Në mbështetje të Ditës ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë 2017, artistja britanike e lindur në Kosovë, Alketa Xhafa, rikthehet në vendlindje me veprën artistike “VOTO!: për përfundimin e varfërisë!”
“Praktika ime e artit përqendrohet në identitetin, kujtesën dhe të vërtetën, duke prekur çështje të tilla si frika, përpjekjet dhe sidomos zërat e heshtur dhe të padëgjuar të botës që më rrethojnë,” tregon Xhafa. Ajo shpjegon se nëpërmjet krijimtarisë artistike, përpiqet të ngritë vetëdijen, të ndryshojë perceptimet, të fillojë dhe të ndërmerrë veprime kundrejt problemeve: “Arti është medium për shprehje dhe rezistencë njerëzore dhe në atë hapësirë krijuese ndonjëherë ekziston mundësia për të gjetur mënyra për lehtësimin e vuajtjeve njerëzore.”
Xhafa ishte folëse në ceremoninë e mbrëmshme të ndarjes së Çmimeve të gazetarisë për varfëri 2017 nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Jam rritur në vitet 1990 në Prishtinë, nën regjim të egër. Ishte një kohë kur shqiptarëve në Kosovë vazhdimisht u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut. Ishte koha kur shqiptarët përjetuan diskriminim në punësim, arsim, shëndetësi, gjykime të drejta, përfaqësim politik dhe jetë publike. Varfëria, është një përvojë që familja ime dhe unë e kuptojmë shumë mirë. Duke qenë shqiptar të Kosovës as ne nuk u kursyem,” rrëfen Xhafa.
Ardhur në kohë zgjedhjes në Kosovë, instalacioni përcjellë mesazh mbi fuqinë e votës për ndryshime në shoqëri. Vepra përmban një përzgjedhje të fotografive bardhë e zi, realizuar nga artistët Arben Llapashtica, Hazir Reka dhe Xhemajl Sllovinja që shfaqin pamje të jetës së varfër në Kosovë, tregime të realiteteve njerëzore, të shënuara me mesazhin e fuqishëm: Voto! #Për përfundimin e varfërisë!.
“Kosova më në fund është e lirë dhe janë 10 vite që kur vendi ynë është bërë i pavarur. Megjithatë, çdo vit, kur vij në atdheun tim të bukur, ndjej trishtim kur shoh nivelin dhe shkatërrimin e varfërisë që ende prek kaq shumë familje. Shkaqet janë papunësia, mungesa e pagesës, korrupsioni dhe mungesa e vizionit në elitën sociale dhe politike. Varfëria është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, ndërsa unë nuk shoh që problemet tona më të mëdha po trajtohen nga udhëheqësit tanë. Lufta e varfërisë është shakaja më e madhe që mund të dëgjoni prej tyre,” thotë artistja, shkruan KultPlus.
Përderisa shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet një ndër më të lartat në rajon dhe në Evropë,Xhafa bën ftesë që shoqëria kosovare duhet t’a kthejë problemin e madh të varfërisë në një çështje thelbësore duke punuar pa pushim së bashku dhe duke mos u bindur së bashku: ‘’ Unë besoj se ne të gjithë mund të bëjmë ndryshime pozitiv – sidomos kur bëhet fjalë për çështje të mëdha si varfëria. Së bashku, mund të bëjmë ndryshime kuptimplote dhe të qëndrueshme dhe të lehtësojmë vuajtjet e vendit tonë të ri dhe të vogël. Luftimi i varfërisë nuk është çështje bamirësie, por është çështje e drejtësie.”
Instalacioni “VOTO!: për përfundimin e varfërisë!” është i dukshëm për publikun në ndërtesën Termokiss në Dardani, në Prishtinë, që nga e premtja, më 20 tetor, 2017. / KultPlus.com