyrë që të gjithë të bashkëndjenjë me dhembjen, terrin dhe ankthin në të cilën gjenden familjarët.

“Sado pak t’i përkrahim familjarët duke iu treguar se ne jemi me ta si shoqëri, i mbështesim dhe që sigurisht nuk do të harrohen por janë dhe do të mbeten pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe kujtimeve tona kolektive.”

Sot në ora 20:00, ‘YIHR’, së bashku me organizata të tjera si: HLC, Forumi ZFD, KRCT dhe disa të tjera ka bërë thirrje që sonte publiku në një formë përkrahje t’i ndalin dritat në shtëpitë e tyre për 5 minuta. / KultPlus.com

Figurat politike pjesë e instalacionit që shpërfaqë shkeljet e të drejtave të njeriut

Edhe pas 21 vitesh që nga përfundimi i luftës, praktikat nacionaliste të përkujtimit ende sundojnë në vendin tonë dhe krimet e luftës atribuohen kolektivisht. Të vetëdijshëm për ndikimin negativ të deklaratave, lajmeve të rreme dhe retorikave të dëmshme në diskursin publik nga politikanë dhe akterë të tjerë të shtetit mbi viktimat, të mbijetuarit dhe të gjithë procesin e ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë organizoi sot aksion rrugor në Prishtinë, në sheshin Skenderbeu dhe Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

 
Një instalacion prej xhami kishte zënë vend afër qeverisë së Republikës së Kosovës, e ku paraqiteshin raste të tilla kur kanë ndodhur ‘Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën’ që janë krijuar si rrjedhojë për t’i parandaluar mbizotërimin e rrëfimeve të njëanshme, mohimin e krimeve dhe gjuhën e urrejtjes.

Ky instalacion, ngjalli interesimin e një numri të madh të qytetarëve të cilët po ndaleshin dhe po e komentonin sipas këndvështrimit të tyre përmbajtjen e tij dhe xhamin simbolikë, gjë e cila sipas njërës nga organizatoret e kësaj nisme, është bërë me qëllim që t’i kujtojë qytetarëve se reflektimi i së kaluarës na ndjek pas në të tashmen dhe do të na përcjell edhe në të ardhmen.

“Ky instalacion është bërë me qëllim të informimit të akterëve politikë dhe publikë se si të trajtohen viktimat, e kaluara e dhimbshme, të mbijetuarit si dhe synon që të parandalojë diskursin dhe veprimet e dëmshme në lidhje me trashëgiminë e konfliktit, gjithashtu do të shërbejë si dokument referues ku secili që shkel parimet duhet të mbajë përgjegjësi”, thonë oganizatorët.

Vendosja e këtij instalacioni është bërë me qëllim të vendosjes së një standardi të trajtimit të kaluarës në përgjithësi por me theks të veçantë viktimave dhe të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovë.

Në intalacionin prej xhami ishin vendosur disa figura politike të Kosovës, të cilët sipas organizatorëve të kësaj iniciative, janë shembuj nga ku mund të shohim shkelje të të drejtave të njeriut.

Figura e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi, Kryetarit të partisë  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish-deputetes së Parlamentit të Kosovës, Flora Brovina, ishin të vendosura në këtë instalacion.

Në një prononcim për KultPlus njëra nga organizatoret e kësaj iniciative tha se i kemi vendosur figura e këtyre politikanëve për të ilustruar me shembuj konkretë kur janë shkelur këto 10 parime.

“Përmes këtij aksioni simbolikë në njëfarë mënyre ne po synojmë që të informojmë qytetarët për këto parime si dhe të shfaqim disa shembuj konkretë kur këto parime në të kaluarën janë shkelur, p.sh.; kemi rastin e ish-presidentit Thaqi i cili e ka dekoruar një të dënuar për krime lufte, pra Rrustem Mustafën me Medalje Presidenciale dhe ky është në kundërshtim me një prej parimeve të cilin ne e kemi prezantuar në këtë dokument”.

 Bashkëpunëtore të kësaj inciative simbolike ishin edhe organizata të tjera të shoqërisë civile si: Fondi për të drejtën humanitare në Kosovë, Organizata Integra, Organizata Neë Social Inciativ, Qendra për rehabilitimin e torturës në Kosovë si dhe organizata të tjera. Njëherësh, kjo nismë është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Ambasada Britanike në Kosovë përmes UNDP-së.

