Era Berisha
Instalacioni i vendosur në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit nga artisti Zgjim Elshani, sot solli para publikut ritualin rrallë të praktikuar e të titulluar ‘Gjama’, përmes së cilës synohet të hapet një hapësirë e re për reflektim dhe ri-interpretim të përjetimeve emotive kolektive dhe njëkohësisht të rimendohet vajtimi kolektiv dhe ajo se çka do të thotë të shfaqësh publikisht emocione në një shoqëri patriarkale, shkruan KultPlus.
Fillimisht, para se ngjarja të gjente fillimin, teksa të pranishmit po vinin dalëngadalë, ajo se çka dëgjohej nga jashtë ishin tinguj dhe zëra që dalloheshin qartë se po vajtonin dhe në ndërkohë krijonin iluzionin se dikush prapa dyerve më të vërtetë ishte i pranishëm. Zërat e fuqishëm që burim kishin instalacionin e vendosur brenda sallës, tek publiku zgjuan kureshtjen por edhe padurimin që dyert të hapen sa më shpejtë.
Pas disa minutave, ngadalë po ngritej edhe intensiteti i tingujve duke shpalosur më në fund edhe instalacionin i cili ishte i vendosur në mes të sallës në një projektor që po shfaqte këtë ritual zie që praktikohet dhe performohet nga burrat shqiptar përgjatë shekujve. Ndërsa, para instalacionit, dheu ishte shoqëruesi i tij që po portretizonte diellin, element ky që gjendet në lutjet e tyre.
Instalacioni shpalosi një ritual që erdhi fuqishëm më një dramacitet që zgjoi rrëqethet e njeriut dhe u fut thellë brenda shpirtit të tij me notat e larta dhe specifike. Vdekja, sjell gjithmonë dhimbje tek një person i gjallë, e ky ritual që u shfaq me një orkestrim dhe koncept të jashtëzakonshëm, solli pikërisht atë ndjenjë, ‘një vdekje të gjallë’.
Ndërsa, shprehjet e fytyrës nga performuesit si: Geg Zefi, Gjon Kosteri, Kol Martini, Ndue Fusha, Gjon Fiku, Sokol Kodra, Ndue Deda, Kol Zefi, Gjelosh Fusha, Pale Zefi, Pjeter Shytani, Prel Toma, File Strugaci, Shkelzen Pali, Gezim Gilaj, Lindita Gilaj, Raimonda Sulaj, Gjon Gilaj, Kujtim Varfi, Nue Shytani, Fran Kodra dhe Deda Frani, ishin faktorët përbërës ku së bashku me veshjet e tyre tipike shqiptare, përçuan emocione dhe ndjenja ku dhembshuria tejkaloi vetveten plotësisht.
Gjama e burrave, një traditë e lashtë që ka lënë gjurmë në popullin shqiptar e që për momentin është në zhdukje e sipër, ku të vetmit që e realizojnë tani janë vetëm njerëzit e moshuar. Britmat e frazave specifike dhe koreografi precize e tyre ishin pikat kryesore, përmes së cilave respektohet dhe nderohet i vdekuri, duke tejkaluar kështu pikëllimin dhe dhimbjen për humbjen e një personi. Andaj, edhe artisti Zgjim Elshani, përmes dokumentimit të rikrijimit të ritualit, synon të shfaqë fragmente të kësaj praktike në komunitetet ku kjo formë e vajtimit kolektiv vazhdon të jetë mënyrë e tejkalimit të dhimbjes dhe humbjes.
Përmes simulimit audio-vizuel, instalacioni i ofron qasje publikut që ta shoh këtë ritual mortor, një traditë për burrat e vdekur. Ndërkohë, konsiderohet se rituali nuk mund të nis nëse nuk janë 10 burra, prandaj sa më shumë që i bashkohen ritualit, aq më i madh konsiderohet respekti për të vdekurin.
Ndërsa, për të folur më shumë rreth realizmit të këtij instalacioni dhe xhirimeve në Shkodër që kanë zgjatur rreth dy ditë, për KultPlus foli artisti Zgjim Elshani.
“Ideja ka nis qysh kur i kam parë disa fotografi online të viteve 40-ta, në Malësi të Shqipërisë ku shihen persona duke performuar dhe pastaj fillova të hulumtoj dhe gjeta disa video online të disa varrimeve që i kanë bërë, andaj edhe më ka tërhequr si performancë por edhe si tingull e zë”, thotë Elshani.
Sipas tij, videoja është realizuar përmes disa burrave nga Shkodra të cilët mundohen ta ruajnë këtë traditë dhe kontaktimi me ta solli sot këtë ritual para publikut.
“Si ritual faktikisht ka rrënjë pagane ku atëherë ilirët iu kanë lutur diellit dhe po në të njëjtën formë rrethore realizohet edhe gjama. Kurse, ishte një ngjarje shumë e mirë dhe po ndjehem mjaft i lumtur që kanë ardhur kaq shumë njerëz dhe shpresoj se ju ka pëlqyer”, përfundon Elshani për KultPlus.
Ekipi realizues përfshin: producentin Zgjim Elshani, kinematografia nga Rron Ismajli, opertori i dytë i kamerës Arber Maloku, ndihmës i kamerës Flamur Ahmeti, editimi nga Tal, zëri nga Alban Telaku, operatori i parë i kamerës Nok Selmani dhe udhëheqësja e projektit Ermirë Krasniqi.
Instalacioni do të qëndrojë i hapur për publikun edhe ditën e nesërme, më 24.06.2021. Ndërsa, ky projekt është realizuar në kuadër të platformës ‘HeritageSpace’, e cila implementohet nga ‘CHëBKosova’ dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Prezantimi publik mundësohet nga Ilucidare dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com