Instalacioni i Petrit Halilajt do të ekspozohet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork

Instalacioni i artistit të mirënjohur, Petrit Halilaj, do të ekspozohet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork.

Kështu ka njoftuar vetë muzeu kur shpalli sot artistët për komisionet bashkëkohore 2024, shkruan Klan Kosova.

Petrit Halilaj do të prezantojë një instalacion specifik për Kopshtin e Çatisë së Muzeut, Iris dhe B. Gerald Cantor;

Komisioni për Kopshtin e Çatisë: Petrit Halilaj do të jetë i hapur nga data 29 prill deri më 27 tetor 2024.

Për Komisionin Kopshti i Çatisë- i dhjeti në serinë e komisioneve specifike për hapësirën e jashtme – Halilaj do të transformojë çatinë me një instalacion të gjerë skulpturor.

Puna e artistit është e rrënjosur në biografinë e tij, e lidhur thellësisht me historinë e vendit të ri të Kosovës (i shpallur shtet i pavarur në vitin 2008)—dhe përvojën e tij të jetuar përmes luftës dhe konfliktit në rajonin e Ballkanit në vitet 1990 si fëmijë refugjat.

Halilaj përdor artin si një mjet kritik për të reflektuar dhe hetuar çështjet e identitetit, çështjet e zhvendosjes, ndërfaqen e historive personale dhe globale dhe identitetet queer./KlanKosova/KultPlus.com

Artistët Petrit Halilaj & Álvaro Urbano sjellin instalacionin ‘Ansambli Hënor për Dete të Rrëmbyera’

Artistët Petrit Halilaj & Álvaro Urbano kanë shpalosur instalacionin me 30 skulptuara, ‘Ansambli Hënor për Dete të Rrëmbyera’, si pjesë e ekspozitës ‘Kështu Dallgët në Dyshe Vijnë’ të organizuar nga TBA21-Academy, shkruan KultPlus.

Ky instalacion, prezenton një ekosistem evolues që përfshin mbi 30 skulptura, i cili është kuruar nga Barbara Casavecchia, kritike dhe kuratore e pavarur që vepron në Milano dhe komisionuar nga TBA21-Academy dhe Audemars Piguet Contemporary

Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datës 22 prill deri me 5 nëntor 2023, në Ocean Space në Venecia të Italisë, brenda ish-kishës historike San Lorenzo. 

Fotografitë janë marrë nga gerdastudio:

Vepra arti në shkretëtirë, Katari ekspozon instalacione pranë siteve të trashëgimisë botërore

Në shkretëtirën e Katarit janë ekspozuar instalime të artistit Brazilian Ernesto Neto dhe artistëve të tjerë me famë botërore. Qëllimi është të tërhiqet vëmendja për mbrojtjen e planetit nga vendi organizator i Kupës së Botës.

Shkretëtira e Katarit është mbuluar me vepra të artistëve me famë botërore. Mes tyre spikat instalacioni zhytës i artistit brazilian Ernesto Neto, “Turtle Slug, TemplEarth” që i bën homazh mjedisit natyror dhe krijon një hapësirë ​​për meditim, reflektim midis vizitorëve dhe shpirtit të shkretëtirës. Vepra shpreh kërkimin e vazhdueshëm të artistit për hapësirën e trupit, ekuilibrin dhe gravitetin.

“Kupa e Botës është një kohë për të menduar për botën, jo vetëm për të menduar se kush do të fitojë dhe kush do të luajë futboll. Kjo vepër është një këngë, është një lutje për një kohë të re, është një lutje për një tokë të re, për një njerëzim të ri me më shumë butësi ndaj njëri-tjetrit dhe gjithashtu ndaj planetit”, tha Ernesto Neto.

Instalimi i këtyre veprave të rëndësishme, mes tyre edhe nga artisti islandez-danez Olafur Eliasson dhe libanezo-amerikani Simone Fattal, nxjerr në pah rëndësinë e vendeve të trashëgimisë afër të Katarit.

Veprat janë ekspozuar pranë Al Zubarah, i cili u shpall sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2013. Ky sit ndodhet afërsisht 100 km në veriperëndim të Dohas, qytetit tregtar të perlave në shekullin 18-19.

Përveç instalimeve, hapësirat publike të vendit po shndërrohen në një eksperiencë të madhe muzeu arti në natyrë, përpara fillimit të Kupës së Botës.

Duke e bërë artin pjesë të jetës së përditshme, Katari u bë një nga vendet e para në Gjirin Persik që krijoi një program gjithëpërfshirës të artit bashkëkohor publik. / KultPlus.com

Artisti Petrit Halilaj në përfundim të instalacionit të tij për Muzeun e Holandës

Një nga artistët më të suksesshëm bashkëkohor shqiptar, Petrit Halilaj po përgatitet për prezantimin e instalacionit të tij “Shkreptimë dhe Ru” në ‘Fries Museum’ në Holandë, përcjell KultPlus.

