Muzeu Hebraik në Vlorë, institucioni më i ri i kujtesës

Muzeu Hebraik në Vlorë, është institucioni më i ri i kujtesës, që bashkon histori kombesh, mbijetesën dhe besën.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga projekti i këtij muzeu.

“Mirëmëngjes dhe me projektin e Muzeut Hebraik në Vlorë, institucioni më i ri i kujtesës, që bashkon histori kombesh, mbijetesën dhe besën, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu theksoi se, sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, hyrja në të gjithë muzetë dhe parqet arkeologjike është falas.

Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Projekti fitues për muzeun, vendndodhja e të cilit do të jetë në Vlorë, u prezantua dje në prag të ditës ndërkombëtare të muzeve, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”. /atsh / KultPlus.com