Lidhur me këtë nismë, organizatorët e saj synojnë informimin sa më të gjerë të popullatës rreth shkeljes së këtyre parimeve dhe vetëdijesimit sa më të madh për gjithëpërfshirje të viktimave pa marrë parasysh gjininë, moshën, përkatësinë etnike ose racën. / KultPlus.com

Instalacioniet e Skënderbeut, Shën Terezës dhe Musine Kokalarit, ‘mesazhe’ qytetarëve për korrupsionin

Siluetat e 11 heronjve, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Shën Tereza, Shote Galica, Musine Kokalari dhe shumë të tjerë, janë ekspozuar në Kalanë e Tiranës.

Përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare kanë shënuar mbi secilën prej tyre nga një mesazh që u drejtohet qytetarëve dhe ka në fokus korrupsionin në vend. Përmes mesazheve heronjtë, që kanë lënë gjurmë në vendin tonë kërkojnë një premtim nga cilido që do të firmos mbi siluetën e tyre.

“Ajo që do donim është që të ndërgjegjësonim dhe të krijonim një hapësirë për një debat publik për ato çështje që më së paku debatohet. Ne jemi të bombarduar nga rastet korruptive, si koncesionet, tenderët apo aksione politiket, që shpesh i komentojmë jo në të mirë të interesit publik”, shprehet aktivisti Migen Qiraxhi.

Aktivisti Migen Qiraxhi, i cili është dhe një nga ideatorët e kësaj nisme, na rrëfen mesazhin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, i cili la karrigen e deputetit në Perandorinë Osmane për t’i dhënë Shqipërisë Pavarësisë, me aspiratën për të ndërtuar një administratë 100 për qind në shërbim edhe interes të popullit shqiptar.

 “Do të donim që qytetarët të shikojnë se heronjtë e tyre kanë sakrifikuar shumë, dhe kërkojnë pak sot. Ky instalacion është edhe për zyrtarët, pasi ne i trajtojmë në aspektin njerëzor-qytetarë, ku nga komshinj që jetojnë me ne, në një moment të caktuar marrin një post dhe krijojnë procesin e korrupsionit. Isamil Qemali, i cili la administratën në Perandorinë Osmane për të bërë një administratë që do u shërbente qytetarëve shqiptarë kërkon që kushdo që firmos në siluetën e tij, t’i premtojë se nëse është zyrtarë i shtetit, të mos u marr ryshfete qytetarëve”, tregon Qiraxhi.

Mes këtyre 11 heronjve tre janë figura femërore, si Shën Tereza, Shote Galica dhe Musine Kokalari. Pasi, aktivisti mendon se rinia shqiptare si njeh mjaftueshëm intelektualët që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e shtetit shqiptar

“Ne jemi jo vetëm në një komunikimin për çështjen e korrupsionit, por edhe për të përçuar tek të rinjtë shqiptarë kontributin e këtyre figurave, që duhet të njihet. E kemi pas të vështirë me siluetën e Musine Kokalarit, do të ishte edhe më e vështirë nëse do të realizonim edhe siluetën e Sabiha Kasimatit. Për të shmangur këtë mungesë njohurie, që kanë të rinjtë kemi zgjedhur ato figura, portretet e të cilave janë të dallueshme”.

Pas Tiranës, ekspozita do të çelet edhe në qytetin e Korçës. /shqiptarja/ KultPlus.com

Vendoset para TKK-se instalacioni ‘Kosova on Apple, fight fake news’, përkrahen Rita e Dua

Tash e një kohë në rrjetet sociale ka filluar kërkesa për vendosjen e Kosovës në hartën e Apple. Kjo kërkesë e cila është realizuar me anë të peticionit online ka marrë përkrahje edhe nga këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, duke bërë kështu bujë të madhe në mediat botërore, e sidomos në ato serbe, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është vendosur instalacioni artistik i quajtur “Kosova on Apple, fight fake news”, instalacion ky i realizuar nga komuniteti artistik vendor ku përfaqësues ishin Fahrush Azemi dhe Mentor Mripa.