Muzeu i Fries do të prezantojë ekspozitën e parë personale të Petrit Halilajt në Holandë. Me një praktikë që përfshin instalacione, vizatime dhe video, Halilaj (1986, Kostërrc, Kosovë) shpesh përdor biografinë e tij si pikënisje për të hetuar identitetin kulturor, kombësinë dhe trashëgiminë. Puna e tij përfshin rregullisht zogj dhe kafshë të tjera si metafora për transformimin; Për shembull, kostumet e molës dhe skulptura të ngjashme me zogjtë, janë shfaqur shpesh në instalimet e tij në shkallë të gjerë. Ru (2017) dhe Shkrepëtima (2018), dy nga projektet e tij monumentale më të njohura, mund të përjetohen në Leeuwarden nga pranvera e 2022 e tutje.

Në Muzeun e Fries, Halilaj gërsheton realitetin dhe imagjinatën në instalacione që hedhin dritë mbi rolin e artit dhe trashëgimisë kulturore brenda një komuniteti.

“Fluturon Fluturon Runikuuuuu!!!!✨✨✨✨❤️🐣💫🦜

Edhe pak ditë përgaditje për prezantimin e Shkrepëtimes edhe Ru në Fries Museum në Holandë!!!
Këtë herë, kam provu me instalu më ndryshe në ajër pjesët e rrënojave të marra nga Shtepia e Kulturës edhe sa të jetë e përfundume i ndaj materialet me ju! ❤ 🐣💫💗”, ka shkruar artisti Halilaj në rrjetet sociale.

Nga data 16 April 2022 deri më 5 March 2023. / KultPlus.com

Petrit Halilaj fillon përgatitjet për instalacionin e ‘Lule Mosmëharro’ (FOTO)

Autostrada Biennale, në edicionin e saj të tretë, bashkë me edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Manifesta 14 Prishtina, do të sjellin për publikun kosovar ekspozitën e famshme “Lule Mosmëharro 2020 – 2021” nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.

Sot, përmes një postimi në faqen zyrtare të Autostradës Biennale, janë publikuar fotografitë e përgatitjeve të instalacionit të Petrit Halilajt, ”Lule Mosmëharro”.

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite. Ekspozitë kjo e cila do të hapet më 30 qershor, kurse për publikun e gjerë do të jetë e hapur prej 1 korrikut deri më 11 shtator të këtij viti. / KultPlus.com

Instalacioni audiovizuel ‘Gjama’ nga Zgjim Elshani, një rimendim i vajtimit kolektiv që thyen stigmën e shoqërisë patriarkale

Era Berisha

Instalacioni i vendosur në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit nga artisti Zgjim Elshani, sot solli para publikut ritualin rrallë të praktikuar e të titulluar ‘Gjama’, përmes së cilës synohet të hapet një hapësirë e re për reflektim dhe ri-interpretim të përjetimeve emotive kolektive dhe njëkohësisht të rimendohet vajtimi kolektiv dhe ajo se çka do të thotë të shfaqësh publikisht emocione në një shoqëri patriarkale, shkruan KultPlus.

Fillimisht, para se ngjarja të gjente fillimin, teksa të pranishmit po vinin dalëngadalë, ajo se çka dëgjohej nga jashtë ishin tinguj dhe zëra që dalloheshin qartë se po vajtonin dhe në ndërkohë krijonin iluzionin se dikush prapa dyerve më të vërtetë ishte i pranishëm. Zërat e fuqishëm që burim kishin instalacionin e vendosur brenda sallës, tek publiku zgjuan kureshtjen por edhe padurimin që dyert të hapen sa më shpejtë.

Pas disa minutave, ngadalë po ngritej edhe intensiteti i tingujve duke shpalosur më në fund edhe instalacionin i cili ishte i vendosur në mes të sallës në një projektor që po shfaqte këtë ritual zie që praktikohet dhe performohet nga burrat shqiptar përgjatë shekujve. Ndërsa, para instalacionit, dheu ishte shoqëruesi i tij që po portretizonte diellin, element ky që gjendet në lutjet e tyre.

Instalacioni shpalosi një ritual që erdhi fuqishëm më një dramacitet që zgjoi rrëqethet e njeriut dhe u fut thellë brenda shpirtit të tij me notat e larta dhe specifike. Vdekja, sjell gjithmonë dhimbje tek një person i gjallë, e ky ritual që u shfaq me një orkestrim dhe koncept të jashtëzakonshëm, solli pikërisht atë ndjenjë, ‘një vdekje të gjallë’.

