Performuesit e institucioneve kulturore të Kosovës hyjnë në grevë, anulojnë çdo aktivitet

Alberina Haxhijaj

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës në konferencën e mbajtur sot për media, kanë njoftuar se do të anulojnë çdo aktivitet deri në ngritjen e pagës komfor rregullores, shkruan KultPlus.

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë dal sot me një komunikatë për media, ku thanë se nga sot anulojnë çdo aktivitet dhe hyjnë në grevë.

Besnik Grajqevci, përfaqësues nga Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, tha se kjo konferencë po mbahet për të njoftuar opinionin se cilat janë hapat sindikal të cilat do të merren karshi kërkesave të tyre.

“Bëjmë thirrje institucioneve tona dhe ministrit që sa më shpejtë të miratojnë marrëveshjen që e kemi bërë tash e një vit”, tha ai.

Këshilli i Grevistëve u shprehen se performuesit e artit tash e 19 vite janë në gjendje të rëndë dhe po neglizhohen nga Ministria e Kulturës, Kuvendi dhe Qeveria.

Përfaqësuesi Sindikal i Teatrit Kombëtar, Shkelzen Veseli theksoi se mungon edhe mbrojtja institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistik.

“Pas zotimeve të njëpasnjëshme se pagat me ngritje do të dalin në janar, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në mars, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në qershor, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në shtator.. dhe pastaj, dhe pastaj dhe pastaj… ja ku jemi në vitin 2028”, u shpreh me ironi, Veseli duke kujtuar premtimet e shumta të cilat i ka marrë ky Këshilli nga Ministria e Kulturës këto vitet e fundit.

Këshilli Grevist i Sindikatave dhe përfaqësuesve e perfomuesve të artit të institucioneve vartëse të MKRS-së, shpallën grevë të përgjithshme duke pezulluar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara në kalendarët përkatës, deri në realizimin e zotimeve publike të MKRS-së për ngritjen e pagës bazë komfor Rregullores 05/2018.

Kujtojmë se Sindikata përkatëse të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës kanë iniciuar proceduat për përmirësimin e rregullores 05/2011.

“Ne do të vazhdojmë grevat. Sigurisht kemi pasur greva edhe më parë por gjatë kohës sa ato janë anuluar janë realizuar mjaftë punë edhe pse ato mund të mos vërehen. Madje është realizuar edhe koncept dokumenti. Pra tani ka mbetur vetëm që rregullorja të dërgohet në Qeveri për miratim. Unë shpresoj që ministri ka vullnet dhe dëshiron që ta realizojë këtë. Po ashtu jemi të bindur se kërkesa është ligjore, legjitime dhe e realizueshme”, shtoi Veseli.

Këshilli i grevistëve gjithashtu theksoi se edhe në të ardhmen, sikurse edhe deri më sot, do të angazhohen që të jenë partner të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht MKRS-së./ KultPlus.com