Fahrush Azemi potencoi se pas reagimit të këngëtareve shqiptare me famë botërore me mesazhe që tronditën botën dhe armiqtë tonë, ai së bashku me artistët e tjerë të komunitetit artistik vendosën që të tregojnë përkrahjen e tyre nëpërmjet instalacioeve të vendosura në sheshin e Prishtinës.

“Së bashku me kolegun tim Mentor Mripa kemi ardhur sot për t’i mbështetur dy artiste tona të mëdha Duan dhe Rita Orën të cilat pa hezitim, duke e parë një energji inerte të shtetit tonë, por gjithashtu duke e parë një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit tonë ato reaguan me mesazhe që tronditën botën dhe gjithashtu ato mesazhe tronditën më së shumti armiqtë tanë, ata që nuk na e duan të mirën vendit tonë”, deklaroi Azemi

Ndërkaq Metor Mripa ka thënë se kur artistët e suksesshëm e reprezentojnë denjësisht vendin e tyre atëherë edhe ne na takon t’i përkrahim ata.
“Ne kur përkrahim vlera, ne përkrahim veten realisht, fillimisht sepse nëse reprezentacioni i Kosovës, ose po them Majlinda Kelmendi ose natyrisht Dua Lipa, Rita Ora dhe shumë të tjerë të suksesshëm na reprezentojnë denjësisht pse edhe ne mos t’i përkrahim ato”, u shpreh Mripa.

Në njërin nga instalacionet ishte i printuar një imazh gjigant i këngëtares shqiptare, ku shkruante “Mbështeteni Duan”.

Gjithashtu pjesë e këtyre instalacioneve ishin edhe disa nga shkrimet e mediave serbe në të cilat është shprehur gjuhë e urrejtjes ndaj këngëtares Dua Lipa, dhe të cilat në këto instalacione etiketohen si lajme të rreme pasi që ato nuk paraqesin të vërtetën. / KultPlus.com

“Britania akoma po flet” sjellë Alketa Xhafa Mripën me një video interesante

Artistja Alketa Xhafa Mripa ka realizuar një video pothuajse 6 minuta si pjesë e “Britani akoma po flet”, një kundërpërgjigje ndaj instalacionit të saj “Mirësevini refugjatë” të realizuar në vitin 2016, shkruan KultPlus.

“Britania akoma po flet” është një projekt për të cilin artistja akoma është duke punuar. Regjinë e ka bërë Roberto Duque, ndërsa është mbështetur nga Counterpoints Arts. Përderisa, Rachel Elderkin, Lydia Mckenzie, Kassi Jameson, Thomas Higginson dhe William John Banks janë valltarët të cilët i janë bashkuar artistes Xhafa.

“Kam ardhur në Britani në vitin 1997 nga Kosova. Jam shumë me fat që kam ardhur në këtë vend në një kohë kur ai ishte mikpritës ndaj refugjatëve, sikurse unë. Është shumë e vështirë për këdo që lë rehatinë e shtëpisë së vet, jo nga zgjedhja por si pasojë e dëshpërimit dhe nevojës për të mbijetuar. Më është thyer zemra duke parë pamjet e fundit të cilat shpalosin krizën e refugjatëve përgjatë Evropës… dhe për këtë arsye ka qenë veçanërisht e rëndë të shihen qëndrimet e ashpra të britanikëve kundrejt refugjatëve”, është një pjesë e përshkrimi të dhënë në këtë video të publikuar.

Artistja me instilacionin e saj në kamion “Të mirëpresim refugjatët”, përreth Britanisë vitin e kaluar, ftoi publikun që të hynte brenda kamionit që të pinin qaj së bashku me refugjatët. Kjo hapësirë, e siguruar përmes instalacionit, inicio dhe frymëzoi një bisedë shumë të nevojshme në lidhje me këtë temë.

Kjo krijoi një platformë të sigurt për shoqërinë britanike dhe për të gjithë ata që ndjehen si në shtëpi në Britani, që të ndajnë mendimet e tyre duke treguar solidaritet dhe mikpritje nga britanikë për refugjatët, përkundër asaj që thonë mediat.

Këtu barten shënimet, ndjenjat, mendimet dhe fjalët e disa njerëzve pas BREXIT…ku edhe sot “Britania akoma flet”…/KultPlus.com