Ndërsa, shprehjet e fytyrës nga performuesit si: Geg Zefi, Gjon Kosteri, Kol Martini, Ndue Fusha, Gjon Fiku, Sokol Kodra, Ndue Deda, Kol Zefi, Gjelosh Fusha, Pale Zefi, Pjeter Shytani, Prel Toma, File Strugaci, Shkelzen Pali, Gezim Gilaj, Lindita Gilaj, Raimonda Sulaj, Gjon Gilaj, Kujtim Varfi, Nue Shytani, Fran Kodra dhe Deda Frani, ishin faktorët përbërës ku së bashku me veshjet e tyre tipike shqiptare, përçuan emocione dhe ndjenja ku dhembshuria tejkaloi vetveten plotësisht.

Gjama e burrave, një traditë e lashtë që ka lënë gjurmë në popullin shqiptar e që për momentin është në zhdukje e sipër, ku të vetmit që e realizojnë tani janë vetëm njerëzit e moshuar. Britmat e frazave specifike dhe koreografi precize e tyre ishin pikat kryesore, përmes së cilave respektohet dhe nderohet i vdekuri, duke tejkaluar kështu pikëllimin dhe dhimbjen për humbjen e një personi. Andaj, edhe artisti Zgjim Elshani, përmes dokumentimit të rikrijimit të ritualit, synon të shfaqë fragmente të kësaj praktike në komunitetet ku kjo formë e vajtimit kolektiv vazhdon të jetë mënyrë e tejkalimit të dhimbjes dhe humbjes.

Përmes simulimit audio-vizuel, instalacioni i ofron qasje publikut që ta shoh këtë ritual mortor, një traditë për burrat e vdekur. Ndërkohë, konsiderohet se rituali nuk mund të nis nëse nuk janë 10 burra, prandaj sa më shumë që i bashkohen ritualit, aq më i madh konsiderohet respekti për të vdekurin.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth realizmit të këtij instalacioni dhe xhirimeve në Shkodër që kanë zgjatur rreth dy ditë, për KultPlus foli artisti Zgjim Elshani.

“Ideja ka nis qysh kur i kam parë disa fotografi online të viteve 40-ta, në Malësi të Shqipërisë ku shihen persona duke performuar dhe pastaj fillova të hulumtoj dhe gjeta disa video online të disa varrimeve që i kanë bërë, andaj edhe më ka tërhequr si performancë por edhe si tingull e zë”, thotë Elshani.

Sipas tij, videoja është realizuar përmes disa burrave nga Shkodra të cilët mundohen ta ruajnë këtë traditë dhe kontaktimi me ta solli sot këtë ritual para publikut.

“Si ritual faktikisht ka rrënjë pagane ku atëherë ilirët iu kanë lutur diellit dhe po në të njëjtën formë rrethore realizohet edhe gjama. Kurse, ishte një ngjarje shumë e mirë dhe po ndjehem mjaft i lumtur që kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe shpresoj se ju ka pëlqyer”, përfundon Elshani për KultPlus.

Ekipi realizues përfshin: producentin Zgjim Elshani, kinematografia nga Rron Ismajli, opertori i dytë i kamerës Arber Maloku, ndihmës i kamerës Flamur Ahmeti, editimi nga Tal, zëri nga Alban Telaku, operatori i parë i kamerës Nok Selmani dhe udhëheqësja e projektit Ermirë Krasniqi.

Instalacioni do të qëndrojë i hapur për publikun edhe ditën e nesërme, më 24.06.2021. Ndërsa, ky projekt është realizuar në kuadër të platformës ‘HeritageSpace’, e cila implementohet nga ‘CHëBKosova’ dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Prezantimi publik mundësohet nga Ilucidare dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Deklarata e presidentit Bush për Pavarësinë e Kosovës vendoset në Tiranë

Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.

“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej presidentit George W. Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.

“Enough is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, “Enough is Enough” nuk vjen vetëm si përgjigjja që presidenti amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”. /atsh/ KultPlus.com

Dyer dhe dritare antike të Prizrenit u shfaqën në instalacionin artistik të Valtida Shukriut

Qytetin antik të Prizrenit së fundmi e ka zbukuruar instalacioni artistik në hapësirë publike ‘’T’pres n’derë-dritare’’ nga Valtida Shukriu, shkruan KultPlus.

Shukriu e cila vie nga një familje e Prizrenit, përtej studimeve të saj për drejtësi, merret aktivisht edhe me krijimtari. Rrugëtimi i saj me artin kishte nisur në vitin 2017, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë krijimin e profilit për dyert dhe dritaret e shtëpive të vjetra të Prizrenit.

