Me shkelje të vazhdueshme të normave gjuhësore, ndërtime të gabuara sintaksore e përdorim të fjalëve të huaja, folësit e shqipes po hyjnë në kohën e globalizmit. Sipas një grupi të gjuhëtarëve, rënia e kulturës së gjuhës, shpërfillja ndaj standardit dhe prirja për të përdorur të folmet dialektore janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ky ka qenë vlerësimi thuajse i përbashkët i kumtesave që u shpalosën të hënën paradite në sesionin e gjuhësisë, me temën “Probleme të shqipes standarde në komunikimin e shkruar dhe të folur sot”, që hapi edicionin e dhjetë të “Javës së Albanologjisë”.
Në fjalën e hapjes, Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, ka thënë se konferenca e sivjetme mbahet pikërisht në shënimin e jubileut të çlirimit të Kosovës. Pasi përmendi se në edicionet e javëve të albanologjisë, të mbajtura gjatë këtyre dhjetë vjetëve, janë lexuar 1.097 kumtesa nga gjuhësia, letërsia, historia, folklori, etnologjia, etnomuzikologjia, arkeologjia dhe marrëdhëniet ndërkulturore të shqiptarëve me të tjerët, ai ka shtuar se në këtë edicion të “Javës së Albanologjisë” ka pasur interesim edhe nga albanologët e huaj, por, sipas tij, me “kapacitetet e tashme buxhetore ka qenë i pamundur mbulimi i shpenzimeve të tyre”. Gjatë tri ditëve me radhë, “Java e Albanologjisë” do të ketë sesionin e gjuhësisë, folklorit, letërsisë, etnologjisë dhe historisë, ku do të lexohen gjithsej 96 kumtesa.
Ndërkaq, Lulzim Lajçi, sekretar shkencor në Institutin Albanologjik, ka folur për aktivitetet shkencore të këtij institucioni. Ndër të tjera Lajçi ka përmendur edhe veprën më të re të Qemal Muratit “Fjalori i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës”, për të cilën ka thënë se “përfshin leksikun dhe frazeologjinë e të gjitha të folmeve të Kosovës, si dhe një pjesë të emrave të familjeve dhe vendbanimeve të Kosovës të trajtuara në vështrim etimologjik”.
Sesioni i Gjuhësisë e hapi seancën e parë me fjalën përshëndetëse të shefit të Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik, Qemal Murati.
Teksa ka lexuar kumtesën e tij “Për parregullsitë gjuhësore dhe respektin për normën e gjuhës standarde”, ai ka përmendur përpjekjet për delegjitimin e standardit që, sipas tij, përbën një “shpërfillje për gjuhën”. “Gjuha standarde është bërë emëruesi i përbashkët për të gjitha hapësirat e shqipes e nëpërmjet saj ne komunikojmë kudo që jemi. Ka një grup njerëzish, të shtyrë nga mendësi krahinore e me formim të mangët kulturor e gjuhësor, që po t’i dëgjosh flasin në gjuhën standarde, por e shajnë atë”, ka thënë Murati.
Në vazhdim, gjuhëtarja Shefkije Islamaj ka shpalosur kumtesën e saj “Gjuha standarde, dialektet dhe të folmet mjedisore”, duke vlerësuar gjendjen e përdorimit të standardit në hapësirat shqiptare. “Në Kosovë, gjuha standarde funksionon në një masë të madhe, por në të bashkëjetojnë edhe realizime urbano-krahinore, sociolektale, idiolektale, etj. Edhe Tirana ka një situatë të ngjashme, ku dy kryeqytetet shqiptare paraqiten si dy entitete tejet të përbëra gjuhësore”, ka thënë ajo.
Gjuhëtari nga Tirana Valter Memisha ka thënë se komunikimi gjuhësor i shqiptarëve sot paraqet një larushi të pafundme, ndërsa gjuhëtari nga Shkupi Zeqirija Ibrahimi ka folur për problemet e përdorimit të shqipes në Maqedoni.
Edhe Berton Sulejmani, dekan i Fakultetit Filologjik në Universitetin e Tetovës, në kumtesën e tij ka paraqitur probleme nga përdorimi i shqipes standarde në arsimin parauniversitar të qytetit të Shkupit.
Gjatë ditës u mbajt edhe seanca kushtuar folklorit, me temën “Festivalet folklorike, folklori, folklorizimi dhe audienca”, ku pos prezantimit të afër njëzet kumtesave u mbajt edhe një bashkëbisedim./Koha.net/