Tanimë, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore ka ardhur në formën e një instalacioni artistik në shëtitoren e lumit Lumbardh në Shadërvan të Prizrenit.

‘’T’Pres N’Derë-Dritare’’ përfshinë 8 dyer dhe 4 dritare që kryesisht i përkasin stilit otoman, nga shekulli XIX. Ndërsa përbrenda këtij instalacioni për të shikuar fotografitë e prezentuara të dyerve dhe dritareve ekzistuese është hyrë përmes dyerve të vjetra, që vizitorët të mësohen se si hapet dera e Prizrenit dhe të dilet nga po ajo derë.

Ky instalacion artistik vazhdon ende të jetë i ekspozuar në qytetin e bukur e antik, teksa prezantimi i 415 fotografi të dyerve, dritareve dhe aksesorëve të këtyre objekteve nga qyteti i Prizrenit është duke u bërë në profilin: https://www.facebook.com/prizrendoorsandwindows/ ./ KultPlus.com

Alketa Xhafa në Bruksel do të shpalosë rrëfimin për fëmijërinë e saj nën regjimin serb

Sot artistja Alketa Xhafa Mripa, është mirëpritur si mysafire në Université Libre në Belgjikë në javën e artit “Një javë të luftojmë dhunimin”, ku është e ftuar që sonte të mbaj edhe një fjalim lidhur me përvojën e saj artistike të inspiruar nga përjetimet e saj personale gjatë viteve të 90’ta, shkruan KultPlus.

Organizimi i kësaj jave ka nisur nga organizata e studentëve shqiptarë në Bruksel- Grr-Rape Project dhe VLERA , ndërsa do të zgjas gjatë gjithë javës në kampusin e Université Libre në Belgjikë. Përgjatë dy muajve organizatorët kanë mbledhur fustane në Bruksel duke mundësuar kështu krijimin e një instalacioni gati të njëjtë me “Thinking of You” që është organizuar më parë në Stadiumin e qytetit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Artistja Alketa Xhafa sonte nga ora 19:00 në kuadër të këtij organizimi është e ftuar të mbaj një fjalim të cilin ajo e ka bazuar në rrugëtimin e saj personal, i cili e ka inspiruar atë në krijimin e instilacionit “Thinking of You”.

“Arti sot më shumë se kurrë duhet të ngritë çështje, duhet të bëj të mendosh , të shprehesh të vërtetën”, është fjalia me të cilën do të nis fuqishëm fjalimin e saj Alketa Xhafa.

Ajo gjatë fjalimit të saj po ashtu do të rrëfej për rëndësinë e artit në shoqëri ku në kuadër të kësaj do të theksoi fëmijërinë e saj në vitet e 90’ta, nën regjimin serb dhe diskriminimin që kishin përjetuar shqiptarët në atë kohe.
Ky organizim ka për qëllim mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikte të ndryshme. Arti mund të shërbejë si përgjigje ndaj dhunës seksuale në kohë lufte, dhe kjo Javë synon të flasë pikërisht mbi këtë, mbi dhunimin si një metodë e cila përdoret në luftë por edhe dëmtohet prej stigmës shoqërore që i është vënë mbi.

Xhafa është artiste e disa mediumeve artistike, përfshirë instalacionin, performancën, fotografinë, vizatimet dhe videon. Puna e saj është ekspozuar në Firence, Lisbonë, Berlin, Londër e Prishtinë. /KultPlus.com

Largohet nga Pallati i Rinisë në Prishtinë instalacioni i Alketa Xhafës (FOTO)

Instalacioni i artistes Alketa Xhafa, i cili ishte vendosur në hapësirat poshtë pallatit të rinisë, e i cili ishte një ndër instilacionet më të veçanta që është parë në Kosovë, është larguar nga vendi ku ishte, shkruan KultPlus.

Këtë gjë, e ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook, kritiku i artit Ilir Muharremi, i cili postimin e tij e ka shoqëruar më fotografinë e instilacionit të artistes shqiptare e cila lë gjurmë me punën e saj të veçantë.

“Ky instalacion i artistes Alketa Xhafa eshte hequr nga hapesira poshte pallatit te rinise. Arsyeja e heqjes eshte se Termokosi ka punuar ne kete ambient. Pasi eshte rregulluar hapesira nuk eshte kthyer instalacioni. Mendoj se duhet te kthehet ngaqe eshte krejt ndryshe me ato skulptura cfare jemi mesuar ti shohim ne kryeqytet”, ka shkruar Ilir Muharremi./ KultPlus.com